Roberto Saviano kthehet në Napoli pas 8 vitesh

Roberto SavianoNjë djalë i ri, i cili ndoshta jo me qëllim u bë një person i famshëm nga puna gazetareske kundër mafies, Roberto Saviano, është kthyer në Napoli pas 7 vitesh mungesë. Në librat dhe filmat e tij del në pah rreziku dhe veprimtaria e grupeve kriminale  të Kamorrës. Këto grupe sundojnë dhe kontrollojnë jetën dhe veprimtaritë ekonomike e politike të qytetit. Kjo e detyroi Savianon te linte Napolin, pasi hulumtimet dhe shkrimet e dokumentuara krijuan cënim të integritetit të Kamorrës. Veprimtaritë dhe interesat ekonomike e kriminale jo vetëm në Napoli, por edhe në zona të tjera të Italisë dhe jashtë saj tashmë kishin një rrezik permanent. Kamorra kërcënoi seriozisht Savianon, i cili për më shumë se 7 vjet jeton në regjim sigurimi fizik, të dhënë nga shteti Italian. Roberto Saviano, bëri publike mendimin dhe urrejtjen, që kishte kundër këtyre grupeve, të cilat po bënin një shkatërrim jo vetëm social, por edhe ekonomik e kulturor të qytetit të Napolit. Filmi Gomorra ishte qershia mbi tortë në shenjtërimin e Savionos si personazh i anti Kamorrës. Opinioni publik u njoftua për një sëmundje të rëndë, që cënon vendin dhe mbarëvajtjen e tij. Napoli dhe napolitanët i kanë kushtuar vëmendje kthimit të Savianos në qytet, pas shtatë vitesh. Kjo për ta është cilësuar si një mesazh shumë i fortë që mori kriminaliteti. Vizitën e tij në Napoli, Saviano e ka kurorëzuar edhe me botimit e librit më të ri “ZEROZEROZERO”, ku vë në pah lëvizjet, veprimtarinë dhe interesat e Kamorrës, në tregtimin e kokainës në botë. Roberto Saviano, arriti të bëhet një shembull i mirë jo vetëm për rininë napolitane, por për atë mbarë botërore.

BE shpreh ngushëllimet popullit dhe qeverisë amerikane

0

boston (2)Atentati me bombë në Boston, është shoqëruar me një sërë telegramesh ngushëllimi, nga shumë vende të botës. Bashkimi Europian ka shprehur gjithashtu ngushëllimet nëpërmjet Herman Van Rompuy, President i Këshillit Evropian. Van Rompuy ka theksuar në këtë telegram ngushëllimi, se,:  ‘’Dënoj aktet e tmerrshme të kryera në Boston dhe shpreh keqardhjen e thellë për rezultatin tragjik dhe humbjen e jetëve të të pafajshme. Përgjegjësit për aktet e tmerrshme, duhet të sillen përpara drejtësisë. Mendimet e mia, shkojnë me viktimat dhe familjet e tyre. Populli amerikan dhe autoritetet kanë mbështetjen e plotë dhe simpatinë e Bashkimit Evropian’’

Paralelisht mbas kësaj situate, një telegram ngushëllimi ka dale dhe nga zyra e Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe në të njëjtën kohë zv. Presidente e Komisionit, e cila sot gjendet për një takim zyrtar në Tiranë. Ajo ka deklaruar se: ‘’ U trondita kur dëgjova lajmin e tmerrshëm në maratonën e Bostonit, me qëllim shënjestrimin e burrave, grave dhe fëmijëve, që shijonin dhe po merrnin pjesë në një ngjarje sportive. Mendimet tona shkojnë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe i urojmë shërim të shpejtë, atyre që janë plagosur. Akte të tilla janë të dënueshme. Ne jemi pranë qeverisë dhe popullit amerikan, në dënimin e këtyre akteve.’’

FBI ka filluar hetimet duke e konsideruar atentatin në fjalë si një ngjarje terroriste.

