Si të deshifrojmë gjuhën e trupit

foto ilustruese
foto ilustruese

Siç e dimë të tërë, komunikimi është i rëndësishëm në shoqëri. Përparimet në teknologji kanë transformuar mënyrën, se si ne komunikojmë me të tjerët, në botën moderne. Për arsye të botës teknologjike, kemi harruar se, sa e rëndësishme është komunikimi ballë-për-ballë. Kur komunikojmë, nuk është vetëm ajo çfarë ne themi që ka rëndësi, por edhe gjestet jo verbale, të cilat flasin po aq, sa edhe fjalët.

Gjuha e trupit është një gjuhë më vete. Të gjithë kemi veçori dhe zakone, që janë thuajse personale. Çfarë tregon gjuha  e trupit për ju dhe si mund të kuptojmë më shumë nëpërmjet gjuhës së trupit?

Kur flasim me një person, informacioni që marrim mund të shpërndahet në:

–       10% çfarë personi aktualisht thotë

–       40% nga toni dhe shpejtësia e zërit

–       50% nga gjuha e trupit

Çfarë  tregojnë lëvizjet e kokës ?

Ulja e kokës mund të sinjalizojë një mungesë besimi. Nëse dikush e ul kokën kur ju bën një kompliment, kjo tregon se ai mund të  jetë i turpshëm ose i ndrojtur.

Prekja ose kapja e veshit mund të tregojë pavendosmëri.

Një buzëqeshje e sinqertë përfshin tërë fytyrën dhe në mënyrë të dukshme sytë.

Një buzëqeshje e rreme, angazhon vetën buzët.

Përkulja e kokës mund të simbolizojë interes për diçka, ose për dikë.

Nëse koka është shumë e përkulur, atëherë kjo mund të tregojë një shenjë simpatie.

Mbyllja e syve ose shtypja e kurrizit të hundës, shfaqet kur kemi një vlerësim negativ.

Kur auditori miraton me kokë, ky është një mesazh pozitiv dhe tregon shfaqje vëmendjeje dhe interes.

Gjithsesi kur kjo lëvizje ekzagjerohet, tregon që auditori e ka humbur interesin e tij, por s’do të tregohet i pasjellshëm.

Prekja ose fërkimi i hundës mund të tregojë dyshim ose refuzim të një ideje.

Tërheqja e mjekrës në drejtim të tjetrit, mund të tregojë përçmim.

Vendosja e njërës dore mbi faqe, bëhet, kur je duke u menduar ose reflektuar dhe duke përkëdhelur mjekrën, mund të tregojë se personi po përpiqet të marrë një vendim.

Sytë

Ulja e syve mund të transmetojë frikë, fajësim ose nënshtrim.

Ulja e vetullave dhe tkurrja e syve ilustrojnë një tentativë për të kuptuar atë çfarë po thuhet apo atë çfarë po ndodh.

Një mungesë besimi ose kuptimi mund të shfaqet, kur ju  nuk e shikoni personin tjetër në sy.

Kemi tendencë të përplasim qepallat, kur jemi nervozë ose kur përpiqemi të vlerësojmë dikë.

Nëse ju shikoni direkt në sytë e tjetrit, kjo shfaq vetësiguri.

Sytë e mëdhenj ose të hapur tregojnë më shumë se interes në një subjekt ose ndaj një personi.

Nëse  jeni të irrituar nga një vërejtje e bërë nga një person tjetër ose përgjatë një bisede, sytë bëjnë një lëvizje të shpejtë anash.

Fiksimi i syve ndaj dikujt, mund të jetë një gjest agresiv ose sugjeron, që ai që fikson sytë, ndjehet dominues.

Kur i kërkoni ndihmë memories, sytë tuaj shkojnë lart djathtas.

Kur sytë shkojnë në drejtimin sipër, kjo tregon se tjetri po mendohet.

Kontakti me sy shkëputet, nëse dikush ndjehet i fyer nga tjetri.

 

Pjesa e sipërme e trupit

Të shtysh shpatullat mbrapa, është shenjë fuqie dhe kuraje.

Të mbash krahët hapur është shenjë, që tregon se jemi të hapur me personin dhe të gatshëm për të diskutuar.

