Dade: Saliu kurs përplasje me ndërkombëtarët

74

63371_arta-dadeDeputetja e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Nënkryetare e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Arta Dade, ka dhënë një deklaratë për shtyp, ku akuzoi sërish në emër të Partisë Socialiste veprimet e fundit të qeverisë dhe Kryeministrit Berisha. Dade, akuzoi Berishën, se po përpiqet të vjedhë sërish votën e lirë të qytetarëve, duke zëvendësuar anëtarin e KQZ-së. Ajo theksoi gjithashtu, se kryeministri po e rrënon vendin në sytë e ndërkombëtarëve, se Berisha refuzoi kërkesat e ndërkombëtarëve për shkak të frikës që ka nga zgjedhjet e lira. Ajo nënvizoi se, partneriteti ynë me SHBA e BE është strategjik dhe Shqipëria duhet të jetë vend demokratik.

(…)

‘Berisha ka dështuar në marrëdhëniet me partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe ka dobësuar profilin e vendit që në rrafshin rajonal priret nga strategjia e bashkëpunimit dhe e stabilitetit; ai dështoi në ndërtimin e Shqipërisë Europiane; ai dështoi në garantimin e lirive që janë thelbi i demokracisë; ai nuk garantoi zgjedhje të lira e të ndershme. 

Me mëndjengushtësisë e tij politike po asgjeson dita ditës hapësirat për dialog dhe bashkëpunim politik. Sali Berisha dështoi me Kosovën, jo vetëm që nuk e ndihmoi procesin e njohjes së mëtejshme të shtetit të pavarur por e vuri në rrezik këtë proces për shkak të retorikës së nacionalizmit primitiv, pas së cilës rreket të fshehë dështimet e njëpasnjëshme që po rrënojnë vendin. Koston e papërgjegjshmërisë së tij e paguajnë shqiptarët dhe Shqipëria përkundrejt rajonit e Europës.

 

Sali Berisha zbehu rolin e Shqipërisë si partner serioz i botës demokratike, i Shteteve të Bashkuara dhe i Bashkimit Europian, të cilët shprehën shqetësime serioze se kjo retorikë primitive përbënte kërcënim për klimën e bashkëpunimit dhe stabilitetit demokratik rajonal. Kjo retorikë dhe kjo qasje,gjithashtu bie ndesh me interesat rajonal të partnerëve tanë të NATO-s dhe vendin e çon në një kurs përplasje me partnerët tanë strategjik. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian janë tashmë roblematike. 

Sali Berisha refuzoi mesazhet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kërkesat dhe paralajmërimet e tyre për të mos cënuar pavarësinë e KQZ-së. Ai është gjithnjë e më i izoluar, për shkak të frikës gjenetike për të pranuar humbjen, humbjen që vjen prej vullnetit të lirë të qytetarëve, të shqiptarëve të bashkuar. Shqipëria nder vite ndërtoi një politikë të jashtme rajonale në harmoni me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, në mbrojtje të Kosovës dhe të faktorit kombëtar në rajon. Partia Socialiste është e bindur se partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian është strategjik dhe Shqipëria duhet dhe do te jetë një shtet demokratik për të ndjekur në vijimësi një politikë të jashtme me kontribute konstruktive në veçanti në rrafshin rajonal. 

Partia Socialiste thekson se rivendosja e ekuilibrave me partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, fuqizimi i rolit të faktorit shqiptar në rajon, kalon domosdoshmërish nëpërmjet konsolidimit të shtetit të së drejtës, fuqizimit të institucioneve demokratike, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore dhe luftës efikase ndaj korrupsionit.’ e.k