Dekorohet sot Donald Rumsfeld nga presidenti Bujar Nishani

Donald Rumsfeld
Donald Rumsfeld

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, i cili ka mbërritur në fundjavë në Tiranë me ftesë të ministrit Fatmir Mediu pritet të nisë sot takimet zyrtare.

Rumsfeld do të dekorohet sot nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e më pas do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Sali Berisha.

Gjithashtu ish-shefi I Pentagonit do të marrë pjesë në një bashkëbisedim për NATO-n dhe sfidat e saj, takim që do të zhvillohet së bashku me kryeministrin Berisha dhe ministrin Mediu, ku do te marrin pjesë dhe shumë të ftuar.

Gjatë pasdites, Rumsfeld do të jetë pjesëmarrës në një ceremoni të promovimit të librit të tij, të botuar në gjuhën shqipe.

Ramsfeld është një prej mbështetësve kryesorë të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe një prej miqëve të shumtë të Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare.

Vizita e tij në Tiranë zhvillohet në javën përmbyllëse të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit

Ndahet nga jeta ish-trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe

josip kuzheIsh-trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ndërroi jetë pasditen e sotme. 61-vjeçari ka qenë i sëmurë prej kohësh nga leucemia, ndërsa sot ai u nda përfundimisht nga jeta. Kroati erdhi në krye të kombëtares zyrtarisht më 20 maj të 2009-s, pas shkarkimit të trajnerit holandez Ari Han, duke i drejtuar kuqezinjtë për 18 muaj, në 13 ndeshje zyrtare me një bilanc prej 2 fitoresh, 4 barazimesh dhe 7 humbjesh dhe në 11 ndeshje miqësore me një bilanc prej 6 fitoresh, 3 barazimesh dhe 2 humbjesh.
Kuzhe ka hyrë në historinë e kombëtares shqiptare si trajneri që ka arritur fitoren më të thellë në historinë e përfaqësueses sonë: 6-1 ndaj Qipros në një ndeshje miqësore të vitit 2009

Dokumentar: Pamjet e fshehura të arrestimit të Berishës

berisha-pranga2Këtë të hënë emisioni i fundit në këtë fushatë i gazetarit Andi Bushati, “Zonë e ndaluar”, paralajmëron surpriza me një dokumentar për karrierrën politike gjysëmshekullore të Sali Berishës, që nga dita që hyri në politikë në vitin 1968 e deri më sot.

Në dokumentar parakalojnë të gjitha momentet kyce të karierës së Berishës, një pjesë të të cilave të filmuara nga televizione të huaja: dita kur morri teserën e PPSH-së, kur bëri thirrjen pro Ramiz Alisë në dhjetor 1990, zgjedhjet e vitit 1996, rënia e piramidave, largimi nga presidenca rikthimi i tiji bujshem më 2005, ngjarjet e Gërdecit dhe ato të 21 janarit.

Por, përmes shumë filmimeve të rralla gjenden edhe ato ekskluzive të pamjeve të arrestimit të Berishës me urdhër të ish kryeministrit Meta./ Gazeta Dita/

berisha-pranga2
Arrestimi i Berishes/ Dokumentar i Andi Bushatit

 

Arrestimi i Berishes/ Dokumentar
Arrestimi i Berishes/ Dokumentar i Andi Bushatit

 

 

 

 

Rama dëmtoi interesat e mia: Çfarë do të bëj tani ?

945416_10151456940046523_1411267374_nNga Alban Blushi

Email-e të vazhdueshme vijnë në kutinë postare, në kuadrin e fushatës elektorale. Emaile që ‘faktojnë’ puçizmin e opozitës, kundrejt arritjeve të paimagjinueshme të vendit. Emaili i radhës ka një titull, që ngre një pikëpyetje, që shoqërohet me një proces vendimmarrje, dhe orientimi politik më pas: ‘Rama dëmtoi interesat e tua. Çfarë do të bëj tani?’ Pra, çfarë duhet të bëj unë, si votues pasi të lexoj këtë mail.

E lexova dhe gjykova të sqaroj pikë për pikë, se ‘Çfarë do të bëj unë, ai, ose ajo, si votues i radhës?’

