Grabitje me armë dhe maska në fshatin Kotë të Vlorës.

grabitjeNgjarja është shënuar në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme kur 3 personave që udhëtonin me një makinë tip “Fuoristradë” u kanë zënë pritë 3 persona të maskuar. Nën kërcënimin e armës shtetasi Besmir Danaj 28 vjeç dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, kanë zbritur nga makina personat që ndodheshin në të, duke u grabitur mjetin, 1 milion lekë si dhe dhe sendet personale. Më pas autorët kanë braktisur makinën dhe 2 prej tyre kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes së uniformave blu. Në pranga vetëm Besmir Danaj.

Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë vjedhje me armë, armëmbajtje pa leje dhe heqje e paligjshme e lirisë, kryer në bashkëpunim. Policia bën të ditur se nuk kishte asnjë konflikt mes personave të grabitur dhe autorëve, ndërkohë që të arrestuarit, shtetasit Besmir Danaj, iu gjet dhe një armë zjarri, pistoletë.

Komisioneri Fyle në Tiranë, për dialogun e nivelit të lartë me Shqipërinë

StefanFuleKomisioneri për Zgjerimin, dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Stefan Fyle, mbërrin sot në Tiranë për dialogun e nivelit të lartë me autoritetet shqiptare për përmbushjen e 5 kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor dhe nisjen e negociatave për anëtarësim.

Fyle do të takohet me Presidentin Nishani, me kryeministrin Rama me të cilin do të ketë edhe një konferencë shtypi në selinë e Kryeministrisë, me kryeparlamentarin Meta, ministrin e Jashtëm Bushati dhe kreun e PD-së Basha.

Në progres-raportin e tetorit, Komisioni rekomandoi dhënien e statusit për Shqipërinë, ndërsa 5 kushtet për hapjen e negociatave janë reforma në administratën publike, pavarësia dhe efikasiteti i gjyqësorit, masat në luftën ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, veçanërisht romëve. Praktika e dialogut të nivelit të lartë është përdorur me vende të tjera të Ballkanit. Ajo synon rritjen e angazhimit dhe të vullnetit politik në nivelin më të lartë me qëllim afrimin e shpejtë të vendit drejt hapit të radhës pas statusit: hapjen e negociatave për anëtarësim. Kryefjalë e axhendës së komisionerit do të jetë integrimi i Shqipërisë dhe arritja e rezultateve deri në muajin dhjetor, me qëllim që vendet anëtare të miratojnë statusin në samitin e fundvitit.

Rama: Rëndësi e veçantë për partneritetin me SHBA-të

edi rama-3Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka deklaruar sot se qeveria shqiptare i jep rëndësi të veçantë partneritetit me SHBA-të.

“Qeveria jonë i jep rëndësi të posaçme partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mëshirimi i këtij partneriteti në frontin e NATO-s nga llogoret e Irakut dhe Afganistanit, tek përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri. Ne s’duhet ta harrojmë që SHBA-të janë miku dhe aleati më i madh i shqiptarëve”, -u shpreh Rama.

 Këtë deklaratë, kryeministri Rama  e bëri në ceremoninë e prezantimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Baze.

Të pranishëm në ceremoni ishin dhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe atashe ushtarakë.

Në fjalën e tij, Rama tha se qeveria do të japë mbështetjen e saj në modernizimin ligjor dhe ngritjen e Forcave të Armatosura në standartet e NATO-s.

“Qeveria i jep përparësi reformës së gjithanshme të FA-së. Reformim të sistemit të edukimit, arsimimit dhe trajnimit të FA-së. Rritjen e kapaciteteve për emergjencat civile. Qeveria është e qartë për problemet e trashëguara dhe e ndërgjegjshme për vështirësitë që po kalon vendi. Qeveria do bëjë përpjekjet që FA ta kalojë me sukses këtë fazë reformimi. Shfaqja e korrupsionit në nivelin e lartë të drejtimit do ti takojnë të shkuarës”.- deklaroi Rama.

