Flamurtari mbyll pozitivisht vitit 2013

Flamurtari-Me një fitore minimale, por të merituar ndaj të kuqve të Hasan Likës, skuadra bregdetare vijon ngjitjen në klasifikim si me “ashensor”. Pas 16 javësh kampionat, kuqezinjtë e Gjokës kanë 24 pikë, duke iu afruar gjithnjë e më shumë kreut. Zhgënjen sërish Partizani, i cili u gjunjëzua para golit të Hair Zeqirit, shënuar që në fillim të ndeshjes, duke demonstruar mangësi të theksuara në fazën ofensive, por edhe një cekuilibrim të repartit të vet të spikatur, mbrojtjes. Të kuqtë nuk luanin në stadiumin “Flamurtari” prej 9 majit 2005, duke u rikthyer aty si pjesë e Superiores, por dalë duarbosh. Kryeqytetasit nuk kanë shfrytëzuar dot as mungesat që kishin në formacion vendësit, si Sakaj, Arbri, Veliu dhe Mocka. Ka menaxhuar gjithcka me pragmatizëm dhe qetësi Flamurtari, që ka mbrojtur për minuta të tëra atë gol të artë të Zeqirit, duke konfirmuar ecurinë tejet pozitive të javëve të fundit, pas një fillimi të vështirë të kampionatit. Vlonjatët kishin në dispozicion 10 milionë lekë premio për “kokën” e të kuqve, ndaj vec fitores kanë ngrohur edhe xhepat në këtë fundviti. Skuadra e Hasan Likës, nga ana tjetër, merr një tjetër goditje psikologjike pas asaj të mesjavës, kur u eliminua nga Kupa e Shqipërisë që në turin e dytë. Ky hap tjetër fals në Vlorë nuk ia rrezikoi vendin e dytë për momentin, por me këtë performancë dhe ecuri nuk mund të mbrohet gjatë. Vendi i dytë në vijimësi të kampionatit do të synohet edhe nga kuqezinjtë e Gjokës, por më së pari nga kurbinasit, durrsakët dhe kuksianët, që gjenden më afër. Zig-zaget e të kuqve në këtë sezon, të rikthyer pas disa vitesh në elitë, e kornizojnë si të paqëndrueshëm Partizanin, i cili kishte nevojë për një sukses në këtë transfertë, për ta mbyllur me gëzim vitin dhe bërë plane të tjera për 2014-ën. Humbja është “dhurata” më e hidhur festive e këtij fundviti për tifozët e kuq, që brenda kësaj jave kanë pësuar dy zhgënjime njëri pas tjetrit: eliminimin nga Kupa dhe humbjen në Vlorë.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kategoria-superiore/kategoria-superiore-ngriti-siparin-java-e-16-te/#ixzz2oDTHWgeV

Reagon Basha: 100 ditët e zeza të qeverisë “Rama”

bashaPas bilancit pozitiv të 100 ditëve të qeverisë prezantuar nga Rama, reagoi kryetari i opozites, Lulzim Basha, i cili i konsideroi këto tre muaj si ndër “ditët më të zeza” të historisë së vendit.

“Sot, shqiptarët jetojnë më keq se 100 ditë më parë. As ne nuk e mendonim që bilanci të ishte kaq negativ në këto 100 ditë të para, edhe pse duke e njohur Ramën nuk prisnim asgjë pozitive. Në këto ditë, është kërcënuar demokracia, kushtetueshmëria dhe ekonomia po shkon drejt rrënimit”, deklaroi me tone të ashpra zoti Basha.

“Është vendosur kodi i heshtjes dhe mashtrimit, me shkeljen e konsensusit dhe shkeljen e ligjit.  Ramës i tha jo rinia, i tha jo ligji e Gjykata Kushtetuese, i tha edhe jo Bashkimi Europian. Policia e shtetit eshte shnderruar ne nje vater militantesh. Eshte rinisur trafiku i klandestineve dhe droges, u sulmua presidenti i Republikes, ndërsa tashmë rrezikohen edhe vizat”, akuzoi kryetari i Partisë Demokratike.