A. Blushi

Zbardhet takimi Eshton- Nishani

PresidencaPresidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Zëvendëspresidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian, Baroneshën Catherine Ashton, e cila vizitoi për herë të parë Shqipërinë, në kuadër të një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pasi shprehu angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e integrimit dhe përgjegjësinë për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Europian, Presidenti Nishani falenderoi Bashkimin Europian dhe personalisht Baroneshën Ashton për mbështetjen dhe inkurajimin e vendeve të rajonit dhe veçanërisht të Shqipërisë në proceset demokratike dhe të integrimit.

Në vijim, Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.

Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Nishani, në këtë kuadër, vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar.

Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Catherine Ashton theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.

Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit.

Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër.

Të dy bashkëbiseduesit ishin në një mendje se, Presidenti i Republikës mund të luajë një rol moderues dhe të përcjellë mesazhe të nevojshme gjatë dhe pas procesit elektoral në përputhje me statusin e tij institucional- theksohet në njoftimin për shtyp të Presidentit të Republikës.

Retorike nacionaliste nën uniformat paramilitariste

0

protestaFillimi i parakohshëm i fushatës elektorale, u shoqërua me një tendencë të re. Intensifikimi i gjuhës së përdorur për qëllime elektorale, solli një risi për publikun shqiptar, përdorimin e nacionalizmit. I artikuluar, si nga shumica në pushtet, po ashtu dhe nga forca të reja politike të krijuara në terren, fokusimi mbi të, arriti të tërhiqte edhe vemendjen e ndërkombëtarëve.

Në protestën e 7 prillit, sërish, thirrjet nacionaliste për një ‘Shqipëri etnike’, shoqëruan protestën e radhës të AKZ-së. 

Po çfarë është ky lloj nacionalizmi, që, po i ofrohet elektoratit shqiptar, nëpërmjet kësaj propogande para zgjedhore ? Sa përngjason ai, me nacionalizmin në vetvete, si ideologji politike dhe nacionalizmin si retorikë politike, për qëllime elektorale? Si devijon, përdorimi i tij, nga forcat politike në terren?

Nacionalizmi në vetvete, trajtohet si një ideologji politike, ku kombi-shtet merr rëndësinë dhe prioritetin maksimal, duke u shndërruar në qëndrën e veprimeve politike, brenda një rajoni të caktuar. Mirëpo, sipas studiuesve të kësaj fushe, që ky nacionalizëm, si ideologji e caktuar, të aplikohet në terren, kërkon bashkërenditjen e disa faktorëve të tjerë përbërës të tij, siç janë: Patriotizmi, pra sensi i lartë i dashurisë nga ana e qytetarëve kundrejt popullit e atdheut të vet, dhe ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe popullit të vet; Militarizmi, ku qeveritë nacionaliste fitojnë pushtet politik nëpermjet kontrollit ushtarak; Xhingoizmi, besimi ekstrem, se, vendi yt është pikërisht vendi më i mirë, duke kaluar gradualisht në një eufori mbështetëse për kryerjen e ndonjë ekspasioni ushtarak, kundrejt një vendi tjetër; dhe Krenaria Kombëtare, ku qytetarët tregojnë nje sens të lartë krenarie për vendin e tyre.

Ndërkohë që tezat Nacionaliste, janë shndërruar në motivacionin kryesor të lëvizjes politike, Aleancës Kuq e Zi, në daljet e saj publike, kjo parti, ka përdorur një formë më të pastër të hedhjes së këtyre ideve. Por, ajo që konstatohet, është një nivel i konsiderueshëm disproporcional, midis asaj çka kjo parti lançon publikisht dhe asaj, që e gjejmë të aktualizuar në programin dhe platformën e saj politike. Nëse publikisht, kjo forcë politike është prononcuar për një ’Shqipëri të Bashkuar’, dhe si gur të themelit të saj në platformën e publikuar online, ka vendosur ’zotimin për realizimin e aspiratës shekullore për bashkimin kombëtar’, ndërsa shohim hartën e publikuar në website-n e kësaj force politike, vihet re një bashkim fizik i Shqipërisë dhe Kosovës, duke përjashtuar pjesët e tjera të Shqipërisë etnike, që gjenden përtej territoreve të kufirit aktual shqiptar. Kjo, aktualizohet edhe në idenë e bërë publike nga kjo forcë, për një bashkim të mundshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, si njësi federative, e stilit gjerman dhe amerikan. Së fundmi, kjo forcë ka hedhur idenë, se, në ndonjë opsion të mundshëm për koalicion para zgjedhor, kjo pikë duhet të figurojë në një marrëveshje midis palëve.

