Rama: Berisha nuk është gati për tu përballur me hijet e të vdekurve

Rama_rilindje1Lideri socialist Rama, gjatë mbledhjes së grupit kuvendor të PS, ka deklaruar, se këto zgjedhje do te vendosin nëse, Shqipëria do të rilindë ose jo. Imazhi i Shqipërisë, sipas liderit Socialist, është ai i një vendi, që s’bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, se nuk e kapërcen dot imazhin e së shkuarës. Berisha, sipas Ramës, nuk është i gatshëm të shkojë në opozitë, sepse nuk mund të përballet dot me hijet që e ndjekin, me 4 të vrarët e 21 Janarit, me 26 të vrarët e Gërdecit e me dhjetëra të vrarë, kot e më kot.

“Ne jemi këtu, si e vetmja forcë dhe mundësi për të përmirësuar këtë imazh. Qytetarët shqiptarë, që gjenden jashtë vendit ndjehen me keq se 4 vite më parë, por edhe për qytetarët që jetojnë brenda vendit dhe ua bën më këmbëngulës idenë, se duhet te lënë Shqipërinë. Vetëm një lidership i ri, mund të hapë perspektivën, dhe ky s’mund të jetë asnjë tjetër, përveç lidershipit te Partisë Socialiste. 

Sot po përjetojmë një farsë, një Kryeministër që s’ka asgjë të mirë për të bërë, veçse të kopjojë programin e opozitës, që është angazhuar në më shumë se një vit rresht për të shkruar një program, që është qeverisës. Në këtë fazë të rëndësishme dhe delikate ne të gjithë duhet të funksionojmë si një skuadër kompakte, që duhet të bëjë betejën zgjedhore të fushatës në gjithë territorin. Askush nuk do të jetë i përjashtuar, gjithkush do të marrë përgjegjësi qeverisëse. 

Këto zgjedhje nuk do i fitojmë me 10 vota, por me një plebishit kombëtar. 

Çfarë përfaqëson degjenerimi me ulërima i Kryetares së Kuvendit. Komisoni Hetimor është veçse, një vulë turpi që i vihet në ballë Shqipërisë. Kjo tregon, se ato nuk janë të gatshëm të lënë pushtetin, nuk janë te gatshëm të përballojnë hijet, që kanë pas vetes dhe i ndjekin, hijet e 4 te vrarëve më 21 janar, hijet e 26 të vrarëve ne Gërdec, e atyre grave dhe burrave të vrarë kot më kot. Nuk janë të gatshëm të përballen me faktin, se i kanë lënë shqiptarët rrugëve, me faktin qe sot Shqipëria regjistron një shifër 57% analfabetizëm funksional. Nuk janë të gatshëm të përballen me transparencën, mbi regjistrimin e popullsisë në funksion të regjistrimit te tokës se njerëzve. Nuk janë të gatshëm të përballen me faktin se e kanë zhytur Shqipërinë në një borxh të lartë. Nuk janë të gatshëm të përballen, me faktin se çfarë fshehin ato kompani te grabitjes së tokës shqiptare, as me xhunglën kriminale, që kane krijuar ne Bulqizë, as me ato autobotet e naftës së Albpetrolit,” – ka deklaruar Rama gjatë mbledhjes së grupit Kuvendor./a.b/

 

Këto janë pjesë e një paniku, që ne na thotë vetëm një gjë, që ne jemi këtu te nxisim çdo shqiptar të dalë në zgjedhje. Vetëm me votë me një transformim demokratik të shumicës, me votë ky pushtet mund të shkërmoqet brenda 24 orëve sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.’’

 

FRD mbledh Kuvendin e parë Kombëtar: pritet publikimi i listave te deputetëve

TopiPartia Fryma e Re Demokratike, ka mbledhur në këto momente Kuvendin e parë Kombëtar, që sipas Kryetarit të FRD-së Bamir Topi, do të shënojë një fazë tjetër të intensifikimit të kontakteve me njerëzit. Sipas tij, ky është momenti që të orientohen qytetarët në një rrugë të drejtë, në mënyrë që më 23 qershor ti jepet fund politikës që deformon, politikës që tregton deputetë, politikës pa dinjitet e moral.

Në Kuvendin e sotëm FRD, sipas Topit, do të shpalosë filozofinë politike dhe programin përkatës, që ka marrë miratimin e të gjitha strukturave dhe shpreh interesat e qytetarëve.

Vetëm 3 ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, FRD mblodhi Asamblenë Kombëtare ku u miratuan: rregullorja e brendshme e FRD-së; përbërja e Komisionit të Përhershëm Statutor; miratimi i propozimit, që do t’i drejtohet Kuvendit Kombëtar të FRD-së, për mandatimin e strukturave ekzistuese në nivel qendror dhe vendor të FRD-së; miratimin e listës së plotë të kandidatëve për deputetë të FRD-së sipas propozimit të kryesisë së degëve të FRD-së.

Pritet të bëhet publike së shpejti lista e miratimit të deputetëve gjatë zhvillimit te Kuvendit të sotëm./a.b/

 

 

Rama demokratëve: çojeni në opozitë PD-në të çlirohet nga uzurpimi

ramaNë një takim me banorët e Kombinatit në Tiranë, lideri opozitar Rama, i ka bërë thirrje atyre, që të votojnë masivisht në mënyrë që të bëhen pjesë e një ndryshimi historik të nevojshëm, për të dalë nga kriza ku vendi gjendet sot. Ai ju drejtua edhe mbështetësve të demokratëve, duke u thënë se, duhet ti jepni një shans Partisë Demokratikë të shpëtojë, duke e dërguar në opozitë në mënyrë që ajo të reflektojë, për të çliruar vetveten nga një grusht që e ka uzurpuar. 

‘’Ka shumë arsye secili prej jush që të mos mjaftohet vetëm me ardhjen në votim, por çdo ditë të flasë me fqinjët, të flasë me të afërmit, të flasë me ata që ende kanë dyshime për të shkuar në votim jo vetëm, por dhe me të tjerë. Imagjinojeni se çfarë vote masive për ndryshimin dhe për Rilindjen do të vijë në 23 qershor sikur secili prej jush t’i vërë detyrë vetes që atë ditë të marrë me vete dhe dikë që nuk ka votuar herën e shkuar, që nuk ka votuar herët e shkuara, por që me votën e vet do të bëhet protagonist i një ndryshimi që për Shqipërinë do të jetë historik, ashtu siç ishte historik ndryshimi i vitit ’92, ashtu siç ishte i domosdoshëm ndryshimi i vitit ‘97, ashtu është historike dhe vota e 23 qershorit 2013 për t’i dhënë Shqipërisë një shtysë të re drejt të ardhmes së saj europiane, për t’u dhënë familjeve shqiptare një shtysë të re për të dalë nga kriza ekonomike, për të dalë nga kriza sociale, për të dalë nga kriza e besimit tek e ardhmja dhe tek ky vend. Për të hyrë së bashku në një rrugë të përbashkët ku ne do të bëjmë të mundura gjëra që sot duken të pamundura, sepse do të jemi bashkë dhe do t’i përballojmë bashkë të gjitha sfidat.’’ 

