Situatë shumë e tensionuar tek rruga “Margarita Tutulani” në Tiranë, ku prej 16 ditësh, dhjetë banorëve të një ndërtese që do t’i rikthehet pronarit janë në grevë urie. Sot punëtorë privatë kanë tentuar prishjen e banesës, ndërsa banorët që kanë jetuar për vite të tëra aty kanë protestuar dhe nuk kanë lejuar punimet duke nxjerrë jashtë punëtorët. Situata është tensionuar shumë mes banorëve dhe policisë private. Shembja e ndërtesës ka filluar me prishjen e çatisë, por banorët që ndodheshin në grevë kanë reaguar duke ndalur shembjen.
Ndërkohë nuk ka ende asnjë zgjidhje për banorët e ndërtesës trekatëshe në rrugën “Margarita Tutulani”, të cilët prej disa ditësh janë në grevë urie. Ndërtesa është rrethuar nga policia, ndërsa kati i tretë është shembur nga pronarët. Banorët, shprehen të bindur për të vazhduar ende grevën deri në zgjidhjen e problemit të tyre. Ata thonë se do të vijojnë të qëndrojnë në ndërtesën ku kanë banuar për 50 vjet.
Kompania amerikane Terrafugia, po punon që prej 2006, për të nxjerrë makinën e parë fluturuese për publikun. Kompania së fundmi, ka lajmëruar një model të ri të quajtur TF-X, e cila do të fluturojë si një avion privat dhe do të ecë në rrugë si një makinë normale. Sipas Kompanisë kjo lloj makine është më e sigurt se sa makinat moderne. Por, ajo do të jetë më e shtrenjtë se një makinë normale, për shkak të kostove të larta, që ajo ka. Gjithsesi çmimi i saj do të jetë në nivelet e çmimeve të makinave të luksit të ditëve të sotme./stumbleupon/
Kombëtarja shqiptare e futbollit është ngjitur në vend të 43-të në renditjen e FIFA-s për muajin maj. Kuqezinjtë rikuperojnë dhe 5 pozicione të tjera që nga muaji i kaluar, duke regjistruar një rekord historik, pasi asnjëherë më parë nuk kanë qenë në këtë vend.
Shqipëria ka lënë pas kombëtare të njohura në arenën e futbollit botëror që në vitet e fundit kanë qenë pjesë e fazës finale në aktivitete ndërkombëtare si Turqia, Bullgaria, Sllovakia, Sllovenia e Polonia.
Për kombëtaren ky është një lajm i mirë një muaj përpara sfidës me Norvegjinë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, ku një tjetër rezultat pozitiv, do t’i ishte jo vetëm një tjetër hap pozitiv në FIFA, por edhe drejt ëndrrës për kualifikim.
Në një Konferencë për Shtyp, Partia Demokratike përmes deputetit Gerti Bogdani ka akuzuar sërish kandidatin për deputet të qarkut Vlorë, Koço Kokëdhimën. Bogdani theksoi, se Kokëdhima është Kryetar de facto i PS-së dhe e cilësoi atë si një antiperëndimor dhe ekstremist të majtë. Reagimi i PD-së, është i të njëjtës linjë me reagimin e Kryeministrit Berisha nga Vlora ku e cilësoi, si të pafalshëm kandidimin e Ramës në Vlorë, si edhe caktimin e Kokëdhimës, po në këtë qark.
“Qytetarët shqiptarë në fund e kuptuan se kush është arkitekti i filozofisë së rritjes së taksave dhe partizani fanatik i taksës progresive të Edi Ramës. Ai quhet Koço Kokëdhima, de facto kryetari i Partisë Socialiste, një antiperëndimor dhe ekstremist i majtë. Deputeti më i ri në qarkun e Vlorës, biznesmeni Koço Kokëdhima e çoi Edi Ramën drejt taksës progresive, paradoksalisht ai është i vetmi biznesmen në botë që lumturohet nga rritja e taksave, sepse ai nuk i ka paguar ndonjëherë ato dhe aq më pak ka ndërmend t’i paguajë në nën regjimin e Ramës nëse i jepet shansi”, vlerësoi Bogdani.