1.“ Edi Rama ka ndikuar në jetën tonë. Edi Rama e largoi nga ne statusin e vendit kandidat  për në Bashkimin Europian, për shkak të strategjisë së tij elektorale”.

Fatmirësisht të gjitha raportet dhe prononcimet në nivel të BE-së, nuk e kanë vënë kurrë theksin mbi faktin, se strategjia elektorale e Ramës pengoi anëtarësimin, përkundrazi e kanë vënë gishtin mbi faktorin qeverisës, në mospërmbushje reformash dhe detyrimesh (12 pika që s’janë plotësuar) dhe për mungesë dialogu politik.

2. “Edi Rama mban larg teje dhe t’i fsheh disa te vërteta të rëndësishme, si deklarimi i të ardhurave”.

Krejt pa dashur, në një proces të pavullnetshëm, në mend të shfaqen, denoncimet publike ndaj familjes Kryeministrore. Milonat, që prodhonte fabrika e vdekjes në Gërdec. Milionat e fituara nga zyra avokatore e vajzës së Kryeministrit, duke ndërhyrë si ndërmjetëse në marrëveshjet e biznesit me qeverinë shqiptare. Fakte të denoncuar live, nga media dhe shtypi i pavarur. Miliona,miliona,miliona, të shfaqen padashur, janë aty, prova në renditje….

3. “Propaganda e tij është boshe dhe ai kërkon të të mashtrojë me premtime të rrezikshme për vendin” 

Këtu jam dakord, demokracia është rrezik, ndaj të njëjtin mendim me kastën qeverisëse, se duhet ruajtur kjo status quo aktuale, autoritarizëm vertikal.

“….kërcënimet që i bën investitorëve të huaj dhe bizneseve rrezikojnë vendin tënd të punës”. 

Nuk dua, por në mend më kalojnë fuqishëm sërish, pamjet denoncuese të biznesmenit, që dëshmonte se si vajza e Kryeministrit në detyrë, i kërkonte 3% të shumës marramendëse të investimit të tij. Është proces i pavullnetshëm, të shfaqen automatikisht imazhet bardhë e zi, të zonjës 3 milionë dollarshe, janë aty në renditje…

3. “ Edi Rama fyen dhe tallet me këdo në Shqipëri. Ai ofendoi infermieret si të pamoralshme. Rama tha se mësuesit tanë janë të pakulturuar. Ai mendon se të rinjtë tanë, janë dembelë, dinë vetëm të rrinë në kafe e të bëjnë flokët me xhel. Ai po mundohet të krijojë ankth tek ti, sepse thotë se shqiptarët po vuajnë nga uria. Edi Rama krijon pesimizëm dhe trishtim.”

Është jashtë vullnetit tim sërish, nuk ndalet dot procesi automatik i shfaqjeve të imazheve live, përpara Kryeministrisë, më atë 21 janar. I vetmi person, që u tall live me jetën e shqiptarit, duke i vrarë përpara Kryeministrisë është Kryeministri në detyrë, Sali Berisha. I vetmi person, që arriti të ofendonte dhe të poshtëronte live përpara opinionit publik, Kryeprokuroren e Republikës së Shqipërisë, duke e quajtur ‘lavire bulevardi’ është Kryeministri në detyrë, Berisha. I vetmi person, që u tall me të rinjtë shqiptarë duke i konsideruar ‘kokëpalarë bulevardi dhe të droguar’ është Kryeministri në detyrë, Berisha.

Ankthin në shoqërinë shqiptare të periudhës së ‘demokracisë’ nuk e futi Rama, por dhunuesit e zgjedhjeve, të korruptuarit, vrasësit e bulevardit, vrasësit e fabrikave vdekjeprurëse, gjobëvënësit e miliardave dhe shkatërrimit të përpjekjeve investuese. Pesimizmin dhe trishtimin, nuk e krijon Rama që ka 8 vjet në opozitë, por e krijon një figurë autoritare, e cila duke u tallur rëndom si në oborrin e sarajeve të veta,  deklaron se do ta mbajë pushtetin edhe për 35 vite të tjerë.

23 qershori po afron dhe sigurisht që njerëzit e dinë, se çfarë do të bëjnë! Nuk do t’i thonë PO mungesës së demokracisë, nuk do t’i thonë PO pranimit të vrasjeve dhe dhunimeve, nuk do t’i thonë Po nëpërkëmbjes së tyre, nuk do t’i thonë PO, mohimit të së ardhmes.