‘’Dua t’ju them dy fjalë edhe demokratëve këtu në Kombinat. Nuk janë shumicë e di, por ka demokratë. Demokratë që kanë besuar tek Partia Demokratike. Demokratë që e kanë lidhur besimin e tyre, shpresën e  tyre tek e ardhmja dhe rrugëtimin e tyre drejt së ardhmes me Partinë Demokratike. Dua t’u them, shpëtojeni Partinë Demokratike duke mos e votuar në 23 qershor. Jepini Partisë Demokratike mundësinë të rilindë edhe ajo pas 23 qershorit, duke shkuar në opozitë dhe duke bërë një reflektim të madh mbi vetveten, për t’u çliruara nga kthetrat e një grupi që përmes PD ka uzurpuar shtetin e shqiptarëve, ka uzurpuar rrugët e ekonomisë shqiptare. Ka uzurpuar të gjitha shtigjet për shoqërinë shqiptare dhe e ka kthyer Shqipërinë në një vend që është gjithmonë e më pak i jetueshëm për njerëzit e zakonshëm dhe ku përfitojnë vetëm ata që janë të lidhur me këtë pushtet klanor dhe familjar.’’/a.b/

 

 

Edi Rama deputet në Vlorë

Rama në Vlorë Foto LSA
Rama në Vlorë Foto LSA

Edi Rama zgjedh të kandidojë për deputet në Vlorë. Gazeta Dita shkruan se lideri i opozitës ka zgjedhur të kryesojë listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Vlorës. Kjo është hera e parë që kryesocialisti kandidon për deputet, pasi në zgjedhjet e vitit 2009, ai preferoi të mbante postin e kryebashkiakut të Tiranës dhe të mos ishte në listën e kandidatëve. Kandidimin e tij Rama e theksoi dhe gjatë ditës së djeshme, kur zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët.  Pikëpyetjet lidhen me vetë zotin Rama, nëse do të lërë mandatin pasi të zgjidhet kryeministër, apo do t’i mbajë të dyja?! Po t’i referohesh historisë familjare të zotit Rama, ai rezulton se është gjysmë vlonjat, duke qenë se e ëma e tij, Aneta, është nga fshati Vuno.  Në zgjedhjet e 23 qershorit, edhe kreu i mazhorancës nuk do të kandidojë në Tiranë. Në korridoret e selisë blu ka filluar të flitet se zoti Berisha do të jetë kandidat në qarkun e Durrësit, duke tentuar që të luftojë fort në atë qark, që në vitin 2009 ishte në favor të së djathtës.

Gazeta Dita E. Habilaj

Harron në xhep hamburgerin për 14 vjet

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Një hamburger i McDonald i blerë në vitin 1999, është harruar për 14 vite në xhepin e palltos së Whippe M. Rezultati është me të vërtetë i frikshëm, pas 14 vitesh hamburgeri nuk është prishur dhe duket sikur është përgatitur në çast. Ky episod i vë një pikëpyetje të madhe produkteve të Mc Donalds, të cilat reklamohen si të freskëta.

Video

Turkmenistan: Është këtu “Porta e ferrit”

Porta e ferrit, Turkmenistan
Porta e ferrit, Turkmenistan

Doni të dërgoni dikë në ferr? Dërgojeni atë në shkretëtirën Karakum, rreth 260 kilometra nga Ashgabat në Turkmenistan. Aty do të gjeni atë që është quajtur “Porta e ferrit”, e cila është një krater që digjet vazhdimisht dhe është e pamundur të fiket.

Turkmenistani është një vend i pasur me burime natyrore. Por sigurisht, kjo gropë e madhe e përjetshme në djegie nuk është vetëm një pikë me interes gjeologjik por edhe një destinacion turistik i vërtetë.

Ishte viti 1971, kur një grup gjeologësh zbuluan ekzistencën e “Portës së ferrit” fare rastësisht. Në fillim dukej thjeshtë si një krater gjigand me gazra helmuese. Norma e këtyre gazrave ishte aq e lartë që askush nuk guxonte të ndërmarrë zbritjen në gropë. Njëri nga gjeologët mendoi të ndezë gazrat, të cilat arritën deri në qytetin e afërt të Darvacës.

Tashmë që prej vitit 1971 “Porta e ferrit” djeg, falë burimit të saj të pashtershëm, gaz të djegshëm. 41 vite më vonë, askush nuk është i aftë të thotë sa gaz ndodhet akoma brenda gropës. Në fillim gjeologët menduan se gazi do të fikej për pak ditë. Për këtë motiv banorët e Darvazës e kanë quajtur këtë vend “Porta e ferrit”.

Rama gazetarëve: partia familjare e Saliut po uzurpon KQZ-në

Lideri i opozitës socialiste Rama, në një takim sot me gazetarët është prononcuar mbi shumë çështje të rëndësishme, si ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar kundër tij, mbi KQZ-në dhe kriteret për zgjedhjet e deputetëve, marrëveshjen me LSI-në, dhe me kryetarin e PDS, Paskal Milo, marrëdhënien me profesor Rexhep Qosen dhe akuzat e kryeministrit Berisha, mbi raportin e Bankës Botërore, etj.

Më poshtë do gjeni të plotë, pyetjet e gazetarëve dhe përgjigjet e liderit opozitar Rama :

Pyetje: Së pari, maxhoranca, grupi parlamentar demokrat ka nisur një komision hetimor ndaj jush lidhur me atë që është cilësuar një incident mes jush dhe diplomatit Ceka në Vjenë. Cila është e vërteta sipas jush rreth asaj që ndodhi atje dhe cila është përgjigja juaj që i drejtoni le të themi grupit parlamentar për këtë iniciativë. E dyta, lidhet me listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për deputet, sa larg nga përfundimi i asaj liste jeni. Dhe cila është përgjigjja juaj për shqetësimet e disa deputetëve aktualë mes tyre dhe anëtarë të kryesisë së PS-së që thonë që në lista po vihen individë që nuk e meritojnë.

