Los Angelos Times: Një shtet i panjohur i bindet SHBA-ve për armët kimike

17

armet-kimike-ne-siri“Për vite të tëra, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë patur nevojë për ndihmë për të përmbyllur punët e tyre të pista diplomatike, një vend i panjohur e ka ngritur dorën, Shqipëria”.

Kështu e ka nisur shkrimin gazeta amerikane “Los Angelos Times”, e cila i ka kushtuar një shkrim të veçantë marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Uashingtonin, nisur edhe nga debatet e ditëve të fundit se Shqipëria do të jetë vendi që do të presë e do të shkatërrojë arsenalin kimik të Sirisë.

“Një vend i varfër, në skaj të Evropës, Shqipëria mori të burgosurit ujgurë, nga Guantanamo, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’i riatdhesonin ata në Kinë. Ajo u ofroi azil 210 anëtarëve muxhahedinë Khalq, grup disident iranian i mbyllur gjatë në një kamp në Irak. Tani Shtetet e Bashkuara janë kthyer sërish në Shqipëri, duke shpresuar se ajo do të lejojë që armët kimike siriane do të shkatërrohen në tokën e saj. Kërkesa e administratës së Obamës për Shqipërinë, konfirmuar nga zyrtarët e qeverisë në Tiranë javën e kaluar, synon të zgjidhë një nga çështjet më të mprehta të planit të sponsorizuar nga SHBA për të çarmatosur arsenalin vdekjeprurës të Sirisë, VX dhe gazin mustardë. Një tjetër vend që zyrtarët amerikanë kërkuan për të trajtuar këtë punë, Norvegjia, ka refuzuar”, shkruan Los Angelos Times.

Dhe zyrtarët danezë thanë të premten se vendi i tyre ishte i gatshëm për të ndihmuar transportimin, por jo shkatërrimin e tyre. Zyrtarët shqiptarë thanë se ata ishin duke shqyrtuar kërkesën e Departamentit Amerikan të Shtetit, por nuk ka ende vendim, ndërsa nuk pranojnë diskutime të mëtejshme.

“Ka pasur disa sinjale pozitive nga Shqipëria, por kjo është një çështje shumë e ndjeshme atje”, tha një zyrtar evropian i cili ishte në dijeni të bisedimeve, por nuk kishte autorizimin të fliste publikisht për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

“Shqipëria ka përvojë me armë kimike. Por, ka gjithashtu pyetje serioze në lidhje me aftësinë e Shqipërisë për të siguruar materialet e rrezikshme. Në vitin 2008, një shpërthim në një depo municioni jashtë kryeqytetit, ku ishin duke u demontuar predha të vjetra artilerie, vrau 26 persona dhe plagosi 300. Në vitet 2000, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 45000000 dollarë për të ndihmuar në shkatërrimin e 16 ton gaz mustardë në Shqipëri”, shkruan gazeta amerikane.

Sondazhet e rendisin Shqipërinë, me një shumicë dërrmuese e myslimane, në mesin e kombeve më pro-amerikane. Ndjenja daton nga Presidentit Woodroë Wilson, i cili mbështeti pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe u forcua gjatë fushatës ushtarake të NATO-s më 1999 në Kosovë, një rajon me shumicë etnike shqiptare që më vonë shpalli pavarësinë nga Serbia. Sipas “Los Angelos Times” të gjitha qeveritë shqiptare janë të ndjeshme ndaj presionit amerikan.