Eshton: Vizitë në vendet e rajonit dhe Shqipëri

Katerine Ashton
Katerine Ashton

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Çështjet e Huaja dhe Politikat e Sigurisë dhe njëkohësisht zv. Presidente e Komisionit Europian, Katerin Eshton, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor këtë javë. Përfaqësuesja e Lartë do të fillojë vizitën e saj në rajonin e Montenegros dhe pastaj do të shkoj në Shqipëri dhe më pas në Maqedoni. Hapat e tjerë të vizitës do të njoftohen në një fazë të mëtejshme. ‘Unë udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së për perspektivën europiane për vendet në rajon. Do të inkurajoj liderët e këtij rajoni, të vazhdojnë procesin e reformave dhe promovimin e marrëdhënieve te mira fqinjësore’ ka deklaruar Katerin Eshton, në prag të vizitë së saj.

Arvizu: Nuk ndryshohen rregullat në mes te ndeshjes

DASAlexArvizu1 (1)Ambasdori Arvizu është prononcuar sot për mediat, pas pyetjeve të gazetarëve, në lidhje me ndryshimin e përbërjes së KQZ-së duke deklaruar se :

‘’Mendoj se rreth një javë më parë, ambasada e SHBA nxori një deklaratë mbi situatën, por duke pasur parasysh vëmendjen dhe fokusin gjatë kësaj periudhe në procesin e zgjedhjeve, mendoj se është me rendësi të jemi shumë të qartë mbi pozicionin e SHBA, ndaj e vlerësoj këtë mundësi.

KQZ-ja ka përgjegjësinë parësore për të zhvilluar zgjedhjet e 23 qershorit. KQZ është ngritur dhe mandatuar siç duhet dhe ligjërisht. Ai është institucioni përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve dhe, si i tillë, është me rëndësi që pavarësia e këtij institucioni të respektohet. KQZ duhet të jetë e lirë nga çfarëdo ndërhyrjeje nga ndonjë individ, nga ndonjë institucion, dhe këtu përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë. Nuk ka diskutim që kur LSI vendosi të tërhiqej nga koalicioni qeverisës dhe të hynte në koalicion me Partinë Socialiste, kjo solli rrethana të ndryshuara, përfshirë edhe në 89 KZAZ-të. Kur flas për rrethana të ndryshuara, kam parasysh pikërisht këto, rrethanat e ndryshuara. Por, pozicioni i SHBA është që KQZ, siç është e ndërtuar aktualisht, ka jo vetëm kapacitetin, por edhe përgjegjësinë për të trajtuar çështjet që lindin nga administrimi i zgjedhjeve. Dhe kjo sigurisht  përfshin, edhe pse nuk kufizohet vetëm në përbërjen e 89 KZAZ-ve. Me fjalë të tjera, struktura ekziston, e rendësishmja është të lejohet KQZ-ja që të kryejë punën e saj. Është e qartë që do ketë diskutime, negociata, por ky është thelbi i çfarëdo shoqërie demokratike – marrja dhe dhënia politike; ndodh në çdo demokraci funksionale dhe që demokracia shqiptare të ketë sukses, ka nevojë që kjo të ndodhë edhe këtu.

Pika e fundit që do ngreja dhe mund të kemi kohë për një ose dy pyetje, është që sëbashku me partnerët tanë ndërkohmbëtarë, ajo që kemi theksuar në mënyrë konseguente dhe të përsëritur është apeli për të gjithë personalitetet, për të gjitha institucionet, për njerëzit në qeveri, për njerëzit në opozitë, të veprojnë në mënyra që rrisin besimin e njerëzve, besim jo tek rezultati, por tek procesi, në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. Pra, është një thirrje shumë e thjeshtë dhe bazike që e kemi bërë dhe, ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit, është pikërisht mënyra e gabuar për të frymëzuar besimin për të cilin flasim.’’

PS: Kryeministri i trembur nga vota e emigrantëve

veliajErion Veliaj, Sekretar për Rininë dhe Emigracionin në Partinë Socialiste, ka deklaruar për mediat sot, se, Kryeministri Berisha po mashtron sërish në lidhje me mundësinë e votimit për emigrantët. Sipas tij, Berisha ndërkohë që premton zgjidhje për problemet e emigrantëve, i shikojmë, se, si vazhdojnë të bllokohen nëpër pika kufitare, për arsyen e vetme se shteti i shqiptar nuk di të prodhojë pasaporta në standarde europiane. Se shqiptarët, po sipas Veliaj,  vazhdojnë të përballen me burokracinë dhe korrupsionin nëpër ambasadat e konsullatat e mbushura me militantë, dhëndurë e  farefis të partisë në pushtet. Shqiptarëve në emigrim, nuk u njihen kontributet për pension dhe sigurime shoqërore e shëndetësore, dhe vazhdojnë të diskriminohen vetëm për faktin, se, kryeministri nuk di, se, ç’nxjerr nga goja në përçartjet e tija pseudonacionaliste.

Veliaj i kujtoi liderit Berisha, se, opozita ka formuluar  dhe propozuar dy herë projekt-ligjin për votën e emigrantëve, se ky projekt-ligj është prezantuar pranë Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Ky propozim, specifikonte mënyrën e votimit me anë të postës së personalizuar, dhe gjithashtu koston e bashkëngjitur për të mundësuar votën për çdo shqiptar, kudo ku ai ndodhet në emigracion. Por si në vitin 2008, ashtu dhe në vitin 2012,  Kryeministri dhe Partia Demokratike e kanë rrëzuar propozimin e opozitës, pa dhënë asnjë arsye për këtë refuzim.

Tashmë shqiptarët, sipas Veliajt, e kanë të qartë që Berisha nuk e do votën e emigrantëve, pasi ajo është një votë që ai nuk e kontrollon dot, nuk e blen dot, nuk e manipulon dot, dhe nuk e vjedh dot. Sali Berisha thotë se është gati ta mundësojë votimin e emigrantëve në Konsullata dhe Ambasada; kjo është një gënjeshtër dhe një tallje me 1.5 milionë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë. T’u shpjegojë kryeministri shqiptarëve në emigrim sesi do të  jetë e mundur që  të votojnë në ambasadën tonë në Gjermani rreth 20 mijë shqiptarë të shpërndarë në të gjitha anët e vendit? Po një shqiptar me banim në Los Angeles, si mund të votojë në Ambasadën tonë në Uashington, që ndodhet 3700 km larg? Në po ato ambasada, që siç u pa,  nuk kanë para as për të paguar qeranë e dritat, e jo më të administrojnë një proces të rregullt zgjedhor.

