Lideri opozitar Rama dhe kreu i LSI-së Meta kanë dalë në një Konferencë të përbashkët për shtyp.
Rama, u ka drejtuar një apel qytetarëve shqiptarë që t’i drejtohen masivisht kutive të votimit, duke marrë me vete dhe një qytetar tjetër në mënyrë që një pjesë e madhe e popullsisë të ketë mundësinë të shprehet për këto zgjedhje, si një shans shumë i madh për vendin. Ai iu drejtua edhe emigrantëve të cilët gjenden në pamundësi për të votuar duke i kujtuar se kanë një detyrim moral ti bien telefonave të familjarëve dhe miqve të tyre ose t’i njoftojnë përmes facebook se është shumë e rëndësishme vajtja në votime në këto zgjedhje.
Rama deklaroi gjithashtu se, fitorja arrihet vetëm në momentin kur vuloset rezultati zgjedhor dhe se Aleanca është e vendosur që të mbrojë votën e çdo zgjedhësi. Rezultati që presim, ka deklaruar Rama, është 77-80 mandate për Aleancën.
Kreu i LSI-së Meta, ka ftuar po ashtu qytetarët shqiptarë që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, pasi kjo do të jetë mënyra se si ato do t’i kërkojnë llogari shumicës që do të qeverisë vendin. Meta theksoi se, LSI shpreh vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me PS për të mbrojtur edhe një votë të vetme për çdo tentativë tjetërsimi dhe trysnie, sepse edhe një votë e vetme është shumë e rëndësishëm dhe këtë duhet ta kuptojë së pari kryeministri Berisha, i cili duhet të pranojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe të frenojë të gjithë strukturat policore dhe shtetërore, sepse standardi i zgjedhjeve është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër.
Aleanca, deklaroi Meta, do të fitojë rreth 80 mandate, kjo është aleanca më e madhe që prej viti ‘92 që ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ajo do të vijë duke u zgjeruar, sepse Shqipëria ka nevojë për një frymë gjithëpërfshirëse.
Në lidhje me një pyetje nga gazetarët, për aleancë të mundshme pas zgjedhjeve me Berishën, Meta iu përgjigj se, z Berisha përgjigjen në lidhje me një mundësi të hapur për këtë çështje, i’a kam dhënë nga Berati. Ditën e dielë, ka thënë Meta, njëherë e mirë Shqipëria ndahet me qeverinë e Berishës dhe vendos të ecë në një drejtim të ri, që kërkon shumica e popullit shqiptar, nevojën për një qeveri që të mbështesë zgjidhjen e këtyre problemeve. Meta konfirmoi se janë në një aleancë para zgjedhore me PS-ne, çka do të thotë edhe në një aleancë pas zgjedhore po me PS-në. “Fitorja është në duart tona dhe ne nuk e lëmë të na ikë nga dora”,- deklaroi Meta.
Lideri opozitar Rama e ka mbyllur me një batutë konferencën për shtyp, duke u thënë gazetarëve të TVSH-së, se për ju është më e lehtë të votoni për LSI-në, ndërsa për ato të Klanit të votojnë PS-në.
Në një Deklaratë të përbashkët, krerët e misioneve vëzhguese të OSBE-së dhe KiE-së në Shqipëri i kanë bërë thirrje anëtarëve të KZQ-së, që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në lidhje me një proces elektoral të qetë. Ato theksuan, se KQZ duhet të funksionojë e ndarë, nga politika në mënyrë që të respektohet vullneti politik i votuesve.
“Institucionet administrative zgjedhore duhet të jenë në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga fushata elektorale, duke garantuar se vullneti demokratik i votuesve do të respektohet nga partitë politike dhe do të zbatohet nga autoritetet. Kundërshtimet ligjore nuk duhet të bllokojnë punën kritike të institucioneve demokratike”- theksohet në deklaratën e përbashkët.