Një pikë e errët, në të tërë këtë proces, ngelet fakti, se, si do të realizohet kjo ide, në cilën mënyrë, me çfarë mjetesh? Cila do të jetë kostoja, që do të mbart ky proces politik, në vetvete? Nuk ka patur ndonjë sqarim publik, nëse kjo ide është hedhur në bashkëpunim me faktorin politik kosovar, apo është e izoluar në vetvete, si e tillë. Ndërkohë, që fokusi kryesor, është i bazuar në nacionalizëm dhe në një retorikë anti-Berishiste, nuk sqarohet, se, çfarë formë shtetërore, juridike apo ekonomike do të ofrojë kjo forcë? Në programin online të AKZ-së, asgjë nuk sqarohet.

Një detaj i rëndësishem, që nuk kalonte pa u vënë re, në protestën e organizur ng AKZ, përtej thirrjeve për një ‘Shqipëri etnike’, ishte caktimi i një numri njerëzish, të cilët disa prej tyre mbanin të veshur kostume civile, ndërsa, disa të tjerë mbanin të veshur, xhaketa të stilit paramilitar, ngjyrë kafe me nje shirit të kuq, në krahun e majtë, që të rikujtonin uniformat e të rinjve paramilitarë, të projektuara nga Gruber. Eshtë një detaj i çuditshëm dhe që ka shumë pak gjasa, që të jetë i një niveli sporadik, pa kaluar në filtrat këshillues, të një niveli të lartë partiak. Nga ana tjetër edhe veshjet e vet liderit Spahiu, në dalje protestash përmbajnë në vetvete, xhaketa që i përngjasojnë stileve militare, në ngjyra jeshile dhe të zeza (me spaleta dhe xhepa të mëdhenj katrorë). Thirrjet për nacionalizëm dhe bashkim etnik shqiptar, të shoqëruara me veshje me domethënie militare, përçojnë një mesazh, që shtrihet përtej programit dhe platformës politike partiake të ofruar.

Nga ana tjetër, kur analizojmë nacionalizmin e artikuluar nga lideri i së djathtës në pushtet, ato janë shoqëruar gjithashtu edhe me një reagim në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Deklarata të tilla nacionaliste, si: ’Shqipëria etnike nga Preveza në Preshevë’, apo deklarata e kryeministrit Berisha në Konferencën e Mynihut, janë në disproporcion të pastër me veprimet e vazhdueshme të politikave të së djathtës, ku më pikantja mbetet ’delimitacioni i shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon, 2009’.

Fillimisht, këto deklarata, krijonin idenë e përdorimit të tyre, si kundërbalancë e përdorimit të tezës nacionaliste nga Aleanca Kuq e Zi. Por, gradualisht, së bashku me kundër-reagimin rajonal dhe ndërkombëtar, që ato krijuan, këto deklarata devijuan nga qëllimi i tyre primar, ai i përfitimit për arsye elektorale, duke marrë një tjetër formë, atë të kundërvënies ndaj diplomacive reaguese, kryesisht asaj të SHBA. Pas ’Memos’ së bërë publike, e cila nënkuptonte, jo vetëm mospranimin e tezave nacionaliste, që po krijonin një problematikë në rajon, por theksonte edhe një ’dënim publik të mundshëm të këtyre politikave’, devijimi në tendencë u vu re sërish. Nacionalizmi, po përdorej nga kryeministri, si kundërpërgjigje ndaj diplomacisë amerikane. Para Parlamentit, Berisha, do deklaronte, se nacionalizmi i përdorur prej tij, nuk ishte veçse një ‘Nacionalizëm Qytetar’.