Kur kryqëzojmë krahët tregon, se ka një barrikadë midis tyre dhe personave të tjerë (apo atyre që e rrethojnë) dhe shfaq pakënaqësi.

Kur krahët vendosen pas qafës, tregon se personat janë të hapur ndaj asaj, çfarë është diskutuar dhe janë të interesuar për të dëgjuar më tej.

Të flasësh duke ngritur gishtin tregues, është  shfaqje agresioni ose shenjë afirmimi i vetvetes.

Të prekësh pjesën e përparme të qafës mund të tregojë, që dikush është i interesuar dhe i interesuar në atë çka tjetri është duke thënë.

Lëvizjet e duarve që shkojnë në drejtimin nga jashtë dhe përbrenda, tregojnë mesazhe pozitive dhe të hapura.

Pëllëmbët e duarve, që hapen për së jashtmi tregojnë dëshirë për të përfunduar dhe mosafrim.

Nëse gishtat janë kryqëzuar ose majat e gishtave janë shtypur së bashku, tregon përgjithësisht që tjetri po mendon dhe vlerëson.

Nëse ofrohen ide ndaj tjetrit, shpesh here pjesët e brendshme të pëllëmbës janë të puqura njëra me tjetrën dhe gishtat të shtrirë të tendosur.

 

Pjesa e poshtme e trupit

Vendosja e duarve në ije, mund të tregojë zell për të bërë diçka dhe përgatitje (shpeshherë mund të jetë dhe shenjë agresioni)

Kur ijet shkojnë përpara dhe ne tërhiqemi mbrapa mund të tregojë se ndjehemi të fuqishëm ( ndonjëherë mund të jetë dhe një veprim sugjestiv)

Qëndrimi në këmbë, kur këmbët janë në mënyrë të barabartë të larguara nga njëra tjetra tregon fuqi dhe dominim.

Kur jemi ulur me këmbë të hapura, është shenjë e ndjesisë së sigurisë në ambientin që ndodhemi.

Kur këmbët kryqëzohen kjo tregon shumë gjëra: jemi të lirshëm, komfort ose në pozicion mbrojtës, sipas shkallës së tensionit, që shfaqin muskujt e këmbës.

Kur ju kryqëzoni këmbët drejt një personi tjetër, ju tregoni më shumë interes ndaj tyre, kur ato ndërkohë janë të pozicionuar drejt një tjetër këndi.

Një pozicion që tregon besim në vetvete dhe fuqi, është kur këmbët janë të kryqëzuara dhe  kyçi i këmbës është poshtë gjurit dhe vice versa.

Nëse këmbët janë të kryqëzuara dhe këmba juaj lëviz, tregon se ju jeni duke u mërzitur ose, se po humbni durimin.

 

marrë nga stumbelupon

 

Pragu që ndan pragmatizmin nga morali

Nga Lirim Nezha

Ps-LSINë pamje të parë duket sikur debati rreth “martesës” PS-LSI po fashitet dhe do të fashitet edhe më tej. Deri më 23 Qershor do të rrjedhë shumë ujë dhe populli i mësuar me sentencën e njohur “o me ne o kundër nesh” ka per të shkuar në rresht para kutisë së votimit. Të paktën kështu kanë menduar partnerët e rinj të ideologjisë së vjetër dhe të përbashkët. Mund të jetë edhe kështu! Militantët në jo pak raste kanë dëshmuar se përdoren lehtë nga politika, por kjo nuk mund të thuhet apriori për të gjithë shqiptarët. Militantët janë të pakët në raport me votën e ftohtë dhe të arsyeshme të masës së madhe të shqiptarëve, të cilët nuk presin që jeta e tyre të ndryshojë drejtpërdrejtë prej përfitimeve që sjell pushteti, por që presin që sistemi politik dhe konfigurimi i tij të sjellë një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme e cila, jo vetëm të mendojë për të sistemuar dhe shpërblyer  militantët, por të ketë një vizion të qartë për ta çuar vendin përpara.