Së pari, përsa i përket veshit. Dua të shprehem shumë i kënaqur që mora medaljen e radhës nga Partia Demokratike dhe nga kryetari i saj, që do të thotë komisionin hetimor të radhës. Edhe pse më duhet të them që nga komisioni hetimor, në komision hetimor, në komision hetimor ka një degradim të vazhdueshëm siç është rrënimi i përgjithshëm i qeverisjes, rrënimi i përgjithshëm i rrugës logjike të komunikimit me popullin dhe me opozitën, rrënimi i përgjithshëm i vetë PD-së që sot është një parti familjare. Përsa i përket pastaj përmbajtjes ka vetëm një përgjigje. Kam parë se ka pasur një mbështetje shumë të madhe publike në rrjetet sociale propozimi i artistit të njohur shqiptar Fate Velaj për ta shpallur 24 prillin ditën kombëtare të shkuljes së veshit. Do ishte një ditë e bukur ku secili mund t’i shkulte veshin vetes ose t’i shkulte veshin kujtdoqoftë rreth e rrotull për çfarëdo nevoje për të reflektuar dhe për të përmirësuar veten dhe për të përmirësuar njëri-tjetrin. Është shumë paqësore si ide dhe do të ishte një ditë e veçantë në 365 ditët e vitit shqiptar. Ndërkohë që për përmbajtjen jam shprehur.

Në raport me listat është e natyrshme që të ketë edhe ndonjë stonaturë në ndonjë dalje publike. Unë i mirëkuptoj edhe stonaturat, edhe pse janë plotësisht të evitueshme. Ne po punojmë dhe po bashkërendojmë idetë. E, po bashkërendojmë edhe sensin logjik të gjithë ndërtimit të skuadrës sonë kombëtare, në një proces ku janë përfshirë drejtues politikë, ku janë përfshirë drejtues lokalë, ku janë përfshirë edhe aktorë dhe faktorë të rëndësishëm të jetës politike brenda familjes sonë politike, por edhe të jetës sociale në zona dhe komunitete të ndryshme.

Jemi të bindur që Skuadra jonë Kombëtare do të jetë një skuadër që do të jetë në lartësinë e sfidës që kemi, që është çuarja përpara e projektit tonë historik për të krijuar kushtet që të ketë një Rilindje Shqiptare

Pyetje: Pyetja e parë ka të bëjë me marrëveshjen me LSI-në, ju keni arritur një marrëveshje paraprake, por  a mund të zbulojmë disa detaje, sidomos për periudhën paszgjedhore. Pyetja e dytë ka të bëjë me disa kritika që kanë ardhur nga partitë e vogla dhe më konkretisht zoti Milo ka deklaruar se PS mund t’u ofronte më shumë aleatëve të saj tradicionalë. A besoni edhe ju se mund t’i jepnin ndoshta diçka më shumë, duke përfshirë edhe atë diskutim që u bë për përfshirjen e krerëve të këtyre partive në listat e PS-së. Pyetja e tretë, është folur kohët e fundit për një nismë, nuk e dimë sa është e vërtetë, që deputetët nuk do jenë ministra. Pra, kabineti qeveritar do të krijohet nga persona që nuk do jenë zgjedhur në zgjedhjet e 23 qershorit. A është e vërtetë kjo nismë?

Po e nis nga fundi, sepse e kundërta është e vërtetë. Ministrat do të zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandatit të ministrit do të heqin dorë nga mandati i deputetit. Pra, ministrat do të jenë përgjithësisht figura politike, figura që janë pjesë e Skuadrës sonë Kombëtare të Rilindjes, por do të bëjmë një ndarje të punëve, siç kemi rënë dakord dhe siç e kemi sanksionuar edhe në marrëveshjen me LSI-në, por edhe në marrëveshje me të gjitha forcat e tjera të koalicionit duke bërë që Parlamenti të bëjë parlamentin, legjislativi të bëjë legjislativin dhe ekzekutivi të bëjë ekzekutivin. Duke krijuar kështu një ekuilibër të ri dhe një hapësirë shumë më të madhe për kontrollin parlamentar, por edhe për t’i kryer punët në shërbim të publikut shumë më mirë dhe shumë më të fokusuar nga ana e qeverisë. Duke shtuar padyshim edhe numrin e njerëzve tanë pjesëmarrës në atë hapësirë që është hapësira që, nesër, do të jetë e ndarë mes parlamentit dhe qeverisë.

Është normale që aleatët e vegjël të kërkojnë gjithnjë e më shumë, sepse duan të rriten, apo jo? Por, besoj që kemi arritur marrëveshje korrekte me të gjithë. Për sa i përket marrëveshjes me LSI-në specifikisht është një marrëveshje shumë e detajuar, të cilën e keni disponibël, pasi është nënshkruar publikisht dhe është nënshkruar mbi një tekst prej 15 pikash në mos gabohem që janë “A”-ja, “B”-ja, “C”-ja, dhe “Zh”-ja e marrëveshjes sonë. Nuk ka asgjë tjetër përtej atij teksti.

Pyetje: Meqë jemi te marrëveshja me LSI-në, ju thoni që nuk ka përtej atij teksti asnjë gërmë tjetër, por flitet shumë që pjesë e kësaj marrëveshjeje, mbase jo e shkruar është edhe përfshirja në listën e PS-së e disa kandidatëve të ardhur nga LSI. A është edhe zoti Gjinushi pjesë e këtyre listave, apo nuk keni rënë dakord, sepse zoti Milo në këtë pikën duke e quajtur shumë të vështirë këtë marrëveshje që pati me PS-në u duk i pakënaqur që nuk ju plotësua një nga kushtet kryesore, pikërisht kjo, përfshirja në listat e PS.

Ju u është dukur shumë i pakënaqur, mua më është dukur mjaftueshmërisht i kënaqur. Kjo është çështje perceptimi. Ndërkohë që ajo që është e rëndësishme është fakti që me PDS-në kemi firmosur një marrëveshje të cilës ne do t’i qëndrojmë pikë për pikë dhe Partia Demokracia Sociale nëpërmjet profesor Paskal Milos është shprehur e kënaqur për atë marrëveshje, edhe pse sigurisht do të kishte dashur më shumë. Kush nga partitë e vogla nuk do të kishte dashur më shumë. Ndërkohë që për sa i përket skuadrës sonë dhe për sa i përket listave unë besoj që është përjashtuar edhe nga vetë kryetari i LSI-së, pjesëmarrja e LSI-së me prezencë të zgjeruar në listat tona. Në fund të fundit një gjë është e sigurt. Ne do t’u paraqesim shqiptarëve një skuadër konkurruese, fituese dhe të aftë për të çuar projektin, tanimë, të shkruar dhe të detajuar si asnjë herë tjetër nga një forcë politike në këto 22 vjet përpara zgjedhjeve, për të rilindur Shqipërinë. Ne do të paraqiteni përpara shqiptarëve jo vetëm, por me një Aleancë për Shqipërinë Europiane, një aleancë që është më e gjera që ka pasur ndonjëherë në këtë vend në një konkurrim zgjedhor. Sigurisht, që si forca e parë e kësaj aleance, ne jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e krijimit të një sinergjie, përtej sinergjisë së brendshme në Partinë Socialiste. Që do të thotë se do të jemi në kohezion, në harmoni, në bashkërendim me aleatët. E fundit, më lejoni tua përsëris, bashkimi Partisë Socialistë me LSI-në, nuk është një bashkim mekanik, as një bashkim aritmetik, nuk është as një bashkim për t’u rikthyer në hullinë e së shkuarës me sinore të ndara me thikë dhe me tensione që krijohen për shkak të kësaj ndarjeje me thikë. Është një bashkim strategjik, që ka një objektiv afatshkurtër që është një fitore e plotë, e qartë dhe e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe një objektiv afatgjatë që është përsosja e të gjithë mekanizmave të qeverisjes duke e rikonceptuar sistemin qeverisës nga themeli, si edhe krijimin e një sinergjie të re në gjithë spektrin e qendrës së majtë.