“Po luftohet çdo institucion i pavarur, po ndryshohen ligjet per te lehtesuar korrupsionin, ndërsa emërimet në administratë po bëhen pa asnjë kriter apo konkurs”, shtoi Basha.

Sipas kreut të opozitës, “marrëdhënia me aleatët ka prekur pikën më të ulët, përfshi me partnerët e mëdhenj të SHBA-së, me krizën e vetprovokuar të armëve kimike”.

“Statusin e humbem nje vit prej Rames ne opozite, tashme e humbem prej Rames kryeminister. Rama duhet t’i kërkojë ndjesë partnerëve europianë, i vendeve mike që na mbetën në klasë pasi në tre muaj janë ngjallur kaq shumë dyshime mbi këtë qeveri”, komentoi Basha.

Për kryetarin e PD, paketa e re fiskale dhe buxheti i ri i shtetit janë hapat e ardhshme në rrënimin e plotë të ekonomisë shqiptare, ndërsa ai kritikoi emërimet nepotike në të gjithë segmentet e administratës dhe mungesën e plotë të transparencës në veprimet e kabinetit.

Gjatë punimeve për Olimpiadën dimërore të Sochi, në Rusi

Gjatë punimeve për Olimpiadën dimërore të Sochi, në Rusi. (Mikhail Mordasov, Afp)
Gjatë punimeve për Olimpiadën dimërore të Sochi, në Rusi. (Mikhail Mordasov, Afp)
Gjatë punimeve për Olimpiadën dimërore të Sochi, në Rusi. (Mikhail Mordasov, Afp)

Manjati rus: Nuk merrem me politikë

Russia-KhodorkovskyIsh manjati  rus i naftës, Mikhail Khodorkovsky  thotë  se ai nuk do të hyjë në politikë apo të kërkoj t’i kthehen asetet e ish-kompanisë së tij të naftë, Yukos.

Në një intervistë dhënë  revistën ruse “The New Times”, Khodorkovsky thotë se nuk i është dhënë asnjë kusht për lirimin e tij nga burgu, por tha se i ka përcjell presidentit rus Vladimir Putin përmes një letre se Unë nuk planifikoj që të përfshihem në politikë, dhe nuk e kam ndërmend që të luftojë për kthimin e pronës sime.

Khodorkovsky është ribashkuar me famijen e tij në Gjermani. Ish-miliarderi rus la burgun ku vuante dënimin pasi presidenti rus Vladimir Putin i habiti të gjithë këtë javë kur njoftoi faljen e tij.

Khordorkovsky ishte i burgosur për 10 vjet, pasi ishte gjetur fajtor për mashtrim dhe evazion fiskal, për të cilat vepra mbështetësit e tij thonë se ishin të motivuara politikisht.

Bosi i Yukos  dikur njeriu më i pasur i Rusisë ishte një kritik i fortë i Putin dhe përdori pasurinë e tij për të financuar partitë opozitare.

 

Maqedonia rrezikon humbjen e mbështetjes amerikane

maqedoniaShtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetëset më të fuqishëm të integrimit euroatlantik të Maqedonisë, por kjo mbështetje mund të humbet nëse krerët shtetërorë vazhdojnë të jenë të papërgjegjshëm ndaj një angazhimi të tillë amerikan, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Këto vlerësime pasuan një kërkesë të BDI-së në pushtet për angazhimin direkt të Uashingtonit për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“Shikuar deklarimin e para disa ditëve të ambasadorit Wholers, si duket SHBA-të, janë lodhur dhe janë të gatshme të heqin dorë nga interesi i saj për Maqedoninë, për shkak se ajo, me një kokëfortësi të madhe, sillet ndaj gjithë proceseve, posaçërisht ndaj çështjes së emrit dhe procesit euro-integues. Kjo tregon se SHBA-të nuk e kanë ndërmend të intervenojë më thellë për zgjidhjen e çështjes së emrit, kështu që Maqedonia do të ngelë një oazë pak e zymtë, jashtë interesave amerikane”, thotë Alajdin Demiri, profesor dhe ish-ambasador i Maqedonisë në Zvicër.