Sigurisht, për shumicën e popullsisë, ky koncept tingëllon si një koncept i thjeshtë. Por, për studiuesit e Shkencave Politike, ky koncept, është një ideologji më vete. Nacionalizmi Qytetar, e përcakton kombin si një bashkim njerzish, që e identifikojnë vetveten, se i përkasin një kombi, dhe se kanë të drejta politike të barabarta. Principet e Nacionalizmit Qytetar, specifikojnë se kombi nuk bazohet në prejardhjen e përbashkët etnike, por është një entitet politik, ku bërthama bazë është Identiteti dhe jo Etnia. Ernest Renan më 1882, do ta përcaktonte kombin, si një ’referendum të përditshëm’, që varet nga vullneti i popullit për të vazhduar të jetuarin së bashku. Kjo ideologji politike, qëndron në thelbin e krijimit të Demokracisë Përfaqësuese Amerikane, çka është dhe e ilustruar në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, 1776.

Pra, pas reagimit të ambasadorit Arvizu, mbi procesin ”21 janari” dhe kundërpërgjigjes qeveritare se: ’janë vrarë njerëz duke tentuar të kapërcejnë muret e ndonjë ambasade’ – (nënkupto atë Amerikane.autori), vjen kundër përgjigjja e dytë qeveritare, po në të njëjtën logjikë, se: ’Nacionalizmi ynë është Qytetar, siç është dhe Nacionalizmi juaj Amerikan’. 

Ndërkohë, që vëzhgojmë një përdorim të tezave nacionaliste të reduktuara në nivel verbal, dhe te shoqëruara me simbole ‘figurative’ militare nga AK, por të cilat shkojnë në disproporcion me ambicjet programuese të kësaj force, nga ana tjetër, konstatohet gjithashtu, një devijim në tendencën përdoruese të tezës nacionaliste, nga aktorët kryesorë qeveritarë, prej logjikës së përfitimit elektoral, në kundërvënie të reagimeve diplomatike, kryesisht atë amerikane. Gjithashtu këto teza nacionaliste, nuk janë të artikuluara në programin politik të së djathtës në pushtet.

Realizimi i teorive dhe ideve nacionaliste, kërkon angazhimin e elementëve, të cilët shkojnë në kundërshtim me aspiratat, për një fqinjësi të mirë dhe një efikasitet diplomatik ndërveprues rajonal. Idetë nacionaliste, krijojnë gjithashtu përplasje me aspiratat për një integrim europian. Si mund të funksionojë dhe të jetë efikase, një platformë politike, nëse ajo është edhe nacionaliste, edhe me synime integruese? Këto janë teori, që në vetvete e përjashtojnë njëra-tjetrën. Me nacionalizëm, nuk mund të kuptojmë thjesht dashurinë ndaj vendit tënd, pasi ky është patriotizmi, ndërsa nacionalizmi shkon shumë larg, ai është egzaltimi i kombit, me tërë mjetet e mundshme në dispozicion, kundrejt kombeve të tjerë.

Historia ka treguar, se, çdo ndjesi superioriteti identitar dhe çdo stigmatizim ndaj tjetrit, nuk mund të gjenerojë veçse polemika sterile, duke mbyllur portat e komunikimit të një fqinjësie të mirë, çka shteti shqiptar, pavarësisht rrethanave në të cilat është gjendur, ka ditur ta ruajë këtë ekulibër të rëndësishëm, në politikat diplomatike të tij. Nacionalizmi si ideologji, ka penetruar në shumë doktrina të tilla të aplikuara, siç mund të përmendim politikat komuniste të shekullit të XX; konceptin e Patriotizmit anti-imperialist të Mao Ce Dun; konceptin Totalitarist dhe antikapitalist të Benito Musolinit; dhe duke kaluar deri në justifikimet nacionaliste, si motorri bazë i mobilizimit për spastrime etnike, në Ballkan. Nacionalizmi, nuk është një doktrinë paqësore, por provokon dhe gjeneron luftëra dhe konflikte.

Ndërsa retorika sporadike nacionaliste, e forcës politike në pushtet, duket të ketë formën e një nacionalizmi të rremë, për përfitime elektorale dhe i përdorur herë pas here, si element për t’iu kundërpërgjigjur diplomacisë amerikane, ai, i përdorur nga AKZ, i ngjan një doktrine të mbështetur pjesërisht në princip, por pa baza themeltare, për një aplikim të mundshëm në terren. Duke e shndërruar kësisoj, në një shpalosje propagandistike, që aspiron një nacionalizëm ‘real’ në propagandë verbale, por që, reduktohet rrugës në një program partiak, që nuk synon, veçse zbatimin e detyrimeve ligjore, që burojnë nga dokumenti themeltar shtetëror, Kushtetuta e Shqipërisë.

