Retorike nacionaliste nën uniformat paramilitariste

24

protestaFillimi i parakohshëm i fushatës elektorale, u shoqërua me një tendencë të re. Intensifikimi i gjuhës së përdorur për qëllime elektorale, solli një risi për publikun shqiptar, përdorimin e nacionalizmit. I artikuluar, si nga shumica në pushtet, po ashtu dhe nga forca të reja politike të krijuara në terren, fokusimi mbi të, arriti të tërhiqte edhe vemendjen e ndërkombëtarëve.

Në protestën e 7 prillit, sërish, thirrjet nacionaliste për një ‘Shqipëri etnike’, shoqëruan protestën e radhës të AKZ-së. 

Po çfarë është ky lloj nacionalizmi, që, po i ofrohet elektoratit shqiptar, nëpërmjet kësaj propogande para zgjedhore ? Sa përngjason ai, me nacionalizmin në vetvete, si ideologji politike dhe nacionalizmin si retorikë politike, për qëllime elektorale? Si devijon, përdorimi i tij, nga forcat politike në terren?

Nacionalizmi në vetvete, trajtohet si një ideologji politike, ku kombi-shtet merr rëndësinë dhe prioritetin maksimal, duke u shndërruar në qëndrën e veprimeve politike, brenda një rajoni të caktuar. Mirëpo, sipas studiuesve të kësaj fushe, që ky nacionalizëm, si ideologji e caktuar, të aplikohet në terren, kërkon bashkërenditjen e disa faktorëve të tjerë përbërës të tij, siç janë: Patriotizmi, pra sensi i lartë i dashurisë nga ana e qytetarëve kundrejt popullit e atdheut të vet, dhe ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe popullit të vet; Militarizmi, ku qeveritë nacionaliste fitojnë pushtet politik nëpermjet kontrollit ushtarak; Xhingoizmi, besimi ekstrem, se, vendi yt është pikërisht vendi më i mirë, duke kaluar gradualisht në një eufori mbështetëse për kryerjen e ndonjë ekspasioni ushtarak, kundrejt një vendi tjetër; dhe Krenaria Kombëtare, ku qytetarët tregojnë nje sens të lartë krenarie për vendin e tyre.

Ndërkohë që tezat Nacionaliste, janë shndërruar në motivacionin kryesor të lëvizjes politike, Aleancës Kuq e Zi, në daljet e saj publike, kjo parti, ka përdorur një formë më të pastër të hedhjes së këtyre ideve. Por, ajo që konstatohet, është një nivel i konsiderueshëm disproporcional, midis asaj çka kjo parti lançon publikisht dhe asaj, që e gjejmë të aktualizuar në programin dhe platformën e saj politike. Nëse publikisht, kjo forcë politike është prononcuar për një ’Shqipëri të Bashkuar’, dhe si gur të themelit të saj në platformën e publikuar online, ka vendosur ’zotimin për realizimin e aspiratës shekullore për bashkimin kombëtar’, ndërsa shohim hartën e publikuar në website-n e kësaj force politike, vihet re një bashkim fizik i Shqipërisë dhe Kosovës, duke përjashtuar pjesët e tjera të Shqipërisë etnike, që gjenden përtej territoreve të kufirit aktual shqiptar. Kjo, aktualizohet edhe në idenë e bërë publike nga kjo forcë, për një bashkim të mundshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, si njësi federative, e stilit gjerman dhe amerikan. Së fundmi, kjo forcë ka hedhur idenë, se, në ndonjë opsion të mundshëm për koalicion para zgjedhor, kjo pikë duhet të figurojë në një marrëveshje midis palëve.

Një pikë e errët, në të tërë këtë proces, ngelet fakti, se, si do të realizohet kjo ide, në cilën mënyrë, me çfarë mjetesh? Cila do të jetë kostoja, që do të mbart ky proces politik, në vetvete? Nuk ka patur ndonjë sqarim publik, nëse kjo ide është hedhur në bashkëpunim me faktorin politik kosovar, apo është e izoluar në vetvete, si e tillë. Ndërkohë, që fokusi kryesor, është i bazuar në nacionalizëm dhe në një retorikë anti-Berishiste, nuk sqarohet, se, çfarë formë shtetërore, juridike apo ekonomike do të ofrojë kjo forcë? Në programin online të AKZ-së, asgjë nuk sqarohet.

