Nishani: Të mos votosh, është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë

Bujar NishaniPresidenti Nishani ka dhënë një mesazh, një ditë para hapjes së votimeve në mbarë vendin. Ai ka theksuar se vota është shumë e rëndësishme dhe se duhet votuar për Shqipërinë. Nishani bëri thirrje gjithashtu që të shkojnë sa më shumë të rinj në votime.

 

MESAZHI I NISHANIT 
Të dashur dhe të nderuar bashkëqytetarë,

Nesër do të votojmë.

Pra do të kryejmë aktin më të natyrshëm në një shoqëri të lirë.

Që është veprimi politik, qytetar, shoqëror, më i rëndësishëm, që përmban në vetvete, thelbin e Demokracisë.

Si të tillë, kjo ditë dhe ky akt, kërkojnë prej të gjithëve ne, përqendrim, seriozitet, përgjegjshmëri, për gjithçka që ka lidhje me këto votime.

Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh Lirinë, për vete dhe për të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen.

Të mos votosh, është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë.

Të mos harrojmë për asnjë çast rëndësinë e jashtëzakonshme që ka dita e nesërme lidhur me punët, problemet, perspektivat e brendshme.

Të vlerësojmë si duhet rëndësinë që votimet e nesërme kanë lidhur me marrëdhëniet tejet të rëndësishme të vendit me botën, me të cilat liria, begatia, fatet tona të tashme dhe të ardhshme janë ngushtësisht të lidhura.

Të votojmë duke respektuar në përgjithësi rendin, veçanërisht procedurat e votimit, vetë ne si zgjedhës së pari, pastaj autoritetet e ngarkuara me zbatimin e atyre procedurave.

Të bëjmë kujdes për një sjellje sa më qytetare gjatë ditës së votimit.

Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme, votojnë ndryshe sepse mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti apo individ votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon.

Të kuptojmë si duhet gjënë kryesore; Se partitë dhe ideologjitë për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një.

Të mundësojmë sa më tepër të rinj të votojnë, posaçërisht ata që votojnë për herë të parë…që dita e nesërme të jetë një ditë e bukur.

Votim të mbarë!

 

Femra me këmbën më të madhe në Evropë

emma-691x411Ema Kahil nga Uorsteri, i Anglisë, është femra me këmbën më të madhe në Evropë, saktësisht 33 centimetra të gjatë, pra 48.5 cm. Ajo shprehet se e ka tmerrësisht të vështirë të gjejë këpucë të stilit femëror dhe se të vetmet këpucë me taka, që ka i ka blerë në një dyqan për travestit. Ajo has gjithashtu probleme të tjera në jetën e përditshme për shkak të gjatësisë së saj kur hyn në dyert e shtëpive apo në makinë.

Ajo thekson gjithashtu se e ka të vështirë edhe të gjejë ndonjë djalë për shkak të gjatësisë së saj. Njëherë, rrëfen ajo, kur ishte në një pab, ishte vetëm një mashkull që ishte më e gjatë se ajo, por që ajo nuk ishte tërhequr aspak nga ai. Ajo thotë se, mbase e ka ngritur stekën shumët lartë dhe mbase duhet të kërkojë diçka që t’i përshtatet./muraille/

 

Emma-Cahill-big-feet-9

 

 

 

 

 

Emma-Cahill-big-feet-8

 

 

JLo nderohet me yllin e famës në Hollivud

jennifer-lopez-hollywood-walk-of-fame-slideshowJennifer Lopez është nderuar me yllin e famës në Hollivud. Këngëtarja dhe aktorja 43-vjeçare ka qenë e emocionuar gjatë ceremonisë ku ishte e shoqëruar nga fëmijët dhe i dashuri i saj Casper Smart.

“Jam shumë e prekur. Më duket e pabesueshme. E ndjej veten shumë me fat sepse ëndrra ime gjithmonë ka qenë të isha pjesë e botës së spektaklit dhe të isha e mirë në atë çfarë bëja”, deklaroi JLo, e cila renditi Bette Midler, Rita Moreno, Sophia Loren dhe Jane Fonda si frymëzimet e saj.