Por a ka gjasa që kjo të ndodhë me ardhjen hipotetike në pushtet të aleancës së përdhosur PS-LSI? Askush, as vete Edi Rama dhe Ilir Meta me spërdredhjet e tyre për të na i paraqitur këtë çorbë si të ngrënshme dhe si një gjest në të mirë të vendit (vetëm në të mirë të vendit nuk mund të jetë), dhe as ushtria e opinionistëve, të cilët për hir të së vërtetës, edhe ata më të flaktët mbështetës të së majtës, kanë ngurruar ta paraqesin në analizat e tyre si një veprim që përçon entuziazëm tek e majta, nuk e kanë besuar dhe nuk e besojnë këtë. Pa folur pastaj për njerëzit e thjeshtë të cilët e përjetuan shumë keq një lëvizje të tillë, ndonëse, për hir të së vërtetës e kishin kritikuar më parë Ramën për pamundësinë, por edhe për mungesën e dëshirës për të ribashkuar të majtën.

Me këtë lëvizje ju tha shqiptarëve hapur se të tilla aleanca, qofte ajo PD-LSI, qoftë edhe kjo e fundit PS-LSI-i, shërbejnë më së shumti për ta përdorur pushtetin e ndarë në disa copa për të kënaqur orekset e militantëve dhe mbështetësve shpesh herë edhe te kriminalizuar. Historitë me integrim i përkasin tashmë arkeologeve sikurse i pëlqen Metës t’i adresojë. Ndarja e tortës me bllok në dorë nuk ka më nevojë për kamera të fshehta të inkorporuara në orenditë shtëpiake. Ajo tashmë po bëhet hapur, paçka se nëpër ekrane vazhdojnë të na hapin barkun “argumentet” se te gjitha fajet i ka Saliu.

Te gjithë e dinim dhe e mendonim atë shprehjen që e cilëson politikën si të përdalë, por gjithashtu të gjithë kishim shpresuar se degjenerimi nuk do të bëhej kaq publik, dhe aq më pak të na paraqitej si virtyt e ngjarje historike që bashkon të majtën në funksion të rrëzimit të një njeriu që e ka emrin Sali Berisha. Madje Rama e quajti një mal, një digë që i ka dalë para lumit të votave të majta e që nuk i lë të vijnë në pushtet. Harron Rama se duke e quajtur mal i amplifikon vlerat pushtetit të sotëm dhe të liderit të PD-së. E bën atë të shfaqet aq i pamposhtshëm sa edhe të gjithë së bashku kundër tij t’i kenë frikën. E pra, edhe e djathta në pushtet ka motive ta rikërkojë pushtetin, madje edhe mundësi ta rimarrë atë, madje edhe me më shumë moral tani që nuk është më në koalicion me Metën. Por këto shanse rriten sa kohë e majta e ka fshirë krejt pragun që ndan pragmatizmin politik nga morali politik, paçka se janë të dyja të domosdoshme në një shoqëri civile.

Shqipëria vetëm kështu nuk mund të rilindë!

Kuvend: 71 vota pro Komisionit Hetimor Parlamentar ndaj Ramës

16644890Partia Demokratike miraton me 71 vota pro ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar ndaj liderit të opozitës Edi Rama. Deputetët e PS, LSI, PBDNJ nuk ishin të pranishëm në Kuvend. Komisioni Hetimor ndaj Edi Ramës, do të drejtohet nga deputeti demokrat Fatbardh Kadilli.

Subjekti i Komisionit do të jetë incidenti i ndodhur në Vjenë, midis djalit të Neritan Cekës, diplomat në Vjenë dhe liderit opozitar Edi Rama. Sipas informacioneve të bëra publike, Egin Ceka, nuk ka qenë i ftuar në aktivitetin e liderit opozitar. PS ka deklaruar, se incidenti ishte provokuar nga djali i diplomatit Neritan Ceka, i cili po si i ati i emëruar ne Rome, është i emëruar në Vjenë në funksionin e diplomatit. Sipas PS, këto nepotizma dhe emërime familjare nëpër ambasada kudo në botë, do të marrin fund njëherë e mirë më ardhjen e opozitës në pushtet.

Ndërkohë PD ka pretenduar, se diplomati është qëlluar me grusht nga lideri Rama dhe se, ky është akti më i pafalshëm në gjithë historinë e kombit shqiptar dhe se, për këtë Rama duhet të hetohet.