PS nëpërmjet Veliaj, theksoi gjithashtu se, vetëm dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, në pamundësi për të ndryshuar Kodin Elektoral, pa një buxhet që do e mundësonte këtë votim, si dhe me mangësitë e theksuara të kapaciteteve teknike e logjistike të KQZ-së, votimi elektronik është thjesht një shashkë elektorale e Sali Berishës, kryeministrit në ikje. Partia Socialiste angazhohet ta çojë deri në fund nismën saj për të mundësuar të drejtën e votës emigrantëve aty ku jetojnë. Ne do të aprovojmë ligjin me shumicën tonë të re në parlament, ku pikat kryesore që përmban ky ligj do të jenë:

1- Marrëveshje e menjëhershme për pensionet me Greqinë dhe Italinë.

2- Transferimi i TVSH-së në duart e emigrantëve për gjuhën, arsimin dhe kulturën shqiptare.

3- Menaxhim i shërbimeve konsullore me përfaqësim të vetë emigrantëve në konsullatat

      shqiptare.

4- Paketë financiare lehtësuese për transferimin e biznesit në Shqipëri.

albaniaplus

Agresuesi pasiv, si ta dallojmë

0
Foto ilustruese- Pasivet Agresiv
Foto ilustruese- Pasivet Agresiv

Sjellja pasive agresive, është një formë e abuzimit të fshehur. Kur dikush, ju godet, ose ju bërtet, ju e kuptoni,se, jeni abuzuar. Është e qartë dhe lehtësisht e identifikueshme. Abuzimi i fshehur është delikat, i maskuar ose i mbuluar nga veprime, të cilat duken të jenë normale, si dashuri dhe përkujdesje. Personi pasiv agresiv, është mjeshtër i abuzimit në fshehtësi. Sjellja pasive agresive, buron nga një paaftësi për të shprehur acarimin, në një mënyrë të shëndetshme. Ndjenjat e një personi, mund të jenë aq të shtypura, saqë ato nuk arrijnë dot ta kuptojnë, se, janë të nevrikosur, apo të acaruar. Një pasiv agresiv, mund ti çmendë njerëzit, që e rrethojnë dhe të ndjehet i shokuar, kur përballet me sjelljen e tyre. Si pasojë e mungesës së kuptimit të ndjenjave të tyre, personi pasiv agresiv, shpesh percepton, se, të tjerët e keqkuptojnë atë, ose i trajton si persona me standarde të palogjikshme nëse konfrontohet me sjelljen e tyre.

Sjelljet karakteristike të pasuesit agresiv:

Dykuptimësia: Kur flas për personat agresiv pasiv, më vjen ndërmend proverbi ’veprat flasin më shumë se fjalët’, për të përcaktuar mënyrën, se, si ato janë. Ato shumë rrallë, thonë atë çka nënkuptojnë, ose nënkuptojnë, atë çka thonë. Gjykatësi më i mirë, se, si ndjehet një pasiv agresiv në lidhje me një çështje, është mënyra, se, si ato veprojnë. Normalisht, ato nuk veprojnë, deri në momentin, kur ato kanë shkaktuar një lloj stresi nga mënyra e tyre e dykuptimtë e të komunikuarit.

Harresa: Pasivi agresiv, i shmang përgjegjësitë nëpërmjet ’harresës’. Sa, e paarsyeshme është kjo? Nuk ka mënyrë më të lehtë për të ndëshkuar dikë, se, sa harresa e një dreke, e datëlindjes suaj, apo një përvjetori.

Fajësimi: Ato nuk janë kurrë përgjegjës për veprimet e tyre. Nëse ju nuk keni faj, atëherë do të  jetë diçka që ju ka ndodhur në punë, ose gjatë trafikut rrugës, për në shtëpi apo shitësi i ngadaltë në një dyqan. Pasivi agresiv nuk pranon gabime, por janë personat rreth tij/sa,j që e kanë fajin dhe se ato, duhen ndëshkuar për këto akte.

Mungesa e nevrikosjes: Ai/ajo mund të mos shprehë kurrë acarim ose nevrikosje. Janë disa persona, që janë të lumtur me çfarëdolloj gjëje, që ju kërkoni. Së jashtmi, gjithmonë! Pasivi agresiv, mund të jetë edukuar që në fëmijëri, se nevrikosja apo acarimi, janë të papranueshme. Prandaj, ato e kalojnë jetën e tyre, duke e shtypur acarimin që ndjejnë, dhe pastaj e shprehin kundër jush, në një mënyrë të fshehtë.

Frikë varësie: nga Scott Wetlzer, autor i Jetesa me njeriun pasiv agresiv. ’’I pasigurt për autonominë e tij dhe i frikur nga ideja e të jetuarit vetëm, ai e lufton varësinë e tij, kryesisht duke ju kontrolluar juve. Ai kërkon që ju të mendoni, se ai nuk varet nga ju, dhe lidhet aq shumë me ju, sa nuk e pranon këtë fakt. Marrëdhëniet shndërrohen në fushë beteja ku ai/ajo mund të shpallë fitoren, vetëm nëse mohon nevojën për mbështetjen tuaj.’’

Frikë nga intimiteti: pasivi agresiv, shpeshherë nuk zë besë. Për shkak të kësaj, ato e ruajnë vetveten kundër varësisë në lidhje intime me dikë. Një pasiv agresiv, do të kryejë marrëdhënie seksuale me ju, por ato rrallë do të bëjnë dashuri me ju. Nëse arrin të kuptojnë, se, po të fillojnë të lidhen me ju, ato mund t’ju ndëshkojnë ju duke mos kryer marrëdhënie seksuale me ju.