Eni Kondi

PE: Kroacia zgjedh 12 eurodeputetë

0
PE- foto albaniaplus
PE- foto albaniaplus

Kroacia organizoi zgjedhjet të dielën e kaluar, për të përcaktuar 12 eurodeputetë. Eurodeputetët do të marrin këtë funksion, më 1 korrik 2013. Ato do të qëndrojnë si deputetë deri më 14 maj 2014, kur Parlamenti Europian pritet të rizgjidhet sërish. Zgjedhjet shënuan një abstenim të ndjeshëm, që shpjegohet nga dy faktorë kryesorë, euroskepticizmin dhe gjendjen jo të mirë ekonomike në vend. Partia në pushtet nuk arriti të fitonte shumicën, duke bërë kalimin në një përparësi të lehtë të krahut opozitar.

Fushata elektorale duket, se, nuk ka tërhequr shumë votues drejt kutive të votimit dhe se vetëm, 1 në 5 kroatë, të cilët kishin të drejtën e votës, votuan. Zgjedhjet shënuan 750.000 votues për 12 deputetë europianë, qe llogariten të jenë, vetëm gjysma e atyre, të cilët votuan më janar 2012, për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Mbyllja e votimit të dielën në darkë, konstatoi se partitë opozitare, pra lista e partive konservative në opozitë (HDZ) kishte fituar me shumë pak diferencë, vetëm 33%, kundrejt 32% të Partisë Social-Demokrate (SDP) në pushtet. Opozita, cilësohet të ketë bërë një punë më të mirë për mobilizimin e votuesve, se, sa partia Social-Demokrate e shumicës qeverisëse.

Partitë Konservatore, morën gjysmën e karrigeve të deputetëve, kundrejt 5 karrigeve të SDP dhe 1 karrige për Partinë e Punës të krahut të majtë, e cila fitoi afërsisht 6% të votave. Nga 28 grupe, që prezantoi lista kombëtare, asnjë parti tjetër nuk arriti një rezultat të mjaftueshëm për të dërguar një deputet, në Parlamentin Europian dhe për shkak të abstenimeve të mëdha përgjatë pjesës euroskeptike të popullatës kroate, asnjë eurodeputet nuk do të përfaqësojë interesat e tyre në Parlamentin Europian. Në një vend të goditur nga kriza, ku të paktën një e katërta e punëtorëve janë të papunë, shumë votues ishin optimistë në lidhje me perspektivën e anëtarësimit në BE.

Eurodeputeti i zgjedhur Tonino Picula, i Partisë Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve u shpreh, se, ndjehet pak i zhgënjyer, që lista e partisë së tij, nuk ishte qartësisht fituese, por gjithsesi, ai garantoi se  vlerat, do të jua transmetojnë popullit kroat, nëpërmjet transferimit në Strasburg dhe Bruksel, duke shpresuar në këtë mënyrë, në një reagim më efikas të popullit kroat, në zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian.

Eurodeputetët kroatë të sapo zgjedhur, do të jenë në këtë funksion për 10 muaj, nga 1 korriku i këtij viti, deri  në zgjedhjet e ardhshme  të Parlamentit Europian, më 14 maj 2014 dhe shumë prej tyre mund të rikandidojnë sërish.

Boston, terrorizëm apo lojë interesash?

Two Explosions Near Finish Line at Boston Marathon

Edhe një herë tjetër intoleranca dhe barbaria godasin njerëzit e pafajshëm. Një akt ky si shumë të tjerë, që gjatë këtyre viteve kanë shoqëruar jo vetëm Amerikën por anembanë botën.

Natyrisht, motivet e këtyre akteve të forcës me anë të terrorizmit dhe guerrilies urbane nuk janë situata të përdorura vetëm në këto vitet e fundit, ato kanë histori dhe motive të ndryshme, pavarësisht, se, për ne nuk ekziston realisht një motiv që shkallëzon në akte të tilla.