Rama fjalën e tij hyrëse e nisi duke përshëndetur fillimisht ushtarët e FA-së dhe më pas gjeneralët dhe ministren, duke mos iu përmbajtur rregullit protokollar.  Sipas Kryeministrit, ky ndryshim në protokoll nuk u bë për të shkelur rregullat, por për të vlerësuar punën e ushtarëve.

Armët kimike, nisin protestat masive

protesta kunder armve_1Protesta e djeshme e banorëve të komunës Shirgjan në Elbasan, kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në uzinën e Mjekësit, është pasuar nga një tjetër protestë sot, po në qytetin e Elbasanit.

Nxënës të shkollave të mesme protestuan paraditen e sotme në bulevardin “Aqif Pasha”, në Elbasan, ndërsa qytetarë të shumtë iu bashkuan nxënësve me parrulla në duar, ku kërkonin ndalimin e sjelljes së armëve kimike në Shqipëri dhe ndalimin e asgjësimit të këtyre armëve në zonën e Mjekësit.

Një ditë më parë banorët e komunës Shirgjan, protestuan pranë uzinës së Mjekësit, ku kundërshtuan asgjësimin e armëve siriane në Shqipëri dhe u shprehën se kishin frikë nga një “Gërdec” i dytë.

Protestat kundër armëve kimike të Sirisë do të vazhdojnë sërish sot në orën 13.00 nga Aleanca Kundër Importit të Lëndëve Helmuese.  Mësohet se AKILH do të dalë çdo ditë në protestë kundër armëve kimike të Sirisë. Protesta do të nisë mesditën e sotme përpara kryeministrisë, ndërsa protestuesit do të mbajnë në dorë një peticion 100 metra të gjatë.

Por shqiptarët do të protestojnë edhe në Amerikë. Forumi Shqiptaro-Amerikan për Demokraci ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në SHBA që ditën e martë, në orën 19:00 përpara selisë së OKB-së në Nju Jork, të bashkohen në një manifestim paqësor solidariteti për t’i thënë jo shkatërrimit të armëve kimike nga Siria.

Dritëroi: Pas armëve kimike, do të vijnë atomiket

Shkrimtari_Dritëro_AgolliShkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, shprehet kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. I pyetur nga e përditshmja “Panorama”, Dritëroi kërkon nga opinioni publik dhe shoqëria që të reagojnë fort ndaj një kërkese të tillë të bërë ndaj Shqipërisë, duke kujtuar se vetëm nga shpërthimi i barutit në Gërdec humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Për Shqipërinë, sipas Agollit, çmontimi i këtyre armëve dhe rreziku që ato paraqesin janë katastrofike.

