Fyle takon Ramën: Dialog politik konstruktiv për rigjallërim të jetës politike në vend

50

big_11-nentor-rama-fyleKryeministri Edi Rama priti sot pasdite në takim, Komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Evropian Štefan Füle, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Tiranë.

Kryeministri Rama dhe Komisioneri Füle diskutuan mbi qasjen e re që do të udhëheqë hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit, vendosjen e Dialogut të Nivelit të Lartë. Rama dhe Füle shprehën besimin se ky Dialog do të shërbejë si një platformë për adresimin e prioriteteve të kërkuara dhe përparësimin e procesit të integrimit. Kryeministri u shpreh se qeveria e konsideron këtë një proces gjithëpërfshirës.

Në takim, Kryeministri Rama theksoi angazhimin e fortë të qeverisë për shënuar një nivel të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Deklarata e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Evropian Štefan Füle, pas takimit mes tyre.

“Ishte kënaqësi që prita këtu në sallën e Hartave, Komisionerin për Zgjerimin, i cili viziton Shqipërinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe në prag të një nisme që merr jetë nesër, për Dialogun e Nivelit të Lartë, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit si një proces që padyshim nuk është eksluzivitet i qeverisë apo i shumicës parlamentare, por një proces gjithëpërfshirës që shkon edhe përtej partive politike dhe që pa asnjë dyshim, është vullneti ynë që ta zgjerojmë sa më shumë. Jo rastësisht, më pas, ne do të kemi edhe një takim të zgjeruar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, me një grup studentësh e nxënësish, të përzgjedhur në bazë të rezultateve të tyre të shkëlqyera, që unë i kam ftuar për të përfituar nga rasti fatlum i pranisë së Komisionerit dhe për të ndarë së bashku, këndvështrimin mbi Evropën e gjeneratës tjetër”,- tha Kryeministri Rama.

Mirëmbrëma dhe është vërtetë kënaqësi që jam këtu. Kjo është vizita ime e tretë në Shqipëri dhe është e vërtetë në fakt që është edhe vizita ime e parë në Shqipëri pasi erdhi në pushtet qeveria e re dhe ishte kënaqësi që u takova me Kryeministrin Rama.

Ne kemi diskutuar dhe kemi prekur një sërë çështjesh. Natyrisht që kemi folur edhe për statusin e vendit kandidat. Dhe këto janë disa çështje, të cilat ne i kemi diskutuar edhe në sajë të rekomandimit që dha Komisioni Evropian, por do të vazhdojmë t’i diskutojmë edhe në takime të tjera, që ne do t’i kemi sot, por edhe ditën e nesërme, të cilat së bashku do të jenë një mundësi për të parë pikërisht se çfarë pritet nga Shqipëria, për sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian.

Natyrisht që, përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat, Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat ende duhen përmbushur. Kjo, për sa i përket edhe vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për trajtimin e këtyre sfidave, por mbi të gjitha, për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, pikërisht përpjekjet e vazhdueshme që duhet të bëjë Shqipëria, për të vënë në zbatim këto përpjekje dhe për të treguar rezultate.

Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv. Natyrisht, ky mes qeverisë, por dhe opozitës, pasi besoj që ky është tërësisht thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit.

Ne diskutuam edhe për synimin, për të cilin unë edhe kam ardhur në Shqipëri, që është edhe ky dialog i nivelit të lartë të cilin ne do të lançojmë nesër, për prioritetet kyçe, i cili do të ndihmojë Shqipërinë për të përqendruar fokusin e veprimeve të saj, pikërisht në këto fusha kaq të rëndësishme.

Unë mezi po pres që të takohem me disa qindra studentë, sot, në Teatrin e Operës dhe Baletit, po ashtu edhe nesër për të lançuar këtë platformë kaq të rëndësishme, e cila do ta ndihmojë Shqipërinë për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian dhe do të ndihmojë, po ashtu, edhe opozitën dhe të gjitha palët e tjera të interesuara për t’u përfshirë në këtë qëllim dhe synim”,- tha Komisioneri Füle.