Fobia e të qëndruarit në shtëpi, çfarë fshihet pas saj?

108
foto ilustruese
foto ilustruese

Për disa vetmia është sinonim i qetësisë dhe i pjekurisë. Për të tjerë, sinonim i trishtimit dhe i braktisjes….Nga vjen kjo pabarazi, përballe mundësisë për të qëndruar vetëm ?

Kapaciteti për të qëndruar vetëm, ndërtohet përgjatë fëmijërisë? Psikiatri Daniel Bailly, thekson se ankthi i ndarjes, i lidhur me mungesën e mamasë, është një e dhënë normale në zhvillimin e fëmijës. Kjo prezanton një kulm, midis periudhës 8 deri në 11 muaj, pastaj ndryshon gradualisht. Normalisht drejt 18 muajve, fëmija kupton që mamaja, edhe kur ai nuk e shikon atë, ajo vazhdon të ekzistojë dhe se, do të kthehet sërish. Duke pritur kthimin e saj, ai ngushëllohet, duke menduar për të. Me kusht, që ai të ketë krijuar me mamanë e tij një marrëdhënie mjaftueshëm të mirë, solide dhe të sigurt.

Sipas psikoanalistëve, ato që e përjetojnë keq vetminë, shpesh kanë vuajtur nga mungesa afektive të parakohshme: ose sepse kanë pasur një ndarje reale me mamanë, që e kanë përjetuar si një traumatizëm (udhëtim profesional, shtrim në spital, etj), ose sepse mamaja ka qenë fizikisht prezent, por mendërisht mungonte, sepse ishte në mendime depresive, ose të ankthshme. Fakti i të qëndruarit vetëm, ringjall dhimbjen e mungesës së hershme mëmësore. Këto persona të rritur, kanë nevojë që dashuria e të tjerëve t’ju kujtohet fizikisht, që ato ta besojnë atë. Në raste mërzie, apo trishtimi ato nuk mund të kujtojnë imazhe të brendshme mikpritëse të prindërve të tyre, të miqve të tyre. Ato nuk kanë brendësuar faktin sigurues, që mund të kemi njëri për tjetrin, edhe pse të ndarë me mijëra km larg.

Një marrëdhënie e vështirë me vetminë, mund të jetë e lidhur po ashtu me frikën, fobinë. “ Këtu gjendemi në një regjistër nevrotik shqetësues”, nënvizon psikiatri  Patrice Huerre. Vështirësia për të qëndruar vetëm, është rezultati i dukshëm i një tjetër frike, që nuk njihet si e tillë: frikë nga heshtja, nga errësira dhe kryesisht frikë nga vetvetja, të gjendesh ballë për ballë me botën tënde të brendshme! Tjetri, këtu shndërrohet në objekt ‘kundërfobik’ që siguron dhe lejon luftimin e ankthit, ekuivalenti i një ‘qetësuesi’ në përgjithësi! Në prezencën e tij evitojmë të menduarit, ndaj asaj që kemi frikë, ndaj dëshirave tona, pasigurive tona, fantazmave, etj.

Kjo, mund të jetë gjithashtu e lidhur me frikë objektive, me një traumatizëm real, edhe pse në përmasa të vogla, (të jesh ndjekur nga një i panjohur në parking, të jesh kërcënuar në telefon, të jesh sulmuar në metro, etj). Një person që ka qenë sulmuar, do ketë frikë se mos ngjarja përsëritet, nëse ai do të qëndrojë vetëm, sërish. Si përfundim, çdo person e përballon pak a shumë mirë vetminë, dhe të gjithëve na ndodh ti arratisemi përballjes me vetveten, për tu lodhur nga zhurmat e botës. E rëndësishme është të alternojmë momentet e vetmisë dhe momentet e varësisë: kjo tregon pikërisht pjekurinë afektive.

Çfarë duhet të bëjmë?

Duhet të deshifrojmë shqetësimet tona

Duhet të mësohemi të ‘vëzhgojmë’: analizoni çfarë ka ndodhur, vlerësoni emocionet dhe shkruani të gjitha mendimet negative, që ju përshkojnë. Ikja ndaj problemit nuk ju zgjidh gjë. Është më mirë të kërkoni në të kaluarën tuaj momentet e vetmisë, që ju kanë provokuar trishtim dhe ankth. Duhet të lokalizoni gjurmën emocionale, skema njohëse e kaluar, e cila përsëritet në të tashmen.

Të përpiqemi të mësohemi gradualisht

Qëndroni vetëm në apartament për të praktikuar një aktivitet që ju pëlqen : dëgjoni një pjesë të preferuar muzike xhaz, telefononi dikë, këndoni, pikturoni….Vetmia në këtë mënyrë do të shoqërohet me një emocion pozitiv. Në fillim, disa minuta vetmi mjaftojnë. Duhet të mësoheni gradualisht, sepse në të kundërt frika rrezikon të përforcohet. Të arrini të qëndroni shumë orë, pa u dominuar nga ankthi, ju jep besim dhe optimizëm. Nuk keni më nevojë, veçse të testoni situata të tjera ‘delikate’ si të shkuarit në kinema, ose të ikni në pushime vetëm.

Në çift : unë, me ose pa ty

Sipas Serge Hefez, terapist çiftesh, partnerët zgjidhen në mënyrë të heshtur, sipas kapacitetit të tyre të autonomisë dhe të shkrirjes. Në terapi, punojmë fillimisht mbi ‘programin zyrtar’ të shprehur mbi çiftin. Njëri gjithmonë ankohet : “Ai s’merret me mua, unë jam gjithmonë vetëm.” Tjetri arratiset: “Ajo më mbyt, kam nevojë për pak ajër.”

Kur kalojmë në procese të pandërgjegjshme, vërejmë se si njëri edhe tjetri janë të varur emocionalisht. Interesi është të futet një ndryshim në marrëdhënie, të gjendet distanca e duhur, as shumë e afërt e as shumë e largët. Atëherë, autonomia e tjetrit nuk përjetohet, si një braktisje por si një lidhje e një cilësie më të mirë.

Dëshmi :

Virginie, 26 vjeç, tregtare : “Nëse  nuk kam parashikuar asgjë për darke, kam ankth’. Çdo mbrëmje, parashikoj një restorant, kinema me miqtë. Nëse nuk kam asnjë plan, fillon ankthi. Qëndroj në zyrë, deri sa të gjithë largohen, edhe nëse nuk kam asgjë për të bërë. Nuk e përballoj dot të kthehem në një shtëpi bosh. Refleksi i parë : hap televizorin. Nuk e shikoj, por duket sikur është dikush në shtëpi dhe më zë gjumi me të. Më mblidhet një si lëmsh në stomak, dhe s’mund të gëlltis asgjë, eci nga dhoma në sallon si një shpirt i vetmuar.

Fransua, 32-vjeç farmacist : E urrej faktin qe Maria del vetëm pa mua, edhe qoftë kjo për një orë. Qëkur kam Takuar Marinë, jemi të pandashëm. Kam nevojë të mbaj dorën e saj shtrënguar me timen, ta shikoj, t’i dëgjoj zërin. Është budallallëk, por kam inat që ajo del pa mua, edhe për një orë. Kam përshtypjen sikur më braktis. S’bëj asgjë, thjesht pres kthimin e saj. Fatmirësisht kam qenin tim ! Në fakt që kur jam vetëm, kam përshtypjen, se nuk shërbej për asgjë, se jam zero, se nuk ekzistoj ! »

marrë nga psychologies.com

autor Catherine Marchi