Debati publik ditët e fundit është përqendruar te kërkesa e SHBA për të sjellë në Shqipëri armët kimike siriane për shkatërrim. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Shqipëria edhe pa ato armë që mund të vijnë, është gjithmonë në rrezik, sepse qëkur janë shpikur armët, në vendin tonë mund të gjesh edhe nëpër gropa armë. Kështu që bëhet dhe një kat tjetër me armë edhe më të rrezikshme. Pas armëve kimike vijnë armët atomike. Ne presim tani që të na sjellin dhe armët atomike, pasi tek armët kimike mbërritëm. Nëse do të pranojmë që të shkatërrojmë armët kimike, s’do të na duket çudi që të presim të na ofrojnë dhe armët atomike për të çmontuar
Ka një mungesë transparence, nuk është folur në mënyrë të drejtpërdrejtë, por fillimisht në media të huaja e më pas u pranua që ka kontakte. Cili duhet të ishte qëndrimi?
Unë jam për atë që njerëzit duhet të mbajnë një qëndrim nga më të fortët kundër këtyre armëve, sepse e para, ato janë të rrezikshme për një vend që është me miliona kilometra katrorë, e jo më për Shqipërinë, që ka vetëm 28 mijë kilometra katrorë. Këtu 2-3 nga ato të shpërthejnë nga pakujdesia apo si incidente teknologjike, gjithçka mbaron si vend. Meqenëse ia kanë vënë syrin Shqipërisë, le të vijnë, ta boshatisin më parë këtë vend dhe të sjellin këtu të tjerët, nga ato vende ku ka dendësi popullsie. Le ta bëjnë këtë vend për të pastruar armët kimike dhe le të pastrohen dhe vetë bashkë me armët, por jo të pastrojnë shqiptarët, sepse nuk ia kemi borxh askujt këtë katastrofë që rrezikon të ndodhë.
Si e vlerësoni qëndrimin e deritanishëm të politikës, si nga maxhoranca, ashtu dhe nga opozita?
Të dyja palët kanë frikë të shprehen, sepse po ta bëjë njëra palë, do të thonë pastaj: Ja këta janë antiamerikanë. Po ta bëjë tjetra, do t’i akuzojnë po ashtu të njëjtën gjë. Kjo është si ajo tërheqja e litarit, kush do ta tërheqë i pari. Por në ndërgjegje ma merr mendja se të dyja palët kanë të njëjtin qëndrim, sepse në fund të fundit mendojnë për jetët e tyre, por dhe të pasardhësve të tyre. Sepse pas këtyre armëve, nuk do të ketë më as Parlament, e as shoqëri pluraliste dhe asgjë. Ndërsa i gjithë populli mendoj se është kundër dhe nuk pyet se i cilës parti është dhe kë përkrah. E mira është të thuhet hapur, siç bëri kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, që tha se “ne nuk kemi shpatulla të mbajmë një peshë kaq të madhe”. Po të duan që të shkatërrojnë armë konvencionale, fishekë apo armatime të tjera, në Shqipëri mund të bëhen. Por ne kemi një histori të hidhur nga e cila të gjithë duhet të kenë nxjerrë mësim. Me çmontim predhash dhe me barut u vranë në Gërdec 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Me shpërthim baruti ajo tokë atje u bë për disa vjet joproduktive. Po të ndodhë ndonjë incident me armët kimike, e imagjinoni se ç’mund të ndodhë?! Madje unë pashë në lajme në një fshat në kufi mes Beratit dhe Skraparit, ku nga përdorimi i shpërthimeve për të hapur një gurore, kafshët, lopët dhe delet pillnin viça dhe qengja të ngordhur vetëm nga efekti dëmtues i lëndëve shpërthyese.

Elbasani protestë kundër armëve kimike

protesta kunder armve_1Banorët e komunës Shirgjan, në qytetin e Elbasanit, kanë protestuar sot kundër shkatërrimit të armëve kimike në uzinën e Mjekësit.

Ky reagim vjen disa ditë pas deklaratës së kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili tha se armët kimike siriane mund të dërgohen në uzinën e Mjekësit për t’u çmontuar.

Me parulla në duar, ku shkruhej: “Larg amët kimikë nga Mjekësi!”, dhjetëra banorë kanë protestuar kundër asgjësimit të armëve kimike, ndërsa u shprehën të frikësuar se në Mjekës mund të ndodhë një “Gërdec i dytë”.

“Jemi të rrezikuar drejtpërdrejt nga demontimi i armëve kimike. Qeveria duhet të na mbrojë nga vdekja toksike, mos helmoni fëmijët tanë”, -thotë një nga protestuesit.

 Një ditë më parë, ambientalistë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile, organizuan një takim në Tiranë, ku u diskutua se pse Shqipëria duhet të refuzojë propozimin për shkatërrimin e armëve siriane në territorin tonë. Sipas tyre kushtetuta e vendit e pengon një gjë të tillë, ndërkohë që theksuan se ky lloj operacioni mund të jetë me pasoja shumë të rënda për mjedisin.