Obstruksionisti/penguesi : a dëshironi diçka nga bashkëshorti/ja pasive agresive? Nëse po, bëhuni gati të prisni gjatë për të, ose mbase s’do e merrni kurrë atë gjë. Është shumë e rëndësishme, për të që mos ju dalë e juaja. Është shumë konfuze, të shohësh dikë, që vepron sikur ajo, që duhet t’ju japë është e rëndësishëm për të, por që shumë rrallë ai do ta realizojë këtë gjë. Ju mund të filloni të ndjeheni, sikur jeni duke i kërkuar shumë gjëra dhe kjo është pikërisht ajo, që ai kërkon që ju të mendoni.

Viktimizimi: Pasivi agresiv ka përshtypjen, se, trajtohet në mënyrë të padrejtë. Nëse ju acaroheni, sepse ai vjen sistematikisht vonë, ato ofendohen; sepse në mendjen e tyre, dikush tjetër e kishte fajin për vonesën e tyre. Ai/ajo është gjithmonë viktima e pafajshme e pritjeve tuaja të palogjikshme, një shef i padurueshëm ose ai shitësi i ngadaltë tek dyqani i papërshtatshëm.

Zvarritja: personi pasiv agresiv beson, se, afatet janë për të gjithë, veçse jo për to. Ato i bëjnë gjërat, sipas orarit të tyre dhe dreqi e marrtë këdo, që pretendon ndryshe ndaj tyre.

Pasiv agresivi dhe Ju: pasiv agresivi, kërkon një marrëdhënie me dikë, që mund të jetë objekt i armiqësisë së tij. Ato kanë nevojë për dikë ku pritshmërinë dhe kërkesat e tij mund të rezistojnë. Një pasiv agresiv, është zakonisht i tërhequr ndaj bashkë-dependentëve, njerëzve me besim të ulët në vetvete dhe atyre që nuk kanë problem të falin lehtë sjelljet e këqija të të tjerëve.

Acarimi më i madh në shoqërinë e pasiv agresivit është fakti se ato kurrë nuk i mbajnë marrëveshjet dhe premtimet e tyre. Ato, do ta spostojnë përgjegjësinë e tyre mbi çdo gjë, në marrëdhënien e tyre ndërkohë që shfaqet sikur po bën gjithçka është e mundur dhe se është një partner shumë i dashur. Gjëja e trishtë, është se ju mund të arrini të besoni, se, jeni të dashuruar dhe të adhuruar nga një person, i cili është komplet i paaftë të formojë një lidhje emocionale me këdo qoftë.

Pasiv agresiv, i injoron problemet në një marrëdhënie, i shikon gjërat sipas këndvështrimit të tij dhe nëse i bëhet presion që të përballet me problemet, ai do të tërhiqet nga marrëdhënia dhe nga ju. Ato do ti mohojnë provat e të bërit keq diçka, do deformojnë atë, që ju njihni si të vërtetë në mënyrë që, gjithçka të shkojë sipas agjendës së tyre ose do të gënjejnë në mënyrë që versioni i tyre mbi çka është e vërtetë të duket më i logjikshëm. Kjo është arsyeja, pse divorci me pasiv agresivin, mund, dhe shpesh çon, në një situatë konflikti të lartë, me pasoja negative afatgjata për gjithë të përfshirët.

marrë nga About.com

Përgatiti A. Blushi

BE burgos emigrantët e paligjshëm

0
AI/ Emigrante ne Itali/ AP Photo
AI/ Emigrante ne Itali/ AP Photo

Sipas raportimeve të Amnesty International, vitet e fundit, vendet e Bashkimit Europian kanë përforcuar masat e kontrollit në kufi, në mënyrë që të pengojnë emigrantët dhe kërkuesit e azilit që të penetrojnë në Europë. Disa nga këto dispozita kanë çuar në dhunim të hapur të të drejtave të njeriut. Shtetet Europiane kanë detyruar emigrantët që të kthehen në vendet e tyre, në vende ku rrezikojnë që të drejtat e tyre të dhunohen, kryesisht nëpërmjet torturës dhe ndalimit arbitrar.

Emigrantët, që tentojnë të kalojnë detin me synim arritjen në vendet Europiane, shpeshherë gjejnë vdekjen. Llogariten të paktën 1500 persona, të cilët kanë humbur jetën duke tentuar kalimin e Mesdheut. Problematika këtu, është shfaqur në momentin që direktivat ose politikat shtetërore të vendeve evropiane, shkojnë në sinkron me mos realizimin siç duhet të operacioneve të shpëtimit dhe të deportimit.

Nga ana tjetër, shumë prej tyre që shpresojnë të vijnë në Europë, burgosen me periudha të zgjatura. Normat Europiane dhe Ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e njeriut përcaktojnë qartë, se, në ç’rrethana është e mundur burgosja e një personi. Në asnjë rast, kjo burgosje nuk duhet të jetë arbitrare, e panevojshme apo disproporcionale. Duhen kërkuar dhe përshtatur masa më pak shtrënguese. Për sa i përket minorenëve dhe kryesisht atyre të pashoqëruar, nuk duhet në asnjë mënyrë të vendosen në vendet e burgimit, për arsye të statusit të tyre migrues.

Sipas AI, ajo çka konstatohet në Europë, është tendenca në rritje e kriminalizimit të emigrantëve klandestin. Disa vende europiane kanë futur në sistem, përndjekjen penale për hyrjen në mënyrë të parregullt në territor. Vende të tjera, sanksionojnë gjithashtu personat, që u vijnë në ndihmë personave emigrantë.

Në shumë vende europiane, funksionarët, mësuesit, dhe mjekët, që hyjnë në kontakt me emigrantët e parregullt, kanë detyrim ligjor të lajmërojnë autoritetet. Duke sjellë si pasojë faktin që fëmijët, gratë shtatzëna, personat që kanë probleme shëndeti kronik, nuk mund të sigurojnë përkujdesje mjekësore, nga frika se mos sinjalizohen në polici. Prindërit janë shumë të frikësuar të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Emigrantët kanë frikë të denoncojnë krimet dhe kërcënimet e të drejtave të njeriut, siç është shfrytëzimi në punë, nga frika se mos shteti i largon.