Neritan Ceka ka pretenduar gjithashtu, se lideri Rama ka guxuar të shkulë prej veshi historinë shqiptare, pasi ai dhe djali i tij vijnë nga familje shumë të shquara shqiptare, që kanë bërë histori në këtë vend.

E rrallë: një vajzë e vogël, mes egërsirave në Afrikë

E lindur në Afrikë, vajza e dy fotografëve francezë, Tippi Degré ka pasur një fëmijëri të pazakontë. Ajo u rrit në shkretëtirën Afrikane dhe u lidh në mënyrë të pazakontë me kafshët, duke bërë shokë shumë prej tyre, një elefant 28 vjeçar, një luan, një gjirafë, një krokodil etj. Afrika ishte shtëpia e saj për shumë vite dhe ajo thoshte, se nuk kishte shokë atje, sepse nuk shikonte ndonjëherë fëmijë, kështu që u miqësua me kafshët. Prindërit e saj, Alain Degré dhe Sylvie Robert, dokumentuan gjithçka duke bërë dhe një film dhe janë shprehur, se ajo i imagjinonte ato sikur të kishin të njëjta përmasa me të dhe se ishin shokët e saj, ajo përdorte imagjinatën e saj për të jetuar në këto kushte të tjera.

Stumbelupon

Posted in Nature/ Africa, Tippi Degré, wildlife

wildlife_10

wildlife_5

wildlife

wildlife_3

wildlife_1

 

wildlife_2

 

 

wildlife_16

PS: verifikoni emrat në, www.votoj.com

unevotojKryetari i PS Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të Partisë Socialiste në emigracion, të ardhur kryesisht nga Greqia dhe Italia. Kryetari Rama, në fjalën e tij i informoi përfaqësuesit e PS në emigracion për zhvillimet më të reja brenda kampit opozitar për strategjinë zgjedhore, si dhe kërkoi prej tyre një angazhim akoma më të madh për zgjedhjet që po afrohen. Duke vlerësuar punën e bërë për zgjerimin dhe konsolidimin e strukturave të PS në vendet fqinje, kryetari Rama shprehu sigurinë se emigrantët do të kthehen masivisht në Shqipëri për të votuar vizionin e PS për rimëkëmbjen e vendit.

“Asnjë herë më parë nuk ka pasur Partia Socialiste një strukturë kaq solide dhe efektive në emigracioni, dhe kjo është sigurisht falë punës dhe dedikimit tuaj, dhe falë patriotizmit që të gjithë ju shprehni duke mos harruar vendin prej nga keni ardhur. Shpresoj shumë që gjithë kjo përpjekje e bërë për më shumë se dy vjet për të organizuar gjithë këtë rrjet njerëzisht në funksion të zgjedhjeve do të na japi një vlerë të shtuar në rezultatin e 23 qershorit. Kam shumë besim që angazhimi juaj dhe eksperienca e shumë prej jush që kanë kohë që merren me këtë punë do të na e mundësojë që votat e emigrantëve këtë herë të jenë realisht vendimtare sidomos në qarqet ku mund të luajë një rol shumë të madh. Siç ju e dini më mirë sesa të tjerët dhe është pjesa që ju duhet ta përcillni edhe tek të tjerët, ne jemi përpjekur dhe kemi shkruajtur një program për emigracionin që nënkupton disa ndryshime të rëndësishme. Për këto ndryshime unë dëshiroj që ne të punojmë së bashku pas 23 qershorit, kur fitorja do të na japi mundësi që të kemi më shumë lehtësira për të punuar së bashku,” ka theksuar Kryetari i PS.

Në vijim të takimit, Nënsekretari i PS për Emigracionin dhe Rininë, Genci Kojdheli, prezantoi platformën e Partisë Socialiste për emigrantët, duke u fokusuar tek propozimet konkrete të Programit si ajo e mundësimit të votës jashtë kufijve, zgjidhja e problemit të mosnjohjes nga autoritetet italiane e greke të sigurimeve shoqërore e shëndetësore që janë paguar prej emigrantët ndër vite, krijimin e një fondi shtetëror për garantimin e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve, rikonfigurimin e shërbimit diplomatik e konsullor shqiptar në frymën e profesionalizmit dhe aftësisë, si dhe lehtësirat fiskale e tatimore për emigrantët të cilët duan të kthehen e të investojnë kursimet e tyre në ekonominë shqiptare.