Pyetje: Nuk besoj se është vetëm çështje perceptimi ajo që ishte pakënaqësi apo jo e zotit Milo karshi marrëveshjes që bëri me PS. Por, zoti Milo u shpreh se në ndryshim nga ju zoti Berisha i trajtoi shumë më mirë aleatët, duke i përfshirë ata në listat e deputetëve të PD-së. Pyetja e fundit, sa i përket raportit që ju prezantuat. Ka pasur dje një akuzë nga Ministria e Arsimit se ky nuk është një raport i Bankës Botërore, por është një raport i hartuar në “zyrat mavi”,  siç i quajnë ata.

E para e punës, besoj që në çështje të ngjyrave nuk ka pasur ndonjëherë konkurrencë. Në kuptimin që kemi qenë gjithmonë të fituar. E dyta, në çështjet e arsimit Ministria e Arsimit nuk ka gojë të flasë, siç nuk ka gojë të flasë në çështjet e krimit Ministria e Brendshme, siç nuk ka gojë të flasë në çështje të fshatit Ministria e Bujqësisë, siç nuk ka gojë të flasë në çështje të transportit Ministria e Transportit, sepse siç e shihni ka një humnerë mes fjalëve të tyre dhe realitetit. Shihini rrugët e Shqipërisë! Unë udhëtoj rregullisht në rrugët e Shqipërisë. Udhëtoj prej vitesh dhe po ju them që kurrë më parë si në këto vite të qeverisjes së partisë familjare të Saliut rrugët e Shqipërisë nuk kanë qenë në gjendjen që janë sot. Është një gjendje rrënimi i përditshëm. Kurrë më parë paratë e popullit shqiptar nuk kanë qenë kaq të shumta për të investuar në rrugë dhe investimet nuk kanë qenë kaq të dobëta dhe të paqëndrueshme si në këto vite.

Shikoni gjendjen e fshatit. Është një gjendje mesjetare. Shqipëria sot nuk arrin dot të vadisë tokat e veta. Një turp i pashembullt në mes të Europës. Unikale në mes të Europës. Nuk ka asnjë vend në rajon, se në Europë jo e jo, që nuk arrin të vadisë dot tokat e veta, që përmbytet rregullisht nga mungesa e sistemit të kullimit. E, si mund të flasë Ministria e Brendshme, apo ministri i Brendshëm kur krimi po bën kërdinë dhe kur lidhjet e krimit me kupolën e Ministrisë së Brendshme janë më evidente se kurrë. E çfarë mund të flasë Ministria e Arsimit? Do flasë për universitetet, që janë kthyer në një skemë piramidale që investimet e prindërve i kthen në diploma pa asnjë vlerë, apo do flasë për 57% analfabetizëm funksional. E pra, kjo është dhe drama e madhe, drama e madhe e këtij rrënimi të mëtejshëm. Sepse nga një anë kemi rrënim të vazhdueshëm, nga ana tjetër kemi një përshkallëzim të vazhdueshëm të propagandës me gënjeshtra, me suksese imagjinare, me sajesa, me shpifje dhe me situata deri dhe kaq qesharake sa janë gati-gati sureale, si kjo historia e veshit. Domethënë një qeveri e tërë që angazhohet në një proces hetimor mbi asgjë. Mbi fabulën më qesharake që mund të gjendet. Këto janë shprehje të një krize të madhe dhe të një degradimi të madh, që normalisht është edhe shprehje e faktit se Shqipëria është marrë peng dhe do të mbahet peng deri në 23 qershor. Shqipëria pësoi rrënimin e dytë, kësaj radhe të ftohtë jo të nxehtë pas atij të ’97. Një rrënim ekonomik, social, demokratik, i pashembullt.

Pyetje: Po për deklaratat e Milos në lidhje me aleatët e tjerë?

I dhashë përgjigjet e mia dhe nuk kam asgjë për të shtuar. I mirëkuptoj të gjitha shprehjet e kriticizmit, siç mirëkuptoj edhe të gjitha deformimet që i bëhen nga mediat këtyre shprehjeve. Nuk ka asnjë problem. Ne jemi shumë të kthjellët dhe jemi shumë të fokusuar tek fitorja e 23 qershorit me një vizion të ri, me një program të ri, me një skuadër që harmonizon njerëzit më me eksperiencë me njerëz fare të rinj dhe sigurisht edhe me një lidership të ri në krye të vendit.

Pyetje: Dje kemi pasur disa deklarata të kryeministrit Berisha, ku akuzoheshit ju dhe akademikun kosovar Rexhep Qosja se po mbroni periudhën e diktaturës. Përveçse do të doja një koment për këto deklarata, do të kujtoja se ka pasur në historinë e politikës dhe të zgjedhjeve një inisiativë për të nënshkruar një kod etike mes partive politike. Mos ndoshta do ishte mirë që kjo të bëhej në këtë periudhë kur po shikojmë që tonet po nxehen së tepërmi? 

Ju besoj po shikoni që marrëzia po përshkallëzohet nga njëra anë dhe nga ana tjetër nëse shikoni ndonjë gjë që bie ndesh me etikën e një ballafaqimi politik dhe elektoral të çdo vendi europian jeni e lirë të ma thoni. Por, unë nuk e shoh. Unë nuk shoh që Partia Socialiste, apo opozita në tërësi, të jetë në shkelje të ndonjë norme etike në përpjekjen e përditshme për të komunikuar me shqiptarët dhe sigurisht edhe për t’ju kundërvënë makinerisë së një propagande të shfrenuar që ushqehet çdo ditë me gënjeshtra, me sajesa, me suksese imagjinare, me përralla, me broçkulla dhe me baltë kundër opozitës.

Në qoftë se e gjeni ma thoni. Unë vet qysh ditën e parë që jam ulur në këtë pozicion dhe kam nderin dhe privilegjin që të drejtoj Partinë Socialiste jam përpjekur që të zhvilloj komunikimin tim me publikun apo betejën me kundërshtarin me ato standarde që janë të gjithëpranuara në botën demokratike. Në qoftë se gjeni mi thoni ku janë.

Ndërkohë që, nga ana tjetër është përditë jashtë standardeve, është përditë jashtë normave, është përditë jashtë çdo lloj etike minimale, jo mes forcash politike, por mes qeniesh njerëzore. Megjithatë, kjo është zgjedhja e tyre dhe rruga e tyre e rrënimit të mëtejshëm. Zgjedhja jonë dhe rruga jonë është Rilindja për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Pyetje: Një koment për deklaratat? 