AI, kërkon vendosjen në jetë të këtyre masave: të drejtën e respektimit në kufi, përgjatë kontrolleve dhe operacioneve të kthimit, si edhe përfshirjen e kërkesave për azil, të drejtën për liri, duke përdorur burgosjen vetëm, si masë e fundit shqyrtuese dhe  minorenët  të mos vendosen në vendet e burgimit, me synimin e vetëm që të kontrollohet emigracioni, dhe së fundmi popullatat në lëvizje, nuk duhet të jenë më viktimë e kërcënimit vetëm si pasojë e statusit të paligjshëm të emigrantit. Abuzuesit dhe dhunuesit duhet të vihen përpara përgjegjësisë, sipas AI.

A. Blushi

BE raporti : fëmijët e emigrantëve përfundojnë në shkolla të varfra

0

Komisioni EuropianNjë studim i ri, për llogari të Komisionit Europian, është hartuar nga Instituti Lituan i politikave të administrimit publik. Ky studim e vë theksin te problematikat, që shoqërojnë fëmijët e dalë nga emigracioni në vendet e BE-së, duke analizuar disa prej këtyre modeleve, që aktualisht aplikohen në vende të ndryshme të Unionit Europian. Komisioni, propozon një investim më efikas kryesisht mbi edukimin, me synim aftësimin dhe kualifikimin e të rinjve, përballë tregut të punës.

Ky studim ka konstatuar, se, risku i ndarjeve dhe regjistrimeve në shkollat, që kanë më pak të ardhura, janë më të larta për fëmijët e emigrantëve. Si pasojë dhe rezultatet e tyre shkollore, janë më te dobëta dhe probabiliteti, se, ato do ta braktisin shkollën para kohe, është i lartë. Studimi i kryer, propozon që shtetet anëtare të vënë në jetë masa shoqërimi edukative të shënjestruar për fëmijët e emigrantëve, kryesisht prezencën e profesorëve të specializuar dhe pjesëmarrjen sistematike të prindërve dhe të komuniteteve,  për të përmirësuar integrimin e fëmijëve.

Studimi ka kaluar në filtër, politikat kombëtare në mbështetje të integrimit të fëmijëve të emigrantëve të sapoardhur, në 15 vendet që së fundmi, kanë pritur flukse të larta emigracioni : Austri, Belgjikë (komuniteti flamand) Republika Çeke, Qipro, Danimarkë, Francë, Gjermani, Greqi, Irlandë, Itali, Luksemburg, Holandë, Norvegji, Suedi dhe Angli. Studimi tregon, se, vendet që kanë modelin më të mirë, janë Danimarkë, Suedi dhe Angli, sepse ato bazohen mbi ofertën e një shoqërimi të veçantë dhe akordojnë një nivel të arsyeshëm autonomie sistemit shkollor. Vendet e tjera, kanë tendencë ti përqendrojnë përpjekjet e tyre, në një nga aspektet e sipërpërmendura dhe nuk arrijnë rezultate të mira, në fushën e përfshirjes së fëmijëve të emigrantëve.

Komisioneria Europiane, e ngarkuar për çështjet e edukimit, kulturës dhe rinisë, u shpreh në mbështetje të politikave jo-diferencuese dhe sugjeroi që të bëhet ç’është e mundur në bashkëpunim me prindërit dhe mësuesit që fëmijët vendas, të ndihmojnë në një përafrim, me fëmijët e emigrantëve , në mënyrë që të parandalojmë që në një të ardhme, kjo kategori të zhytet në varfëri dhe në papunësi.

Analiza e këtij studimi, e vë theksin mbi rëndësinë e autonomisë së shkollave, mbi një përqasje përfshirëse në fushën e shoqërimit edukativ ndaj fëmijëve të sapo mbërritur në vend, duke përfshirë mbështetjen gjuhësore dhe shkollore, përgatitjen e prindërve dhe të komunitetit dhe mbi edukimin ndërkulturor.

Studimi thekson, se, në shumicën e vendeve, shkollat ose janë të fokusuara vetëm në ndjekjen e orientimeve kombëtare dhe thithjes së fondeve, ose përkundrazi nuk kanë autonominë e nevojshme, për të adaptuar shoqërimin e nevojave individuale dhe rregullimin e politikave kombëtare sipas kushteve lokale.

Studimi dallon 5 modele të sistemit të shoqërimit edukativ:

Danimarkë, Suedi:

Ky model, propozon një shoqërim të vazhdueshëm në fushat më të rëndësishme për përfshirjen e fëmijëve emigrantë të sapoardhur: mbështetje gjuhësore, mbështetje shkollore, pjesëmarrje prindërore, edukim ndërkulturor dhe mjedisor pritës.

Itali, Greqi, Qipro:

Sistemi karakterizohet nga një përqasje problematike dhe të pasigurt, të shoqërimit të propozuar. Politikat nuk janë gjithmonë të qarta, me burime të pamjaftueshme, apo të vëna në jetë në mënyrë efikase. Mësuesit, prindërit dhe komunitetet lokale, janë të përqendruar tek vetja e tyre.

Belgjikë, Austri

Modeli i shoqërimit kompensues. Ky model përfshin të gjitha tipet e politikave të shoqërimit, me një mësim të vazhdueshëm të gjuhës së vendit pritës, por një mbështetje shkollore të dobët dhe sisteme përcaktimi përshtatjeje dhe shpërndarjeje të parakohshme, nëpër grupe niveli. Ky model është kompensues, në kuptimin që ai synon më tepër të korrigjojë diferencat, sesa atakimin në vonesën fillestare.

Irlandë

Modeli përmban karakteristika dhe politika edukative ndërkulturore të mirë-zhvilluara. Lidhja midis shkollës, prindërve dhe komunitetit lokal është sistematik, megjithëse edukimi ndërkulturor është i mirë integruar në programet shkollore dhe i inkurajuar në jetën e përditshme shkollore. Mbështetja gjuhësore, nuk qëndron në thelbin e këtij modeli.