Duke mbyllur takimin, Sekretari i PS për Rininë dhe Emigracionin, Z. Erion Veliaj, bëri një përmbledhje të punës dhe arritjeve të bëra në vitet e fundit nga strukturat e PS në emigracion, dhe shprehu besimin se vota e emigrantëve do të jetë përcaktuese në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme nga Partia Socialiste.

“Votoj.com është faqja ku çdo anëtar, çdo njeri që do angazhohet, çdo njeri që do marri mundimin të vijë të ketë mundësi të verifikojë emrin dhe të ndjehet i sigurt që do ta gjejë emrin në listë përpara sesa të niset”, ka nënvizuar Veliaj.

Kukësi, 6 gola Flamurtarit për Evropën

Kukesi 2U luajtën sot ndeshjet e javës së 24-t të Kategorisë Superiore, në të cilat u regjistruan rezultate surprizë. Kukësi ka fituar me rezultatin e thellë 6-1 në fushën e vet me Flamurtarin, duke ruajtur vendin e dytë, që i siguron pjesëmarrjen në Europa League.

Në minutën e 8-të Allmuça zhbllokon shifrat me anë të një 11-metërshi të gjuajtur saktë, ndërsa është përsëri mesfushori kryeqytetas që në të 22’ shënon dhe golin e dytë. Në 45 minutat e dyta kuksianët shënojnë dhe katër herë të tjera, ndërsa golin e nderit për vlonjatët mban firmën e Gjergji Muzakës.

Me këtë fitore Kukësi është pranë arritjes historike, pjesëmarrjes për herë të parë në një kompeticion evropian, ndërsa këtij objektivi i largohet Flamurtari.

Në ndeshjet e tjera, Teuta fitoi 2-1 në transfertë me Bylisin, duke hedhur një hap të sigurt drejt Evropës, ndërsa Tirana frenohet në një barazim pa gola në “Loni Papuçiu” me Apoloninë. Besa me fitoren 1-0 në Shkodër siguron mbijetesën, ndërsa Shkumbini me humbjen po 1-0 në Laç, zbret automatikisht nga kategoria.

Në Gjirokastër, përballja mes dy ekipeve që e kanë prerë biletën për në Kategorinë e Parë përfundoi në barazim 2-2.

Merr fund sekreti bankar në Luksemburg

foto flickr.com
foto flickr.com

Më 1 janar 2015, do të jetë fundi zyrtar i sekretit bankar në Luksemburg.

Sekreti bankar, ka të bëjë me një detyrim të bankierit tuaj, që të mos i komunikojë palëve të treta, informacionet konfidenciale, që kanë lidhje me ju. Sekreti bankar, nuk është aspak i krahasueshëm me sekretin profesional, psh. të  mjekut apo avokatit. Një bankier, nuk mund të paditet në një gjykatë penale, për dhunim të sekretit profesional. Ai mund të paditet vetëm për dëme dhe interesa, që mund ti ketë shkelur në nivelin e një marrëdhënie kontraktuale, që e lidh me ju si klient.

Më 1 korrik 2011, Belgjika kishte vendosur të rishikonte sekretin bankar. Ajo u fut në këtë mënyre në kuadrin e direktivës europiane mbi kursimet, që synonte luftën ndaj mashtrimit fiskal dhe parajsave fiskale. Teksti i ri ligjor, kishte për qëllim të thjeshtësonte hetimet pranë bankave. Më shumë se një heqje totale e sekretit bankar në Belgjikë, bëhej fjalë për një krijim fleksibiliteti të konsiderueshëm.