Vlerësim më të madh sesa të akuzohem në bllok bashkë me Profesor Rexhep Qosen nga kryeministri në ikje, unë nuk mund të kisha nga dita e djeshme. 

Pyetje: Megjithëse, ju i keni dhënë një përgjigje më parë, faktit nëse ju do të kandidoni në listat për deputet apo jo, por unë po e ribëj meqënëse jemi afër kandidaturave. Do të kemi një kanditim tuajin për deputet?

Në sistemin e sotëm pjesa më e madhe e atyre që janë në parlament janë deputetë automatikisht, sepse gara zhvillohet mes palëve dhe numri i deputetëve që janë në kufirin mes hapësirës së parlamentit apo hapësirës politike pa mundësinë për të qenë në parlament, është një numër i kufizuar. Unë patjetër do të jem deputet, si shumë të tjerë në skuadrën tonë kombëtare. 

Pyetje: Gjatë ditës së sotme 11  sekretarë politik të AK kanë dhënë dorëheqjen. Nëse ky veprim do ndërmerret edhe nga numri dy i saj, Myslym Pashaj do të jetë ai i mirëpritur në PS? 

Të gjithë janë të mirëpritur në Partinë Socialiste. Ne po mirëpresim në mënyrë të vazhdueshme anëtarë, themelues, drejtues të Partisë Demokratike ashtu sikundër edhe të forcave të tjera. Kemi bërë aleancë me një sërë forcash që deri dje kanë qenë në kampin tjetër, por që janë pozicionuar për rotacionin dhe për ndryshimin e domosdoshëm të qeverisë dhe të qeverisjes. Sigurisht, që mirëpresim edhe të gjithë ata patriotë, ata idealistë, ata njerëz të ndershëm dhe të zakonshëm të këtij vendi. Po ashtu jo vetëm figurat e njohura, që u mikluan dhe u tërhoqën pas në emër të flamurit kuq e zi drejt një rruge ku fatkeqësisht doli që destinacioni nuk ishte opozita, destinacioni nuk ishte beteja për rotacionin, por ishte beteja për oborrin e Saliut. Shqiponja doli sorrë dhe, fatkeqësisht, ndodhi kështu. Unë e kam thënë para pak sesa kjo gjë të provohej me fakte se mbetet për t’u parë se çfarë është kjo forcë, por ju siguroj se ajo çka kam parë bashkë me Sekretarin e Zgjedhjeve, Damian Gjiknuri në procesin e negocimit, ka qenë një provë e pashembullt e një manipulimi të madh të opinionit publik dhe një spekulimi të pashembullt me gjithë ndjekësit idealistë dhe të ndershëm të Aleancës Kuq e ZI. Gjithsesi, besoj që dyert e Partisë Socialiste do të jenë pa asnjë dyshim destinacioni i të gjitha atyre që për shumë arsye mund të kishin parapëlqyer Aleancën Kuq e Zi, edhe pse qysh në krye të herës kam thënë dhe besuar se ishte një pjellë e të djathtës, pavarësisht, se nuk e kam imagjinuar që ishte një pjellë e partisë familjare të Saliut. 

Pyetje: Ndodhemi para zgjedhjeve ndërkohë që situata ekonomike në vend nuk është edhe aq e mirë nga të gjitha raportet. Sipërmarrësit kanë filluar të tërheqin rezervat e tyre. Nëse do të merrnit besimin e shqiptarëve, shumë vetë thonë që askush nuk do të donte të ishte në vendin e zotit Rama në qeverisjen pas 23 qershorit. Si do ta kthenit klimën e besimit të shqiptarëve në ekonomi dhe në shumë fusha të tjera? E dyta, sot komisioni i ligjeve ka aprovuar një tjetër anëtar të Gjykatës së Lartë, bëhet fjalë për institucione të rëndësishme, por opozita nuk ka qenë e pranishme. Mos ndoshta do të ishte mirë që opozita të ishte aty dhe të thoshte dhe ajo fjalën e saj? Ju e nisët me arsimin, ndërkohë që PS ka një program të sajin. Është arsimi në këndvështrimin afatgjatë të Partisë Socialiste? 

Së pari, përsa i përket emërimeve të Presidentit, ato emërime provojnë katërcipërisht atë që nënvizoi edhe përfaqësuesi më i lartë i SHBA, këtu në Shqipëri, kur tha se Presidenti është i politizuar, ashtu sikur tregojnë rrënimin e vazhdueshëm. Janë një farsë që e çon gjyqësorin shqiptar në një katandi që nuk ka qenë kurrë. Janë emërime tërësisht politike, shprehje e panikut nga humbja e sigurt dhe e domosdoshmërisë për të siguruar vetveten nga proceset gjyqësore. Janë shembulli më kuptimplotë i faktit se Shqipëria, sot, nuk ka President të Republikës, por ka një noter të Saliut në godinën e presidencës.

Përsa i përket ekonomisë, më lejoni t’ju them se tre muajt e parë, janar, shkurt, mars të këtij viti janë 5% më pak të ardhura buxhetore sesa tre muajt e parë të vitit të shkuar, që u quajt një periudhë shumë e rëndë. Janë 36 milionë dollarë më pak të ardhura. 36 milionë dollarë për Shqipërinë nuk janë pak, janë shumë. Ashtu sikundër edhe të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që lidhet drejtpërdrejtë me konsumin, janë rreth 10% më pak. Kjo do të thotë që ka rënë fuqia blerëse. Vazhdon bie fuqia blerëse, shkon poshtë e më poshtë fuqia blerëse. Përsa i përket kthimit të besimit, besoj që kthimin e besimit do ta fillojnë shqiptarët me votën e tyre më 23 qershor. Do ta çojmë përpara, ne, bashkë me shqiptarët me qeverinë që do të dalë nga fitorja e 23 qershorit. Kurse arsimi është një prioritet i ynë. Kemi një program të detajuar për arsimin. E kemi thënë që në krye të herës që nuk mundet dot që të vazhdojë kjo hile e madhe me familjet dhe me të rejat dhe të rinjtë që shkojnë në shkollë, që konsiston në hapjen e dyerve të universiteteve dhe në hapjen e universiteteve private pa asnjë kriter dhe karar, për të blerë qetësi qeveria në raport me  papunësinë rinore duke u thënë të gjithëve shkoni në universitet. Kjo është një maskaradë që duhet të marrë fund dhe do të marrë fund më 23 qershor. Ne do të krijojmë me patjetër dhe rrugën alternative që është rruga e marrjes së zanatit. E mundësive për të jetuar me atë zanat, për të bërë lekë me atë zanat, duke u vetëpunësuar dhe mirëmbajtur familjen.