“Kur Edi Rama ishte kryetar bashkie për 20 vite me radhë, kandidati i PS-së për deputet në Vlorë, Koço Kokëdhima, operonte në Tiranë me 14 kompani duke bërë evazion fiskal. Gjatë kësaj periudhe, Rama i ka falur Kokëdhimës rreth 1.2 milion dollarë, duke mos i marrë taksat. Kjo është arsyeja që Kokëdhima kërkon rritjen e taksave për gjithë bizneset e tjera. Këtë herë ai e ka menduar më hollë, nuk do të rrijë me thesin hapur në paradhomën e zotit Rama, siç bëri 11 vite në Bashki, por do detyrojë me ligj të gjithë biznesmenët e tjerë shqiptarë të mbushin thesin e tij të hapur, me dëshirë, pa zhurmë. Kjo është politika e Edi Ramës për taksat, ai kërkon të rrisë taksat për të mos ia mbledhur kurrë ato Koço Kokëdhimës”, përfundoi Bogdani./al.bl/
Një eksperte amerikane dhe një parlamentar slloven do të drejtojnë ekipin e përbashkët të vëzhguesve ndërkombëtarë të ODHIR-it dhe asamblesë parlamentare të OSBE-së, që do të ndjekin nga afër zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri.
Burime diplomatike i konfirmuan Zërit të Amerikës se në krye të misionit të ODIHR-it do të jetë zonja Conny McCormack. Ajo është angazhuar në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në përmirësimin e legjislacionit zgjedhor amerikan si dhe ka qenë pjesë e ekipeve të vëzhguesve të zgjedhjeve në Armeni, Meksikë, Rusi, Jemen, Indonezi e Nigeri. Zonja McCormack, pritet të mbërrijë në Shqipëri se bashku me ekipin e vëzhguesve afatgjatë, më datë 13 maj.
Ashtu si dhe në vitin 2009, asambleja parlamentare e OSBE-së, e kryesuar aktualisht nga austriaku Volfgang Grossruck, ka aktivizuar sërish marrëveshjen me ODIHR-in për një mision të përbashkët monitorimi. Ekipi i asamblesë parlamentare do të drejtohet nga përfaqësuesi i saj special për Europën juglindore, Roberto Battelli, deputet slloven. Zoti Battelli ka një eksperiencë të gjerë në vëzhgimin e zgjedhjeve, ndërsa ka marrë pjesë në 19 misione monitorimi në shtete të ndryshme anëtare të OSBE-së. Ai ka qenë edhe koordinator i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së në zgjedhjet në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni.
ODIHR-i ka kërkuar nga vendet anëtare të OSBE-së që të dërgojnë në Shqipëri 430 vëzhgues, por ende numri i saktë i atyre që do të përfshihen nuk është përcaktuar./VOA/
Janë të ngjyrosura, të bardha, rozë ose blu dhe aromatike. Shumë të rinj në Gjermani kanë vendosur të përjetojnë një lloj tjetër drogimi, duke provuar diçka të re, tymosjen e luleborës. Është kjo tendenca më e re e tyre e ashtuquajtur “vetëpërgatitje” ose “do-it-yourself”: ato janë të lira, mund të bëhen lehtë dhe efekti është i siguruar. Edhe pse pasojat mund të jenë shumë të rrezikshme, madje edhe vdekjeprurëse.
Alarmin mbi këtë droge të re të adoleshentëve e jep gazeta zvicerane Le Matin, e cila shpjegon është përhapur shumë si modë e re, sidomos në Bavari në Gjermani. Të rinjtë filluan disa kohë të mbledhin lule dhe gjethe lulebore, i thanë dhe pastaj i tymosën. Rezultati ka qenë i siguruar, ajo ka sjellë një eufori të fortë dhe halucinacione. “Në varësi të dozës – shpjegon Kurt Hostettman, Profesor Nderi i farmakologjisë në Universitetin e Lozanës në Gjenevë, Zvicër – efekti është i ngjashëm me atë që shkakton nga Tetrahydrocannabinol, një nga përbërësit aktivë të kanabisit.” Dhe ‘kjo është arsyeja e suksesit të luleborës e përdorur si një drogë, përveç lehtësisë me të cilën ajo mund të gjendet. Shumicën e kohës, në fakt, të rinjtë rrinë në afërsi të varrezave apo parqeve, ku Hydrangeas (luleborë) janë veçanërisht të njohura si bimë zbukuruese.