Është momenti që shqiptarët të votojnë për vetveten, për atë që ua kanë mohuar ndër vite, Dinjitet, Respekt dhe Mirëqenie!

 

 

 

 

Kërcënohet ekipi i “Fiks Fare” në inagurimin e tunelit të Krrabës

tuneli-krrabeNjë grup xhirimi i emisionit “Fiks Fare” është ndaluar dhe kërcënuar nga Garda e Republikës si edhe i janë sekuestruar pamjet filmike të xhiruara në inaugurimin që kryeministri i vendit i bëri tunelit të Krrabës paraditen e së dielës.

Operatori Eno Cucallari është ndaluar të xhirojë pak momente para se të nisë fjalimi i kryeministrit, ndërsa në kërcënim e sipër i kanë marrë edhe kasetën që kishte xhiruar mitingun e organizuar me këtë rast nga Partia Demokratike.

Mesa duket këtë radhë shqetësimi nuk ka qenë pjesëmarrja në mitingje, e cila ka kohë që është në investigimin e emisionit “Fiks Fare”, por lëvizjet dhe përgatitja e vetë kryeministrit përpara fjalimit që do të mbante me këtë rast. “Fiks Fare” do ta ketë në fokusin e saj në emisionin e të hënës, si edhe do të zbulojë mënyrën se si u urdhërua për kërcënimin dhe sekuestrimin e kasetës filmike.

Urdhëri i Gardës së Republikës është i paprecedentë dhe dhunon të drejtën që rrjedh nga kushtetuta e vendit për informim.

*Top Channel

Rama në Vlorë, takim me ushtarakë e studentë

rama pkNë një “kënd fjale” me ish-ushtarakët në Vlorë, Rama ka theksuar se siguria për jetën është më kritike se kurrë, ndërsa ka premtuar se gjithçka që premtohet në programin e rilindjes do të bëhet realitet.

“ Policia e shtetit është rrënuar dhe vrasjet janë rritur me katër herë.Grabitjet me dhunë të individit dhe pronës janë rritur ndjeshëm. Ata e kanë shumë të lehtë të premtojnë gjithçka, por kanë 8 vjet në pushtet dhe e rrënuan vendin. Ne nuk do të mbyllim sytë përballë halleve tuaja, por do të zgjidhim gjithçka duke iu dëgjuar e duke u bërë hallet tuaja, hallet tona” tha ai.

Në fjalën e tij, Rama gjithashtu premtoi se pas ardhjes në pushtet PS-ja do të bëjë të mundur rindërtimin e policisë së shtetit.

“Brenda 300 ditëve të para qeverisëse do t`i japim vendit një polici shteti në krye të detyrës. Do të vijojmë me procesin e rindërtimit të policisë së shtetit i cili do të bazohet  tek profesionalizmi, integriteti dhe eksperienca e këtyre njerëzve” tha Rama.

Rama akuzoi gjithashtu qeverinë për grabitjen e pronave të ushtrisë duke theksuar nga ato nuk kanë përfituar as ushtarakët dhe as publiku.

“Ajo që është bërë me pronat e ushtrisë është e papërfytyrueshme. Nga ato prona të gjithë ju që kontribuat në vite nuk merrni asgjë, as publiku, ato prona iu transferohen oborrtarëve dhe familjarëve të Saliut duke u kthyer në pronarë tokash pafund. Do bëjmë transparencë për aktet e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ne do bëjmë transparencë të plotë në lidhje me deformimet dhe korrupsioni i pronave” tha Rama.

Kreu i PS-së theksoi gjithashtu se ushtria sot drejtohet nga një ministër i paaftë dhe karagjoz, që është vënë në funksion të fushatës. “Ushtria është kthyer në një garnizon privat për të marrë vota. Ne synojmë të ripërtërihet ajo trupë e madhe që duhet të jetë krenaria jonë, garancia jonë”, tha Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot edhe një bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Vlorës.

Në këtë bashkëbisedim ishte i pranishëm edhe stërnipi i Ismail Qemalit, profesor në universitetin e Barit i cili ka ftuar shqiptarët të rizgjohen dh eta kuptojnë sa më drejt demokracinë.

