Një adoleshente 17-vjeçare në Britaninë e Madhe është cilësuar si “Bukuroshja e fjetur” pasi vuan nga një lloj sëmundje që e detyron atë të flejë në 22 orë në ditë, madje ka pasur raste që ajo ka fjetur për 12ditë rresht. Shannon Mageen ka qenë kadetë në ushtri, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore është vënë re se trupi i saj ka një sërë çrregullimesh.Gjatë pesë viteve të fundit vajza që ka dy vëllezër dhe tre motra, ka fjetur nëpër ditëlindje, gjatë festës së Krishtlindjes, madje ka fjetur edhe në një udhëtim me ski. Pas ekzaminimeve të shumta nga mjekët ajo u pa se vuante nga një sindromë e quajtur GCSE, e cila u gjet nga babai i saj.
Bukuroshja që fle 22 orë në ditë
Fyle takon Ramën: Dialog politik konstruktiv për rigjallërim të jetës politike në vend
Kryeministri Edi Rama priti sot pasdite në takim, Komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Evropian Štefan Füle, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Tiranë.
Kryeministri Rama dhe Komisioneri Füle diskutuan mbi qasjen e re që do të udhëheqë hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit, vendosjen e Dialogut të Nivelit të Lartë. Rama dhe Füle shprehën besimin se ky Dialog do të shërbejë si një platformë për adresimin e prioriteteve të kërkuara dhe përparësimin e procesit të integrimit. Kryeministri u shpreh se qeveria e konsideron këtë një proces gjithëpërfshirës.
Në takim, Kryeministri Rama theksoi angazhimin e fortë të qeverisë për shënuar një nivel të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Deklarata e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Evropian Štefan Füle, pas takimit mes tyre.
“Ishte kënaqësi që prita këtu në sallën e Hartave, Komisionerin për Zgjerimin, i cili viziton Shqipërinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe në prag të një nisme që merr jetë nesër, për Dialogun e Nivelit të Lartë, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit si një proces që padyshim nuk është eksluzivitet i qeverisë apo i shumicës parlamentare, por një proces gjithëpërfshirës që shkon edhe përtej partive politike dhe që pa asnjë dyshim, është vullneti ynë që ta zgjerojmë sa më shumë. Jo rastësisht, më pas, ne do të kemi edhe një takim të zgjeruar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, me një grup studentësh e nxënësish, të përzgjedhur në bazë të rezultateve të tyre të shkëlqyera, që unë i kam ftuar për të përfituar nga rasti fatlum i pranisë së Komisionerit dhe për të ndarë së bashku, këndvështrimin mbi Evropën e gjeneratës tjetër”,- tha Kryeministri Rama.
“Mirëmbrëma dhe është vërtetë kënaqësi që jam këtu. Kjo është vizita ime e tretë në Shqipëri dhe është e vërtetë në fakt që është edhe vizita ime e parë në Shqipëri pasi erdhi në pushtet qeveria e re dhe ishte kënaqësi që u takova me Kryeministrin Rama.
Ne kemi diskutuar dhe kemi prekur një sërë çështjesh. Natyrisht që kemi folur edhe për statusin e vendit kandidat. Dhe këto janë disa çështje, të cilat ne i kemi diskutuar edhe në sajë të rekomandimit që dha Komisioni Evropian, por do të vazhdojmë t’i diskutojmë edhe në takime të tjera, që ne do t’i kemi sot, por edhe ditën e nesërme, të cilat së bashku do të jenë një mundësi për të parë pikërisht se çfarë pritet nga Shqipëria, për sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian.
Natyrisht që, përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat, Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat ende duhen përmbushur. Kjo, për sa i përket edhe vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për trajtimin e këtyre sfidave, por mbi të gjitha, për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, pikërisht përpjekjet e vazhdueshme që duhet të bëjë Shqipëria, për të vënë në zbatim këto përpjekje dhe për të treguar rezultate.
Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv. Natyrisht, ky mes qeverisë, por dhe opozitës, pasi besoj që ky është tërësisht thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit.
Ne diskutuam edhe për synimin, për të cilin unë edhe kam ardhur në Shqipëri, që është edhe ky dialog i nivelit të lartë të cilin ne do të lançojmë nesër, për prioritetet kyçe, i cili do të ndihmojë Shqipërinë për të përqendruar fokusin e veprimeve të saj, pikërisht në këto fusha kaq të rëndësishme.