Pasojat e pirjes së duhanit nga kjo lloj lule, mund të jetë shumë serioze. “Tymosja e luleborës ka efekte anësore të dëmshme për shëndetin”, shpjegon Hostettmann, problemet mund të varjojnë nga ato më të thjeshtat deri në probleme gastrointestinale, të frymëmarrjes, deri në përshpejtimin e rrahjeve të zemrës. Sipas ekspertit, “doza të larta të substancave në këtë bimë transformohen në hidrogjen cyanide, i njohur më mirë me emrin Zyklon B, të përdorura nga nazistët në dhomat e gazit të kampeve të përqendrimit, duke çuar në një vdekje të shpejtë nga asfiksimi. “
Me pak fjalë, Hydrangeas, e bukur si lule, përdoret edhe në fushata të ndryshme për të rritur vetëdijen dhe fondet për shkaqe sociale, humanitare dhe mjekësore, kurrë nuk duhet të ketë një përdorim tjetër, nëse nuk është se dekorativ. Prevalenca e pirjes së gjetheve të saj megjithatë është në rritje, pjesërisht për shkak të internetit, ku informacioni shkëmbehet nga të rinjtë. Gjithashtu janë krijuar edhe shumë faqe interneti nga ku mund të mësohet se si të tymoset Hydrangea, pothuajse e identifikuar si bimë medicinale, por nuk vërehen efektet negative anësore dhe rreziqet e konsumit të tyre, madje edhe fatale.
Në një Konferencë për shtyp, Bledar Çuçi, Nënsekretar për Çështjet Zgjedhore, në Partinë Socialiste ka denoncuar dublimet flagrante në listat e zgjedhësve. Çuçi theksoi, se ato janë shumë problematike, duke paralajmëruar edhe njëherë dubluesit dhe të dubluarit në lista, se nuk do të kenë asnjë mundësi që të shkojnë dhe të votojnë më shumë se një herë.
“Ekspertët tanë përfundimisht kanë nxjerrë një shifër prej 25 874 shtetas të dyshuar si të dubluar në listat zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Problematika e dytë serioze që lidhet me listën e zgjedhësve ka të bëjë pikërisht me ata zgjedhës që ende figurojnë sot në listën e zgjedhësve pa një adresë një saktë zgjedhore. Ekstrakti i fundit të përbërësve zgjedhore është 352 337 zgjedhës”, – deklaroi Çuçi.
“PS e ka të gjithë informacionin e detajuar të 25 874 zgjedhësve të dyshuar si të dubluar në lista se ku ndodhen, ku janë të regjistruar fiktivisht, kush e ka marrë dokumentin e identitetit, në çfarë qendre votimi janë të regjistruar dhe në çfarë familje i përkasin si të dubluar. Ne kemi informacionin e plotë dhe garantojmë që asnjë nga këto zgjedhës nuk do të kenë mundësi që në datën 23 qershor të votojë më shumë se një herë, për shkak të qënurit të tyre si të dubluar në listën e zgjedhësve”-, përfundoi fjalën e tij Çuçi./al.bl/
Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ka deklaruar se asnjë zgjidhje politike nuk mund të përfshirë presidentin Bashar al-Assad në të.
Kerryt, gjatë një vizite zyrtare këtë të enjte në Jordani, fitoi më shumë vëmendje pasi ishte hera e parë që ai shprehte qëndrimin e qartë të Uashingtonit, pas një takimit shumë të rëndësishëm në Moskë, më parë gjatë javës.
Rusia është një prej aleateve më të ngushta të regjimit të al-Assad dhe në takimin Kerry-Putin u ra dakord mbajtja e një konference shumëpalëshe ndëkombëtare në të ardhmen e afërt për gjetjen e një zgjidhje
Ndërkohë, SHBA dhe Rusia deklaruan së bashku se zgjidhja e vetme në Siri mund të jetë “politike”, por pa saktësuar se çfarë nënkuptonte diçka e tillë.
Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Nasser Judeh, i parashtroi homologut të tij amerikan problemet e mëdha që ka shkaktuar lufta civile siriane për shtetet fqinje me Sirinë.
Ai tha se me qindra mijëra sirianë janë zhvendosur në vend, duke krijuar një barrë të rëndë për ekonominë dhe shërbimin shëndetësor jordanez.
Aktualisht, Nasser theksoi se “duke llogaritur refugjatët e luftës, popullsia e përgjithshme e Jordanisë përbëhet nga 10% sirianë”.
Partia Socialiste përmes një deklarate për mediat theksoi, se pikërisht në Ditën e Europës, Berisha ka dështuar. Deputeti Ditmir Bushati nënvizoi, se janë tre shanse të humbura për Shqipërinë. Se, vetëm 22 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria vazhdon të jetë një regjim hibrid, më i ngjashëm me Venezuelën dhe Azerbajxhanin, se sa me vendet e Europës.