Meta për armët kimike: Do të marrim përsipër aq sa të na mbajnë supet

ilir-meta22Kryeministri Edi Rama, Ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, Kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe Ministrja e Mbrojtjes u takuan sot në ambientet e hotel “Sheraton”.

Takimi informal ka zgjatur për gati një orë, mesditën e sotme.

Pas takimit dhe pasi zhvilluan homazhe në nderim të ushtarëve britanikë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi për mediat se vendimmarrja për çështjen e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, do të bëhet përmes një procesi transparent.

“Ka qene një bisedë informale, shoqërore mbas një aktiviteti të përbashkët në kujtim të të rënëve britanikë. Për sa i takon çështjeve të kapaciteteve tona, unë i qëndroj deklarimit që kam bërë që Shqipëria do të marrë gjithë ato përgjegjësi që mbajnë supet e saj ndërsa kjo është një çështje tjetër. Më duhet t’ju them që Shqipëria ka marrë, do të marrë gjithë përgjegjësitë që ajo është në gjendje të mbajë dhe padyshim që gjithçka do të diskutohet dhe do të vendoset në një proces tepër transparent, nuk ka asnjë arsye për të paragjykuar këtë proces”,- u shpreh Meta.

Ndërkohë pak ditë më parë, në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Meta deklaroi se Shqipëria s’ka kapacitete për asgjësimin e armëve kimike dhe se shteti ynë nuk mund të marrë përsipër përgjegjësi, të cilat nuk i mbajnë supet e tij.

Daçiq: Veriu i Mitrovicës, qendra serbe për Kosovën

f1_10ivica1384090360Mbështesim secilën listë serbe, por kemi besim te Iniciativa Qytetare “Srpska”, sepse ajo ka dalë nga angazhimi i Qeverisë së Serbisë, si nevojë për të qenë një qasje unike dhe e harmonizuar në udhëheqjen e politikes me serbët në Kosovë, ka deklaruar sot kryeministri serb Ivica Daçiq.

Daçiq në emisionin “ Qëndrimi i Serbisë” në kanalin e parë të RTS-së ka thënë se Beogradi po ballafaqohet me obstruksione të mëdha të autoriteteve lokale  në komunat me serbë në Kosovë, për të cilët nuk është me rëndësi ta dëgjojnë Beogradin.

Ai ka theksuar se dalja e serbëve në veri të Kosovës në raundin e parë të zgjedhjeve me 17 nëntor është e rëndësishme për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Ai ka shtuar se pasojat e mosdaljes së serbëve në zgjedhje do të ishin eksodi dhe mosekzistimi i serbëve.

Beogradi, në këtë rast, sipas Daçiqit,  do ta kishte të pamundshme që t’i ndihmojë ata, do të rrënohej mundësia e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe dhe do të ndërpritej rruga për në BE, por edhe krijimi i urrejtjes ndërmjet serbëve në Serbinë Qendrore dhe atyre të Kosovës.

Sipas fjalëve të Daçiqit, zgjedhjet lokale në Kosovë janë një rast i mirë që serbët të fitojnë pushtetin legal dhe legjitim, të cilin do ta njohë Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare.

Nëse nuk do të ketë numër të mjaftueshëm të serbëve në zgjedhjet e 17 nëntorit, në veri të Mitrovicës shqiptari do të bëhet kryetar, ka ripërsëritur Daçiq.

Sipas fjaleve të tij, me marrëveshjen e Brukselit është paraparë që në veri të Mitrovicës të jetë selia e Bashkësisë së Komunave serbe, e cila përfshinë 10 komuna.