“Që sot fillon pavarësia e dytë, demokraci nuk do të thotë të votosh e të bësh një x, ajo është respekt si ndaj fshatarit dhe miliarderit” tha ai.

Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama akuzoi qeverinë për situatën me të cilën sipas tij është katandisur arsimi ndërsa ka premtuar se Partia Socialiste pas 23 qershorit do t’i kthejë shkollës dinjitetin e munguar.

Sipas Ramës me ardhjen e socialistëve në pushtet punësimet do të bëhen sipas meritës e jo sipas angazhimit në partitë politike.

“ Është katastrofë ta bësh universitetin si një magazinë gjigande ëndrrash që kalben aty dhe nuk prodhojnë asgjë. Në emër të lirisë së universiteteve, ato nuk duhet të mbingarkohen, të vlerësojnë me meritën, të rritet cilësia, ti fusim në proces akreditimi, nuk jemi kundër universiteteve private, por duhet të plotësojnë standarde.  Universiteti duhet të ketë autonomi për të vendosur, Nuk mund ti thuhet hap dyert dhe prit dyndjet, është bërë universiteti si porti i Barit ku mësynin dikur shqiptarët” tha Rama.

Gjithashtu kryetari i PS-së Edi Rama u shpreh se varfëria është një mbështetje shumë e fortë për diktaturën, ndërsa vuri në dukje se zonat që votojnë masivisht PD-në rezultojnë të jenë edhe më të varfërat.

“Varfëria dhe injoranca janë këmbët mbi të cilat ngrihen diktaturat dhe gjysmëdiktaturat. Për qeverisjet me natyrë autoritare varfëria është një mbështetje shumë e fortë, varfëria nuk është aleat i opozitës, është baza mbi të cilën mbështetet dhe ushqehet autoritarizmi. Aty ku PD merr vota ka më shumë varfëri, papunësi dhe izolim. Unë jam i bindur se Shqipëria ka një avantazh, është në mes të Europës shqiptarët janë të shëtitur, emigracioni një nga fuqitë më të rëndësishme jo vetëm për mbijetesë por edhe për emancipim shoqëror. Çfarëdo deformimi të ketë, jam i bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do jenë shprehja e vullnetit të shumicës dhe shumica do votojë për rilindjen”, tha Rama.

 

Kryeministri Serb Dacic: Kohë për paqe dhe një të ardhme më të mirë në Ballkan

/foto Tanjug/
Ivica Dacic/foto Tanjug

Kryeministri serb Ivica Dacic, pas një takimi në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, për Kosovën, deklaroi se ishte koha për t’u fokusuar në forcimin e paqes dhe krijimin e një të ardhme më të mirë për popujt në Ballkan, pas dy dekadash destabiliteti.

“Marrëveshja që ne nënshkruam është me domethënie historike, me dëshirën për të ndërtuar marrëdhënie, që do ta shndërrojnë rajonin në rajon paqe dhe stabiliteti’,- deklaroi Dacic.

Dacic ka deklaruar gjithashtu se, takimi i së premtes pati shumë komente pozitive, për sa i përket situatës në terren, duke shtuar se Serbia e shikon si shumë të rëndësishme faktin, se një integrim i mëtejshëm, ka marrë komente pozitive.

“Ndërmjet dy mbledhjeve të fundit të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, marrëveshja e Brukselit dhe implementimi i saj u nënshkruan, dhe shumë prej anëtarëve të Këshillit të Sigurisë patën komente pozitive, më synim nxitjen e Beogradit dhe Prishtinës për përmbushjen e Marrëveshjes”- theksoi ai.

Dacic ka theksuar se, takimet e Këshillit të Sigurisë në 20 vitet e kaluara, përfshinin diskutime mbi luftëra, sanksione dhe një fushatë bombardimi kundër Serbisë dhe është koha për t’i përkushtuar të njëjtën lloj vëmendje ndërtimit të paqes dhe një të ardhme më të mire për popujt e Ballkanit./Tanjug/

 

Drejtor i FES në Tiranë, Hantke: Duhet patjetër të kemi një rotacion pushteti

587Në një  intervistë për DW, Frank Hantke, drejtor i FES në Shqipëri, deklaron se rotacioni është pozitiv për të mos lejuar ngurtësimin e sistemit të klientelizmit. Ai thekson, se administrata publike është nën presion qeveritar dhe se shumica e saj është e emëruar mbi preferenca partiake. Hantke, vë theksin gjithashtu edhe mbi mosqarkullim të elitave politike, ndër vite.