Nuk duhet menduar direkt tek terrorizmin fondamentalit Islamik, kur përmendet kjo fjalë ka lloje të ndryshme bindjesh dhe fondamentalizmi është vetëm një rrymë e këtij fenomeni të përhapur në të gjithë botën. Ku me shumë e ku më pak, terrorizmi është një nga fenomenet më të studiuara nga ana shkencore dhe teknike nga specialistë, nga e gjithë bota. Ky fenomen është shkak i shumë konflikteve apo reagimeve ushtarake, këto dekadat e fundit. Tre tiparet më të rëndësishme që e karakterizojnë atë janë: motivacioni, kapaciteti dhe mjetet.

Nëse këto tre përbërës, bëhen bashkë, atëherë fenomeni është tragjik në jetë njerëzish dhe në kufizimin e një përditshmërie të qetë, ashtu sikur po ndodh tani, në vende të ndryshme në SHBA, ku alarmi është në maksimum, sepse priten akte te tjera si i Bostonit. Njerëzit jetojnë me frikë nga terrori i përshkallëzimit të këtyre akteve!

Bostoni, është një nga vendet më të bukura të Amerikës. Përzgjedhja e vendit, momentit dhe mënyrës, na lë të mendojmë në një parapërgatitje dhe planifikim shumë efikas të aktit që u finalizua dje. Ku më mirë, se, në një vend ku prania e mijëra personave, do të ishte një zonë ideale për një akt të tillë, për faktin se ishte një ngjarje sportive, kulturore nga më të vjetrat e Amerikës. U godit jo vetëm njerëzimi, por edhe jeta e shtetit Amerikan, duke treguar që elementët që ndërmarrin akte të tilla janë shumë aktivë dhe është e pamundur ti ndalosh, sado që niveli i sigurisë dhe rritja nga ana e hetimit dhe inteligjencës është aktive. Natyrisht parandalimi i këtyre akteve në 100% është i pamundur (nuk ekziston), por nuk duhet ulur veprimtaria dhe gatishmëria asnjëherë, duke ditur tashmë që na duhet të jetojmë në mënyrë të vazhdueshme me këtë fenomen. Amerika për të disatën herë u godit me jetë njerëzish (nga të dhëna paraprake deri tani ka 3 viktima dhe mbi 140 të plagosur). Në këtë akt u përdor një mënyrë operacionale, shumë efikase nga të dhënat paraprake dhe mënyra e vendosjes së bombave, të aktivizuara në distancë me anë te pajisjeve elektronike (në këtë rast telefon).Tre bomba artizanale të tjera u lokalizuan dhe u çaktivizuan nga ekspertët e eksplozivit EOD, duke evituar një kasaphanë të madhe. Ndërkohë që dy bomba të tjera artizanale, shpërthyen në një segment jo shumë të largët nga njëri-tjetri, duke shfrytëzuar panikun, që krijohet nga një shpërthim i parë dhe studiuar në mënyrë paraprake shpërthimin e dytë, për të kompletuar kurthin perfekt. Goditet edhe biblioteka, por për fat të mirë, pa rezultat dhe humbje jete. Nuk mund të thuhet me saktësi, se, nga vjen ky akt, mund të jetë nga brenda apo nga jashtë. Duke parë politikën Amerikane, prezencën dhe interesat e tyre në gjithë botën nga ana ushtarake, ekonomike, kulturore etj. Duhet medoemos që të mos i përulemi këtij fenomeni, që mund të godasë në çdo kohë, kur ikën në pune, në shkollë, me pushime, në vende argëtimi, në manifestime të mëdha, struktura të ndjeshme private dhe shtetërore etj. Natyrisht, na duhet të presim se si do të zhvillohen ngjarjet nga ana e hetimeve duke shpresuar që kërcënimi dhe sinjalet e panikut për akte te tjera, po në këto ditë sikurse bëjnë të ditur organet e hetimit, të arrijnë të parandalohen.

Terrorizmi u shpik nga njeriu, si një akt jo konvencional dhe si i tillë është shumë i vështirë të goditet, nëse nuk kuptohen mire tre parimet bazë të saj, të renditura më sipër.

