Rama dhe Meta apel Berishës: Prano zgjedhje të lira dhe freno strukturat policore

52

meta-ramaLideri opozitar Rama dhe kreu i LSI-së Meta kanë dalë në një Konferencë të përbashkët për shtyp.

Rama, u ka drejtuar një apel qytetarëve shqiptarë që t’i drejtohen masivisht kutive të votimit, duke marrë me vete dhe një qytetar tjetër në mënyrë që një pjesë e madhe e popullsisë të ketë mundësinë të shprehet për këto zgjedhje, si një shans shumë i madh për vendin. Ai iu drejtua edhe emigrantëve të cilët gjenden në pamundësi për të votuar duke i kujtuar se kanë një detyrim moral ti bien telefonave të familjarëve dhe miqve të tyre ose t’i njoftojnë përmes facebook se është shumë e rëndësishme vajtja në votime në këto zgjedhje.

Rama deklaroi gjithashtu se, fitorja arrihet vetëm në momentin kur vuloset rezultati zgjedhor dhe se Aleanca është e vendosur që të mbrojë votën e çdo zgjedhësi. Rezultati që presim, ka deklaruar Rama, është 77-80 mandate për Aleancën.

Kreu i LSI-së Meta, ka ftuar po ashtu qytetarët shqiptarë që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, pasi kjo do të jetë mënyra se si ato do t’i kërkojnë llogari shumicës që do të qeverisë vendin. Meta theksoi se, LSI shpreh vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me PS për të mbrojtur edhe një votë të vetme për çdo tentativë tjetërsimi dhe trysnie, sepse edhe një votë e vetme është shumë e rëndësishëm dhe këtë duhet ta kuptojë së pari kryeministri Berisha, i cili duhet të pranojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe të frenojë të gjithë strukturat policore dhe shtetërore, sepse standardi i zgjedhjeve është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër.

Aleanca, deklaroi Meta, do të fitojë rreth 80 mandate, kjo është aleanca më e madhe që prej viti ‘92 që ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ajo do të vijë duke u zgjeruar, sepse Shqipëria ka nevojë për një frymë gjithëpërfshirëse.

Në lidhje me një pyetje nga gazetarët, për aleancë të mundshme pas zgjedhjeve me Berishën, Meta iu përgjigj se, z Berisha përgjigjen në lidhje me një mundësi të hapur për këtë çështje, i’a kam dhënë nga Berati. Ditën e dielë, ka thënë Meta, njëherë e mirë Shqipëria ndahet me qeverinë e Berishës dhe vendos të ecë në një drejtim të ri, që kërkon shumica e popullit shqiptar, nevojën për një qeveri që të mbështesë zgjidhjen e këtyre problemeve. Meta konfirmoi se janë në një aleancë para zgjedhore me PS-ne, çka do të thotë edhe në një aleancë pas zgjedhore po me PS-në. “Fitorja është në duart tona dhe ne nuk e lëmë të na ikë nga dora”,- deklaroi Meta.

Lideri opozitar Rama e ka mbyllur me një batutë konferencën për shtyp, duke u thënë gazetarëve të TVSH-së, se për ju është më e lehtë të votoni për LSI-në, ndërsa për ato të Klanit të votojnë PS-në.