Rama: Berisha i rrethuar me mercenarë si në 1997

71

Lideri i Partisë Socialiste, Rama pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian Ketrin Eshton mblodhi grupin parlamentar të PS-së, ku konfirmoi edhe njëherë qëndrimin opozitar në lidhje me ngjarjet e fundit në parlament. Rama e cilësoi gjendjen e rëndë të situatës në vend si të ngjashme me situatën politike të vitit 1997, ku lideri demokrat Berisha, ishte në një izolim ndërkombëtar, i rrethuar vetëm nga shërbëtorët dhe mercenarët e tij. Rama deklaroi sërish se edhe sikur votat të numërohen në shtëpinë e Berishës ai do të largohet nga pushteti.

‘’Dua t’i shpreh të gjithë mirënjohjen tonë përfaqësueses së lartë të politikës së Jashtme të Bashkimit Europian dhe Zëvendës Presidentes së Komisionet Europian për mesazhet e forta që solli në Shqipëri dhe elegancën e admirueshme me të cilën i përcolli ato si një mike e mirë e njerëzve të këtij rajoni. 

Ajo që ndodhi dje, në Kuvendin e Shqipërisë, nuk ka goditur vetëm Kushtetutën, ligjin, KQZ, zgjedhjet, por ka goditur Shqipërinë në sytë e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Të cilët, e kanë paralajmëruar, qoftë para dhe qoftë më pas, qeverinë për pasojat e atij akti brutal. Një akt tipik për një sundimtar të marrë fund që rri në këmbë megjithë pushtetin e tij të rrënuar vetëm falë një grupi mercenarësh. 

Mirënjohje dhe njëherë Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian për qëndrimin e qartë dhe të prerë ndaj marrëzisë së mbrëmshme të Saliut me KQZ e deligjitimuar përmes aktit brutal dhe të njëanshëm, që ka hapur edhe gropën ku do të prehet me turp pushteti i tij. Seanca e djeshme nga ana e qeverisë, e shumicës së përbërë nga deputetë që e ndjekin në mënyrë të verbër dhe nga mercenarë të verbuar prej joshjeve të pushtetit të korrupsionit, ishte një fotokopje e seancës së zgjedhjes President në mars të vitit 1997, për nga hapësira tërësisht e izoluar, qoftë së brendshmi dhe qoftë së jashtmi në të cilën u zhvillua. Është e qartë se kryeministri në ikje po e përjeton keq e më keq verën e një vetmie të madhe, ku ka mbetur pa asnjë aleat serioz. Fillikat, si në vitin 1997, i rrethuar nga qorra dhe nga mercenarë, përballë një furie popullore që do t’i japë fund sundimit të tij me votën për një Rilindje Shqiptare në 23 qershor. Në panikun e kësaj vetmie sa të madhe aq edhe plotësisht të merituar, që e bën ende më të rëndë pesha e mercenarëve, Saliu shkatërroi institucionin e administrimit të zgjedhjeve, duke zgjedhur rrugën më të keqe për t’u larguar nga pushteti. Rrugën, që njollos me turpin më të madh atë vetë si një maniak recidiv kundër votës së lirë. Rrugën, që njollos me turpin më të madh çdo njërin nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që e ndoqi dje deri në fund, qorrazi, njësoj si në atë votimin e dëshpëruar të marsit ‘97 që ishte dhe epilogu i një pushteti që qëndron në këmbë vetëm në kokën e tij. Rrugën, që fatkeqësisht turpëroi edhe njëherë shtetin shqiptar, turpëroi mbarë Shqipërinë në sytë e botës jo për faj të shqiptarëve, po për fajin e Saliut. Për ne, megjithatë, s’ka asnjë ndryshim dhe asnjë ngurrim. E kemi ditur qysh në krye të herës se kë kemi përballë. Tanimë e dinë qartë të gjithë ata që e ushqenin edhe ndonjë iluzion se kë ka Shqipëria në qafë. E dinë po ashtu, se sot jemi më të fortë se asnjëherë dhe si asnjëherë më parë të gjitha manovrat e paligjshme të Saliut nuk kanë asnjë shans ta ndryshojnë fatin e zgjedhjeve.

E dimë se ku jetojnë, çfarë presin prej nesh dhe si t’i sjellim në votim njerëzit që do ta shporrin këtë pushtet familjar, duke ja hequr Shqipërisë njollën e turpit nga fytyra në 23 qershor. Por, sigurisht që e dinë edhe se nuk ka vend për nënvlerësim, por për vlerësim të qartë dhe për vendime të përbashkëta të të gjithë opozitës, në lidhje me çdo hap që do të hedhim drejt largimit me votë të një kundërshtari që ka vendosur të bëjë çdo të pabërë kundër interesit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, tanimë dhe kundër vetë Amerikës dhe Europës, për të qëndruar në një pushtet që do të rri në këmbë deri në 23 qershor falë këmbës së Saliut dhe tre këmbëve të marra nga rruga e mercenarizmit.

Por, një gjë duhet ta dëgjojnë shqiptarët edhe sot: 

Edhe sikur në shtëpi t’i numërojë votat Saliu do të largohet nga pushteti me një votë plebishitare, që nuk e mbyll dot më brenda në kuti bashkë me Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. 23 qershori është dita kur Shqipëria do të vendosë dhe asgjë nuk do ta ndalë dot në vendimin e vet sovran.