Rama: Edhe sikur votat të numërohen në shtëpinë e Saliut, ikja e tij është e pashmangshme

75

IMG_4453Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp, denoncoi sërish taktikat qeverisëse për marrjen e kandidatit të LSI-së, dhe konfirmoi edhe njëherë për publikun, se, PS do të respektojë deri në fund, dokumentin themelor të zgjedhjeve, duke mos toleruar shkeljen e njëanshëm të kodit, për uzurpimin politik të KQZ-së. Rama nënvizoi, se, PS nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshje, që anashkalon Kodin Zgjedhor dhe i bëri thirrje liderit të shumicës, që të reflektojë, se, si të iki me nder nga karrigja, duke lejuar një rrotacion paqësor. 

Më poshtë është deklarata e plotë e Liderit të PS, Edi Rama, si edhe pyetjet qe shoqëruan konferencën.

Mirënjohje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për qëndrimin e qartë e të prerë, ndaj përpjekjes së marrë të Saliut për të marrë me dhunë kontrollin e KQZ.

Asnjëherë në këta 8 vjet shkeljesh të përsëritura kushtetuese e ligjore nga ana e kryeministrit, deklaratat e partnerëve të mëdhenj të Shqipërisë nuk kanë qenë më të drejtpërdrejta. Sepse asnjëherë më parë, shkelja e Kushtetutës dhe ligjit nuk ka qenë më e hapur se sa përmes kësaj nisme brutale, për të zëvendësuar forcërisht një anëtar të KQZ.

Kryeministri në ikje po e përjeton keq verën e një vetmie të madhe ku do të mbetet pa asnjë aleat serioz, fillikat si në vitin ’97, përballë furisë popullore që do t’i japë fund sundimit të tij me votën për një Rilindje Shqiptare në 23 qershor.

Në panikun e kësaj vetmie sa të madhe aq edhe të merituar, Saliu u kuturis të shkatërrojë institucionin e administrimit të zgjedhjeve duke zgjedhur rrugën më të keqe për t’u larguar nga pushteti. Rrugën që turpëron përfundimisht atë vetë si një maniak recidiv kundër votës së lirë. Rrugën që turpëron çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë që do ta ndjekë deri në fund, qorrazi, këtë shëmbëlltyrë të stërplakur të së shkuarës. Rrugën që turpëron vetë shtetin shqiptar në sytë e botës.

Të jemi të qartë, kjo marrëzi e dhunshme nuk komprometon aspak fitoren e koalicionit tonë sepse ne do t’i fitojmë zgjedhjet aq thellë sa edhe sikur votat të numërohen në shtëpinë e Saliut, largimi i tij nga pushteti është i pashmangshëm. Por kjo dhunë e marrë mbi institucionin e administrimit të zgjedhjeve, komprometon marrëdhëniet e Shqipërisë me botën demokratike. Rrugën europiane të Shqipërisë drejt marrjes së statusit kandidat për Bashkimin Europian në fund të këtij viti. Besueshmërinë e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara.

Ende më shumë, kuturisja e kryeministrit për ta kthyer shumicën e tij prej kartoni në një kamikaz që të hedhë në erë KQZ-në, hedh në erë edhe njëherë të drejtën themelore e të papërmbushur në gjithë këto vite të shqiptarëve, për të ushtruar pa asnjë pengesë sovranitetin e zgjedhjes së lirë të qeverisë së tyre.

Deklaratat e troçta të Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian janë thirrje të forta që një marrëzi e tillë e dhunshme të mos ndodhë. Ne i bashkohemi këtyre thirrjeve duke kërkuar nga kryeministri, që të mos i faturojë Shqipërisë e popullit shqiptar koston e panevojshme të mosrealizimit të zgjedhjeve plotësisht të lira e të ndershme.

Nisma e zëvendësimit të një anëtari të KQZ përmes parlamentit është haptazi e paligjshme. KQZ vërtet formohet përmes një procesi ku anëtarët e vet propozohen proporcionalisht nga qeveria e opozita, por në momentin e marrjes së mandatit KQZ nuk ka më asnjë varësi nga Kuvendi i Shqipërisë e nga partitë politike. Ky vizion, i bazuar në domosdoshmërinë që anëtarët e KQZ të jenë shërbëtorë të pavarur të ligjit e të zgjedhësve jo vartës politikë të partive, ka diktuar Kodin Zgjedhor që kemi shkruar e miratuar bashkërisht me konsensus.

Ne do ta respektojmë deri në fund dokumentin themelor të zgjedhjeve dhe prandaj edhe as do të tolerojmë shkeljen e njëanshme të Kodit për të uzurpuar politikisht KQZ-në, as do të bëhemi pjesë e kurrëfarëë marrëveshjeje që anashkalon Kodin Zgjedhor medemek për të zgjidhur problemin e krijuar nga kalimi i LSI në opozitë. Sepse ky problem thjesht nuk ekziston dhe as PD, as PS, as LSI e as PBDNJ që kanë propozuar anëtarët e sotëm të KQZ, nuk kanë asnjë lloj të drejte të ndërhyjnë në përbërjen e KQZ. KQZ-ja ka një mandat të marrë me shumicën absolute të Kuvendit për të administruar zgjedhjet krejt e pavarur prej partive dhe vetë Kuvendit. Pikë.

