Jep dorëheqjen Denar Biba, anëtar i opozitës në KQZ

78

denar-bibaJep dorëheqjen Denar Biba, Zëvendëskryetar dhe njëherësh anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Biba është anëtar i opozitës në këtë Komision. Ai deklaroi se është e papranueshme mungesa e vullnetit, për të ndërtuar institucione të pavarura, dhe se është dhunuar e drejta ligjore e shqiptarëve, për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më poshtë do gjeni deklaratën e plotë të anëtarit të KQZ, Denar Biba :

“Dje, shumica e rastit e deputetëve të Kuvendit, duke votuar shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me vetëdije apo nga papërgjegjshmëria, kreu një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura.

Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve.

Le të shërbejë ky akt vullneti personal i imi si nxitje për reflektim për secilin nga ju. Përfitoj nga rasti t’iu drejtohem bashkëqytetarëve të mi: mos harroni, forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet”.