Mitrovica e veriut është qenësore për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Këtu do të duhej të jetë qendra serbe për Kosovën, ka përfunduar Daçiq. /kohanet/

Shkëlzeni bëhet burrë, lë mjekër

shkelzeniShkëlzeni siç duket ka nisur të ndryshojë pamjen e tij, pasi i pëlqen të duket më i rritur. Në fotot e publikuara së fundmi, pamja e tij ka ndryshuar, pasi ai ka lënë mjekër.  Megjithatë edhe pse ka lënë mjekër, Shkëlzeni prapë nuk duket për vitet që ka. Po të shihni këtë foto në Venecia ku shfaqet bashkë me një nga fëmijët e tij, Shkëlzeni dallon qartë që i ngjason shumë të ëmës, Lirisë. Edhe pse ende nuk dihet zyrtarisht shumë për jetën e tij private, por me këto foto ai ka konfirmuar ndarjen nga bashkëshortja e tij, Sadija, pasi ai është vetëm me fëmijët.

Ish-gruaja e tij e ka konfirmuar më herët, ndarjen nga djali i ish-kryeministrit Berisha. Kohet e fundit është folur shumë mbi lidhjen e re të Shkëlzenit me Armina Mevlanin, e cila edhe ajo nuk ka qenë asnjëherë e drejtpërdrejtë, por nuk e ka mohuar lidhjen. Ajo çka ka rënë në sy është fakti se imazhet janë pëlqyer menjëherë në Facebook nga Armina.

Ende nuk dihet se çfarë po ndodh me çiftin e ri. Këto foto vijnë vetëm një javë pas publikimit të imazheve të vajzës së madhe të Argitës, nga një qytet tjetër i Italisë, Verona. Duket se pas kalimit në opozitë e gjithë familja Berisha ka zgjedhur një mënyrë të hapur, për të ndarë pjesë jete me publikun.

 

Basha: Presim nga qeveria seriozitet dhe transparencë lidhur me asgjësimin e armëve kimike

lulzim-basha

DW

Integrimi i Shqipërisë në BE, situata aktuale politike, zgjedhjet në Korçë dhe asgjësimi i armëve nga Siria janë disa nga temat që trajton, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha në bisedë me DW.

DW: Zoti Basha, sa i frutshëm ishte qëndrimi juaj sot në Berlin, ku ishit pjesëmarrës i Konferencës për situatën në Europë të mbajtur nga Presidenti i këshillit të BE-së, Herman van Rompuy, me të cilin patët rastin edhe të bisedonit?

Lulëzim Basha: Sot në konferencën vjetore të presidentit të Bashkimit Europian, van Rompoy ishte një rast i mirë për të nënvizuar edhe në takimin, që unë pata personalisht me të edhe me personalitetet të tjera zyrtare europiane dhe gjermane, si me europarlamentarin Hans Gert Pötering, për të përsëritur qëndrimin e partisë demokratike dhe të opozitës në mbështetje të plotë të vendimmarrjes së dhjetorit për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat si një hap, i cili përmbyll një fazë performance të denjë të Shqipërisë. Unë pata rastin të nënvizoj qëndrimin tonë si opozitë e re e vendit për të marrë çdo masë dhe për të mbështetur çdo hap në favor të integrimit europian të vendit dhe ecjes së Shqipërisë me hapa të shpejtë drejt përmbushjes së etapave të ndryshme ku natyrisht më i rëndësishmi është marrja e statusit të vendit kandidat brënda dhjetorit të këtij viti dhe menjëherë pas kësaj përpjekjet për të hapur negociatat për anëtarësim. Nga ana e tij van Rompuy fare qartë tha se vendi i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është në Bashkimin Europian. Sigurisht ai nënvizoi se ky proces bazohet mbi meritat dhe performacën e vendeve të cilat aspirojnë të bëhen anëtare në BE.

Atëherë zoti Basha, kur janë hedhur këto hapa pozitivë, kur Shqipëria ka arritur në këtë stad, pse kërkoni t’i mbuloni tani me një hije të zezë duke dalë në protesta ditën e hënë, madje edhe kur në Tiranë do të jetë për vizitë Komisioneri i BE-së për zgjerim, zoti Fyle? Kjo mund t’i kushtojë Shqipërisë.