Në këtë pikë dua të theksoj se në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk do të hyjmë në diskutime për ndryshimin e përbërjes së KQZ. Ja pse i bëj sot apel kryeministrit që të kuptojë se duke u ndalur këtu dhe duke mos shkuar më tej, i bën shërbimin e duhur vendit dhe zgjedhësve.

Ky është momenti që Saliu të mendojë si të iki me nder nga pushteti, jo si të rri me pahir në pushtet duke çnderuar Shqipërinë. Dhe kontributi për një rotacion paqësor, të pashmangshëm tanimë me zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim do t’i jepte kryeministrit në ikje arsye që nesër të krenohej të paktën me mënyrën se si iku. Sepse për mënyrën se si ndenji në atë zyrë, është tanimë i damkosur me vulën e dështimit.

Pyetje: Nëse kryeministri Berisha nuk do t’i dëgjojë thirrjet e ndërkombëtarëve dhe do ta çojë për votim në parlament, cilat do të jenë hapat e opozitës përballë kësaj situate?

Isha shumë i qartë, besoj, në këtë pikë. Thirrjet e partnerëve të mëdhenj të Shqipërisë janë të forta, janë të troçta, janë të drejtpërdrejta, si asnjëherë më parë. Sepse kjo është një shkelje kaq e hapur dhe kaq brutale sa asnjëherë më parë nuk ka qenë ulëritës fakti se shkelja vjen nga pala në pushtet. Nga ana tjetër ne, e përsëris, nuk do ta pranojmë këtë shkelje dhe as do të bëhemi pjesë e asnjë lloj diskutimi për një gjoja medemek marrëveshje në cenim të Kodit Zgjedhor. Kodi Zgjedhor është shumë i qartë, në frymë dhe në germë.

Pyetje: ‘De jure’ mund të jetë ajo që thoni ju që KQZ-ja funksionon se e pavarur, por ‘de fakto’ a funksionon si e tillë?

KQZ-ja është një institucion që duhet të administrojë zgjedhjet në mënyrë krejt të pavarur nga partitë dhe çka është sot e rëndësishme të theksohet është se KQZ-ja nuk ka asnjë varësi nga Kuvendi i Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë nuk ka asnjë të drejtë mbi KQZ-në. Këtë e sanksionon Kodi Zgjedhor.

Pyetje: Mendoni se ka vakum ligjor në këtë pjesë, apo kodi e ka të qartë këtë gjë?

Kush është vakumi në këtë pjesë përderisa është qartësisht e përcaktuar se janë partitë në kuvend që zgjedhin anëtarët e KQZ-së mbi një formulë që është e përcaktuar në kod, por në momentin kur anëtarët e KQZ-së marrin mandatin janë të pavarur nga partitë dhe nga kuvendi?! Pra, asnjë forcë politike dhe as vetë Kuvendi, sikur të mblidhet i gjithi bashkë, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në përbërjen dhe në punën e KQZ-së.

Pyetje: Demokratët e lexojnë deklaratën e SHBA-së sikur po tenton kompromisin dhe a mund të kishte një zgjidhje kompromisi dorëheqja e LSI, tërheqja e anëtarit të saj nga KQZ?

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë të drejtë mbi anëtarin që e ka propozuar. Anëtari i propozuar nga LSI është shërbëtor i Kushtetutës, i ligjit dhe i zgjedhësve, jo i partisë që e ka zgjedhur. Po kështu të gjithë të tjerët. Kështu që është fare e qartë, se çdo shteg i prezumuar si shteg kompromisi, nuk është gjë tjetër veçse një shteg për ta shkelur ende më keq Kodin Zgjedhor. Ne nuk bëhemi pjesë e kësaj shkeljeje, ne kërkojmë me këmbëngulje atë që kërkon bota demokratike që Shqipëria të mos pengohet të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që qeveria dhe kryeministri të mos përzihen në punët e KQZ-së. KQZ-ja nuk varet nga qeveria. Kryeministri nuk ka asnjë të drejtë mbi KQZ-në, as mbi Lefterinë. Kështu që, është absolutisht e qartë që KQZ-ja ka punën e vet, ndërkohë që kryeministri dhe qeveria le të vazhdojnë të ballafaqojnë programet, të ballafaqojnë pikëpamjet, të ballafaqojnë idetë e tyre të lodhura në fushën ku janë zgjedhësit që do të vendosin.

E kuptojnë të gjithë që kjo do të jetë vera e një vetmie të madhe për kryeministrin, por ky nuk është problemi im, nuk është problemi i shqiptarëve që me një shumicë dërrmuese do të realizojnë rotacionin dhe do të krijojnë kushtet për një Rilindje Shqiptare.

en. ko