Maqedonia rrezikon humbjen e mbështetjes amerikane

50

maqedoniaShtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetëset më të fuqishëm të integrimit euroatlantik të Maqedonisë, por kjo mbështetje mund të humbet nëse krerët shtetërorë vazhdojnë të jenë të papërgjegjshëm ndaj një angazhimi të tillë amerikan, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Këto vlerësime pasuan një kërkesë të BDI-së në pushtet për angazhimin direkt të Uashingtonit për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“Shikuar deklarimin e para disa ditëve të ambasadorit Wholers, si duket SHBA-të, janë lodhur dhe janë të gatshme të heqin dorë nga interesi i saj për Maqedoninë, për shkak se ajo, me një kokëfortësi të madhe, sillet ndaj gjithë proceseve, posaçërisht ndaj çështjes së emrit dhe procesit euro-integues. Kjo tregon se SHBA-të nuk e kanë ndërmend të intervenojë më thellë për zgjidhjen e çështjes së emrit, kështu që Maqedonia do të ngelë një oazë pak e zymtë, jashtë interesave amerikane”, thotë Alajdin Demiri, profesor dhe ish-ambasador i Maqedonisë në Zvicër.

Sipas Demirit, kërkesa e Ahmetit për ndërmjetësimin amerikan, duhet të ketë vulën e Qeverisë apo edhe të kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili deri më tani ka dëshmuar se nuk është i interesuar për zgjedhjen e kontestit, ndërsa të gjitha nismat e BDI-së, i ka shpërfillur duke lënë për të kuptuar se për këtë çështje do të vendosë vetëm ai.

“Ato janë më tepër kërkesa utopike për arsye se nuk janë kërkesa të qeverisë. BDI-ja është një strukturë, e cila nuk është vendimmarrëse, nuk ka asnjë kapacitet, e nuk ka as mandat për një çështje të tillë. Pra, bëhet fjalë për një politikë-bërje romantike, që kur nuk ke se çfarë të bësh, kërkon ndihmë nga të tjerët”, vlerëson Demiri.

Ndërkohë, Mirjana Malevska, profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se në rast se nuk do të ketë ndonjë unifikim të brendshëm, gjasat janë reale që Maqedonia të mos jetë më në agjendën e politikës së jashtme amerikane.

“Mendoj se po e humbin durimin pasi edhe ato janë nën presion, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit të tyre, në kontest të realizimit sa më të shpejtë të politikës që ato udhëheqin, andaj edhe përcjellim mesazhe të fuqishme, si ajo e ambasadorit Ëholers që politikanët duhet të lënë pas historinë dhe të ecin para, apo qytetarët duhet të zgjedhin liderë që do të jenë të aftë t’i shpijnë ata para në procesin euro-integues”.

“Tani kur nuk morëm datën për fillimin e negociatave, ata kanë vlerësuar se ndoshta është momenti për të rritur presionin dhe për t’i bërë të qartë se durimi i tyre po humbin dhe se vendi mund të përballet me pasoja të reja, kjo duke parë tensionet në rritje, politikanët e papërgjegjshëm dhe harxhimin e shumë parave dhe të kohës për ngritjen e identitetit maqedonas”, thekson Malevska.

Nga ana tjetër, Malinka Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane, thotë se presionet në periudhën që vjen, do të jenë edhe më të fuqishme, por gjithçka, sipas saj, do të varet nga institucionet e vendit, të cilat përveç çështjes së emrit, duhet të përmbushin edhe kritere tjera.

“Kritikat e tilla obligojnë institucionet që të kenë një qasje tjetër me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të brendshme për unifikimin e qëndrimit për çështjen e emrit. Presione do të ketë edhe për çështje tjera para së gjithash për demokratizimin e vendit dhe përmbushjen e kritereve tjera, pasi Maqedonia, veç çështjes së emrit, përballet edhe kërkesa tjera për shkak se në shumë sfera ka shënuar ngecje”, thotë Jordanova.

Për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, Maqedonisë nuk iu caktua data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, edhe pse që nga viti 2005 ajo ka fituar statusin e shtetit kandidat.