Pushteti vendor nën kontrollin e opozitës

75

Ylli-ManjaniLSI deklaroi për mediat se për hir të parimit të balancës politike të theksuar nga vetë lideri demokrat Berisha, në përgatitje të zgjedhjeve të 23 qershorit, pushteti vendor do të vihet nën kontrollin total të opozitës. LSI ka deklaruar gjithashtu, se tërheq mbështetjen politike për çdo të zgjedhur vendor, që ka dalë nga koalicioni i LSI me PD. Parlamenti sipas LSI, është bërë ilegjitim dhe nëse është nevoja do të ketë dhe përshkallëzime politike.

‘’Nga mbrëmë kriza politike e thelluar në vend ka vetëm një emër: Ky është Sali Berisha. Integrimi evropian i Shqipërisë ka vetëm një pengesë dhe kjo pengesë është Sali Berisha dhe Partia Shtet, që qeveris sot në minorancë Shqipërinë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme nga mbrëmë kanë vetëm një armik: Ky është Kryeministri ende në detyrë që zëvendësoi ligjin zgjedhor të miratuar me konsensus me një marrëveshje tepër të vjetër politike që daton që nga koha kur ai ishte në opozita duke i kujtuar, për fatin e mirë të shqiptarëve, se i ka ardhur koha të jetë prapë në opozitë. Kursi i përplasjes me perëndimin ka vetëm një emër, ka vetëm një autor dhe ky është Sali Berisha. 

Në këto kushte, duke vlerësuar situatën aktuale me shumë kujdes dhe përgjegjshmëri të lartë qytetare, ne vlerësojmë se ekziston vetëm një objektiv politik i përbashkët i gjithë opozitës shqiptare dhe ky është largimi i menjëhershëm dhe përfundimtar i Sali Berishës nga qeveria dhe nxjerrja e Partisë Demokratike, që tashmë është Parti Shtet, në opozitë. Ky është objektiv, jo thjesht i opozitës por tashmë i shqiptarëve që në shumicë paguajnë kostot i diktatit të partisë shtet dhe të sjelljes së diktatoriale të Kryeministrit të vendit.

Tashmë fillon projekti: Çdo votë duhet të hidhet kundër këtij diktati. Objektiv tjetër më të rëndësishëm se ky opozita shqiptare nuk ka arsye të ketë. Ky projekt do të udhëhiqet nga opozita e bashkuar, e cila në mënyrë të menjëhershme do të marrë hapa konkretë për këtë çështje. Janë hapa të cilat do të ndërmerren në mënyrë të koordinuar. 

Sa na takon neve si LSI që tani dua të komunikoj qartë dhe prerë se për hir të parimit të balancës politike në vend, parim i cili u zbulua nga vetë kryeministri, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, pushteti vendor do të vendoset nën kontrollin maksimal të opozitës. 

Veçanërisht detyrat e përgatitjes së listëve të zgjedhësve është detyrë parësore. Për këtë qëllim, LSI deklaron bashkimin e votave në të gjitha këshillat vendore me Partinë Socialiste, që nga ky moment, dhe heq mbështetjen politike çdo të zgjedhuri vendor që ka dalë nga koalicioni i LSI-së me Partinë Demokratike. Në vijim, sigurisht në koordinim të plotë me Partinë Socialiste, në ditët në vijim besoj do të anançohet. 

Do të ketë qëndrime konkrete për Parlamentin ilegjitim. Që nga mbrëmë, ky Parlament është totalisht ilegjitim. Ka vendosur të legjitimojë partinë shtet, kështu që meriton një kurs të ri politik, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme të pak ditëve më vonë. 

(…)