Si rrallë ndonjëherë në Shqipëri do të ketë një numër shumë të lartë vëzhguesish në terren. Vetëm nga ODHIR pritet të mbërrijnë edhe 100 të tjerë pasi 300 vëzhgues ndodhen tashmë në terren. Misionit të vëzhgimit do t’i bashkëngjiten edhe stafet e ambasadave te vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në total numri i vëzhguesve shkon në 9 mijë persona. Të gjitha këto lëvizje dëshmojnë për një gjë, e cila duket të jetë e sigurt, vënie në dyshim e sistemit aktual demokratik.
Ditën e hënë më 24 qershor, pritet që vëzhguesit ndërkombëtar të paraqesin deklaratën paraprake pas zgjedhore në një Konferencë për shtyp në Tiranë.
Në 10 vitet e fundit, Agjensitë Gjermane për Zhvillim Ekonomik GTZ dhe GIZ, kanë dhënë mbi 500 mijë euro për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e turizmit dhe punësimin e banorëve në këtë zonë veriore të Shqipërisë.
Thethi me një sipërfaqe prej 2630 ha, shfaqet si njëri nga fshatrat më të veçanta te Alpeve shqiptare. Në pjesën me veriore të Komunës së Shalës, rreth 70 km larg nga qyteti i Shkodrës, ai është i vendosur në një gropë që arrin në lartesinë nga 740 deri në 950 m mbi nivelin e detit dhe i banueshëm në mënyrë të përhershme. Thethi ka një pozitë kyçe dhe mjaft strategjike për një zhvillim të qëndrueshëm. Përmes Qafës së Pejës, në lartësi kalon rruga që lidhë Shkodrën me Pejën dhe viset e tjera të Kosovës. Nga Qafa e Valbonës rruga të çon në Tropojë e nëpërmjet Shtegut të Dhenëve lidhet me Bogën, e nga këndej me Shkodrën. Nga ana tjetër, nga Rrethi i Vizhnës lidhet me Kelmendin dhe përmes Shkallës së Thethit lidhet me pjesën tjetër të Shalës. Një nga pikat më piktoreske në këtë mrekulli, është padyshim edhe “ Vorri i Riecit “. Nga kjo pikë vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe në krahun e majtë ngrihet madhështore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenëve.
Kur mbërrin në Theth, ajo që të befason dhe që e bën më të bukur atë është prania e pyllit. Në pjesën më të madhe të tij mbizotëron pylli i ahut, por nuk mungon edhe pisha e zezë, panja, frashëri, villi, bungu, shkoza, dellia, thana, lajthia e arra. Po kështu në këtë zonë, në një numër të konsiderueshëm ndodhen edhe shumë lloje bimësh barishtore që ia shtojnë bukuritë këtij fshati mbresëlënës. Në zonën e Thethit, një vënd të rëndësishëm zënë edhe kullotat, bimësia e të cilave është e një cilësie të lartë. Ajo përbëhet dhe ka një shtrirje mjaft të gjërë nga bimë të familjes graminore, ku nuk mungojnë as ato bishtajore dhe të familjeve të tjera të këtij lloji.
Thethi turistik dhe vlerat e tij
Ura Gjecaj në Theth/ foto DW
Në këtë zonë bimësia ka vlera të mëdha ekonomike, turistike, shëndetësore, shkencore e monumentale. Në këtë bimësi, që zoterojne elemente të florës së Europës Qendrore, mbulesa bimore zhvillohet në kater vertikale për shkak të ndryshimeve klimaterike tokësore dhe të lartësisë mbi nivelin e detit. Por ka edhe raste që për arsye të ekspozicionit të shpateve e të lagështirës, brënda një kati bimor tokësor, të takohen lloje të kateve të tjere. Me këtë spjegohet fakti se hapësira e Thethit përfshin mbi 3-4 lloje bimore endemike dhe mbi l6-l7 bimë subendemike, bimë të rralla relike etj.
Sot, aktualisht në Theth gjenden 70 burime uji, ku më i përmënduri është Kroni i Micanit.
Për rreth 40 vjet rrjesht, mjediset e hotelit në Theth, janë shfrytëzuar nga shumë qytetarë nga i gjithë vëndi.
Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400, që do të thotë rreth 1 pushues për 1 banor. Lidhur me aktivitetin ekonomik, një vënd të rëndësishëm zë blegtoria, kryesisht ato të imtat, ku mbashtrimi i tyre ka gjetur kushte mjaft të përshtatshme në këtë vënd.
Hartimi i një strategjie produktive
Faktikisht promovimi i zonës dhe mbulimi i saj nga operatorë të ndryshëm kryesisht në industrinë e turizmit, nuk paraqitet ende në nivelin e duhur. Kërkesa për të pushuar në Theth është e kufizuar në turistë vëndas dhe të huaj dhe të ardhurat nga turizmi për zonën, akoma nuk janë ku mund të ishin. Në mënyrë që ky proçes të realizohej optimalisht, do të duhej që të realizoheshin më mirë disa faktorë të rëndësishëm si:
Lidhja me agjensi turistike e operatorë në zonën përreth dhe përtej kufirit si Mali i Zi, Maqedoni e Kosovë.Përmirësimi dhe mirëmbajtja e rrugës kryesore dhe atyre anësore të zonës. Rritja e kapaciteteve dhe numri i shtretërve në dizpozicion të të ardhurve gjithnjë e në rritje vit pas viti.
Ruajtja dhe mirëmbajtja e parkut nga njerëz të specializuar si dhe shtimi i hapësirës së tij. Rritja e mëtejshme kapaciteteve pritëse ndaj turistëve vendas dhe të huaj edhe gjatë stinës së dimrit, duke i shtuar në këtë stinë edhe atraktivitetin e sporteve dimërore.
Zhvillimi afatgjatë i turizmit
Ndërkohë Programi i Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, GTZ, ka kryer disa aktivitete me synim studimin dhe promovimin e turizmit në zonat veriore të Shqipërisë. Nxitja e zhvillimi i një turizmi të bazuar mbi vlerësimin e potencialeve agrare, ambjentale dhe historiko-kulturtore, ka bërë që GTZ të japë ndihmesë konkrete për këtë sektor të rëndësishëm ekonomik për këtë vend që njihet si një ndër më të varfrit në këtë rajon. Janë afro 200 mijë euro që GTZ pati dhënë në formë granti si ndihmë disa familjeve për përmirësimin e turizmit dhe punësimin e banorëve në këtë zonë.
Së fundi, një projekt i financuar nga qeveria gjermane prej 310 mijë eurosh i cili po realizohet nga Korporata Gjermane e Zhvillimit, GIZ ka si objektiv kryesor zhvillimin ekonomik dhe turistik të qëndrueshëm në tërë zonën e Thethit. Është mëse e qartë se zona e Thethit me pasurinë dhe potencialin natyror mund të shndërrohet në një destinacion turistik vetëm me pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm, në bazë të një planveprimi strategjik, i cili parashikon edhe investime të mëtejshme, mënyrë administrimi, promovimi etj.
Të gjitha këto bukuri të papërsëritshme të këtij fshati në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vënd të rëndësishëm në natyrën, traditën e kulturën shqiptare. Për këtë arsye, po zbatohet projekti i Koorporatës Gjermane të Zhvillimit GIZ, që Parku i Thethit si zonë pranë kufirit të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur “Majat e Ballkanit “, ku përfshihen territore edhe nga Gryka e Rugovës në Pejë, Plavës në Mal të Zi dhe Thethit e Valbonës në Shqipëri.
Astrit Bushatit, kreut të PD-së në Shkodër i është vënë një sasi ekplozivi në banesën që është në ndërtim e sipër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm.
Lënda plasëse, sipas burimeve policore, është vënë në katin e pare të banesës dhe nuk ka shkaktuar dëme në njërëz dhe as dëme të mëdha materiale, pasi është banesë në ndërtim.
Mësohet se kreu i PD-së së Shkodër ka bërë denoncimin përkatës në polici dhe nuk dihen ende shkaqet e vendosjes së kësaj lënde plasëse. Struturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes, si edhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ka dhënë dorëheqjen Shefi i Policisë së Rendit në Kukës, Emro Zholi. Vetëm dy ditë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare Shefi i Policisë së Kukësit ka dhënë dorëheqjen me motivacionin zyrtar atë të ‘mbingarkesës në punë’.
