Reagon Basha: 100 ditët e zeza të qeverisë “Rama”

49

bashaPas bilancit pozitiv të 100 ditëve të qeverisë prezantuar nga Rama, reagoi kryetari i opozites, Lulzim Basha, i cili i konsideroi këto tre muaj si ndër “ditët më të zeza” të historisë së vendit.

“Sot, shqiptarët jetojnë më keq se 100 ditë më parë. As ne nuk e mendonim që bilanci të ishte kaq negativ në këto 100 ditë të para, edhe pse duke e njohur Ramën nuk prisnim asgjë pozitive. Në këto ditë, është kërcënuar demokracia, kushtetueshmëria dhe ekonomia po shkon drejt rrënimit”, deklaroi me tone të ashpra zoti Basha.

“Është vendosur kodi i heshtjes dhe mashtrimit, me shkeljen e konsensusit dhe shkeljen e ligjit.  Ramës i tha jo rinia, i tha jo ligji e Gjykata Kushtetuese, i tha edhe jo Bashkimi Europian. Policia e shtetit eshte shnderruar ne nje vater militantesh. Eshte rinisur trafiku i klandestineve dhe droges, u sulmua presidenti i Republikes, ndërsa tashmë rrezikohen edhe vizat”, akuzoi kryetari i Partisë Demokratike.

“Po luftohet çdo institucion i pavarur, po ndryshohen ligjet per te lehtesuar korrupsionin, ndërsa emërimet në administratë po bëhen pa asnjë kriter apo konkurs”, shtoi Basha.

Sipas kreut të opozitës, “marrëdhënia me aleatët ka prekur pikën më të ulët, përfshi me partnerët e mëdhenj të SHBA-së, me krizën e vetprovokuar të armëve kimike”.

“Statusin e humbem nje vit prej Rames ne opozite, tashme e humbem prej Rames kryeminister. Rama duhet t’i kërkojë ndjesë partnerëve europianë, i vendeve mike që na mbetën në klasë pasi në tre muaj janë ngjallur kaq shumë dyshime mbi këtë qeveri”, komentoi Basha.

Për kryetarin e PD, paketa e re fiskale dhe buxheti i ri i shtetit janë hapat e ardhshme në rrënimin e plotë të ekonomisë shqiptare, ndërsa ai kritikoi emërimet nepotike në të gjithë segmentet e administratës dhe mungesën e plotë të transparencës në veprimet e kabinetit.