Meta: askush nuk mund të ndalë rotacionin

63

metaKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Komitetin Drejtues të LSI-së në qytetin e Kavajës. Qëllimi i këtij takimi ka qenë diskutimi për përgatitjen e LSI-së së Kavajës për zgjedhjet e 23 qershorit.

“Vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, ka nevojë për një balancë të re pushtetesh, ka nevojë për një realizëm shumë më të madh për të përballuar problemet e mëdha ekonomike, financiare dhe sociale. Ka të bëjë me garantimin e një të ardhmeje të sigurt evropiane të vendit tonë. Një e ardhme, e cila ka qenë e cenuar nga zvarritja dhe nga stanjacioni që ka përjetuar procesi i integrimit evropian, ku siç vihet re nga dita në ditë një burim i madh i këtij ngërçi ka qenë dhe mbetet përqendrimi i pushteteve në duart e një force politike të vetme. Pra rotacioni është bërë i domosdoshëm, është bërë i paevitueshëm dhe është tashmë një emergjencë të cilën do ta zgjidhim të gjithë së bashku me votën e 23 qershor”, tha z. Meta.

Duke folur për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se ky koalicion është më i madhi në historinë e vendit dhe është një koalicion gjithëpërfshirës.

Sipas tij është një koalicion që i shërben të gjithë vendit, të ardhmes së tij evropiane. “Ky koalicion është më i madhi në histori, është një koalicion gjithëpërfshirës, jo thjesht për të garantuar fitoren, sepse fitorja është e sigurt, por se edhe fryma e bashkëpunimit nuk duhet të jetë thjesht në kornizën PS-LSI, por te të gjitha forcat që duan të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë.

‘’Mendoj se domosdoshmëria e këtij koalicioni vjen nga interesi i brendshëm dhe nga një domosdoshmëri që vendi të kalojë në një fazë më të lartë, të një stabiliteti më solid, por edhe të një perspektive më të shpejtë evropiane. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët, jam i bindur që do të sjellin një ritëm të ri në reformimin e vendit, institucioneve, të ekonomisë dhe të shoqërisë sonë, me qëllim integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian”, tha ndër ndër të tjera në fjalën e tij në takimin e zhvilluar me Komitetin Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kavajë, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.