“Sot, në Ditën e Europës është më e qartë se kurrë se çfarë përmasash dramatike ka marrë dështimi i Sali Berishës dhe PD në ndërtimin e Shqipërisë Europiane. 3 shanse të humbura në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim, kurs përplasje me perëndimin dhe posaçërisht partnerin strategjik SHBA-të, raporte gjithnjë e më kritike për situatën që mbizotëron sot në Shqipëri, dhe një shqetësim në rritje për drejtimin ku po e çon vendin Sali Berisha, ky është bilanci i situatës së sotme. Është e papranueshme që plot 22 vjet pas rënies së komunizmit Shqipëria vazhdon të jetë regjim hibrid, më i ngjashëm me Venezuelën dhe Azerbajxhanin sesa me vendet e rajonit apo Europën demokratike ku duam të anëtarësohemi’’,- theksoi Bushati.
Bushati denoncoi gjithashtu, tentativat e Berishës për të deformuar procesin zgjedhor.
“Është një e vërtetë e thjeshtë dhe e dukshme: Sali Berisha ka dështuar me procesin e ndërtimit të një Shqipërie Europiane, demokratike e të drejtë. Tentativa e tij flagrante për të deformuar sërish procesin zgjedhor, kokëfortësia me të cilën po u përgjigjet paralajmërimeve gjithnjë e më serioze që po vijnë nga partnerët ndërkombëtarë, për koston që kjo do të kishte për vendin, janë prova më e qartë se Sali Berisha e ka bërë zgjedhjen e tij”,- tha Bushati
PS siguroi se, pas 23 Qershorit projekti për Rilindjen do të aplikohet në të tëra fushat respektive, duke e vënë theksin te mosndëshkueshmëria politike, e cila është kthyer në një sistem.
“Pas 23 Qershorit procesi i ndërtimit të Shqipërisë Europiane do të jetë përparësia e veprimit politik e shoqëror e qeverisë së re. Ky nuk është një slogan, por një projekt i mirëfilltë politik e gjeostrategjik që përbën thelbin e Programit për një Rilindje Shqiptare. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga zgjedhjet e lira e të ndershme dhe forcimi i institucioneve demokratike të qëndrueshme në shërbim të qytetarëve e jo pushtetit të radhës. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga çlirimi i sistemit të drejtësisë nga korrupsioni e politizimi që e kanë kthyer mosndëshkueshmërinë në sistem. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga çlirimi i shërbimit diplomatik nga nepotizmi e politizimi që e kanë kthyer shërbimin diplomatik në celulë anti-opozitë. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga ndërtimi i një qeverisjeje transparente dhe një administrate publike të ndërtuar jo mbi bazat e militantizmit e nepotizmit, por mbi bazën e profesionalizmit;
Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kaloje nga transformimi i sistemit arsimor nga një sistem i dështuar që sot prodhon analfabetë funksionalë, në një sistem arsimor që u krijon të rinjve mundësinë të konkurrojnë denjësisht me bashkëmoshatarët e tyre në tregun Europian të punës; nga një zhvillim ekonomik që prodhon punësim e mirëqenie dhe jo thjesht pasuri për një grusht njerëzish në pushtet; nga një politikë që mbështet drejtësinë dhe kohezionin social e jo rritjen e pabarazisë; nga një politikë e jashtme që synon bashkëpunimin dhe stabilitetin e jo shpërthimet primitive të nacionalizmit për përfitime të ngushta politike’’,- përfundoi deklaratën në emër të PS-së Bushati. /al.bl/
Të gjithë gjenden në një moment udhëkryqi në jetë, ku nuk arrijnë të vendosin për drejtimin, që duhet të marrin. Shpeshherë, sepse konfuzioni është dominues dhe shpeshherë për arsye se, ëndrrat dhe dëshirat janë të shumta për të kanalizuar qartë, se çfarë drejtimi është më i përshtatshmi për vetë ne. Kjo problematikë, karakterizon çdo fazë të jetës së njeriut, por tendencat më dominuese vihen re në fillimet e saj.
Specialisti francez, Christophe Labarde shpjegon për revistën Psikologjia, se si duhet të vëmë në jetë, projektin e ndërtimit të jetës.
