PS: nëse Berisha prek zgjedhjet, ndërkombëtarët nuk do të bëjnë sehir

54

367Në një Konferencë për shtyp, Valentina Leskaj deputete e PS-së, deklaroi se, Berisha nuk është i aftë të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve demokratike, të denja për një vend anëtar të NATO-s. Ky fakt, sipas Leskaj, është kthyer në një shqetësim serioz edhe për partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

’Vetëm dje gjatë takimit të Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, Ndihmëssekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker e theksoi fort këtë shqetësim duke lëshuar madje edhe një mesazh të qartë për Kryeministrin në ikje: nëse preken zgjedhjet e 23 qershorit, SHBA nuk do të bëjë sehir. Kujtojmë po ashtu se kjo thirrje vjen pas mesazhit të qartë që i ka dërguar Sali Berishës edhe Bashkimi Europian, që e ka bërë të qartë që mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me standardet më të larta demokratike, do të jenë një test për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian’’,- deklaroi deputetja Leskaj.

Ajo theksoi gjithashtu, se PS është e gatshme të bëjë gjithçka për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, duke ftuar kryeministrin Berisha të dëgjojë thirrjet e partnerëve ndërkombëtarë.

’Jemi po ashtu të bindur se asgjë nuk e shpëton Sali Berishën nga vota e shqiptarëve në 23 qershor. Le t’i marrë e t’i numërojë votat edhe në shtëpinë e tij po të dojë. Por, në emër të interesave madhore të vendit, në emër të integrimit europian dhe të ardhmes europiane të shqiptarëve, e ftojmë Kryeministrin në ikje që të paktën në këto ditë të fundit të pushtetit të tij të dëgjojë zërin e arsyes dhe shqetësimin që nuk vjen më vetëm nga Partia Socialiste dhe opozita, por nga të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë në këto momente delikate për vendin tonë’’,- deklaroi Leskaj.