Një detaj i rëndësishem, që nuk kalonte pa u vënë re, në protestën e organizur ng AKZ, përtej thirrjeve për një ‘Shqipëri etnike’, ishte caktimi i një numri njerëzish, të cilët disa prej tyre mbanin të veshur kostume civile, ndërsa, disa të tjerë mbanin të veshur, xhaketa të stilit paramilitar, ngjyrë kafe me nje shirit të kuq, në krahun e majtë, që të rikujtonin uniformat e të rinjve paramilitarë, të projektuara nga Gruber. Eshtë një detaj i çuditshëm dhe që ka shumë pak gjasa, që të jetë i një niveli sporadik, pa kaluar në filtrat këshillues, të një niveli të lartë partiak. Nga ana tjetër edhe veshjet e vet liderit Spahiu, në dalje protestash përmbajnë në vetvete, xhaketa që i përngjasojnë stileve militare, në ngjyra jeshile dhe të zeza (me spaleta dhe xhepa të mëdhenj katrorë). Thirrjet për nacionalizëm dhe bashkim etnik shqiptar, të shoqëruara me veshje me domethënie militare, përçojnë një mesazh, që shtrihet përtej programit dhe platformës politike partiake të ofruar.

Nga ana tjetër, kur analizojmë nacionalizmin e artikuluar nga lideri i së djathtës në pushtet, ato janë shoqëruar gjithashtu edhe me një reagim në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Deklarata të tilla nacionaliste, si: ’Shqipëria etnike nga Preveza në Preshevë’, apo deklarata e kryeministrit Berisha në Konferencën e Mynihut, janë në disproporcion të pastër me veprimet e vazhdueshme të politikave të së djathtës, ku më pikantja mbetet ’delimitacioni i shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon, 2009’.

Fillimisht, këto deklarata, krijonin idenë e përdorimit të tyre, si kundërbalancë e përdorimit të tezës nacionaliste nga Aleanca Kuq e Zi. Por, gradualisht, së bashku me kundër-reagimin rajonal dhe ndërkombëtar, që ato krijuan, këto deklarata devijuan nga qëllimi i tyre primar, ai i përfitimit për arsye elektorale, duke marrë një tjetër formë, atë të kundërvënies ndaj diplomacive reaguese, kryesisht asaj të SHBA. Pas ’Memos’ së bërë publike, e cila nënkuptonte, jo vetëm mospranimin e tezave nacionaliste, që po krijonin një problematikë në rajon, por theksonte edhe një ’dënim publik të mundshëm të këtyre politikave’, devijimi në tendencë u vu re sërish. Nacionalizmi, po përdorej nga kryeministri, si kundërpërgjigje ndaj diplomacisë amerikane. Para Parlamentit, Berisha, do deklaronte, se nacionalizmi i përdorur prej tij, nuk ishte veçse një ‘Nacionalizëm Qytetar’.

Sigurisht, për shumicën e popullsisë, ky koncept tingëllon si një koncept i thjeshtë. Por, për studiuesit e Shkencave Politike, ky koncept, është një ideologji më vete. Nacionalizmi Qytetar, e përcakton kombin si një bashkim njerzish, që e identifikojnë vetveten, se i përkasin një kombi, dhe se kanë të drejta politike të barabarta. Principet e Nacionalizmit Qytetar, specifikojnë se kombi nuk bazohet në prejardhjen e përbashkët etnike, por është një entitet politik, ku bërthama bazë është Identiteti dhe jo Etnia. Ernest Renan më 1882, do ta përcaktonte kombin, si një ’referendum të përditshëm’, që varet nga vullneti i popullit për të vazhduar të jetuarin së bashku. Kjo ideologji politike, qëndron në thelbin e krijimit të Demokracisë Përfaqësuese Amerikane, çka është dhe e ilustruar në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, 1776.