Unë mezi po pres që të takohem me disa qindra studentë, sot, në Teatrin e Operës dhe Baletit, po ashtu edhe nesër për të lançuar këtë platformë kaq të rëndësishme, e cila do ta ndihmojë Shqipërinë për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian dhe do të ndihmojë, po ashtu, edhe opozitën dhe të gjitha palët e tjera të interesuara për t’u përfshirë në këtë qëllim dhe synim”,- tha Komisioneri Füle.
Los Angelos Times: Një shtet i panjohur i bindet SHBA-ve për armët kimike
“Për vite të tëra, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë patur nevojë për ndihmë për të përmbyllur punët e tyre të pista diplomatike, një vend i panjohur e ka ngritur dorën, Shqipëria”.
Kështu e ka nisur shkrimin gazeta amerikane “Los Angelos Times”, e cila i ka kushtuar një shkrim të veçantë marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Uashingtonin, nisur edhe nga debatet e ditëve të fundit se Shqipëria do të jetë vendi që do të presë e do të shkatërrojë arsenalin kimik të Sirisë.
“Një vend i varfër, në skaj të Evropës, Shqipëria mori të burgosurit ujgurë, nga Guantanamo, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’i riatdhesonin ata në Kinë. Ajo u ofroi azil 210 anëtarëve muxhahedinë Khalq, grup disident iranian i mbyllur gjatë në një kamp në Irak. Tani Shtetet e Bashkuara janë kthyer sërish në Shqipëri, duke shpresuar se ajo do të lejojë që armët kimike siriane do të shkatërrohen në tokën e saj. Kërkesa e administratës së Obamës për Shqipërinë, konfirmuar nga zyrtarët e qeverisë në Tiranë javën e kaluar, synon të zgjidhë një nga çështjet më të mprehta të planit të sponsorizuar nga SHBA për të çarmatosur arsenalin vdekjeprurës të Sirisë, VX dhe gazin mustardë. Një tjetër vend që zyrtarët amerikanë kërkuan për të trajtuar këtë punë, Norvegjia, ka refuzuar”, shkruan Los Angelos Times.
Dhe zyrtarët danezë thanë të premten se vendi i tyre ishte i gatshëm për të ndihmuar transportimin, por jo shkatërrimin e tyre. Zyrtarët shqiptarë thanë se ata ishin duke shqyrtuar kërkesën e Departamentit Amerikan të Shtetit, por nuk ka ende vendim, ndërsa nuk pranojnë diskutime të mëtejshme.
“Ka pasur disa sinjale pozitive nga Shqipëria, por kjo është një çështje shumë e ndjeshme atje”, tha një zyrtar evropian i cili ishte në dijeni të bisedimeve, por nuk kishte autorizimin të fliste publikisht për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
“Shqipëria ka përvojë me armë kimike. Por, ka gjithashtu pyetje serioze në lidhje me aftësinë e Shqipërisë për të siguruar materialet e rrezikshme. Në vitin 2008, një shpërthim në një depo municioni jashtë kryeqytetit, ku ishin duke u demontuar predha të vjetra artilerie, vrau 26 persona dhe plagosi 300. Në vitet 2000, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 45000000 dollarë për të ndihmuar në shkatërrimin e 16 ton gaz mustardë në Shqipëri”, shkruan gazeta amerikane.
Sondazhet e rendisin Shqipërinë, me një shumicë dërrmuese e myslimane, në mesin e kombeve më pro-amerikane. Ndjenja daton nga Presidentit Woodroë Wilson, i cili mbështeti pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe u forcua gjatë fushatës ushtarake të NATO-s më 1999 në Kosovë, një rajon me shumicë etnike shqiptare që më vonë shpalli pavarësinë nga Serbia. Sipas “Los Angelos Times” të gjitha qeveritë shqiptare janë të ndjeshme ndaj presionit amerikan.
Shtyhet mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës kishin rënë dakord që të organizonin një mbledhje të përbashkët më datë 16 nëntor, por si duket kjo mbledhje nuk do të organizohet, të paktën jo në këtë datë.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes që do bëhej me qeverinë e Shqipërisë. Në një njoftim të bërë publik nga vetë kryeministria e Kosovës, është deklaruar se, nëse mbledhja do të mbahej në ditën e përcaktuar më parë, kjo do të shkaktonte reagime, për shkak të zgjedhjeve.