Mbase është koha të zgjoheni Z. Kryeprokuror ?!

largea_adriatik-llalla1354533576Nga Eni Kondi

Vetëm pak orë na ndajnë nga hapja e procesit të votimit në mbarë Shqipërinë. Megjithëse fushatat elektorale po mbyllen sot gradualisht, denoncimet për dhunime ligjore, shkelje dhe abuzime kanë tronditur faqet e përditshme të shtypit. Të bën përshtypje, sepse në asnjë shtet normal, nuk mund të ndodh të shikosh, se si media hetuese denoncon për ditë, dhunimet e rënda ligjore dhe nuk kemi as reagimin më të vogël nga institucioni i Prokurorisë.

Z. Kryeprokuror në çdo shtet normal, tashmë zyra e prokurorisë do i kishte dhënë rezultatet e saj. Të paktën do t’i kishte provuar publikut në këtë klimë të acaruar parazgjedhore, se është aty, për të punuar.

Emisioni Fiks Fare po denoncon sistematikisht se, si forca te caktuara në terren po veprojnë në shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në shkelje të kodeve dhe ligjeve zgjedhore.

Një administratë e tërë po kërcënohet duke u marrë zvarrë shesheve dhe mitingjeve të radhës. Nëse refuzojnë i transferojnë dhe nëse mungojnë në mitingje, i pushojnë nga puna. Të marrë me zor, të shtrembëruar, të deformuar, pa dëshirën e tyre, janë të detyruar të ngërdheshen përpara asaj që e refuzojnë, por që janë të detyruar ta ndjekin, përpara asaj që e përbuzin, por që buka e gojës i detyron të heshtin. Quhen rëndom skllevër, pavarësisht se askush nuk e qas me dëshirë nëpërkëmbjen e radhës. Po transformohen vullnetet politike, ato qytetare, liria e të mbledhurit dhe të organizuarit, liria e shpirtit dhe e të protestuarit. Një sistem i tërë po zhytet përditë e më shumë, në një deformim ligjor.

Nuk ka më shumë se një javë, kur vetë i akuzuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Fatmir Mediu ka lëshuar urdhër pushimi punonjësish në grup, sepse kanë munguar në mitingjet e tij.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto akte z. Kryeprokuror ? Mbase është koha të zgjoheni !

Po shikojmë përditë, se si shkollat mbyllen dhe fëmijët nxirren në rrugë për të duartrokitur një forcë partiake, në mënyra absurde autoritare. Studentë, gjimnazistë dhe fëmijë në moshë të vogël, i nxjerrin në rrugë, i lënë pa dije atë ditë, sepse duhet të jenë në shërbim të ‘partisë-shtet’.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto akte Z. Kryeprokuror ? Mbase është koha të zgjoheni !

Adoleshentë dhe maturantë, që duhet të kalojnë provën e studimeve të tyre, nëpërmjet një procesi ekzaminimi dijesh normal, por ky proces po transformohet, sepse nga njëra anë u bëhet presion të anëtarësohen në një forcë politike dhe nga ana tjetër u ofrohet si këmbim për votë, dhënia e provimeve. Po deformohet një gjeneratë e tërë z. Kryeprokuror, po u mësohet të rinjve, se ç’është paaftësia,  mashtrimi, djallëzia dhe krimi.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto z. Kryeprokuror ? Nuk është kurrë vonë të zgjoheni !

Grupe të caktuara, që i përkasin forcave elektorale po denoncohen, se po mbledhin kartat e qytetarëve si letra bixhozi, për të votuar me to ditën e votimit. Disa u jepen lekë në këmbim, disa të tjerëve u kujtohet, se lekët që ushqehen mund t’ua marrin.

Dëshmi live, me zë edhe figurë se, si vota blihej në mes të Metropolit tek dyqanet e “Myslym Shyrit”. Njerëz të varfër, por dinjitozë, njerëz që nuk pranonin të ndryshonin bindjet pavarësisht, se për mbijetesë nuk u thoshin jo të paktave ushqimeve. Njerëz të përulur, nga skamja dhe varfëria, por me një logjikë për tu admiruar, sepse e kuptonin që në këtë sistem padrejtësie jetën dinjitoze ua kishin mohuar.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për tërë këto akte,  z. Kryeprokuror ? Po ofrohen prova pa fund, përditë…..lista zgjedhore të manipuluara, dhunë policore politike e orekstruar……….Populli nuk është kurrë vonë ta dijë, se kur do të jetë koha, që ju do të zgjoheni?!

