Flamurtari mbyll pozitivisht vitit 2013

45

Flamurtari-Me një fitore minimale, por të merituar ndaj të kuqve të Hasan Likës, skuadra bregdetare vijon ngjitjen në klasifikim si me “ashensor”. Pas 16 javësh kampionat, kuqezinjtë e Gjokës kanë 24 pikë, duke iu afruar gjithnjë e më shumë kreut. Zhgënjen sërish Partizani, i cili u gjunjëzua para golit të Hair Zeqirit, shënuar që në fillim të ndeshjes, duke demonstruar mangësi të theksuara në fazën ofensive, por edhe një cekuilibrim të repartit të vet të spikatur, mbrojtjes. Të kuqtë nuk luanin në stadiumin “Flamurtari” prej 9 majit 2005, duke u rikthyer aty si pjesë e Superiores, por dalë duarbosh. Kryeqytetasit nuk kanë shfrytëzuar dot as mungesat që kishin në formacion vendësit, si Sakaj, Arbri, Veliu dhe Mocka. Ka menaxhuar gjithcka me pragmatizëm dhe qetësi Flamurtari, që ka mbrojtur për minuta të tëra atë gol të artë të Zeqirit, duke konfirmuar ecurinë tejet pozitive të javëve të fundit, pas një fillimi të vështirë të kampionatit. Vlonjatët kishin në dispozicion 10 milionë lekë premio për “kokën” e të kuqve, ndaj vec fitores kanë ngrohur edhe xhepat në këtë fundviti. Skuadra e Hasan Likës, nga ana tjetër, merr një tjetër goditje psikologjike pas asaj të mesjavës, kur u eliminua nga Kupa e Shqipërisë që në turin e dytë. Ky hap tjetër fals në Vlorë nuk ia rrezikoi vendin e dytë për momentin, por me këtë performancë dhe ecuri nuk mund të mbrohet gjatë. Vendi i dytë në vijimësi të kampionatit do të synohet edhe nga kuqezinjtë e Gjokës, por më së pari nga kurbinasit, durrsakët dhe kuksianët, që gjenden më afër. Zig-zaget e të kuqve në këtë sezon, të rikthyer pas disa vitesh në elitë, e kornizojnë si të paqëndrueshëm Partizanin, i cili kishte nevojë për një sukses në këtë transfertë, për ta mbyllur me gëzim vitin dhe bërë plane të tjera për 2014-ën. Humbja është “dhurata” më e hidhur festive e këtij fundviti për tifozët e kuq, që brenda kësaj jave kanë pësuar dy zhgënjime njëri pas tjetrit: eliminimin nga Kupa dhe humbjen në Vlorë.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kategoria-superiore/kategoria-superiore-ngriti-siparin-java-e-16-te/#ixzz2oDTHWgeV