Francë , Luksemburg

Modeli i centralizuar i shoqërimit në fillimin shkollor. Ky model është i përqendruar mbi fëmijët e emigrantëve dhe ofertën e një shoqërizimi shkollor. Programet e shoqërizimit të përcaktuara për  fëmijët në vështirësi, janë shumë mirë të zhvilluara, si edhe mbështetja gjuhësore dhe sensibilizimi i prindërve.

Ky studim i pavarur, është realizuar për llogari të Komisionit Europian, nga instituti Lituan i politikave të administrimit publik.

Në kuadrin e strategjisë për punën dhe zhvillimin, BE inkurajon shtetet anëtare të investojnë kryesisht mbi edukimin, me synim aftësimin dhe kualifikimin e të rinjve, përballë tregut të punës.

Përqindja e emigracionit në BE, thuajse është trefishuar që prej vitit 1960. Edukimi dhe fëmijët e emigrantëve, janë një element i rëndësishëm, siç e dëshmon fakti, se, për vitin shkollor 2009/2010, 17,6% të nxënësve të regjistruar në shkollat austriake, nuk e kishin gjuhën gjermane, gjuhën e nënës dhe se në Greqi, përqindja e nxënësve të huaj, në shkollat fillore dhe në gjimnaz ka kaluar nga 7,3% në 12% përgjatë pesë viteve të fundit.

Adoleshenti hiperpoliglot mahnit gjuhëtarët

0
16- vjeçari Thimoty Doner
16- vjeçari Thimoty Doner

Nëse keni menduar se mësimi i një gjuhe të huaj ka qenë mjaft i vështirë, përpiquni të mësoni mbi 20, ndërkohë që jeni duke u diplomuar në gjimnaz. Një nxënës i pabesueshëm, 16-vjeçar, Timothy Doner, është poligloti më i ri botëror, duke kompleksuar të gjitha aftësitë tona për të mësuar gjuhë të huaja. Timothy flet 23 gjuhë, saktësisht. Duke i mësuar gjuhët, përgjatë pushimeve të verës dhe përgjatë fundjavave, ai ka arritur, të flasë rrjedhshëm në Hebraisht, Arabisht, Rusisht, Italisht, Farsi (Iran. Shen.albplus), dhe Swahilisht (dialekt që flitet në Kanalin e Mozambikut, në ishujt Komoros dhe në Somali. shen.alplus), ndërmjet shumë gjuhëve të tjera. Kur u pyet nga Matt Lauer i Today Show, se, si arrin ti menaxhojë mësimet e gjuhëve, Doner u përgjigj, se, ‘ Si çdo aktivitet tjetër akademik, ju gjeni kohë për të.’

Donner, shfaqi fillimisht interes ndaj gjuhëve të huaja, kur studionte Hebraisht në barin e tij Mitzvah. Pastaj ai kaloi tek Arabishtja, ku mësoi ta lexojë për një javë. Prej këtij momenti, ai fillojë ti mësojë vetë gjuhët e tjera në forma autodidakte, nëpërmjet librave të gramatikës dhe programeve flashcard, në I-Phone e tij. Timothy, ishte frymëzuar nga një video në youtube nga poligloti i famshëm Richard Simcott, i cili fliste 16 gjuhë të huaja njëra pas tjetrës.

Sipas disa gjuhëtarëve, po bëhet një fenomen i zakonshëm për entuziastët e gjuhëve të përdorin youtube, si një platformë për të mësuar dhe për të shfaqur aftësitë e tyre. Timothy regjistron videon e tij, sa herë ai zotëron një gjuhë të re, dhe së fundmi ka postuar videon e tij të 11-të në youtube, duke folur Hindisht. Timothy e praktikon talentin e tij mbi gjuhët në botën reale duke folur me taksistët e qytetit të Nju Yorkut, duke ndërvepruar me të tjerë në restorante dhe duke u lidhur me njerëz përqark botës, nëpërmjet e-mail dhe Skype.

Në linkun e mëposhtëm ju mund të shihni performimin e adoleshentit 16- vjeçar, Doner.

PS: Rama prezanton Rilindjen në Prishtinë

Lideri i Partisë më të madhe opozitare në vend, Edi Rama, ishte dje në një vizitë në Prishtinë, në kuadër të prezantimit të Programit të Rilindjes, së PS-së. Fokusi i prezantimit, ishte mbi temën “Shqipëria, Kosova dhe Rajoni pas 23 Qershorit”. Përqendrimi kryesor, në fjalimin e tij, përfshinte pika kyçe të rëndësishme si: diplomacia dhe nacionalizmi, Traktati i ardhshëm i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, Komiteti ndërshtetëror Kosovë-Shqipëri, etj. Më poshtë, do të gjeni temat kryesore të fjalës së liderit shqiptar opozitar në Prishtinë Rama, si edhe pyetjet, që shoqëruan mbylljen e fjalës së tij :

Diplomacia : partneriteti rajonal, ndërkombëtar dhe nacionalizmi : 

Partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian është strategjik dhe Shqipëria ka përgjegjësinë të jetë një shtet demokratik dhe të vijojë kontributin konstruktiv me politikën e saj të jashtme sidomos në rajon. Unë sot dua të ndaj këtu me ju bindjen, një bindje të thellë timen, se pikërisht pse Shqipëria ndërtoi në gjithë këto vite një politikë të jashtme rajonale në harmoni me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, duke qenë gjithnjë e palëkundur në mbrojtje të Kosovës, po kurrë e nxituar në sulm kundër Serbisë, çështja e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës mbeti deri në fund dhe u zgjidh përfundimisht me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare si e drejta e një populli për të vetë vendosur. Dhe asnjëherë si një çështje nacionaliste territoresh mes Shqipërisë dhe Serbisë, sepse si e tillë nuk do të ishte zgjidhur kurrë dhe nuk do të kishte gjetur kurrë mbështetjen e fuqive të mëdha. Pas 23 qershorit ne duam t’i japim një cilësi dhe shpejtësi të re procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por duam po ashtu ta mbështesim fort Kosovën qoftë për procesin e liberalizimit të vizave si fillim, qoftë për 5 njohjet e mbetura ende pezull. Shumë troç, unë mendoj se Kosova nuk mund dhe nuk duhet ta paguajë çmimin e azilkërkuesve serb apo maqedonas dhe të pengohet të lëviz lirisht në Bashkimin Europian.