Qëndrimi ynë për statusin është fare i qartë, mbështeje e plotë dhe totale, sepse jemi koherentë në mbështetjen, që i kemi dhënë statusit dhe procesit të integrimit europian, kur ishim mazhorancë. Besojmë se dhënia e statusit është e merituar nga Shqipëria dhe shqiptarët. Kjo jo vetëm nuk pengon kauzën e drejtë të opozitës shqiptare në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit ligjor, por e forcon atë, sepse me prozhektorët tashmë akoma më të fuqishëm të një vendi, që e ka statusiin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, opozita shqiptare në bashkëpunim me patnerët europianë mund ta ngrejë zërin më qartë dhe të ketë një përgjigjë edhe më të qartë nga patnerët tanë për çështjet, dilemat dhe sfidat e mëdha, para së cilës po e vendos demokracinë dhe shtetin ligjor kjo mazhorancë. Nisur nga kjo, pyetja duhet drejtuar në fakt Edi Ramës dhe mazhorancës së tij se pse në këto shtatë javë të para të qeverisjes së tij e ka konceptuar dhe zbatuar qeverisjen jo si një fushatë për t’i shërbyer qytetarëve në raport me premtimet, që ai ka bërë para tyre dhe për të merituar statusin e vendit kandidat, por pothuajse si një fushatë kundër statusit, si një kryqëzatë apo fushatë kundër opozitës, kundër institucioneve të pavarura, kundër shtetit ligjor dhe për fat të keq siç dëshmuan me zë dhe me figurë pamjet në TV Top-channel para të gjithë shqiptarëve, pamje tronditëse. Kjo në fakt është hija e zezë, dhe më shumë se hija e zezë është njolla e zezë, të cilën kjo mazhorancë në mënyrë fare të panevojshme dhe të pakuptueshme ka vendosur dhe që jam dakord me ju kjo mund të përbëjë një kërcënim të madh për integrimin europian të shqiptarëve si një fushatë kundër votës së lirë të shqiptarëve, por një kërcënim akoma më të madh të shqiptarëve për çështje ekzistenciale siç janë demokracia, vota e lirë, shteti ligjor.

Zoti Basha, a nuk mjafton Parlamenti për të diskutuar dhe zgjidhur të gjitha këto akuza, që keni ndaj mazhorancës? Pse zgjidhni rrugët? Ju vetë, kur ishit në mazhorancë, e keni kritikuar opozitën për veprime të tilla.

Partia Demokratike, opozita janë të vendosur të ndërmarrin të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë me shpresën që këto hapa do të shërbejnë për të kapërcyer dhe ndëshkuar pasojat e rënda të shitblerjes së votës, që në fakt nuk është asgjë më shumë apo asgjë më pak se sa vrasja e demokracisë në vend. Kjo është në mënyrë alegorike shkatërrimi i votës së fshehtë dhe rikthimi tek praktikat diktatoriale, kur vota nuk kishte më vlerë, apo me vlerën që i vunë në Korçë prej 2 mijë lekësh të vjetra për votë. Pra Shqipërisë i është vënë çmimi i demokracisë. Në qoftë se në vend kemi 1.8 milionë votues, çmimi i demokracisë shqiptare qenka 36 milionë dollarë, sipas mazhorancës. Kjo është e papranueshme, kjo është një katastrofë e vërtetë, të cilën vendi nuk e meriton dhe shqiptarët nuk e meritojnë. Ne jemi të vendosur që të përdorim të gjithë hapësirën institucionale parlamentare ligjore sipas ligjit dhe kushtetutës së vendit, por dhe në përputhje me atë që çdo shqiptar pret dhe ka të drejtën të presë nga opozita. Kësaj rradhe i kemi kërkuar qytetarëve shqiptarë të na bashkangjiten për një çështje, që është shumë e rëndësishme dhe shumë më e madhe se çdo parti politike.

Ju thatë se qytetari ka të drejtë të presë nga opozita, aq më shumë në çështje të rëndësishme të vendit. Por jeni ju në gjendje t’i përgjigjeni qytetarit si një opozitë e pjekur dhe e fuqishme, sepse Ilir Meta tha në bisedë me DW se opozitës njëherë i duhet kohë të gjejë vetveten.