Ndërkohë që ky motivacion lë hije dyshimi për disa arsye, e para se kuadrot e lartë policore që kur pranojnë poste të tilla e kanë tashmë të marrë në konsiderate faktin e një mbingarkese normale pune.
Së dyti, presionet e larta shtetërore në këtë zonë dhe fakti i vënies në epiqendër nga shtypi i terroreve policore të ndodhura së fundmi në qarkun e Kukësit, me urdhër nga lartë duket të jenë edhe shkaku i dorëheqjes së tij. Policia e cilësuar të ketë vepruar me urdhër nga lartë, ka bastisur pa mandate përkatës shtëpitë e drejtuesve të LSI-së duke terrorizuar familjarët dhe banorët përreth dhe duke i shoqëruar këto persona në komisariate për t’i mbajtur aty për disa orë, nën terror psikologjik.
Ministri i Brendshëm Flamur Noka, që është në krye të këtij qarku, është vënë nën akuzë publike nga LSI dhe PS për shkelje ligjore të vazhdueshme, për presione politike që ushtron ndaj segmenteve politikë në qarkun e Kukësit, duke dhënë urdhër për bastisje të banesave të tyre dhe për presione ndaj administratës në këtë qark.
Siç duket dorëheqja e Shefit të Policisë së Kukësit, vjen në këtë klimë parazgjedhore ku i duhet të përballet nga njëra anë me presionet për shkelje ligjore dhe nga ana tjetër me presionet për ndëshkime penale, përballë këtyre shkeljeve ligjore.
Nëse edhe sipas burimeve që diskutohen, dorëheqja vjen pikërisht nën këtë kuadër, është për t’u vlerësuar fakti i distancimit të tij nga të qënurit palë e presioneve të vazhdueshme për shkelje ligjore, me synim deformimin kushtetues të rezultateve zgjedhore.
Lideri opozitar Rama i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut iu nënshtrua një interviste të stilit hetuesi, me të vetmin ndryshim, që nëse në një sallë hetuesie, detyra e hetuesit është zbulimi i së vërtetës, detyra e drejtuesit të emisionit ishte mbrojtja pa kushte e Kryeministrit në detyrë.
Gjatë emisionit, Rama deklaroi një mesazh shumë të qartë për të gjithë ato që do të përpiqen të fusin duart në procesin elektoral duke i kërcënuar publikisht se do të përballen me ligjin.
“Unë dorëheqje mbas zgjedhjeve të vjedhura jo vetëm që nuk mund të jepja, por nëse do të kisha dhënë dorëheqjen pas zgjedhjeve të vjedhura, unë do të kisha tradhtuar PS dhe sot ne nuk do të ishim këtu 3 ditë para fitores. Nuk tërhiqem unë përpara hajdutëve të zgjedhjeve”, ka thënë Rama duke iu përgjigjur pyetjes përse nuk dha dorëheqjen më 2009-s dhe më pas ka paralajmëruar:
“Nëse këtë herë do të prekin votën, do të duhet të kenë përgatitur edhe vrimën se ku do të futen.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka rënduar shumë dënimet për ata që prekin procesin zgjedhor. Nëse dikush merr përsipër që të prekë votën, duhet të marrë parasysh më parë se ku do të fshihet. Nëse në këtë hajdutëri do të marrë pjesë dhe Saliu edhe ai duhet ta mendojë mire”.
Lideri opozitar u prononcua edhe mbi çështjen e 21 janarit, duke deklaruar se kjo çështje do të zbardhet deri në fund dhe se, do të dalin përpara drejtësisë urdhëruesit e vrasjeve dhe vetë vrasësit.
I ftuar në emisionin Top Story të Sokol Ballës, ku mungonte prej vitesh, Kryeministri Berisha u shpreh i bindur në një fitore dhe në një mandat të tretë qeverisës. Ai deklaroi se, janë dy avantazhe të tij gjatë këtyre zgjedhjeve, fakti që ai di t’i mbajë premtimet dhe fakti, se programi i tij është programi më i mirë që ekziston aktualisht.