Sipas Demirit, kërkesa e Ahmetit për ndërmjetësimin amerikan, duhet të ketë vulën e Qeverisë apo edhe të kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili deri më tani ka dëshmuar se nuk është i interesuar për zgjedhjen e kontestit, ndërsa të gjitha nismat e BDI-së, i ka shpërfillur duke lënë për të kuptuar se për këtë çështje do të vendosë vetëm ai.

“Ato janë më tepër kërkesa utopike për arsye se nuk janë kërkesa të qeverisë. BDI-ja është një strukturë, e cila nuk është vendimmarrëse, nuk ka asnjë kapacitet, e nuk ka as mandat për një çështje të tillë. Pra, bëhet fjalë për një politikë-bërje romantike, që kur nuk ke se çfarë të bësh, kërkon ndihmë nga të tjerët”, vlerëson Demiri.

Ndërkohë, Mirjana Malevska, profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se në rast se nuk do të ketë ndonjë unifikim të brendshëm, gjasat janë reale që Maqedonia të mos jetë më në agjendën e politikës së jashtme amerikane.

“Mendoj se po e humbin durimin pasi edhe ato janë nën presion, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit të tyre, në kontest të realizimit sa më të shpejtë të politikës që ato udhëheqin, andaj edhe përcjellim mesazhe të fuqishme, si ajo e ambasadorit Ëholers që politikanët duhet të lënë pas historinë dhe të ecin para, apo qytetarët duhet të zgjedhin liderë që do të jenë të aftë t’i shpijnë ata para në procesin euro-integues”.

“Tani kur nuk morëm datën për fillimin e negociatave, ata kanë vlerësuar se ndoshta është momenti për të rritur presionin dhe për t’i bërë të qartë se durimi i tyre po humbin dhe se vendi mund të përballet me pasoja të reja, kjo duke parë tensionet në rritje, politikanët e papërgjegjshëm dhe harxhimin e shumë parave dhe të kohës për ngritjen e identitetit maqedonas”, thekson Malevska.

Nga ana tjetër, Malinka Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane, thotë se presionet në periudhën që vjen, do të jenë edhe më të fuqishme, por gjithçka, sipas saj, do të varet nga institucionet e vendit, të cilat përveç çështjes së emrit, duhet të përmbushin edhe kritere tjera.

“Kritikat e tilla obligojnë institucionet që të kenë një qasje tjetër me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të brendshme për unifikimin e qëndrimit për çështjen e emrit. Presione do të ketë edhe për çështje tjera para së gjithash për demokratizimin e vendit dhe përmbushjen e kritereve tjera, pasi Maqedonia, veç çështjes së emrit, përballet edhe kërkesa tjera për shkak se në shumë sfera ka shënuar ngecje”, thotë Jordanova.

Për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, Maqedonisë nuk iu caktua data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, edhe pse që nga viti 2005 ajo ka fituar statusin e shtetit kandidat.

 

Elbasan, arrestohet i kërkuari nga drejtësia italiane për prostitucion

prangaPolicia e Elbasanit ka arrestuar sot një të kërkuar nga drejtësia italiane për pjesëmarrje në organizata kriminale.

Burime nga policia rajonale bëjnë me dije se në pranga është vënë 42-vjeçari Robert Bullari nga Peqini i cili ishte person i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane të Velletrit.

Mësohet seGjykata e Velletrit në Itali kishte caktuar masën arrest në burg për 42-vjeçarin Bullari për veprat penale pjesëmarrje në organizata kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni

Rama: Ja çfarë bëmë në 100 ditët e para

rama 100 diteKryeministri Edi Rama ka publikuar raportin e punës së qeverisë në 100 ditë e para. Në një postim në “Facebook” ai tregon se çfarë ka bërë qeveria e tij në 100 ditë.