Për këtë arsye duket se është kërkuar dhe shtyrja e mbledhjes për në dhjetor, por nuk është dhënë një datë e saktë.
“Duke qenë se mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit, ajo kurrsesi nuk do të duhet të bëhet cak sulmesh dhe interpretimesh elektorale, për më tepër që data e mbledhjes së përbashkët ishte rënë dakord para caktimit të datës së zgjedhjeve”, -thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë së Kosovës.
Më tej, kërkohet që mbledhja e dy qeverive të mbahet në fillim të muajit dhjetor.
“Sidoqoftë, duke dashur që me çdo kusht të ruajmë integritetin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe qeverive tona, sot kërkuam mirëkuptimin e qeverisë së Shqipërisë që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor”, -thuhet më tej në njoftimin për mediat.
Protesta e PD-së, jo në përmasat e parashikuara
Lulzim Basha ka mbajtur fjalimin e parë në një protestë si kryeopozitar. Protesta e organizuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë e mbajtur për manipulimin e zgjedhjeve në Bashkinë Korçë, është reagimi i parë popullor i Partisë Demokratike që pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit.
Protesta e PD-së, që në fakt mori edhe përmasat e një proteste kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, i ngjasonte shumë protestave të Partisë Socialiste në opozitë. Para fjalimit të kreut të PD-së, në podium u ngjitën qytetarë të thjeshtë.
Ndërsa, fjalimi i Bashës, i pari në shesh si kryetar i PD-së, ishte një “sforcim” për të. Zëri i Bashës ishte shpeshherë jashtë kontrolli, duke shkuar deri në pikën që nuk mund të vazhdonte më. Ai e ndërpreu disa herë fjalimin, por arriti ta mbyllë edhe pse me zë të çjerrë.
Basha u shpreh se mazhoranca e majtë e ka “mbushur kupën” që në tre muajt e parë të qeverisjes dhe theksoi se opozita do të ndalojë me çdo çmim shitblerjen e votës.
“Shkelmuan votën se, kanë në plan blerjen e votës. Firmosin çdo ditë nga një akt kundër ligjeve dhe të drejtës se kanë ndërmend blerjen e votës. Motoja e tyre është: Ju 2 mijë lekëshin, ne pushtetin. Hiq dorë njëherë e përgjithmonë nga blerja e votës. Po nuk e ndaluam sot shitblerjen e votës, shitblerja e votës do të ndalojë demokracinë. Do ta ndalojmë me çdo çmim.
Në protestë mungonte Jozefina Topalli dhe shumë figura të tjera të PD-së, por asaj nuk i mungoi ish-kreu i saj, Sali Berisha. Ish-kryeministri qëndroi krah Bashës por nuk mbajti fjalim në këtë protestë.
Një tjetër gjë që u vërejt në këtë protestë të parë të PD-së, ishte prania e Policisë së Shtetit. Numri i efektivëve për garantimin e mbarëvajtjes së protestës ishte shumë i vogël dhe shumica i përkisnin gjinisë femërore.
Sapo ka nisur protesta e paralajmëruar e opozitës përpara kryeministrisë.
Edhe pse mot me shi, me dhjetëra qytetarë i janë bashkuar Partisë Demokratike për të protestuar për votat e vjedhura në zgjedhjet e Korçës.
Pas publikimit të një videoje në emisionin “Fiks Fare”, në Top Channel, PD nisi reagimet për të kontestuar këto zgjedhje si dhe u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë sot në mesditë.
Deri më tani protesta është paqësore dhe ajo që të bie në sy është numri jo shumë i lartë i pjesëmarrësve, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar si dhe forca të shumta policie për të siguruar rendin.
Grupi i protestuesve po udhëhiqet nga kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryetari Sali Berisha si dhe deputetë të kësaj partie politike.
Protestuesit mbajnë në duar flamuj të Bashkimit Evropian dhe flamuj shqiptarë, teksa pritet që në podiumin e ngritur para kryeministrisë të flasë ish-kryeministri Berisha si dhe kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha.
Përpos vjedhjes së votës së qytetarëve, që pretendon PD-ja se është bërë në Korçë, sot ata po protestojnë edhe për armët kimike të Sirisë, të cilat mendohet se do të shkatërrohen në Shqipëri.