Pyetje: Pak më parë kuvendi ka miratuar komisionin hetimor, nëse dëshironi ta komentoni meqë është aktualitet. Para pak ditësh kishte një protestë tek shtëpia e Kastriot Islamit, ju distancoheni nga një protestë e tillë? Për krizën në KQZ, PS ka shprehur gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje. Por, nëse kryeministri Berisha nuk pranon për rikostituimin, apo gjetjen e një zgjidhje tjetër, a do të shkoni ju në zgjedhje me këtë KQZ? A mund ta përjashtojmë një skenar të tipit tërheqje të komisionerëve ditën e votimit?

Ka vetëm një forcë që duhet të tërhiqet në këtë histori dhe bën mirë të tërhiqet për veten e vet, në radhë të parë, dhe sigurisht për të mirën e vendit. Kjo është partia familjare e Saliut që ka uzurpuar KQZ duke shkelur Kushtetutën, duke shkelu ligjin, duke shkelur çdo standard të zhvillimit të zgjedhjeve pluraliste dhe duke shkelur padyshim edhe në të gjithë partneritetin e Shqipërisë me botën demokratike.

Përsa na takon, është një përgjegjësi shumë e madhe që Saliu ka marrë përsipër, nëse do që ta mbajë të tërën mbi vete, le ta mbajë. Ne nuk do të tërhiqemi nga asgjë. Ne do të vazhdojmë betejën. Do të vazhdojmë ballafaqimin në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo familje mes vizionit, programit, skuadrës sonë të rilindjes me  koalicionin e rrënimit. Sigurisht, që mbajtja e kësaj përgjegjësie implikon pasoja që mund të jenë të rënda dhe të pallogaritshme për procesin dhe për vendin. Por, kjo është një përgjegjësi që në mënyrë të dhunshme kryeministri deri më sot e ka marrë. Ne nuk do të bëhemi pjesë e asnjë makiazhi të KQZ, ndërkohë që ne do të jemi të pranishëm në të gjithë administratën zgjedhore dhe do të mbrojmë si asnjëherë më parë çdo votë për Aleancën për Shqipërinë Europiane. Çdo votë!

Ndërkohë që s’ka pikë dyshimi se edhe ky akt është vazhdë e një zinxhiri veprash antidemokratike dhe antishqiptare, por edhe antieuropiane që e kanë izoluar praktikisht, qeverinë dhe kryeministrin nga bota demokratike. Që e kanë kthyer Shqipërinë në një sëkëlldi të madhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe që e kanë bërë imazhin e vendit tonë një imazh që shqiptarët nuk e meritojnë, një imazh shumë më të keq sesa 4 vite më parë. Prandaj, Shqipërisë i duhet një lidership i ri që ta rilidhë me botën, ta ribashkojë me Europën dhe ta çojë përpara në procesin e integrimit. Ashtu sikundër Shqipërisë i duhet një program i ri. Mes programit tonë të Rilindjes dhe kopjes, që prezantohet përditë bazuar mbi leximin e programit tonë, nga ana e një qeverie që mbas 8 vjetësh s’ka asgjë për të treguar mbi ato që ka bërë, por ka vetëm përralla se çdo të bëjë, shqiptarët do të zgjedhin origjinalin dhe nuk kanë asnjë arsye të zgjedhin kopjen.

Së pari, unë nuk kam nga çfarë të distancohem, sepse ajo ka qenë një protestë krejt spontane e njerëzve që kanë besuar dhe kanë votuar duke menduar se atë zotëri e kishin deputetin e tyre. Së dyti, edhe në Amerikë kur përfaqësuesit e zgjedhur të popullit lëvizin nga çka i kanë thënë njerëzve dhe nga çka ka bërë që njerëzit t’u japin votën ka fushata të tëra deri edhe presidenti i SHBA-ve u thotë njerëzve, publikisht, përmes spoteve elektorale, ky është numri i telefonit i filan senatori, ky është numri i telefonit i filan kongresmeni, merreni dhe kujtojani se për çfarë e keni votuar. Ashtu sikundër s’ka pikë dyshimi se çdo shprehje paqësore e refuzimit të një vendimmarrjeje politike të një përfaqësuesi apo të një përfaqësie politike është pjesë e jetës demokratike të vendeve. Unë nuk kuptoj për çfarë duhet bërë gjithë kjo histori, kur bëhet fjalë për diçka spontane dhe absolutisht paqësore, me të cilën ne s’kemi asnjë lidhje të drejtpërdrejtë, por me të cilën sigurisht nuk kemi asnjë arsye që të jemi kritik. Zero!

Pyetje : Cilat janë kriteret për kandidimin e deputetëve, kur do jetë gati lista?

Besoj këto janë çështje që i takojnë organizimit të brendshëm të Partisë Socialiste nuk janë biseda që trajtohen me median. Ju keni detyrën tuaj ne kemi tonën. Sigurisht, që qëllimi është që të ndërtojmë një skuadër që të jetë skuadra më e mirë kombëtare që Partia Socialiste ka pasur ndonjëherë për të përballuar sfidën më të madhe që PS ka pasur pas asaj të vitit ’97, kur mori përsipër për të rimëkëmbur një vend të shkatërruar totalisht, ndërkohë që sot merr përsipër të rilindë një vend të asfiksuar totalisht.

Ne jemi në një linjë me partnerët ndërkombëtarë. KQZ duhet të rikonstituohet. S’kemi asnjë kushtëzim që do të pengonte një rikonstituim të KQZ-së përmes një dialogu dhe bon sensi të palëve për t’i dhënë procesit një KQZ që të marrë përgjegjësi institucionale përpara shqiptarëve dhe të mos jetë një vegël politike e partisë familjare të Saliut. Në rast se duan ta bëjnë këtë jemi gati që të ulemi. Jemi të hapur për të gjitha variantet e mundshme, që do të sillnin një rikonstituim për t’i dhënë legjitimitetin e shkatërruar dhe njëkohësisht besueshmërinë e domosdoshme për ta çuar procesin përpara. Në të kundërt duan ta mbajnë ashtu të pushtuar atë institucion, le ta mbajnë. Duan që ta spostojnë edhe në ballkonin, në atë verandën e shtëpisë së kryeministrit, le ta spostojnë. Duan t’i zëvendësojnë ata të katërt me katër anëtarë të familjes së kryeministrit, le ta bëjnë. Ne nuk kemi lidhje me këtë KQZ. Kjo KQZ do të mbajë përgjegjësi për çdo cenim që mund t’i bëjë procesit.

Pyetje: A ka ndonjë komunikim me PD për çështjen e KQZ-së apo të dy palët komunikojnë përmes ekranit?