 

 

 

 

 

 

 

Pas Kukësit dhuna policore zbarkon në Berat, opozitarë shoqërohen për në komisariate policie

muli1-300x229Denoncim tjetër vjen kundër forcave të policisë të cilat akuzohen, se po ushtrojnë presion ndaj forcave opozitare. Pas Kukësit opozita ka denoncuar aktet e ushtruara nga ana e policisë në Berat. Me urdhër të kandidatit të PD-së për deputet, po shoqërohen për në polici pa asnjë lloj motivi dhe pa pasur mandate arresti forcat opozitare të LSI-së dhe PS-së.

Deputeti i LSI-së Nasip Naço ka bërë gati kallëzimin për Prokurorinë, ndërkohë që ka lajmëruar se, dosja me abuzimet përkatëse do të dërgohet edhe në zyrat e OSBE-së.

Opozita ka denoncuar ditët e fundit presionet e forcave policore, sidomos në qarkun e Kukësit, ku nën akuzë për këto akte ndalimi, shoqërimi për në polici dhe bastisje shtëpish të opozitarëve, është vënë Ministri i Brendshëm Flamur Noka. Ndërkohë që po në Kukes, nën këtë klimë ka deklaruar dorëheqjen Shefi i Policisë, i gjendur nën presione të forta nga SHKB.

Në një Koferencë të përbashkët për shtyp paradite, kreu i opozitës Edi Rama së bashku me Kreun e LSI-së Ilir Meta i ka bërë thirrje Berishës të tërheqë forcat policore nga sulmet e tyre dhe të pranojë kryerjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Si rrallë ndonjëherë në terren ditën e dielë do të gjenden 9 mijë vëzhgues, kur rreth 400 persona i përkasin vetëm OSBE/ODHIR-it. Në terren në funksionin e vëzhguesve do të gjenden edhe stafet e ambasadave të vendeve të ndryshme përfshirë edhe atë amerikane.

Lëvizje këto që dëshmojnë për vënien në dyshim të kryerjes sipas standardeve demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

 

Grabitet Kazinoja pranë stadiumit “Dinamo”

Spiel_Casinos-Austria-Casino-RoulettGrabitet Kazinoja pranë stadiumit “Dinamo” në rrugën “Sulejman Delvina”. Burimet policore konfirmojnë, se dy grabitësit kanë qenë me motorr. Ato kanë grabitur paratë në kazino dhe kanë mbyllur punonjësit e saj brenda.

Grabitësit pas sulmit të menjëhershëm, janë larguar me ndihmën e një motorri, në drejtim të urës Vasil Shanto.

Shuma e grabitur sipas raportimeve mendohet të jetë rreth 1 milionë lekë të reja. Hetuesit kanë marrë në pyetje punonjësit e kazinosë, kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po procedojnë për zbulimin e mundshëm të autorëve.

 

 

Top Channel zbulon skandalin e Podesta Grup

podestaPodesta Grup’ e cila lobon në Uashington për llogari të Qeverisë shqiptare, e paguar deri më tani mbi 1 milion euro nga paratë e takspaguesve shqiptarë, ka sjellë si përfaqësuese të saj një ish-zyrtare të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Top Channel ka zbuluar se Bay Fang e cila ka punuar që prej vitit 2011 deri në Maj të 2013-ës si zëvendësasistente në byronë e Europës dhe Euroazinë ka mbërritur në Tiranë 1 javë më parë.

Lajmin e punësimit të saj prej ‘Podesta Grup’ i ka kushtuar një shkrim të veçantë revista amerikane “Foreign Policy” me titull “Podesta Grup rrëmben zëvendës asistentet e Departamentit të Shtetit”.

Nga artikulli mësohet se Fang e ka lënë Departamentin Amerikan në fund të muajt Maj dhe ka nisur punën më datën 3 Qershor për ‘Podesta Grup’.

Dhe menjëherë disa ditë më pas ajo dërgohet me urgjencë në Shqipëri, në një kohë kur kishte nisur fushata elektorale dhe marrëdhëniet mes Kryeministrit Berisha dhe kryediplomatit amerikan Arvizu kanë hyrë në një klimë të acartë.