Pra, pas reagimit të ambasadorit Arvizu, mbi procesin ”21 janari” dhe kundërpërgjigjes qeveritare se: ’janë vrarë njerëz duke tentuar të kapërcejnë muret e ndonjë ambasade’ – (nënkupto atë Amerikane.autori), vjen kundër përgjigjja e dytë qeveritare, po në të njëjtën logjikë, se: ’Nacionalizmi ynë është Qytetar, siç është dhe Nacionalizmi juaj Amerikan’. 

Ndërkohë, që vëzhgojmë një përdorim të tezave nacionaliste të reduktuara në nivel verbal, dhe te shoqëruara me simbole ‘figurative’ militare nga AK, por të cilat shkojnë në disproporcion me ambicjet programuese të kësaj force, nga ana tjetër, konstatohet gjithashtu, një devijim në tendencën përdoruese të tezës nacionaliste, nga aktorët kryesorë qeveritarë, prej logjikës së përfitimit elektoral, në kundërvënie të reagimeve diplomatike, kryesisht atë amerikane. Gjithashtu këto teza nacionaliste, nuk janë të artikuluara në programin politik të së djathtës në pushtet.

Realizimi i teorive dhe ideve nacionaliste, kërkon angazhimin e elementëve, të cilët shkojnë në kundërshtim me aspiratat, për një fqinjësi të mirë dhe një efikasitet diplomatik ndërveprues rajonal. Idetë nacionaliste, krijojnë gjithashtu përplasje me aspiratat për një integrim europian. Si mund të funksionojë dhe të jetë efikase, një platformë politike, nëse ajo është edhe nacionaliste, edhe me synime integruese? Këto janë teori, që në vetvete e përjashtojnë njëra-tjetrën. Me nacionalizëm, nuk mund të kuptojmë thjesht dashurinë ndaj vendit tënd, pasi ky është patriotizmi, ndërsa nacionalizmi shkon shumë larg, ai është egzaltimi i kombit, me tërë mjetet e mundshme në dispozicion, kundrejt kombeve të tjerë.

Historia ka treguar, se, çdo ndjesi superioriteti identitar dhe çdo stigmatizim ndaj tjetrit, nuk mund të gjenerojë veçse polemika sterile, duke mbyllur portat e komunikimit të një fqinjësie të mirë, çka shteti shqiptar, pavarësisht rrethanave në të cilat është gjendur, ka ditur ta ruajë këtë ekulibër të rëndësishëm, në politikat diplomatike të tij. Nacionalizmi si ideologji, ka penetruar në shumë doktrina të tilla të aplikuara, siç mund të përmendim politikat komuniste të shekullit të XX; konceptin e Patriotizmit anti-imperialist të Mao Ce Dun; konceptin Totalitarist dhe antikapitalist të Benito Musolinit; dhe duke kaluar deri në justifikimet nacionaliste, si motorri bazë i mobilizimit për spastrime etnike, në Ballkan. Nacionalizmi, nuk është një doktrinë paqësore, por provokon dhe gjeneron luftëra dhe konflikte.

Ndërsa retorika sporadike nacionaliste, e forcës politike në pushtet, duket të ketë formën e një nacionalizmi të rremë, për përfitime elektorale dhe i përdorur herë pas here, si element për t’iu kundërpërgjigjur diplomacisë amerikane, ai, i përdorur nga AKZ, i ngjan një doktrine të mbështetur pjesërisht në princip, por pa baza themeltare, për një aplikim të mundshëm në terren. Duke e shndërruar kësisoj, në një shpalosje propagandistike, që aspiron një nacionalizëm ‘real’ në propagandë verbale, por që, reduktohet rrugës në një program partiak, që nuk synon, veçse zbatimin e detyrimeve ligjore, që burojnë nga dokumenti themeltar shtetëror, Kushtetuta e Shqipërisë.

Eni Kondi