Siç e shihni ne s’po merremi fare me këtë çështje. Ju po më pyesni për këtë dhe unë po përgjigjem. Por ne nuk po merremi fare me këtë çështje, nuk po humbasim asnjë sekondë për këtë çështje. Shqiptarët sot e kanë të qartë, KQZ-ja është e tëra e kontrolluar nga personalisht kryeministri në ikje. Do të jetë edhe kryetar KQZ-je, do të jetë edhe anëtar KQZ-je, do të jetë edhe kryetar plus tre anëtarë ai vetë, le të jetë, le të rrijë, le ta mbajë. Nuk ka problem fare. Ne do ta mundim thellë, dhe kush do guxojë që fitoren e thellë ta prekë qoftë dhe një fije do të marrë përsipër të paguajë të gjithë çmimin e këtij guximi. Unë besoj që nuk do ta gjejë dot kush atë guxim. Historia nuk do të përsëritet më.

Nuk hyjmë fare në këto. Ne jemi të hapur. Këto janë 55 ditë, kur ne do të fokusohemi tërësisht te shqiptarët, qytet më qytet dhe fshat më fshat. Do të fokusohemi tek shpjegimi deri në detaje për çdokënd i rrugës së re që do të hapim për Shqipërinë dhe për shqiptarët, do të fokusohemi tek krijimi i energjie të jashtëzakonshme opozitare për rotacionin, do të fokusohemi te krijimi i vetëdijes së kujtdo se këto zgjedhje duhet të jenë të paprekshme dhe se për të larguar këtë farsë nga pushteti çdokush duhet të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo është detyra jonë. Ne nuk do t’i fitojmë këto zgjedhje me 10 vota. Ne këto zgjedhje do t’i fitojmë me aq vota sa do t’i japim shqiptarëve një shumicë solide për të bërë gjitha ato transformime radikale që kemi marrë përsipër. Rruga jonë është e qartë, është e drejtë, është rruga e aspiratave dhe interesave kombëtare dhe publike të shqiptarëve. Është rruga që do t’u japë shqiptarëve mundësi të shohin çka nuk kanë pasur mundësi të shohin në gjithë këto vite për shkak të një zvarritjeje të pafundme dhe në radhë të parë për të dalë nga kjo krizë që po i merr frymën. Kush do të përdorë mjete jashtëligjore për të na penguar në këtë rrugë do të marrë përsipër reagimin sipas nevojës.

Pyetje: Janë 30 mijë dublime në listat e zgjedhësve, 400 mijë pa adresë, a jeni të sigurt të hyni me këto lista në zgjedhje?

Shqipëria sot është një rrëmujë e tërë kudo. Shqipëria është një rrëmujë me listat. Shqipëria është një rrëmujë me pronat. Shqipëria është një rrëmujë me rrugët. Shqipëria është një rrëmujë me shkollat e universitetet. Shqipëria është një rrëmujë me qendrat shëndetësore e me spitalet. Shqipëria është një rrëmujë nga të katër anët dhe kudo ku ta shohësh e kudo ku ta kapësh ka vetëm rrëmujë. Por, duke e pasur këtë pamje të qartë të Shqipërisë së sotme, dhe duke qenë të vetëdijshëm dhe për rrëmujën e listave, nuk ka asnjë fije dyshimi se ne do të hyjmë në zgjedhje, se ne do t’i fitojmë zgjedhje. Pastaj me qeverinë e re do të regjistrojmë pronat, do regjistrojmë popullin, do regjistrojmë votuesit, do regjistrojmë edhe rrugët. E keni dëgjuar besoj që thonë kemi bërë 10.400 km rrugë dhe nuk i tregojnë. Një qeveri ka një inventar, i ka rrugët, ka distancat, ka dhe paratë që ka paguar dhe i tregon. Bashko hartën e punëve, prokurimet që ke bërë, paratë që ke paguar dhe dalin 10.400 km rrugë, po këta nuk i kanë dhe thonë “të dalin t’i masin vetë”. Është një rrëmujë nga të katër anët. Atëherë duhet të fitojmë zgjedhjet dhe më pas të zhbëjmë rrëmujën. Kanë bërë regjistrim popullsie dhe është një lëmsh që nuk i gjendet fundi, banon këtu e ka gjendjen civile këtej, djalin e ka andej, ka votuese edhe gruan në një tjetër qendër. Pra, është një histori që nuk mbaron. Ne nuk mundet tani të tutemi apo të tërhiqemi përpara kësaj rrëmuje. Ne jemi këtu për ta zhbërë këtë rrëmujë me një projekt shumë të qartë dhe me një vullnet të hekurt dhe do ia dalim.

Pyetje: Është thënë që kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të zgjidhet me konsensus nga klasa politike? 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej dy zgjedhjesh është institucioni më i rëndësishëm i vjedhjeve, jo i zgjedhjeve.

Mos u bëni dhe ju si ata ndërkombëtarët që janë larg, se ata që janë afër e shohin mirë dhe nuk e përdorin më këtë shprehje “klasa politike shqiptare”, të gjithë në një thes, të gjithë njësoj fajtorë, të gjithë njësoj të barabartë para fajit. Por, si qenkan të gjithë njësoj ata që kanë të gjithë instrumentet për t’i bërë gjërat dhe ata që kanë vetëm mundësinë të flasin se si gjërat mund të bëhen më mirë. Si qenka njësoj një pushtet që përdor kartonët për të shkelur Kushtetutën, për të shkelur ligjin, për të marr peng KQZ-në, dhe një opozitë që maksimumi që mund të thotë është që ne nuk mund të bëjmë dot propozime të tjera, pasi tre njerëz të cilët shkuan atje për të qenë në shërbim të shtetit dhe të zgjedhësve u larguan, sepse kuptuan që nuk janë aty në shërbim të shtetit dhe të zgjedhësve dhe nesër siç ua bëri njëra palë mund t’ua bëjë dhe pala tjetër. Si janë njësoj këto?! Si qenkan njësoj një qeveri dhe një pushtet që ka 8 vjet dhe nuk bën dot një palë lista që të jenë të pakontestuara, nuk regjistron dot prona, nuk regjistron dot shtëpi dhe një opozitë që duhet të shkojë në zgjedhje sa herë afrohen zgjedhjet me këto probleme? Si mund të jenë njësoj hajdutët e zgjedhjeve me të vjedhurit në zgjedhje? Ç’klasë politike? Këtu, është fjala për një forcë politike të degraduar, të korruptuar, të marrë fund që do me çdo kusht të mbajë pushtetin dhe për të parin e asaj pune që nuk di më ku i mbaron familja dhe ku i fillon partia, dhe ku i mbaron partia dhe ku i fillon familja si interesa flas.

 

BE: rritet sistemi i taksimit

EurostatEurostat, zyra e Taksimit të Bashkimit Europian dhe Drejtoria e Përgjithshme e Fiskalitetit dhe Bashkimit Doganor të Komisionit Europian, kanë publikuar një raport mbi evoluimin fiskal të   të BE-27. Sipas këtij raporti, recetat fiskale, janë rritur për të kapur shifrën prej 38,8% të PBB. Taksa mbi punën ngelet burimi kryesor i recetave fiskale.