“Ja çfarë bëmë në 100 ditë. Raport publik për 100 ditët e para të qeverisjes. Me 23 Qershor 1 milion vullnete u bashkuan si pika të qarta ndryshimi që formësoni vijën ndarëse mes shumë të shkuarave dhe një të ardhmeje të përbashkët. Të ardhmen e një Shqipërie, ku burimet e paçmuara të vendit janë në shërbim të mirëqenies të secilit prej qytetarëve të tij. Të ardhmen e një Shqipërie ku qeverisja jetëson vullnetin e njerëzve, vlerat e popullit dhe shpresat e brezave të rinj. Ne besojmë se kjo e ardhme fillon pikësëpari si qeverisje e përbashkët e vendit me transparencë, dialog e përgjegjshmëri, në emër të të cilave ndajmë me ju këtë raport të 100 ditëve të para të qeverisjes së re”, shkruan Rama.

Malta nxjerr në shitje pasaportën për 650 mijë euro

pasaporte electrónico MaltaMalta shet pasaportën për 650 mijë euro Malta po mendon t’i shesë nënshtetësinë e saj të huajve për 650 mijë euro në mënyrë që të gjallërojë ekonominë në rënie të vendit.

Ishulli-shtet është anëtar i Bashkimit Europian dhe ata që do e blejnë këtë pasaportë do të konsiderohen rrjedhimisht shtetas të BE-së.

Sipas CNN, propozimi është miratuar nga Parlamenti, por qeveria ka vendosur ta pezullojë përkohësisht për t’i lejuar Parlamentit Europian ta shqyrtojë më 15 janar.

Shumë vende të tjera anëtare të BE-së e kanë kritikuar këtë lëvizje pasi ata që do të marrin pasaportën malteze nuk janë të detyruar të jetojnë në Maltë, por janë të lirë të zgjedhin për të jetuar një nga 27 vendet e tjera anëtare të BE-së.

Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, parashikon se nga shitja e nënshtetësisë do të përfitohen çdo vit rreth 30 milionë euro

Veliaj në Vlorë: Nga 1 janari asnjë ndërprerje me pagesat për PAK-un

erion-veliaj3Personat para dhe tetraplegjikë do të tërheqin ndihmën sociale pa asnjë ndërprerje që nga  1 janari. Ministri i mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj deklaroi se qeveria mbajti premtimin dhe shpërndau  pensionet në prag të festave për këtë grup shoqëror ndërkohë që premtoi se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më.

Veliaj akuzoi qeverinë e kaluar për vonesën e krijuar në shpërndarjen e fondeve për personat me aftësi të kufizuar.

Ndërkohë kreu i para dhe tetraplegjikëve për Vlorën  Muhamet Hyseni deklaroi se personat para dhe tetra plegjikë nuk mund të jetojnë pa ndihmën e shtetit.

Në këtë takim Ministri i mirëqenies sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj shpërndau dhurata dhe ndihma nga ministria e linjës por dhe donacione të ndryshme dhe kompani operuese në Vlorë

Pranga 2 shqiptarëve, kërkuan të rrëmbenin prostitutën kineze

arrestimPolicia italiane ka arrestuar dy shqiptarë dhe një italian, të cilët donin të rrëmbenin një prostitutë kineze. Të ndaluarit janë 25-vjeçari Albian Milushi dhe 30-vjeçari Albert Mustavataj, ndërsa krahas tyre u arrestua edhe italiani Fulvio Pantusa 31 vjeç. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në Savona, ku dy shqiptarët dhe italiani po udhëtonin me një makinë, kur policia i ndaloi dhe në automjet gjeti një pistoletë.

Mësohet se arma do të përdorej për të kërcënuar një prostitutë kineze, të cilën do ta rrëmbenin me dhunë. Policia tha se vajza i priste klientët në një apartament në periferi të qytetit. Nuk dihen ende arsyet pse donin të rrëmbenin vajzën kineze, ndërsa nga ana e policisë vijojnë hetimet intensive për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.