Shkarkohet anëtari i KQZ Ilirjan Muho, emërohet Klement Zguro

0

seance6_9_2010_9_7908_0Incident në sallën e Parlamentit, në pritje të votimit për shkarkimin e anëtarit të KQZ. Deputeti Bizhga është parë të diskutojë me gjeste dhe zë të lartë, përballë deputetit Kastriot Islami. Trupat e sigurisë janë ofruar për të qetësuar situatën, së bashku me disa deputetë të Partisë Socialiste dhe Demokratike. Nuk kuptohej, kush ishte shkaku i incidentit të krijuar, por gjendja u stabilizua dhe parlamenti kaloi në votim për shkarkimin e anëtarit të KQZ, Ilirjan Muho. Vetëm brenda një ditë, deputetët kanë marre tre shkresa të ndryshme me motivacione, po të ndryshme për shkarkimin e Muhos, çka sipas deputetit të PS Erion Braçe, ishte një akt anormal. Për shkarkimin e  Muhos votuan 74 deputetë, ndërsa Partia Socialiste abstenoi. Ndërkohë u votua për miratimin e anëtarit të propozuar nga PR, Klement Zguro me 73 vota. PS sërish abstenoi.

Kryetarja e Parlamentit theksoi, se, ‘duhet të merren masat kundër atyre horrave, që guxojnë dhe kërcënojnë deputetë’, duke iu referuar deputetit në fjalë, Bizhga.

Deputeti Islami, kërkoi të merrte fjalën pas incidentit duke theksuar, se, PS nuk është partia që ai kishte aderuar që në vitet ’90, por se ajo ishte transformuar dhe projekti i saj ka dështuar. Ai i kërkoi Kryetares së Parlamentit të mos merren masa ndaj deputetit Bizhga, duke theksuar, se, ai e falte atë sepse ato janë në garë para kryetarit, se, po bëhen listat e deputetëve.

Në fund para, se, seanca të mbyllej, anëtari i ri i KQZ, Klement Zguro bëri betimin.

Dy shpërthime tronditin Bostonin, 12 të plagosur

boston (2)Dy shpërthime kanë ndodhur mesditën e sotme (sipas orës amerikane) në Boston, SHBA duke shënuar rreth 12 të plagosur, ndërsa fatmirësisht ende nuk flitet për të vdekur. Sipas mediave amerikane policia ka bllokuar menjëherë vendin e ngjarjes, ndërsa ambulancat kanë transportuar të plagosurit nëpër spitale. Gjithçka ka ndodhur përballë Fair Mount Copley Plaza Hotel. Zona përrreth është evakuuar, ndërkohë popullsia është përfshirë nga frika e ndonjë skeme terrori. CNN flet për të paktën 12 të plagosur, por mendohet se të plagosur të tjerë mund të jenë në mesin e njerëzve. Shpërthimi i parë ka ndodhur tre orë pas momentit që është shpallur fituesi i maratonës së Bostonit dhe menjëherë më pas ka ndodhur edhe i dyti. Nuk njihet ende natyra e shpërthimeve, ndërsa autoritetet amerikane të ligjit kanë deklaruar se kanë nisur hetimet.

 

Arvizu takon Berishën

arvizu11Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, është takuar sonte në darkë me kryeministrin Berisha. Takimi ka mbaruar vetëm disa minuta më pare. Nuk bëhen të ditura detaje mbi këtë takim. Paraditen e sotme Arvizu, në një reagim për gazetarët është deklaruar qartë, për mos ndryshim të rregullave të ndeshjes, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e pavarësisë së institucioneve, të cilat krijojnë klimë e duhur të besimit që nevojitet.

Pas takimit ambasadori Arvizu është larguar drejt parlamentit, ku ndërkohë po zhvillohen debatet midis forcave politike në lidhje me shkarkimin e anëtarit të KQZ, Ilirjan Muho. Rreth më shumë se 100 deputetë janë regjistruar për të marrë pjesë ne debatin plenar, gjatë një seance qe ka shkaktuar shumë polemika dhe akuza të ndërsjellat nga palët. Seanca vazhdon ende në këto momente.