Ardhja e saj në Tiranë ngre një sërë pikëpyetjesh për Bay Fang dhe vetë Departamentin Amerikan të Shtetit si ish-punëdhënës i Fang.

Detyra që ka marrë Fang nga punëdhënësi i ri Toni Podesta është një konflikt interesi dhe në kundërshtim me ligjet amerikane për nëpunësit shtetërorë që lënë detyrat shtetërore.

Ky ligj njihet si “”one-year cooling-off period” (Një periudhë prej një viti ftohje).

Le t’i referohemi ligjit që thotë: “Një vit ndalese përfaqësimi, ndihme apo këshillim të qeverive apo  partive politike, të huaja në praktikat ndërkombëtare me qëllim influencimin e një vendimi të  marrë nga agjencitë e Departamentit Amerikan. Por nuk ka ndalesë në këshillimin e një korporate ndërkombëtare për qëllime komerciale”.

Ky kufizim, i ashtuquajturi  “një periudhë prej një viti ftohje” përgjithësisht kufizon kontaktet me agjencinë, duke përfshirë kontaktet, që lidhen me legjislacionin e politikave, vendimet e personelit, ose ndonjë çështje tjetër zyrtare.

Kjo është e specifikuar në ligjin 18 U.S.C. 207(d), ku është sanksionuar qartësisht  se i ashtuquajturi  “Një periudhë prej një viti ftohje”, përfshin ish-sekretarët amerikan të shtetit dhe të gjithë ish “punonjësit e nivelit të lartë”, ku padyshim kjo kategori përfshin edhe Bay Fang e cila ka punuar në një seksion që ka pasur nën mbikëqyrje edhe Shqipërinë në Departamentin e Shtetit, ndërsa tani punon në Shqipëri për një krah politik të angazhuar në një betejë zgjedhore.

Pikërisht për këtë konflikt të pastër interesi të Bay Fang, Top Channel i kërkoi një prononcim  disa ditë më parë zyrës së shtypit në Departamentin Amerikan përfshi Filip Riker, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Jonathan More drejtor për Europën Qendrore dhe Jugore dhe ambasadorit Arvizu.

Deri tani Departamenti i Shtetit nuk i ështe përgjigjur interesimit të Top Channel, ndërsa në mënyrë jo zyrtare është thënë se kjo çështje po diskutohet.

Gjithashtu edhe vetë protagonistja e këtij lajmi Bay Fang ende si ka dhënë përgjigje kërkesës së Top Channel për një intervistë në lidhje me këtë çështje. Zonja Fang është parë në hotelet luksoze të Tiranes, ku ka vendosur kontakte me përfaqësues të misioneve të huaja të vëzhgimit si edhe me korrespondentët e shtypit ndërkombëtar, në kuadër të detyrës si përfaqësuese e Podestës.

Kush është Bay Fang?

Pas një karriere 11-vjeçare në gazetari si korrespondente e çështjeve diplomatike  e gazetës ‘Chicago Tribune’ gjatë luftërave në Afganistan dhe Irak ajo punësohet në vitin 2009 nga DASH si këshilltare komunikimi në Afganistanin jugor.

Më pas ajo kthehet në Uashington ku punon për byronë e Euro-Azisë e cila mbulon edhe Shqipërinë. / Top Channel/

 

Ambasada amerikane në Tiranë: Kujdes situata mund të degjenerojë në dhunë

Ambasada Amerikane_3Ambasada amerikane ka njoftuar sërish qytetarët e vet të bëjnë kujdes, se mund të ketë dhunë gjatë zgjedhjeve. Ato paralajmërohen të mos i afrohen qëndrave të votimit pasi mund të ketë grumbullime, të shmangin protestat, tubimet, apo grupime të çdo lloji.