Përpara korrikut 2011, zyra e Fiskalitetit, nuk mund të ndërmerrte hetime pranë bankave, nëse dyshonte në ekzistencën e një ’mekanizmi mashtrimi’, që implikonte një sërë aktorësh. Hetimet mbi një tatimpagues të veçantë, ishin të rralla. Përveç të tjerash, zyra e Fiskalitetit duhet të kalonte detyrimisht nëpërmjet instancës juridike, e cila ishte e vetmja, që kishte akses në historikun e llogarive bankare të një tatimpaguesi. Që prej  1 korrik 2011, administrata fiskale mund të dekretojë heqjen e sekretit bankar, nëse, përgjatë një hetimi, ajo zbulon një apo dy tregues të mashtrimit fiskal, ose nëse ajo synon të përcaktojë bazën e taksueshme të një tatimpaguesi, për arsye të ’shenjave dhe indikatorëve tregues’. Banka duhet në këtë mënyrë, të furnizojë pa kufizime, të gjitha informacionet e kërkuara, nga administrata fiskale.

Luksemburgu do të shkëmbejë informacionet

Mbi bazën e direktivës europiane, Shtetet Anëtare, që prej 1 korrikut 2005, kanë mundësi zgjedhje përmes dy opsioneve:

–        Të zgjedhin mbajtjen e një përqindje nga burimi: pra vendi, ku ju do të fusni interesat tuaja, do t’ju mbajë direkt një shumë prej 35%. Shteti mban çerekun e kësaj shifre dhe i derdh tre të katërtat e shumës përkatëse, vendit të rezidencës së tatimpaguesit. Shtrenjtë? Po, por formula lejon ruajtjen e anonimatit në raport me vendin e rezidencës.

–        Të zgjedhë shkëmbimin e informacionit: Shtetet Anëtare do të informojnë njëra tjetrën, për interesat e kontribuuesve që kanë depozituar në bankat e tyre.

Deri në fund të 2014, Luksemburgu, do të vazhdojë aplikimin e opsionit të parë, pra mbajtjen nga burimi të shumës 35%. Duke nisur nga 1 janar 2015, do të praktikohet shkëmbimi i informacionit.

marrë nga plus.be Magazine

autor Jocelyne Minet

 al. bl

PS: degradim i plotë i trupës diplomatike shqiptare

selia-sssPas depozitimit të kërkesës së demokratëve për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, kundër liderit opozitar socialist Rama, ka reaguar edhe Departamenti i Komunikimit në Partinë Socialiste:

‘’Partia Socialiste shpreh keqardhje për nivelin banal ku ka rënë Ministria e Jashtme dhe trupi diplomatik shqiptar. Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje: Dialogu prej më shumë se dy orësh i një audience të nderuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Pas takimit djali i Neritan Cekës,që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike. 

Ndërkohë sot, Ministria e Jashtme vazhdoi avazin e saj të propagandës antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një “diplomati” që s’është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit.’’

Meta: askush nuk mund të ndalë rotacionin

metaKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Komitetin Drejtues të LSI-së në qytetin e Kavajës. Qëllimi i këtij takimi ka qenë diskutimi për përgatitjen e LSI-së së Kavajës për zgjedhjet e 23 qershorit.

“Vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, ka nevojë për një balancë të re pushtetesh, ka nevojë për një realizëm shumë më të madh për të përballuar problemet e mëdha ekonomike, financiare dhe sociale. Ka të bëjë me garantimin e një të ardhmeje të sigurt evropiane të vendit tonë. Një e ardhme, e cila ka qenë e cenuar nga zvarritja dhe nga stanjacioni që ka përjetuar procesi i integrimit evropian, ku siç vihet re nga dita në ditë një burim i madh i këtij ngërçi ka qenë dhe mbetet përqendrimi i pushteteve në duart e një force politike të vetme. Pra rotacioni është bërë i domosdoshëm, është bërë i paevitueshëm dhe është tashmë një emergjencë të cilën do ta zgjidhim të gjithë së bashku me votën e 23 qershor”, tha z. Meta.

Duke folur për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se ky koalicion është më i madhi në historinë e vendit dhe është një koalicion gjithëpërfshirës.

Sipas tij është një koalicion që i shërben të gjithë vendit, të ardhmes së tij evropiane. “Ky koalicion është më i madhi në histori, është një koalicion gjithëpërfshirës, jo thjesht për të garantuar fitoren, sepse fitorja është e sigurt, por se edhe fryma e bashkëpunimit nuk duhet të jetë thjesht në kornizën PS-LSI, por te të gjitha forcat që duan të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë.