Ne do t’i japim jetë një politike progresiste bashkëpunimi rajonal ku popujt e këtij rajonit punojnë për mirëqenie e demokraci dhe nxisin bashkëpunimin në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellët. Do të fillojmë që ditën e parë punën për arritjen e një marrëveshjeje kuadër me të gjitha vendet e rajonit për mbrojtjen e pakicave nën dritën e standardeve europiane dhe ndërkombëtare. Pakicat, si ura mes shteteve të Ballkanit dhe jo si hendeqe brenda shteteve të Ballkanit, është vizioni ynë i të ardhmes mbi hartën etnike që nuk përputhet me hartën e kufijve territorialë të rajonit tonë.

Ne do të forcojmë praninë e Shqipërisë në nismat rajonale, që kanë në fokus aspektet politike, ekonomike dhe sociale, strukturat e sigurisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shtimit të komunikimit, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, tregtinë e lirë duke vlerësuar realitetet e reja gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Fokusi i diplomacisë sonë të organizatave rajonale do të zhvendoset drejt atyre që kanë interes më të drejtpërdrejtë për Shqipërinë si për sa i përket pjesëmarrjes aktive, ashtu dhe rritjes së përfaqësimit në nivele të ndryshme qoftë politike, diplomatike dhe teknike.

Me ne në qeverisje Kosova do të marri një status të ri, statusin e partnerit dhe aleatit strategjik kryesor në politikën e jashtme rajonale të Shqipërisë.

Traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit me Kosovën :

Ne do të punojmë qysh në ditën e parë të qeverisjes sonë bashkë me autoritetet përfaqësuese të Kosovës për të nënshkruar një orë e më parë traktatin e miqësisë, të bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe sigurisë. Sepse ne e çmojmë këtë traktat si të nevojshëm në rrafshin diplomatik, të detyrueshëm në rrafshin kombëtar dhe të domosdoshëm në rrafshin strategjik për shqiptarët në rajon. Përmes këtij traktati ne do të vëmë në jetë praktikën e organizmit të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive ku do të orientojmë dhe mbikëqyrim strategjitë e bashkëpunimit të thelluara në planin politik, ekonomik dhe social. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive si një trupë e vetme, dy herë në vit, do të bëjë që shqiptarët këtej dhe andej kufirit të kenë përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, një trupë e cila do të mendojë, do të diskutojë dhe do të vendosë në rrafshin strategjik: Për sigurinë energjitike të hapësirës shqiptare në këto dy shtete. Për sistemin e unifikuar arsimor në hapësirën që ndahet nga një kufi i cili sot nuk përbën asnjë pengesë për ta konceptuar të ardhmen si një hapësirë të përbashkët dhe rrugën drejt të ardhmes si një rrugë zhvillimi të përbashkët, nga një kufi, i cili sot nuk përbën asnjë pengesë për ta konceptuar të ardhmen si një hapësirë të përbashkët dhe rrugën drejt së ardhmes si një rrugë zhvillimi të përbashkët. Për bujqësinë, ku shfrytëzimi i potencialeve që ka hapësira shqiptare e administruar nga dy shtete nëpërmjet koordinimit mes dy shteteve do të sillte rajonalizim racional të prodhimit, zgjerim të rrugëve të prodhimit dhe rritje të të ardhurave nga prodhimi këtej dhe andej kufirit.

Duke bashkuar doganat, ne do të rrisim në mënyrë eksponenciale hapësirën e lirisë për biznesin, qoftë këtej, qoftë dhe andej kufirit. Nuk duhet të ketë konkurrencë të garantuar apo të pa garantuar mes biznesit shqiptar në Shqipëri dhe biznesit shqiptar në Kosovë, por duhet të ketë një konkurrencë të biznesit në të gjithë hapësirën, pavarësisht se të zotët e këtij biznesi apo atij biznesi janë shqiptarë të Kosovës, apo shqiptarë të Shqipërisë dhe kufiri ku do të kalojnë mallrat dhe prodhimet do të jetë po aq i papërfillshëm nga këtej – andej, sa ç’është nga Durrësi në Vlorë.

Na mjafton një Kupë e Flamurit Kombëtar, për të përfshirë gjithë skuadrat në mënyrë të përvitshme dhe për të sjellë në të gjitha stadiumet, shqiptarët këtej dhe andej kufirit dhe për të bërë pastaj edhe “sherrin” tonë demokratik në sport dhe fitoftë më i miri.

Një problem tjetër që ne ose e trajtojmë dhe e zgjidhim së bashku, ose do të shikojmë se si do na ikë duarsh bashkërisht është problemi i gjuhës së shkruar shqipe. Gjuha e shkruar shqipe në materialin letër, qoftë në gazetat e përditshme, qoftë në botimet ndryshme është e kërcënuar nga zhdukja. Dhe është e kërcënuar nga zhdukja për arsye se nuk ekziston asnjë sistem distribucioni dhe asnjë sistem që ta lehtësoje kalimin e gjuhës nga duart e atyre që e shkruajnë në duart e atyre që e lexojnë.