Zoti Meta është në konflikt interesi, kur komenton për opozitën, sepse ai tashmë është pjesë e mazhorancës. Megjithatë më lejoni t’ju them se në këto shtatë apo tetë javë të zyrtarizimit të partisë demokratike si opozita e re e vendit besoj se kemi demonstruar përtej fjalëve se jemi të gatshëm, të vendosur dhe tërësisht të përgatitur për t’ju përmbajtur zotimit tonë për një opozitë të fortë, ballore, europiane moderne dhe konstruktive në shërbim të interesave të shqiptarëve. Ne kemi mbajtur qëndrimet tona këtë jave për çështje mjaft të rëndësishme siç janë emërimet e paligjshme në strukturat drejtuese të policisë së shtetit dhe në të tjera organe të rëndësishme të vendit. Ne të premten organizuam një konferencë mbi shqetësimet për politikat qeveritare ekonomike. Pra Partia Demokratike sot po udhëheq një opozitë të plotë dhe me shumë dimensione.

Mund ta quajmë ngërç politik mungesën e një dialogu mes dy forcave më të mëdha politike PS dhe PD zoti Basha? Pse ende nuk uleni në një tryezë për problemet aktuale të vendit?

Nuk ka asnjë ngërç politik dhe nuk ka absolutisht asnjë ngurrim as nga ana e opozitës e partisë demokratike apo nga ana ime personale për të dialoguar për çështje e rëndësishme të vendit. Ka qartësisht nga ana tjetër një vendosmëri për ta trajtuar opozitën jo si një institucion qoftë ky dhe një kundërshtar politik, por si një armik asgjësimi. Referohuni fjalës së kryeministrit në seancën e fundit në parlament, kur tha se jemi 84-85 deputetë dhe do bëhemi edhe më shumë. Ky është qëllimi i Edi Ramës, i qeverisë së kësaj mazhorance. Jo të qeverisë për ti përmbushur premtimet ndaj qytetarëve, jo të sigurojë një rrugëtim të mbarë nga momenti kur e mori qeverisjen me nje rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian deri tek marrja e statusit. Më shumë flasim ne si opozitë për integrimin europian se sa qeveria, e cila ka si qëllim që opozitës në parlament tia zvogëlojë numrat. Por kjo është çështje mentaliteti, çështje qëndrimi, ku zoti Rama sheh si prioritet kryesor luftën e opozitës dhe jo shërbimin ndaj qytetarëve. Këtë e tregoi më së miri me aktin normativ për nëpunësin civil, ku shkelmoi konsensusin e arritur me unanimitet në maj. Në këtë mënyrë, përkundrejt paralajmërimeve tona, lutjeve tona, vendosmërisë tonë për ta mbrojtur konsensusin, ndërmori atë veprim më 30 shtator.

Por sipas jush cila është zgjidhja e një gjendje të tillë të krijuar mes mazhorancës dhe opozitës? Ju personalisht çfarë do të sugjeronit?

Opozita ka për detyrë të bëjë transparencën, të përdorë instrumentat parlamentarë, ligjorë kushtetues dhe publikë për të detyruar qeverinë për llogaridhënie demokratike të një qeverie në një vend, ku detyra e saj, nuk është sikurse thotë zotit Rama të udhëheqë, fjalor ky shumë i vjetëruar i tij, fjalor i para 24 vjetësh, por është tju shërbejë qytetarëve brënda ligjit dhe kushtetutës dhe ne këtë detyrë po e bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me përkushtim të plotë. Refleksionet e qeverisë deri tani nuk kanë qenë zemërdhënëse. Në vend që të reflektonte për të gjitha çështjet, që ne kemi ngritur publikisht, mediatikisht, institucionalisht është zhytur më keq me sulmin, që i ka bërë demokracisë në rastin e Korcës ditën e dielë, jashtë çdo konteksti, nevoje apo domosdoshmërie. Ne në asnjë sekond, në asnjë veprim, në asnjë çështje nuk do të ndërmarrim asnjë hap, i cili nuk është 100% në mbështetje të interesit publik të shqiptarëve..

