PS: Kryeministri i trembur nga vota e emigrantëve

79

veliajErion Veliaj, Sekretar për Rininë dhe Emigracionin në Partinë Socialiste, ka deklaruar për mediat sot, se, Kryeministri Berisha po mashtron sërish në lidhje me mundësinë e votimit për emigrantët. Sipas tij, Berisha ndërkohë që premton zgjidhje për problemet e emigrantëve, i shikojmë, se, si vazhdojnë të bllokohen nëpër pika kufitare, për arsyen e vetme se shteti i shqiptar nuk di të prodhojë pasaporta në standarde europiane. Se shqiptarët, po sipas Veliaj,  vazhdojnë të përballen me burokracinë dhe korrupsionin nëpër ambasadat e konsullatat e mbushura me militantë, dhëndurë e  farefis të partisë në pushtet. Shqiptarëve në emigrim, nuk u njihen kontributet për pension dhe sigurime shoqërore e shëndetësore, dhe vazhdojnë të diskriminohen vetëm për faktin, se, kryeministri nuk di, se, ç’nxjerr nga goja në përçartjet e tija pseudonacionaliste.

Veliaj i kujtoi liderit Berisha, se, opozita ka formuluar  dhe propozuar dy herë projekt-ligjin për votën e emigrantëve, se ky projekt-ligj është prezantuar pranë Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Ky propozim, specifikonte mënyrën e votimit me anë të postës së personalizuar, dhe gjithashtu koston e bashkëngjitur për të mundësuar votën për çdo shqiptar, kudo ku ai ndodhet në emigracion. Por si në vitin 2008, ashtu dhe në vitin 2012,  Kryeministri dhe Partia Demokratike e kanë rrëzuar propozimin e opozitës, pa dhënë asnjë arsye për këtë refuzim.

Tashmë shqiptarët, sipas Veliajt, e kanë të qartë që Berisha nuk e do votën e emigrantëve, pasi ajo është një votë që ai nuk e kontrollon dot, nuk e blen dot, nuk e manipulon dot, dhe nuk e vjedh dot. Sali Berisha thotë se është gati ta mundësojë votimin e emigrantëve në Konsullata dhe Ambasada; kjo është një gënjeshtër dhe një tallje me 1.5 milionë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë. T’u shpjegojë kryeministri shqiptarëve në emigrim sesi do të  jetë e mundur që  të votojnë në ambasadën tonë në Gjermani rreth 20 mijë shqiptarë të shpërndarë në të gjitha anët e vendit? Po një shqiptar me banim në Los Angeles, si mund të votojë në Ambasadën tonë në Uashington, që ndodhet 3700 km larg? Në po ato ambasada, që siç u pa,  nuk kanë para as për të paguar qeranë e dritat, e jo më të administrojnë një proces të rregullt zgjedhor.

PS nëpërmjet Veliaj, theksoi gjithashtu se, vetëm dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, në pamundësi për të ndryshuar Kodin Elektoral, pa një buxhet që do e mundësonte këtë votim, si dhe me mangësitë e theksuara të kapaciteteve teknike e logjistike të KQZ-së, votimi elektronik është thjesht një shashkë elektorale e Sali Berishës, kryeministrit në ikje. Partia Socialiste angazhohet ta çojë deri në fund nismën saj për të mundësuar të drejtën e votës emigrantëve aty ku jetojnë. Ne do të aprovojmë ligjin me shumicën tonë të re në parlament, ku pikat kryesore që përmban ky ligj do të jenë:

1- Marrëveshje e menjëhershme për pensionet me Greqinë dhe Italinë.

2- Transferimi i TVSH-së në duart e emigrantëve për gjuhën, arsimin dhe kulturën shqiptare.

3- Menaxhim i shërbimeve konsullore me përfaqësim të vetë emigrantëve në konsullatat

      shqiptare.

4- Paketë financiare lehtësuese për transferimin e biznesit në Shqipëri.

albaniaplus