“Zgjedhjet parlamentare për Shqipërinë, do të mbahen ditën e diel, më 23 qershor. Më shumë se 5 mijë qendra votimi do të qëndrojnë të hapura nga ora 7:00 deri në orën 19:00. Numërimi do të nisë menjëherë pas mbylljes së votimit në 89 qendra të numrit të votave. Me këtë rast, njoftojmë dhe kujtojmë, shtetasit amerikanë, që të qëndrojnë larg tubimeve, organizimeve, apo mitingjeve partiake, pasi në këtë kohë ato kanë një shans të madh të kthehen në gjeneratorë dhune. Ne u kujtojmë shtetasve amerikanë në Shqipëri, se edhe tubimet paqësore rrezikojnë të përshkallëzojnë në dhunë. Ndërkohë që zgjedhjet mund të jenë të qeta, incidentet sporadike dhe të izoluara që kanë ndodhur në të shkuarën, përbëjnë rrezik sërish. Shtetasit amerikanë duhet të jenë vigjilent, të qëndrojnë larg qendrave të votimit apo numërimit, pasi ekziston mundësia që të ketë grupime në afërsi të tyre. Ju bëjmë thirrje edhe njëherë, të shmangni çdo protestë, tubim, takim elektoral apo grupime të çdo lloji. Ju këshillojmë që të ndiqni të rejat më të fundit për t’u informuar mi gjendjen dhe mjedisin përreth. Mos hezitoni të informoheni përmes mediave”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

 

Pala shqiptare bllokon Kapshticën dhe Kakavijën, emigrantët shqiptarë nuk hyjnë dot në territorin e tyre

largea_kufiri-greqi-101349895811Bllokohet pika e Kapshticës dhe Kakavijës nga pala shqiptare, duke penguar kalimin e emigrantëve, që po vijnë në Shqipëri për të votuar. Partia Socialiste po denoncon bllokimin e pikave kufitare të cilat sipas saj, po bëhen qëllimisht për bllokimin e prurjes së votuesve.

Deklarohet se prishja e fibrave optike, ka bërë që sistemi TIMS të mos funksionojë duke penguar hyrjen e qytetarëve shqiptarë në territor.

Ditët në vazhdim kanë shënuar një hyrje të konsiderueshme të emigrantëve shqiptarë, të cilët pritet të votojnë në zgjedhjet e së dielës.

Ashton: Do njoftohen Shtetet Anëtare mbi progresin Serbi-Kosovë

catherine-ashtonPërfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe në të njëjtën kohë Zv. Presidente e Komisionit, Catherine Ashton ka dhënë një deklaratë pas takimit në Bruksel me Kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, Dacic dhe Thaçi. Ashton ka vlerësuar arritjet e deritanishme në kuadrin e zbatimit të Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve midis dy vendeve. Shtetet Anëtare do të informohen së shpejti, nga Ashton mbi arritjet konkrete në këtë fushë nga dy vendet përkatëse. 

Pas takimit në Bruksel me Kryeministrin Kosovar Thaçi dhe Kryeministrin serb Dacic, në kuadrin e diskutimeve mbi Zbatimin e Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet dy palëve, Ashton ka deklaruar se është riparë puna e kryer nga të dy palët përgjatë disa javëve mbi elementët kryesorë të Planit të Zbatimit. Ashton ka deklaruar se, është bërë një punë e mirë dhe është arritur një progres konkret.

Ajo theksoi gjithashtu se, të dy Kryeministrat kanë shkuar më tej duke rënë dakord mbi një numër të hapur çështjesh, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe mbi zgjedhjet e ardhshme lokale.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Ashton nënvizoi se, do të informojë Shtetet Anëtare gjatë mbledhjes së javës së ardhshme të Këshillit dhe Këshillit Europian, në lidhje me progresin e Implementimit të Marrëveshjes së Prillit, duke konfirmuar, se janë ndërmarrë hapa konkretë drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy palëve.

Ashton ka falënderuar Kryeministrin Thaçi dhe Dacic dhe skuadrat përkatëse për dedikimin e tyre dhe punën e vështirë, duke shpresuar në një progres të mëtejshëm të normalizimit të marrëdhënieve, në të njëjtën vijë me Marrëveshjen e Prillit dhe Planin e tij të Zbatimit.

Arritja e Marrëveshjes së Normalizimit midis dy vendeve, mundësoi hapjen e dritës jeshile për një përafrim të shpejtë drejt strukturave evropiane. Për Serbinë pritet të vendoset data e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE dhe për Kosovën pritet fillimi i negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.