Berisha firmos importin e plehrave rajonale në Shqipëri

78

1206996129-02004_highKryeministri Berisha ka firmosur vendimin për importin e plehrave, nga vendet e rajonit, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi si edhe nga vendet e Bashkimit Europian, duke rrezikuar në këtë mënyrë të kthejë Shqipërinë, në një zonë grumbullimi plehrash rajonale. Ky vendim u mor, para se të kryhej referendumi popullor, për lejimin e importit të plehrave. Më poshtë do të lexoni vendimin e plotë të Këshillit të Ministrave të firmosur nga vetë Kryeministri Berisha.

V E N D I M

PËR

AUTORIZIMIN E SHOQËRISË “ANSA”, SH.P.K, PËR IMPORTIN    E MBETJEVE TË POLIETILENIT, PËR QËLLIME RICIKLIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 22, të   ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Autorizimin e shoqërisë “ANSA”, sh.p.k., për importin e mbetjeve të polietilenit, me kodet GH 011ex 391510 dhe B1 – B3010, të Konventës së Bazelit, aneksi 1 “Mbetjet e listës së gjelbër”, referuar vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.

2.    Sasia e mbetjeve të polietilenit, që do të importohet sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 3 600 (tre mijë e gjashtëqind) tonë në vit.

3.    Mbetjet do të importohen nga shteti i Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, dhe vendet e Bashkimit Europian. Transporti të bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të plotësohet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për importimin e mbetjeve për qëllime përdorimi, përpunimi dhe riciklimi”. Ambalazhimi i tyre të bëhet në paleta, i presuar ose në thasë plastikë, sipas kërkesave të anekseve III dhe IV, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.

4.    Për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, shoqëria “ANSA”, sh.p.k., dorëzon të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në anekset III dhe IV, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar, dhe monitorimi i tyre të kryhet nga strukturat përkatëse të doganave. Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me një raport – analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit.

5.    Periudha e lejimit të importit të mbetjeve të polietilenit nga  shoqëria “ANSA”, sh.p.k., është  1 – vjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6.    Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave të mësipërme ligjore dhe për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit  publik, merr masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve të polietilenit nga shoqëria “ANSA”, sh.p.k., edhe pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7.    Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave komunikon me shkrim me shtetet eksportuese dhe me ato në të cilat do të bëhet kalimi transit për autorizimet përkatëse, në bazë të të cilave lejohet kalimi i kësaj sasie të mbetjeve të plastikës, në përmbushje të kërkesave të Konventës së Bazelit “Për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.

8.    Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

***