Opozita është shprehur kundër kësaj nisme, ndërkohë që qeveria akoma nuk ka marrë një vendim.
Britani, stil dhe elegancë në ditën përkujtimore të të rënëve

Dita Përkujtimore e njohur edhe si dita e Armëpushimit kryhet në nderim të të rënëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Më 11 Nëntor u nënshkrua Armëpushimi, që i dha fund Luftës së Parë Botërore më 1918.
Tradita e këtij përkujtimi karakterizohet nga mbajtja e dy minutë heshtje në orën 11 :00, ditën e 11-të të muajit të 11-të, pasi në këtë moment ka hyrë në fuqi efektivisht edhe Armëpushimi. Kjo ditë përkujtohet në gjithë vendet e Komonuelthit, si edhe në SHBA, Francë, Belgjikë dhe në Kanada.
Oborri mbretëror dhe qeveria në Britani e përkujtuan këtë ditë nëpërmjet organizimit të një parade dhe kryerjes së homazheve në nder të të rënve.
Stil protokollar në veshje karakterizohej nga ngjyra e zezë, simboli i ceremonive përkujtimore e shoqëruar me lulëkuqen mbi xhaketë, simboli i të rënëve në luftë. Lulëkuqja, që lidh fushën e betejës me përgjakjen e luftëtarëve, ka hyrë si simbol përgjatë luftërave napoleniane në fillim të shekullit XIX-të. Ishte një shkrimtar që bëri lidhjen simbolike të fushave, që para betejës ishin të zbrazura dhe pas mbarimit të betejës mbusheshin me lule të kuqe, simbol i gjakut të të rënëve.








Mbyllet pa incidente protesta e PD-së. Basha: Qeveria rrezik për demokracinë
Rreth 200 persona janë mbledhur përpara Kryeministrisë për të protesuar për blerjen e votës. Në krye të turmës që po ecte drejt Kryeministrisë, ishte Kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe ish Kryeministri Sali Berisha. Pas fjalës së mbajtur nga disa përfaqësues të rrethit të Korçës e mori fjalën dhe Kryetari i PD-së, Basha. Gjatë fjalës së tij, Basha deklaroi se duhet të ngremë zërin kundër mungesës së demokracisë, që shfaq qeveria në pushtet. Qeveria tha Basha ka mbushur kupën para se të mbushte tre muaj. Krimi i blerjes së votës po bëhet për te marrë zgjedhjet e ardhshme nga mafia politike dhe ekonomikenë vend.
Basha deklaroi se, ky është një rrezik shumë i madh që kërcënon çdo shqiptar. Ky rrezik vdekjeprurës po kërcënon demokracinë, tha më tej Basha. Pas fjalës së Bashës dhe pas fillimit të rrebeshit të shiut është mbyllur edhe protesta e opozitës.
Braçe: Berisha dhe Basha do protestojnë sot, aty ku vranë 4 qytetarë të pafajshëm
Opozita pritet sot në orën 14:00 të mbajë protestën e saj përpara Kryeministrisë. Ish Kryetari i PD-së Sali Berisha i bëri thirrje dje qytetarëve në rrjetin social Facebook që të mblidheshin së bashku në protestë kundër regjimit kleptokrat të Edi Ramës.
Në një reagim po në rrjetin social FB, deputeti Erjon Braçe i kujton si Sali Berishës edhe Lulzim Bashës vrasjet e 4 qyetarëve të pafajshëm pikerisht aty, ku PD kërkon të protestojë. Ai i akuzon ato si përgjegjësit kryesore, të cilët duhet të dalin përpara drejtësisë. Braçe thekson gjithashtu se, janë një mori krimesh ku Basha dhe Familja Berisha është përfshirë, që i detyron këto të fundit të dalin në protestë.