Ndërsa nuk u shpreh qartë në lidhje me opsionet në rast humbjeje të partisë së tij, ai deklaroi se do të lexonte verdiktin e sovranit dhe do të merrte vendimet e duhura.
Berisha e mohoi mundësinë, për t’i kërkuar një bashkëpunim të mundshëm LSI-së pas zgjedhjeve:
« Unë personalisht them jo. Sepse atëherë nuk ishte në koalicion me Ramën tani është në koalicion me të. Nuk i qëndroi përgjegjësisë së saj por u largua para kohe dhe nuk ka asnjë lloj motivi që të bëjë koalicion me partinë demokratike pas zgjedhjeve”,- deklaroi Berisha.
Kryeministri Berisha ka qenë në Vlorë për inaugurimin e përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza. Ai deklaroi nga Vlora, se janë investuar 13 milionë euro, me të cilat është realizuar jo vetëm ndërtimi i rrjetit të ri të trajtimit të ujërave të zeza, por edhe ndërtimi i rrugëve dhe trotuareve, si dhe ndërtimi i lidhjeve të shtëpive në Vlorë.
Kryeministri Berisha, theksoi gjithashtu se falë ndërtimit të këtij impianti, Vlora tashmë renditet ndër qytetet mesdhetare me ujërat më të pastra.
“Ky është zhvillim. Ne po bëjmë gjithçka të ecim drejt zhvillimit. Ndaj unë sot i drejtoj edhe një herë thirrjen më miqësore qytetarëve të Vlorës, banorëve të qarkut të Vlorës, pasnesër të zgjedhin 44-n. Vlonjatet dhe vlonjatët, shqiptaret dhe shqiptarët, përveç mundit dhe djersës së tyre, meritojnë edhe fatin e mirë dhe ky është numri fatmirë. Shqiptarët e dinë këtë, shqiptarët janë të mençur dhe nuk kanë asnjë lloj arsye që të prekin numrin e tersit, numrin 29. Kjo është e vërtetë “,- deklaroi Berisha nga qyteti i Vlorës.
Partia Socialiste përmbyll mitingun në Kryeqytet. Lideri i Partisë Socialiste Rama deklaroi përpara qytetarëve të mbledhur në sheshin “Nënë Tereza”, se ky është një miting jo me robër të mbledhur nëpër autobusa, por është një miting stafi me vendalinj safi.
“Pastaj ju e dini, ne një autobus kemi, vetëm autobusin mavi.Gjithë autobusët e tjerë i ka mbledhur katragjyshi me antiplumb, për t’i mbushur me njerëz si të gjithë ju, që marrin një rrogë nga taksat e të gjithëve ne dhe që një katragjysh i marrë fund i mban peng lidhur me bukën e gojës. Ditën e dielë me numrin e bekuar 29, do t’i çlirojmë të gjithë robërit e katragjyshit”,- deklaroi Rama.
Në një mbyllje dinjitoze pas fjalimeve përkatëse, dhe të rrethuar nga qytetarë që kishin pushtuar sheshin në të katër anët, ekipi rozë u mblodh së bashku në plate, nën ritmet e daulleve në sfond, duke bashkuar duart në shenjë fitore përpara një beteje, që pritet të fillojë të dielën më 23 qershor.
Në një Deklaratë për Mediat, Policia e Kryeqytetit, ka njoftuar se ka marrë masat për një zhvillim normal të mitingut të PS-së, që do të mbahet sot në Sheshin “Nënë Tereza”. Polica ka deklaruar se nga ora 16 :00-21 :00 do të bllokohen disa segmente rrugore që të çojnë për tek sheshi “Nënë Tereza”.
Do të ndalohet qarkullimi i automjeteve te kryqëzimi i rrugës “Ismail Qemali” deri në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Hotel Sheraton përgjatë Sheshit “Nënë Tereza » nga rruga “Frederik Shiroka” drejt sheshit “Nënë Tereza”.