Komitet ndërshtetëror Shqipëri- Kosovë :

Për të shkuar me tutje, ne besojmë, se është koha maksimale që të konceptojmë një Komitet ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë, për përfarimin e legjislacionit në dy kahje: legjislacionit tregtar mes njëri-tjetrit dhe legjislacionit me Bashkimit Europian.Procesi i integrimit nuk ka pse të jetë një proces i ndarë, por mund të jetë fare mirë një proces prej nga ku ne përfitojmë prej njëri-tjetrit në të dyja kahjet. Sepse nga njëra anë ne shkojmë bashkërisht drejt Europës, por nga ana tjetër realizojmë konkretisht atë që themi, bashkimin kombëtar në Bashkimin Europian, duke shkuar bashkërisht drejt Europës, jo në linja paralele që nuk puqen kurrë, por duke shkuar drejt Europës në linja konvergjente që na gjejnë bashkë në momentin e bashkimit me Europën. Nga ana tjetër ne bashkërisht, por Shqipëria në radhë të parë, besoj për shkaqe që lidhen me pozicionin dhe për shkaqe që lidhen më mundësitë, kemi detyrimin për të garantuar me një politikë shumë të qartë dhe të përcaktuar të drejtat e shqiptarëve në gjithë pjesët e tjera, duke filluar nga të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, si pjesë e rëndësishme e stabilitetit demokratik të Maqedonisë dhe njëkohësisht e mozaikut të çështjes shqiptare në Ballkan. Kjo, si një prioritet konstant i politikës sonë të jashtme në rajon, për shkak të madhësisë fizike që është një masë kritike, të popullit shqiptar në Maqedoni, për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve dhe mosfunksionimit të mekanizmave të dakordësuar me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe faktit që krijimi, ekzistenca dhe funksionimi i Maqedonisë e ka bazën në ekuilibrin dhe marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit maqedonas.

Çështja çame :

Nga ana tjetër ne jemi e para parti politike shqiptare në Shqipëri që në programin tonë kemi përfshirë çështjen çame si një çështje të patrajtuar dhe të paadresuar në mënyrë adekuate, e cila sipas nesh duhet të nxirret nga oxhaku ku i hidhet dru e benzinë zjarrit të nacionalizmit të vjetër të së shkuarës dhe duhet të adresohet, duke u mbështetur në frymën e traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, duke synuar që kjo çështje të adresohet në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

 

Pyetje lidhur me deklaratat për Sali Berishën dhe dialogun Kosovë-Serbi:

– Nuk besoj se pata konsiderata negative për Sali Berishën. Përkundrazi pata disa vlerësime objektive, bazuar në realitetin historik, në përpjekjen për t’u dhënë njerëzve një pasqyrë të një të vërtete që është e gjitha e verifikueshme në arkivat e shtypit shqiptar dhe kush ka durim edhe në arkivat e shtypit malazez apo serb po të dojë. E dyta, besoj që këtu nuk është fjala për një betejë midis personash. Këtu është fjala për një betejë midis dy mënyrash krejt të ndryshme për ta parë botën, për ta kuptuar politikën dhe për t’u sjellë me zgjedhësit. Dhe besoj që në 23 qershor shqiptarët kanë një zgjedhje shumë të qartë në Shqipëri. Një zgjedhje e qartë mes një rrënimi të mëtejshëm dhe një Rilindje Shqiptare. Kjo është zgjedhja. Dhe unë besoj që në shumicë shqiptarët do të zgjedhin Rilindjen. Sigurisht duke zgjedhur Rilindjen do të ndihmojnë edhe pakicën sepse jam i sigurt pas 23 qershorit do të krijojmë kushtet që të rilindë edhe PD, edhe Klani. Megjithëse Klani e ka dhënë provën që nuk e ka problem të rilindi sa herë vjen koha për të rilindur.

Për dialogun e thashë dhe e përsëris është e vetmja rrugë. Ngurrimi i palës serbe nuk e shmang dot përfundimin e dialogut si vendosja e pikës në historinë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Pas koalicionit me z.Meta mendoj që opinioni politik konsideron që ju duhet të jeni kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Unë kam një pyetje që është më shumë socio-kulturore lidhur me faktin që shqiptarët e Kosovës çdo verë jam me pushime në Shqipëri. A keni një strategji ndryshe?

– Tek kjo e turizmit ka edhe një problem tjetër se sa më shumë rritet numri i turistëve sipas kryeministrit aq më shumë bien të ardhurat nga turizmi. Unë nuk e di sesi realizohet kjo, por është fakt. Çdo vit sipas kryeministrit na mbërrijnë miliona të tjerë dhe çdo vit na humbasin dhjetëra miliona në arkën e shtetit që do të thotë që ka një tërheqje në fakt që është reale. Unë besoj që për zhvillimin e industrisë së turizmit ne realisht na duhet një plan i përbashkët strategjik. Realisht na duhet që t’i japim fund një epoke ku Ministri i Turizmit vjen këtu përpara sesa të fillojë sezoni i verës, ma ca fletëpalosje, nja 100 kopje, që i marrin ata të ministrisë tuaj dhe jam i bindur që nuk i hapin dhe s’kanë faj dhe pastaj ikën. Ose Ministri i Arsimit që vjen në fillim të vitit dhe sjell një abetare dhe gjithmonë sjell një abetare me gabime ortografike. Dhe thotë ja më në fund e kemi edhe ne abetaren e përbashkët dhe ndërkohë që ata, të cilët lindën kur Kosova ishte e lirë, po bëhen 15 vjeç ne kemi mbetur akoma tek abetarja.

Për sa i përket koalicionit dëshiroj të theksoj një fakt ndoshta për shkak të distancës, ndoshta për shkak të një qasjeje më racionale në raport me atë koalicion nga audienca në Kosovë kemi pasur një shkallë shumë të shpejtë dhe të lartë përgëzimesh për realizmin e koalicionit. Dhe unë jam i bindur që ky koalicion është jo vetëm rruga drejt fitores së sigurt pavarësisht nga shkalla e manipulimeve të mundshme, por është dhe rruga për t’i hapur rrugë të gjitha këtyre që unë fola sot në marrëdhëniet me Kosovën dhe me rajonin.

– Z.Rama sot para se të vinit këtu lëvizja vetëvendosja e Albin Kurtit ka reaguar përmes një komunikate ku nuk e ka mbështetur këtë takim?

– Para se të vija këtu në fakt më thanë që ‘Vetëvendosja’ ka bërë një deklaratë, pse nuk merr pjesë në takim. Dhe me thënë të drejtën Albinin e kam mik, e respektoj. Albini ka bojkotuar gjithë botën, unë jam shumë i vogël për t’u mërzitur nga bojkotimi. Shumë dashamirësisht, Albini është një intelektual që unë e çmoj shumë. Është një intelektual i rrallë për botën shqiptare dhe prandaj si intelektual i takon të bëjë vetëm gabime të mëdha, nuk mund të bëjë gabime të vogla, politike.

