Protesta e PD-së, jo në përmasat e parashikuara

52

mitinguLulzim Basha ka mbajtur fjalimin e parë në një protestë si kryeopozitar. Protesta e organizuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë e mbajtur për manipulimin e zgjedhjeve në Bashkinë Korçë, është reagimi i parë popullor i Partisë Demokratike që pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit.

Protesta e PD-së, që në fakt mori edhe përmasat e një proteste kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, i ngjasonte shumë protestave të Partisë Socialiste në opozitë. Para fjalimit të kreut të PD-së, në podium u ngjitën qytetarë të thjeshtë.

Ndërsa, fjalimi i Bashës, i pari në shesh si kryetar i PD-së, ishte një “sforcim” për të. Zëri i Bashës ishte shpeshherë jashtë kontrolli, duke shkuar deri në pikën që nuk mund të vazhdonte më. Ai e ndërpreu disa herë fjalimin, por arriti ta mbyllë edhe pse me zë të çjerrë.

Basha u shpreh se mazhoranca e majtë e ka “mbushur kupën” që në tre muajt e parë të qeverisjes dhe theksoi se opozita do të ndalojë me çdo çmim shitblerjen e votës.

“Shkelmuan votën se, kanë në plan blerjen e votës. Firmosin çdo ditë nga një akt kundër ligjeve dhe të drejtës se kanë ndërmend blerjen e votës. Motoja e tyre është: Ju 2 mijë lekëshin, ne pushtetin. Hiq dorë njëherë e përgjithmonë nga blerja e votës. Po nuk e ndaluam sot shitblerjen e votës, shitblerja e votës do të ndalojë demokracinë. Do ta ndalojmë me çdo çmim.

Në protestë mungonte Jozefina Topalli dhe shumë figura të tjera të PD-së, por asaj nuk i mungoi ish-kreu i saj, Sali Berisha. Ish-kryeministri qëndroi krah Bashës por nuk mbajti fjalim në këtë protestë.

Një tjetër gjë që u vërejt në këtë protestë të parë të PD-së, ishte prania e Policisë së Shtetit. Numri i efektivëve për garantimin e mbarëvajtjes së protestës ishte shumë i vogël dhe shumica i përkisnin gjinisë femërore.

Sapo ka nisur protesta e paralajmëruar e opozitës përpara kryeministrisë.

Edhe pse mot me shi, me dhjetëra qytetarë i janë bashkuar Partisë Demokratike për të protestuar për votat e vjedhura në zgjedhjet e Korçës.

Pas publikimit të një videoje në emisionin “Fiks Fare”, në Top Channel, PD nisi reagimet për të kontestuar këto zgjedhje si dhe u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë sot në mesditë.

Deri më tani protesta është paqësore dhe ajo që të bie në sy është numri jo shumë i lartë i pjesëmarrësve, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar si dhe forca të shumta policie për të siguruar rendin.

Grupi i protestuesve po udhëhiqet nga kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryetari Sali Berisha si dhe deputetë të kësaj partie politike.

Protestuesit mbajnë në duar flamuj të Bashkimit Evropian dhe flamuj shqiptarë, teksa pritet që në podiumin e ngritur para kryeministrisë të flasë ish-kryeministri Berisha si dhe kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha.

Përpos vjedhjes së votës së qytetarëve, që pretendon PD-ja se është bërë në Korçë, sot ata po protestojnë edhe për armët kimike të Sirisë, të cilat mendohet se do të shkatërrohen në Shqipëri.

Opozita është shprehur kundër kësaj nisme, ndërkohë që qeveria akoma nuk ka marrë një vendim.