‘’Mendoj se domosdoshmëria e këtij koalicioni vjen nga interesi i brendshëm dhe nga një domosdoshmëri që vendi të kalojë në një fazë më të lartë, të një stabiliteti më solid, por edhe të një perspektive më të shpejtë evropiane. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët, jam i bindur që do të sjellin një ritëm të ri në reformimin e vendit, institucioneve, të ekonomisë dhe të shoqërisë sonë, me qëllim integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian”, tha ndër ndër të tjera në fjalën e tij në takimin e zhvilluar me Komitetin Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kavajë, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.

Fobia e të qëndruarit në shtëpi, çfarë fshihet pas saj?

foto ilustruese
foto ilustruese

Për disa vetmia është sinonim i qetësisë dhe i pjekurisë. Për të tjerë, sinonim i trishtimit dhe i braktisjes….Nga vjen kjo pabarazi, përballe mundësisë për të qëndruar vetëm ?

Kapaciteti për të qëndruar vetëm, ndërtohet përgjatë fëmijërisë? Psikiatri Daniel Bailly, thekson se ankthi i ndarjes, i lidhur me mungesën e mamasë, është një e dhënë normale në zhvillimin e fëmijës. Kjo prezanton një kulm, midis periudhës 8 deri në 11 muaj, pastaj ndryshon gradualisht. Normalisht drejt 18 muajve, fëmija kupton që mamaja, edhe kur ai nuk e shikon atë, ajo vazhdon të ekzistojë dhe se, do të kthehet sërish. Duke pritur kthimin e saj, ai ngushëllohet, duke menduar për të. Me kusht, që ai të ketë krijuar me mamanë e tij një marrëdhënie mjaftueshëm të mirë, solide dhe të sigurt.

Sipas psikoanalistëve, ato që e përjetojnë keq vetminë, shpesh kanë vuajtur nga mungesa afektive të parakohshme: ose sepse kanë pasur një ndarje reale me mamanë, që e kanë përjetuar si një traumatizëm (udhëtim profesional, shtrim në spital, etj), ose sepse mamaja ka qenë fizikisht prezent, por mendërisht mungonte, sepse ishte në mendime depresive, ose të ankthshme. Fakti i të qëndruarit vetëm, ringjall dhimbjen e mungesës së hershme mëmësore. Këto persona të rritur, kanë nevojë që dashuria e të tjerëve t’ju kujtohet fizikisht, që ato ta besojnë atë. Në raste mërzie, apo trishtimi ato nuk mund të kujtojnë imazhe të brendshme mikpritëse të prindërve të tyre, të miqve të tyre. Ato nuk kanë brendësuar faktin sigurues, që mund të kemi njëri për tjetrin, edhe pse të ndarë me mijëra km larg.

Një marrëdhënie e vështirë me vetminë, mund të jetë e lidhur po ashtu me frikën, fobinë. “ Këtu gjendemi në një regjistër nevrotik shqetësues”, nënvizon psikiatri  Patrice Huerre. Vështirësia për të qëndruar vetëm, është rezultati i dukshëm i një tjetër frike, që nuk njihet si e tillë: frikë nga heshtja, nga errësira dhe kryesisht frikë nga vetvetja, të gjendesh ballë për ballë me botën tënde të brendshme! Tjetri, këtu shndërrohet në objekt ‘kundërfobik’ që siguron dhe lejon luftimin e ankthit, ekuivalenti i një ‘qetësuesi’ në përgjithësi! Në prezencën e tij evitojmë të menduarit, ndaj asaj që kemi frikë, ndaj dëshirave tona, pasigurive tona, fantazmave, etj.

Kjo, mund të jetë gjithashtu e lidhur me frikë objektive, me një traumatizëm real, edhe pse në përmasa të vogla, (të jesh ndjekur nga një i panjohur në parking, të jesh kërcënuar në telefon, të jesh sulmuar në metro, etj). Një person që ka qenë sulmuar, do ketë frikë se mos ngjarja përsëritet, nëse ai do të qëndrojë vetëm, sërish. Si përfundim, çdo person e përballon pak a shumë mirë vetminë, dhe të gjithëve na ndodh ti arratisemi përballjes me vetveten, për tu lodhur nga zhurmat e botës. E rëndësishme është të alternojmë momentet e vetmisë dhe momentet e varësisë: kjo tregon pikërisht pjekurinë afektive.

