PS: në Ditën e Europës, Berisha dështoi. Shqipëria si Venezuela dhe Azerbajxhani

54

ditmir-bushati-arkivPartia Socialiste përmes një deklarate për mediat theksoi, se pikërisht në Ditën e Europës, Berisha ka dështuar. Deputeti Ditmir Bushati nënvizoi, se janë tre shanse të humbura për Shqipërinë. Se, vetëm 22 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria vazhdon të jetë një regjim hibrid, më i ngjashëm me Venezuelën dhe Azerbajxhanin, se sa me vendet e Europës.

Sot, në Ditën e Europës është më e qartë se kurrë se çfarë përmasash dramatike ka marrë dështimi i Sali Berishës dhe PD në ndërtimin e Shqipërisë Europiane. 3 shanse të humbura në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim, kurs përplasje me perëndimin dhe posaçërisht partnerin strategjik SHBA-të, raporte gjithnjë e më kritike për situatën që mbizotëron sot në Shqipëri, dhe një shqetësim në rritje për drejtimin ku po e çon vendin Sali Berisha, ky është bilanci i situatës së sotme. Është e papranueshme që plot 22 vjet pas rënies së komunizmit Shqipëria vazhdon të jetë regjim hibrid, më i ngjashëm me Venezuelën dhe Azerbajxhanin sesa me vendet e rajonit apo Europën demokratike ku duam të anëtarësohemi’’,- theksoi Bushati.

Bushati denoncoi gjithashtu, tentativat e Berishës për të deformuar procesin zgjedhor.

Është një e vërtetë e thjeshtë dhe e dukshme: Sali Berisha ka dështuar me procesin e ndërtimit të një Shqipërie Europiane, demokratike e të drejtë. Tentativa e tij flagrante për të deformuar sërish procesin zgjedhor,  kokëfortësia me të cilën po u përgjigjet paralajmërimeve gjithnjë e më serioze që po vijnë nga partnerët ndërkombëtarë, për koston që kjo do të kishte për vendin,  janë prova më e qartë se Sali Berisha e ka bërë zgjedhjen e tij”,- tha Bushati

PS siguroi se, pas 23 Qershorit projekti për Rilindjen do të aplikohet në të tëra fushat respektive, duke e vënë theksin te mosndëshkueshmëria politike, e cila është kthyer në një sistem.

“Pas 23 Qershorit procesi i ndërtimit të Shqipërisë Europiane do të jetë përparësia e veprimit politik e shoqëror e qeverisë së re. Ky nuk është një slogan, por një projekt i mirëfilltë politik e gjeostrategjik që përbën thelbin e Programit për një Rilindje Shqiptare. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga zgjedhjet e lira e të ndershme dhe forcimi i institucioneve demokratike të qëndrueshme në shërbim të qytetarëve e jo pushtetit të radhës. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga çlirimi i sistemit të drejtësisë nga korrupsioni e politizimi që e kanë kthyer mosndëshkueshmërinë në sistem. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga çlirimi i shërbimit diplomatik nga nepotizmi e politizimi që e kanë kthyer shërbimin diplomatik në celulë anti-opozitë. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga ndërtimi i një qeverisjeje transparente dhe një administrate publike të ndërtuar jo mbi bazat e militantizmit e nepotizmit, por mbi bazën e profesionalizmit;

Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kaloje nga transformimi i sistemit arsimor nga një sistem i dështuar që sot prodhon analfabetë funksionalë, në një sistem arsimor që u krijon të rinjve mundësinë të konkurrojnë denjësisht me bashkëmoshatarët e tyre në tregun Europian të punës; nga një zhvillim ekonomik që prodhon punësim e mirëqenie dhe jo thjesht pasuri për një grusht njerëzish në pushtet; nga një politikë që mbështet drejtësinë dhe kohezionin social e jo rritjen e pabarazisë; nga një politikë e jashtme që synon bashkëpunimin dhe stabilitetin e jo shpërthimet primitive të nacionalizmit për përfitime të ngushta politike’’,- përfundoi deklaratën në emër të PS-së Bushati. /al.bl/