Eliminatoret e Botërorit, grup “ferri” për kombëtaren e femrave

68

Foto kombetarja e femrave (1)Kombëtarja shqiptare e femrave në futboll ka mësuar kundërshtarët e saj në eliminatoret e Botërorit “Kanada 2015”. Sipas shortit të hedhur në Nion të Zvicrës, Shqipëria do të bëjë pjesë në Grupin 5 dhe nuk do të ketë përballje aspak të lehta, kur dihet se merr pjesë për herë të parë në këtë kompeticion.

Kundërshtarët e skuadrës që drejtohet nga Altin Rraklli janë nga emrat më të mëdhenj në futbollin për femra, përfshirë Norvegjinë, kampione e botës në vitin 1995, ndërsa Holanda, Belgjika, Portugalia dhe Greqia kompletojnë grupin e “ferrit”.

Ndeshjet eliminatore do të zhvillohen nga 20-21 shtator 2013 deri më 17 shtator 2014, me sistem vajtje-ardhje. 38 skuadrat evropiane janë ndarë në shtatë grupe, ku vetëm fituesit do të shkojnë direkt në Kanada, ndërkohë që katër vendet e dyta më të mira do të luajnë ndeshje “play-off”-i për dy biletat e fundit. Në finalet e Botërorit do të marrin pjesë 24 skuadra. Finalet do të zhvillohen nga 6 qershori deri më 5 korrik 2013, në Edmonton, Monkton, Montreal, Otava dhe Vankuver.

Për vajzat kuqezi kjo është hera e parë që marrin pjesë në eliminatoret e një Botërori, por tashmë e kanë një përvojë modeste ndërkombëtare. Pak ditë më parë, Shqipëria fitoi me Letoninë (2-0) dhe Luksemburgun (2-1), ndërsa barazoi me Maltën (1-1), në ndeshjet paraeliminatore, duke kapur vendin e dytë në grup. Në shtatë ndeshje ndërkombëtare, tri zyrtare dhe katër miqësore, Shqipëria ka arritur gjashtë fitore dhe një barazim.

Shorti i eliminatorit të Botërorit 2015

GRUPI 1: Gjermania, Rusia, Irlanda, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia

GRUPI 2: Italia, Spanja, Çekia, Rumania, Estonia, Maqedonia

GRUPI 3: Danimarka, Islanda, Zvicra, Serbia, Izraeli, Malta

GRUPI 4: Suedia, Skocia, Polonia, Irlanda e Veriut, Bosnje-Herzegovina, Ishujt Faroe

GRUPI 5: Norvegjia, Holanda, Belgjika, Portugalia, Greqia, Shqipëria

GRUPI 6: Anglia, Ukraina, Bjellorusia, Uellsi, Turqia, Mali i Zi

GRUPI 7: Franca, Finlanda, Austria, Hungaria, Bulgaria, Kazakistani