Çfarë duhet të bëjmë?

Duhet të deshifrojmë shqetësimet tona

Duhet të mësohemi të ‘vëzhgojmë’: analizoni çfarë ka ndodhur, vlerësoni emocionet dhe shkruani të gjitha mendimet negative, që ju përshkojnë. Ikja ndaj problemit nuk ju zgjidh gjë. Është më mirë të kërkoni në të kaluarën tuaj momentet e vetmisë, që ju kanë provokuar trishtim dhe ankth. Duhet të lokalizoni gjurmën emocionale, skema njohëse e kaluar, e cila përsëritet në të tashmen.

Të përpiqemi të mësohemi gradualisht

Qëndroni vetëm në apartament për të praktikuar një aktivitet që ju pëlqen : dëgjoni një pjesë të preferuar muzike xhaz, telefononi dikë, këndoni, pikturoni….Vetmia në këtë mënyrë do të shoqërohet me një emocion pozitiv. Në fillim, disa minuta vetmi mjaftojnë. Duhet të mësoheni gradualisht, sepse në të kundërt frika rrezikon të përforcohet. Të arrini të qëndroni shumë orë, pa u dominuar nga ankthi, ju jep besim dhe optimizëm. Nuk keni më nevojë, veçse të testoni situata të tjera ‘delikate’ si të shkuarit në kinema, ose të ikni në pushime vetëm.

Në çift : unë, me ose pa ty

Sipas Serge Hefez, terapist çiftesh, partnerët zgjidhen në mënyrë të heshtur, sipas kapacitetit të tyre të autonomisë dhe të shkrirjes. Në terapi, punojmë fillimisht mbi ‘programin zyrtar’ të shprehur mbi çiftin. Njëri gjithmonë ankohet : “Ai s’merret me mua, unë jam gjithmonë vetëm.” Tjetri arratiset: “Ajo më mbyt, kam nevojë për pak ajër.”

Kur kalojmë në procese të pandërgjegjshme, vërejmë se si njëri edhe tjetri janë të varur emocionalisht. Interesi është të futet një ndryshim në marrëdhënie, të gjendet distanca e duhur, as shumë e afërt e as shumë e largët. Atëherë, autonomia e tjetrit nuk përjetohet, si një braktisje por si një lidhje e një cilësie më të mirë.

Dëshmi :

Virginie, 26 vjeç, tregtare : “Nëse  nuk kam parashikuar asgjë për darke, kam ankth’. Çdo mbrëmje, parashikoj një restorant, kinema me miqtë. Nëse nuk kam asnjë plan, fillon ankthi. Qëndroj në zyrë, deri sa të gjithë largohen, edhe nëse nuk kam asgjë për të bërë. Nuk e përballoj dot të kthehem në një shtëpi bosh. Refleksi i parë : hap televizorin. Nuk e shikoj, por duket sikur është dikush në shtëpi dhe më zë gjumi me të. Më mblidhet një si lëmsh në stomak, dhe s’mund të gëlltis asgjë, eci nga dhoma në sallon si një shpirt i vetmuar.

Fransua, 32-vjeç farmacist : E urrej faktin qe Maria del vetëm pa mua, edhe qoftë kjo për një orë. Qëkur kam Takuar Marinë, jemi të pandashëm. Kam nevojë të mbaj dorën e saj shtrënguar me timen, ta shikoj, t’i dëgjoj zërin. Është budallallëk, por kam inat që ajo del pa mua, edhe për një orë. Kam përshtypjen sikur më braktis. S’bëj asgjë, thjesht pres kthimin e saj. Fatmirësisht kam qenin tim ! Në fakt që kur jam vetëm, kam përshtypjen, se nuk shërbej për asgjë, se jam zero, se nuk ekzistoj ! »

marrë nga psychologies.com

autor Catherine Marchi