Labarde sugjeron, se përpara se të përcaktoni objektivat konkretë, filloni duke i bërë pyetjen vetes: ’’Çfarë dëshiroj të bëhem ? Bëhet fjalë për nisjen e një ndërgjegjësimi ekzistencial, që përkthehet nëpërmjet angazhimesh konkrete. ‘’Në ç’drejtim kam dëshirë të evoluoj ? A kam dëshirë të jem më i lirë, më kreativ, më i afirmuar, më bujar, apo më i angazhuar ?’’
Pasi të bëni këtë pyetje, mirëprisni përgjigjen që ju ndjeni se është më e rëndësishme për ju, atë që ju e ndjeni të lidhur me aspiratat tuaja më të thella dhe më të veçanta. Përgjigja mund të vijë edhe brenda një muaji, për këtë nuk ka rregulla. Mos hezitoni të testoni vetveten, të pyesni vetveten, të projektoheni në kohë, në mënyrë që të jeni të sigurt që keni zgjedhur pikërisht atë, çka ju mendoni se mund të bëni.
Në momentin që jeni të sigurt, se keni identifikuar dëshirën tuaj për ndryshim, shkruani pyetjen dhe përgjigjen mbi një letër, që do ta vendosni në një zarf me ngjyrë, që ju mendoni se simbolizon më mirë projektin tuaj. Pastaj futeni zarfin( në një vend që ka kuptim për ju) njësoj si të mbillnit një farë në tokë.
Detajoni dëshirat tuaja
Pasi të keni mbjellë ‘farën e projektit tuaj’, mbi një fletë, shënoni dy ose tre ambicie të mëdha, që kanë lidhje me ‘’dëshirën’’ tuaj. Kushtojini të paktën një gjysmë faqe secilës. Nëse keni zgjedhur ‘ Dua të jem më e lirë’, ju mund të shënoni si ambicie, psh., ‘’të kem më shumë kohë të lirë për veten, të çlirohem nga gjykimi i të tjerëve, ose të shkëputem nga marrëdhëniet helmuese’’. Mos hezitoni t’i riktheheni zgjedhjes së ambicieve tuaja, nëse nuk jeni të bindur për përshtatshmërinë e tyre. Nuk duhet t’i jepni llogari, veçse vetes suaj. Në këtë stad, duhet të jeni të sigurt, se duhet të mbështeti mbi levën e duhur të ndryshimit.
Me të qenë të sigurt, rendisni gjithë përfitimet tuaja, si psikologjike ashtu edhe materiale, që shpresoni nga çdo ambicie e shprehur. Mos e censuroni veten, shënoni gjithçka, edhe ato më të parëndësishmet, që ju duken qesharake ose dytësore. Ky projektim pozitiv, do të ushqejë motivacionin tuaj, duke vepruar si pickim kujtues, çdo herë që ju do të rilexoni shënimet tuaja.
Tani, më një ngjyrë tjetër, rendisni gjithçka, që ju ka penguar dhe ju pengon të arrini këto objektiva : frikë, besime, të dhëna materiale….Gjithë frenimet, nga më e vogla tek më e madhja, duhet t’i rendisni të tëra. Ky ushtrim është shumë i rëndësishëm, sepse identifikon qartësisht atë çfarë ne na bllokon apo na frikëson, ndihmon të përcaktojmë progresivisht pjesën e gjërave, midis dëshirave tona dhe realitetit.
Planifikimi i zgjidhjeve
Kjo etapë është thjeshtësisht e përcaktuar të materializojë qëllimin tuaj, përpara vënies në jetë të projektit. Programimi në kohë i një projekti, jo vetëm përcakton një realitet, por kjo ndihmon në përforcimin e motivimit dhe thjeshtëson realizimin e tij. Qëllimi i kësaj shkëputje të përkohshme, është dalja nga një logjikë binare mashtruese të natyrës, ose gjithçka ose asgjë,, duke u angazhuar konkretisht dhe duke ju ftuar të adaptoni politika me hapa të vegjël.
Ju mund të shënoni diku këtë citim të Lao-tseu për ta pasur parasysh : ‘’ Një rrugë shumë e gjatë fillon gjithmonë me një hap të parë’’
Rendisni çdo ambicie në 3 nënndarje- afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë- në të cilën ju do të rendisni të gjitha zgjidhjet që do i përafrohen objektivave tuaj. Nga më precizet tek më të përgjithshmet, nga më të thjeshtat deri tek më të vështirat./Psychologies.com/en.ko/