Më 2011 recetat fiskale janë rritur në BE-27 për të kapur shifrën prej 38,8% të Produktit të Brendshëm Bruto, PBB. Barra fiskale globale, është shuma totale e taksave dhe kontributeve sociale, që shkon në 38,8% të PIB në 2011, për BE-27, kundër 38,3% më 2010 dhe 38,4% më 2009. Koeficienti i barrës fiskale globale, në përgjithësi është rritur në zonën euro2 (ZE17) për të kapur shifrën 39,5% të PIB më 2011, kundër 39,0% më 2010 dhe 39,1% më 2009.

Barra fiskale, ndryshon fortësisht nga një shtet anëtar në tjetrin, duke variuar më 2011, në më pak se 30%, përkatësisht në Lituani me (26,0%), në Bullgari me (27,2%), në Letoni me (27,6%), në Rumani me (28,2%), në Sllovaki me (28,5%), në Irlandë me(28,9%), dhe me më shumë se 40% në Danimarkë me (47,7%), Suedi me (44,3%), Belgjikë me(44,1%), Francë me(43,9%), Finlandë me (43,4%), në Itali me (42,5%) dhe Austri me (42,0%).

Midis 2010 dhe 2011, rritjet më të larta të barrëve fiskale globale, në raport me PIB janë regjistruar në Portugali (nga 31,5% në 33,2%), në Rumani (nga 26,7% në 28,2%) si dhe në Francë (nga 42,5% në 43,9%), dhe uljet më të shumta në Estoni (nga 34,1% në 32,8%), në Suedi (nga 45,4% në 44,3%) dhe Lituani (nga 27,0% në 26,0%).

Këto informacione janë nxjerrë nga edicioni i 2013, ’’Tendencat e taksimit në Unionin Europian3” të publikuara nga Eurostat, zyra e Statistikës së Bashkimit Europian dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Fiskalitetit dhe Bashkimi Doganor të Komisionit.

Ky publikim prezanton një bashkësi indikatorësh fiskalë të harmonizuar, të bazuar mbi sistemin evropian të llogarive (SEC95), duke lejuar një krahasim të besueshëm të sistemeve fiskale dhe të politikave fiskale midis shteteve te vendeve anëtare.

Përqindja e taksimit më e dobët është mbi punën në Maltë, mbi konsumimin në Spanjë dhe mbi kapitalin në Lituani.

Taksimi mbi punën

Taksat mbi punën janë burimi kryesor i recetave fiskale në BE-27, duke përfaqësuar afërsisht gjysmën e totalit të recetave, të ndjekura nga taksat mbi konsumimin, që llogaritet përafërsisht 1/3 e recetave dhe taksat mbi kapitalin, e llogaritur në rreth 1/5.

Përqindja mesatare e taksimit mbi punën është rritur në BE-27, duke kaluar nga 35,4% në 2010 në 35,8% më 2011. Ndërmjet Shteteve Anëtare, përqindja e taksimit mbi punën më 2011 varionte nga 22,7% në Maltë, në 24,6% në Bullgari, 25,5% në Portugali dhe 26,0% në Angli, me 42,8% në Belgjikë, 42,3% në Itali et 40,8% në Austri.

Taksimi mbi konsumimin

Përqindja mesatare e taksimit mbi konsumimin, ka përparuar në BE-27, duke kaluar nga 19,7% më 2010, në 20,1% më 2011. Në 2011, përqindja e konsumimit ishte më e ulët në Spanjë me (14,0%), në Greqi me (16,3%), në Letoni me (17,2%) si edhe në Itali me (17,4%), dhe më të larta në Danimarkë me (31,4%), në Suedi me (27,3%), në Luksemburg (27,2%), në Hungari (26,8%) dhe në Finlandë (26,4%).

Taksimi mbi personat fizikë dhe shoqëritë.

Përqindja e taksimit mbi të ardhurat e personave fizikë, është më i lartë në Suedi dhe ai mbi shoqëritë në Francë. Përqindja maksimale e taksimit të personave fizike në BE27 është 38,3% më 2013, kundër 38,1% më 2012, por qëndron poshtë përqindjes së 44,8% të regjistruar më 2000. Më 2013, përqindja maksimale, më e ngritur mbi të ardhurat e personave fizikë janë vërejtur në Suedi me (56,6%), në Danimarkë (55,6%), në Belgjikë (53,7%), në Portugali (53,0%) në Spanjë dhe Holandë (52,0% secili), dhe me e dobëta në Bullgari (10,0%), në Lituani (15,0%), në Hungari dhe ne Rumanie (16,0% secili) dhe në Sllovaki  me (19,0%).

Përqindja maksimale e taksimit të shoqërive për BE-27, shkon në 23,5% më 2013, me një rritje të lehtë në raport me vitin 2012, por poshtë nivelit të vitit 2000. Përqindja e taksimit legal,  më i lartë mbi të ardhurat e shoqërive janë regjistruar në 2013 në Francë  (36,1%), në Maltë (35,0%) dhe në Belgjikë me (34,0%), dhe më e dobët në Bullgari dhe Qipro me (10,0% secili) si edhe në Irlandë me (12,5%).

Në BE-27, përqindja e taksimit mbi kapitalin është ulur në 10 shtete dhe është rritur në 9 vende të tjerë, midis 2010 dhe 2011. Më 2011, përqindja e taksimit mbi kapitalin varionte në 5,5% në Lituani dhe 44,4% në Francë.

Përqindja e TVA-së

Përqindja standarde mesatare e TVA, në BE-27, prek 21,3% më 2013, një rritje të lehtë në raport më 2012. Më 2013, gjashtë shtete anëtare kanë rritur përqindjen e TVA-së në raport me 2012, me Letoninë vendi i vetëm, ku përqindja e TVA-së, është ulur. Përqindja standarde e TVA-së, varion në 2013 nga 15,0% në Luksemburg  dhe 18,0% në Qipro dhe në Maltë, me 27,0% në Hungari me 25,0% në Danimarkë dhe në Suedi.

 

Alarm për bombë në Paris

Harku i triumfitNjë kërcënim për bombë në kryeqytetin francez, Paris, ka bërë që të izolohet zona përreth Harkut te Triumfit në Champs Elysees. Policia ka marrë një telefonatë rreth orës 14:00 për një pako të dyshimtë Brenda Harkut të Trimfit, çka e ka shtyrë për të izoluar zonën përreth për më shumë se dy orë. Pas ekspertizës policia ka konkluduar se bëhej fjalë për një informacion të rremë. Tashmë gjendja është normalizuar dhe Harku i Triumfit është hapur sërish për vizitorët.

Refugjat afganë në Islamabad, Pakistan

Refugjat afganë në Islamabad, Pakistan (Muhammed Muheisen, Ap/Lapresse)
Refugjat afganë në Islamabad, Pakistan (Muhammed Muheisen, Ap/Lapresse)