“Po dëgjoj e lexoj klithmat e Lulzim Bashës. Lulzim Basha dhe Sali Berisha para tij duan të bëjnë miting aty ku vranë 4 qytetarë të pafajshëm. Nëse maxhoranca e sotme mund të kritikohet madje dhe ashpër për vonesa të medha në gjetjen e provave të reja, të fshehura, të harruara, të pashqyrtuara për vrasjet e 21 Janarit, dy përgjegjësit kryesorë, natyrisht, askush nuk ka harruar se ata janë këta të dy, Sali Berisha dhe Lulzim Basha! Kjo dhe një mal me arsye të tjera, mes tyre goditja e bazës së tyre ekonomike në “lojrat e fatit”, koncesionet monopol, skemat korruptive në tatime e dogana, veçanërisht ato me rimbursimin e TVSH, ndërtimet turistike ku ai në Vlorë është struktura më e rëndësishme në pronësi të Familjes së perbashkët Berisha-Malltezi-Basha, që detyron Bashën të dalë në miting para Kryeministrisë”, shkruan Braçe në Facebook.
Greqi, radikalët e majtë mocion mosbesimi ndaj qeverisë
Një mocion mosbesimi ndaj qeverisë është depozituar nga partia e majtë radikale Syriza, që synonte të denonconte edhe një herë politikën e masave shtrënguese në shkëmbim të ndihmës financiare, që i është imponuar vendit nga Trojka ( BE-Banka Qendrore Europiane-FMN).
‘Jeni zënë në kurth, në një ngecje. Vendi do ecë përpara, ai do të lërë mbrapa tij epokën e krizës, dhe ju do të vazhdoni të luftoni brenda gjirit të partisë suaj”, – ka deklaruar Kryeministri Antonis Samaras.
Për Alexis Tsipras, liderin e Syriza, duhet të kryhen zgjedhje të parakohshme : “Politika juaj e ka shkatërruar këtë vend. Shumica e njerëzve vuajnë dhe jetojnë në dëshpërim”.
3.500 mbështetës të cilët ishin mbledhur përpara parlamentit, gjatë debatit mbi votëbesimin e qeverisë, kanë denoncuar gjithashtu evakuimin me forcë nga policia të ambienteve të ish televizionit publik ERT.
Qeveria arriti të marrë votëbesimin edhe pse një numër i madh deputetësh e kritikojnë. Ato e justifikojnë votën e tyre si thjesht një votë tolerance.
Rama në CNN: Lyerja e Tiranës ishte thirrje zgjimi për njerëzit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë i ftuar në emisionin “GPS” të gazetarit të mirënjohur, Fareed Zakaria, emision që transmetohet në rrjetin botëror televiziv CNN.
I ftuari im i radhës është një person që është marrë me disa profesione. Dikur ishte një piktor që jetonte në Paris. Ishte po ashtu pjesë e ekipit të basketbollit të vendit të tij. Më pas iu kthye politikës. U bë kryebashkiak i Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Tani ai ka një tjetër pozicion në Tiranë. Në qershor u zgjedh kryeministër i vendit. Edi Rama është këtu me mua.
Unë dua të flas me ju në lidhje me atë që keni bërë si kryetar bashkie. Sepse mendoj se është një histori magjepsëse. Tirana ka shumë probleme, shumë krim dhe ju vendosët që t’i zgjidhni duke pikturuar. Çfarë bëtë? Na e shpjegoni.
Kur u zgjodha me një shumicë të gjerë, u përballa me një pritshmëri shumë të lartë, por pa buxhet. Kështu që vendosa të nisja të lyeja ndërtesat, ndërtesat e vjetra komuniste që ishin deformuar nga ndërhyrjet e paligjshme. Gjithkush po përpiqej që të merrte hapësirën e tij pas ndryshimit, duke thyer…
Pas rënies së komunizmit
Thyheshin dritaret në katin e parë për të transformuar dhomat e ndenjes në dyqane lulesh apo në lokale, thyheshin tavanet nga lart për të shtuar dhoma, transformoheshin ballkonet, kështu i gjithë ky shkatërrim i egër i mbushur me pluhur dhe gri duhej lyer për të transformuar Tiranën nga një qytet ku të gjithë humbnin në pluhur dhe mbeturina, në një qytet të shpresës.
Por na shpjego pse i leve godinat ngjyrë portokalli, pse e bëtë këtë?
Ajo ishte si një thirrje për zgjim për njerëzit, për shkak se kur u zgjodha, praktikisht bashkia ishte një institucion inekzistent, mbledhja e taksave ishte në nivele qesharake. Njerëzit nuk merrnin pjesë, nuk paguanin taksat, nuk i bindeshin rregullave, për shkak se nga një shoqëri e ngrirë, totalisht kolektive, ishte kaluar në një hapësirë të lirisë ku gjithkush donte të ripërcaktonte identitetin e tij, duke e bërë gjithçka të vështirë. Kështu… …
Erdhën lyerjet e para…
Po tentonim të bindnim njerëzit jo përmes fjalëve, por përmes shenjave që po, qyteti mund të bëhet i banueshëm dhe kushdo mund ta shijojë atë, por edhe duhet të marrë pjesë.