Zoti Basha, a ia keni lënë vërtet thjesht arkën “bosh” Shqipërisë, siç pretendon qeveria?

Ky është nje pretendim populist, demagogjik dhe i rrezikshëm për ekonominë shqiptare. Arka e shtetit nuk është kuletë, nuk është një baule, por është një realitet dinamik i marrjes së të ardhurave, vjeljes së të ardhurave dhe i disponimit të tyre, i shpenzimit të tyre në raport me buxhetin e shtetit. Konferenca për ekonominë e tregoi më së miri faktin që ne nuk jemi vetëm opozitë e kundërshtimit, por dhe opozita e alternativës, opozitë e gatshme për të nxjerrë në pah dobësitë e propozimit të palës tjetër. Ne heqim dorë nga retorika negative ndaj ekonomisë shqiptare, heqim dorë nga nxirja e realitetit për interesa përfitimi politik, aq më shumë që fushata ka mbaruar, por opozita është e gatshme për të kontribuar në rrugën pozitive përpara, që ka të bëjë me mirëqënien e qytetarëve, me tavolinat e familjeve shqiptare. Pra është një opozitë e re, një opozitë alternative, një opozitë konstruktive.

Temë aktuale zoti Basha në Tiranë janë dhe armët kimike, që diskutohet në media se do të asgjësohen në Shqipëri? Ju çfarë qëndrimi keni?

Gjithçka që kjo qeveri ka bërë në këto shtatë javë, opozita shqiptare është tërësisht e painformuar për gjithçka që është diskutuar midis Shqipërisë dhe aleatëve për këtë çështje, madje informacionet opozita shqiptare edhe sot e kësaj dite nuk i ka nga kanalet zyrtare, siç duhet të jetë qoftë edhe konfidenciale për çështje të sigurisë kombëtare, por i ka nga organet e huaja të shtypit. Prandaj ne presim nga qeveria shqiptare që pikë së pari ta trajtojë këtë çështje me seriozitet, me transparencë dhe me një sens përgjegjshmërie para qytetarëve shqiptarë pse jo dhe para opozitës shqiptare. Kjo do të thotë që për çdo propozim, që ka marrë apo që mund të marrë, të jetë e hapur, transparente dhe bashkëpunuese me opozitën dhe me publikun në tërësi, të jetë një proces, ku të diskutohet pa asnjë ngurim anët pro dhe anët kundra, çfarëdo lloj vendimmarrje për këtë çështje dhe sigurisht të jetë koherente.

Ju sot qëndruat në Berlin, por sa afër Tiranës është kryeqyteti i Gjermanisë, zoti Basha?

Mendoj se afërsia ka filluar të ndodhë në disa plane, më së fundi në një plan simbolik, ku një pjesëz e të kaluarës dramatike të Berlinit, që në fakt simbolizon dhe mishëron të kaluarën dramatike të miliona europianëve dhe miliona shqiptarëve përtej perdes së hekurt, është pjesëza e murit të Berlinit që sot është vendosur në një instalim modern brënda ish territorit të bllokut në Tiranë. Ndërkohë jam i bindur se hapësirat dhe potencialet e bashkëpunimit jo thjesht midis Tiranës dhe Berlinit si kryeqytete, por në veçanti mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë shumë të mëdha dhe unë jam i vendosur edhe si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, edhe si kryetar i opozitës që të bëjmë gjithçka që këto potenciale t‘i kthejmë në bashkëpunim sa më të frutshëm duke e konsideruar Gjermaninë jo thjesht një vend të rëndësishëm të Bashkimit Europian, por një vend kyç, patner të vërtetë, jo të sforcuar strategjik të Shqipërisë.