Zbardhet takimi i Nishanit me Raporterët e Asamblesë Parlamentare të KE-së

61

pres-nishani-raporteretPresidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri për të vlerësuar përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 23 qershorit.

Pas shkëmbimeve të kortezisë, në përgjigje të interesimit të raporterëve të Këshillit të Evropës, Presidenti Nishani u shpreh se Shqipëria ka të gjitha kapacitetet institucionale dhe infrastrukturore për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet evropiane. Kreu i Shtetit shprehu besimin e tij se pjekuria e opinionit publik, zhvillimet pozitive në infrastrukturën ligjore dhe teknike si dhe angazhimi i madh i faktorit ndërkombëtar në dhënien e asistencës dhe monitorimin e procesit zgjedhor janë faktorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Në vijim, Presidenti Nishani bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve dhe transformimeve demokratike në Shqipëri duke u ndalur tek bashkëpunimi me Këshillin e Evropës dhe eksperiencën e suksesshme të Shqipërisë si Presidente e këtij Këshilli.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se sfida më e rëndësishme mbetet sjellja e përgjegjshme e partive politike para, gjatë dhe pas procesit elektoral’ – thuhet ne deklaratën për shtyp të Presidencës./ e.k