OKB zgjedh avokatin e popullit shqiptar

51

1367994472-4Avokati i Popullit Igli Totozani është zgjedhur anëtar i dy  bordeve të rëndësishme të në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, anëtar i Bordit të Rrjetit Rajonal Europian dhe Bordit Drejtues të Komitetit Ndërkombëtar për Koordinimin e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut .

Këto vendime janë marrë  në ditën e dytë të Sesionit të 26 të Komitetit Ndërkombëtar për Kordinimin, e cila iu rezervua takimeve të katër grupeve të mëdha të rrjeteve rajonale të institucioneve kombëtare  të të drejtave të njeriut: Rrjeti Afrikan, Rrjeti i Vendeve të Kontinentit Amerikan, Rrjeti i Azisë dhe i Paqësorit dhe Rrjeti Europian. Ky i fundit është i përbërë nga 40 anëtarë, përfshirë dhe institucionin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.

Përmes një procedure votimi të fshehtë, janë përzgjedhur edhe anëtarët e tjerë të këtij rrjeti, i cili do të përbëhet prej 6 anëtarësh për tre vitet e ardhshme: Avokati i Popullit i Shqipërisë dhe përfaqësuesit e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Gjeorgjisë dhe Skocisë. Rrjeti Rajonal Europian e kryen aktivitetin e tij në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Europës, me struktura të tjera europiane, me OSBE/ODHIR, si dhe me strukturat e OKB-së.

Rrjeti koordinon ndërhyrjet strategjike, që synojnë politika për të drejtat e njeriut në rajonin e Europës. Nga 6 anëtarët e Bordit të Rrjetit Rajonal Europian, 4 prej tyre, përfshirë dhe Avokatin e Popullit, Igli Totozani, u votuan për të përfaqësuar këtë rrjet. Komiteti është krijuar më 1993 dhe përfshin 103 anëtarë nga vende të ndryshme të botës. Nëpërmjet nënkomitetit të tij për akreditimin, KNK shqyrton dhe akrediton institucionet e të drejtave të njeriut në nivel kombëtar në raport më përmbushjen e Parimeve të Parisit.

Avokati i Popullit ishte një kandidaturë e Partisë Socialiste, i cili u zgjodh në këtë funksion me votim parlamentar më dhjetor 2011. Ai është zgjedhur gjithashtu dhe anëtar i Bordit Administrativ të Organizatës së Ombudsmanëve të vendeve të Mesdheut./al.bl/