Shtyhet mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë

50

qeveriQeveria e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës kishin rënë dakord që të organizonin një mbledhje të përbashkët më datë 16 nëntor, por si duket kjo mbledhje nuk do të organizohet, të paktën jo në këtë datë.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes që do bëhej me qeverinë e Shqipërisë. Në një njoftim të bërë publik nga vetë kryeministria e Kosovës, është deklaruar se, nëse mbledhja do të mbahej në ditën e përcaktuar më parë, kjo do të shkaktonte reagime, për shkak të zgjedhjeve.

Për këtë arsye duket se është kërkuar dhe shtyrja e mbledhjes për në dhjetor, por nuk është dhënë një datë e saktë.

“Duke qenë se mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit, ajo kurrsesi nuk do të duhet të bëhet cak sulmesh dhe interpretimesh elektorale, për më tepër që data e mbledhjes së përbashkët ishte rënë dakord para caktimit të datës së zgjedhjeve”, -thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë së Kosovës.

Më tej, kërkohet që mbledhja e dy qeverive të mbahet në fillim të muajit dhjetor.

“Sidoqoftë, duke dashur që me çdo kusht të ruajmë integritetin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe qeverive tona, sot kërkuam mirëkuptimin e qeverisë së Shqipërisë që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor”, -thuhet më tej në njoftimin për mediat.