Kur tentuat fillimisht që të lyeni ndërtesat me këto ngjyra të ndryshme, BE tentoi të ndalonte, sepse thanë se nuk ishte në përputhje me standardet e BE-së.
Në fakt kjo erdhi për shkak se ishte një projekt për të rregulluar disa trotuare dhe ndriçimin në hyrje të Tiranës me paratë e BE. Pak para. Kështu që unë vendosa të lyeja fasadat me ngjyra të forta që ishin si një thirrje zgjimi. Dhe kur nisën të lyheshin godinat e para, më telefonoi dikush që përgjigjej për këtë punë dhe më tha: Zoti kryebashkiak, është një katastrofë. Ka trafik kudo, njerëzit po ndalojnë. Është katastrofë. Ishte një francez që përgjigjej për BE-në që më ulërinte. Nuk e kuptoja se çfarë thoshte, por ishte shumë i nevrikosur. E kështu që shkova aty dhe pashë se dukej si një aksident i madh makinash në mes të rrugës, njerëzit kishin ndaluar e shihnin fasadën portokalli, disa qeshnin, të tjerë ulërinin, disa thoshin se çfarë po ndodhte dhe më pas ky djaloshi vjen e më thotë se është një skandal. I thashë se çfarë është skandal? Kjo ngjyra e tmerrshme është një skandal. Si mund ta bëni këtë. I thashë OK, do e bëjmë. Dhe ata thanë jo. Ndalo. Për shkak se është jashtë çdo standardi. Standardi të BE. I thashë: a sheh ndonjë gjë që lidhet me standardet e BE-së këtu vërdallë? Më tha jo, por lidhet me paratë kjo punë. I thashë OK, nëse doni të ndalojmë, do të dal në një konferencë për shtyp dhe do të them se po silleni si komisionet staliniste që vendosnin se çfarë ngjyre ka qielli, çfarë ngjyre ka toka. Më pas ai tha se mund të negociojmë. I thashë se çdo negociatë është e mirëpritur. Konsensusi u arrit dhe ne vazhduam ta bëjmë atë gjë. Efekti ishte fantastik. Për shkak se njerëzit nisën që të marrin pjesë dhe nisën që të ndryshojnë dyqanet dhe gjithçka tjetër pasi ndjeheshin të sigurt. Ishte një gjë e bukur.
Pra është si ajo teoria që në SHBA quhet “dritarja e thyer”.
Po.
Ju duet ta dini këtë, apo jo? Është njëlloj sitë rregullosh dritaret e thyera në një lagje të mbushur me krime dhe kjo i bën njerëzit që të kenë ndjesinë e ligjit dhe më pas ata nisin të korrigjohen. A mendoni se është kjo ajo që keni bërë?
Eksperienca ime më ka treguar se bukuria është më frikësuese se brutaliteti. Kështu, atë që mund të bësh me ngjyrat, me gjelbërimin, me ndriçimin, me hapësirat publike, nuk mund ta bësh kurrë me policinë dhe me agjencitë e zbatimit të ligjit në janë lagje ku njerëzit nuk kanë asgjë për të humbur.
Ekzekutohet me dy plumba Zv. Ministri Iranian i Industrisë
Zv. Ministri iranian i Industrisë, Safdar Rahmat Abadi është ekzekutuar dje, ndërsa po hynte në veturën e tij në lindje të kryeqytetit Teheran. Hetimet paraprake sipas euronews tregojnë, se dy goditje me armë zjarri, kanë ardhur nga brenda makinës së tij. Policia nuk ka proceduar me asnjë arrestim, ndërkohë që një inspektor special dhe një prokuror kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Vrasje të shumta kanë ndodhur kohët e fundit ne Iran, duke pasur si shënjestra ushtarakë, prokurorë dhe shkencëtarë.
Shtetet e Bashkuara kanë mohuar çdo lloj implikimi dhe Izraeli nuk ka bërë asnjë koment zyrtar.