Femrat nuk e “duan” barazinë gjinore

0

6J_pol_Barazi_gjinoreNga Mirilda Tili

Zhvillohen kaq shumë seminare dhe takime si dhe botohen shumë libra për barazinë gjinore. Kjo sepse femrat kërkojnë më shumë të drejta dhe kërkojnë një vetëpërfaqësim më të madh. Po kush ua ka fajin, ose ku qëndron problemi nëse situata është e tillë? Me plot gojën them që fajin e kemi vetë dhe askush tjetër. Nuk na i kanë fajin meshkujt që ne mbytemi në budallallëkun tonë. (Kërkoj ndjesë për fjalën e përdorur, por nuk po gjeja dot një tjetër që të shprehte atë që unë vërtetë medoj.) Të gjithë meshkujt që drejtojnë apo që ushtrojnë presion dhe në raste të ndryshme dhe për fat të keq të shumta janë rastet kur ushtrojnë dhunë, janë bij nënash. Çka do të thotë që nëse ata janë prepotentë, diktatorë, të dhunshëm, të papërgjegjshëm dhe të gjithë mbiemrat cilësorë negativë për ta, janë sepse i edukojmë ne të tillë.

Në momenitin e parë që një femër kupton se është shtatzanë dhe kjo është një nga dhuratat më të çmuara që Zoti i ka dhënë femrës, jemi ne të parat që urojmë të jetë djalë. Jemi ne të parat që themi “me një djalë” dhe fillojmë ta paragjykojmë femrën që në fetus. Dhe kur pyet se pse të jetë djalë dhe jo vajzë, të vjen si përgjigje që në vend që të të qetësojë të shkakton trauma: “T’i bëhet qejfi burrit”.

Në këtë moment fillon dhe mendon. Si ka mundësi që ne nuk duam llojin tonë? Si ka mundësi që burrit t’i bëhet qejfi vetëm po të jetë djalë kur realiteti tregon që marrëdhënia babë e bijë është në rastet më të shumta shumë më e fortë se babë e bir? Por si ka mundësi sërish që bashkëshortit t’i bëhet qejfi vetëm kur është djalë? Edhe kur bebi është vajzë duhet po njëlloj t’i bëhet qejfi se fëmija i tij është.

Por kur i pyet burrat se çfarë e duan fëmijën ata përgjigjen: “Ç’të jetë, vetëm të jetë mirë”. Por kjo nuk është e vërtetë. Jemi ne vëtë që paragjykojmë qënien tonë dhe në vend të urojmë njëra-tjetrën për shëndetin e nënës dhe bebit themi “Ah ta kishe pasur një çikë djalë”.

Dhe sikur të mos e lemë me kaq paragjykimin për llojin tonë, shkojmë deri atje sa marrim përsipër të gjejmë gjininë e bebit edhe kur shkencërisht nuk ka asnjë të dhënë. Dhe kulmi i gjithë kësaj kalon kur thonë “E ke djalë se të ka rënë nur, je bërë e bukur” apo dhe shumë të tjera si këto “fjalë të moçme gjyshesh”. Në këtë mënyrë pranojmë që vajza të shëmton. Në një kohë që kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse të qënit nënë të jep lumturi të vecantë. Lumturia e zbukuron njeriun. Por sërish jemi ne që ankohemi pse fëmija ynë nuk është djalë, sidomos fëmija i parë.

Por nuk e lemë me kaq urrejtjen ndaj llojit tonë. Fëmijët lindin dhe në familje ka dhe vajzë dhe djalë. Sërish i edukojmë vajzat si shërbëtore të vëllait dhe jo si qënie të lira dhe të barabarta. Në rast se motra është me e madhe i japim rolin e nënës dhe e detyrojmë t’i qëndrojë vëllait mbi kokë. Ti bëjë gjithçka. Dhe djemtë rriten kështu si pashallarë pa mësuar asnjë gjë për përkujdesjen personale. Sepse kanë gjithmonë një shërbyese falas dhe për më tepër që i do dhe i duron në çdo kohë.

Edhe në rastet kur motra është më e vogël dhe normalisht që vëllai duhet ta mbështesë, sërish ne kemi përgjigjen gati: “Je më e vogël dhe duhet t’i bindesh. Është djalë ai”. Me çfarë bazash e mbështesim diskriminimin gjinor që ne kemi? Pse ua vemë fajin burrave që nuk na japin hapësirë, që nuk na mbështesin, që nuk prekin gjë me dorë në shtëpi, që nuk ndihmojnë me fëmijët, që duan gjithcka gati? Kur në fakt jemi ne që i rritim të tillë. Jemi vetë ne femrat që nuk duam veten tonë dhe normlaisht nuk japim as kontributin tonë në përpirësimin e situatës.

Mbetemi pas fjalimeve dhe debateve boshe në televizione, ndërkohë që ne e kemi vetë në dorë të edukojmë ndryshe dhe të jetojmë ndryshe. Shpesh kam dëgjuar se thonë “Djali mban derën e shtëpisë hapur”. Në të tilla raste qesh me të madhe se nuk arrij të kuptoj për kë derë e kanë fjalën. Se djemtë nuk jetojnë më me prindërit. E drejta e trashëgimisë është e barabartë. Mbiemrin nuk e mban vec djali, por me dnryshimet ligjore edhe bashkëshorti merr mbiemrin e bashkëshortes, e kështu me radhë.

Dhe ajo që më bën më shumë për të qeshur me budallallëkun tonë si femra është se pavarësisht se djemve u japim jetën, i bëjmë bijat tona skllave të babit, vëllait, bashkëshortit dhe më pas birit të vet janë vajzat ato që kujdesen për prindërit. Janë ato që nuk i zë gjumi natën se e kanë kokën mbrapa nga prindërit.

Nëse kërkojmë që të jemi të barabarta më gjininë mashkullore nuk duhet t’ia kërkojmë atyre të na i japin si dhuratë, sepse nuk e dinë çfarë të japin, jo se nuk duan. Duhet t’i edukojmë ne si të tillë, si të barabartë me ne dhe jo si pronarët, apo diktarorët tanë.