DW: Si e vlerësoni këtë fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare duke patur parasysh standardet demokratike dhe evropiane që klasa politike në Shqipëri është zotuar të respektojë?

H: Fushata elektorale është mjaft zhgënjyese, sa i takon pjekurisë demokratike. Kemi thuajse 70 parti që kandidojnë, dhe 62 prej tyre janë të lidhura me një nga dy blloqet, kështu që kemi një fushatë elektorale dy partish, ose blloqesh, mes të cilave ndryshimet nuk janë edhe aq ideologjike, se sa në luftën për pushtetin dhe privilegjet e lidhura me të. Nga ajo që kemi vëzhguar deri tani mund të themi që fushata nuk është përqëndruar edhe aq në temat elektorale se sa tek fajësimet reciproke, si akuzat për korrupsion, nga të cilat thuajse çdo ditë dëgjojmë të reja. Shumë prej tyre mund të jenë të ekzagjeruara, por një pjesë janë të mbështetura nga prova, qofshin këto akuza për sulme ndaj zyrave, apo ndaj kandidatëve. Kemi prova që nëpunësit e administratës shtetërore detyrohen me mjete shumë të padenja të pozicionohen në anën e partisë qeverisëse. Drejtorë shkollash detyrohen të dërgojnë mësuesit në mitingjë të partisë qeverisëse, etj. Pra trysnia e partive në qeveri ndaj të punësuarve në sektorin publik është shumë e madhe.

DW: Ku duhet kërkuar shkaku për këtë? Tek partitë apo edhe tek zgjedhësit, të cilët kanë prirje të përkrahin partitë që përdorin një “gjuhë të fortë”?

H: Kjo ka të bëjë edhe me historinë e demokracisë shqiptare e cila është shumë e re dhe e papjekur. Kjo nuk është akuzë, por konstatim. Ne e dimë nga përvoja e vendeve të tjera se sa shumë kohë duhet që gjërat të ndryshojnë edhe në mendjen e njerëzve. Nga ana tjetër me ndryshimin e sistemeve në Shqipëri nuk ka pasur ndryshim të vërtetë të elitave politike. Shumë nga politikanët e elitës së vjetër i rigjejmë sot në parti të ndryshme. Nuk mund të thuash se gjithë ish-komunistët janë grumbulluar në një parti të vetme. Përkundrazi kemi një shpërndarje të elitës së vjetër në thuajse të gjitha partitë. Sigurisht Shqipëria nuk është ndryshe nga vende të tjera në tranzicion, por këtu kjo është shumë e dukshme.

Kemi edhe një tjetër aspekt: vendet në administratën publike, rreth 70 ose 80 mijë vende pune shpërndahen sipas përkatësisë partiake. Kështu ka qenë në qeverinë socialiste dhe kështu ishte edhe administratën Berisha. Për pasojë ndodh shpesh që njerëz të cilët kanë fituar kompetencë profesionale të zëvendësohen nga të tjerë të paaftë, që janë thjesht përkrahës të një partie. Kjo bëhet pengesë që vendi në përgjithësi të bëhet më kompetent në administratën publike.

DW: A mendoni se kjo do të ndryshojë pas miratimit të ligjit për administratën publike nga Parlamenti i Shqipërisë?

H: Nëse duam të jemi të ndershëm duhet të pranojnë se shumë nga ligjet që ekzistojnë në letër, janë konform kërkesave të BE-së. Por ligjet nuk zbatohen. Ky është një sekret i ditur nga të gjithë, pra që mes letrës dhe realitetit ekziston një hendek i madh. Pra krijohet përshtypja e afrimit në përgjithëse të legjislacionit me kërkesat e BE-së, por kur sheh realitetin politik këtu konstaton se zbatimi i ligjeve dhe kontrolli i respektimit të ligjeve nuk funksionon aspak. Të gjitha organet e kontrollit janë në duar të qeverisë përkatëse, dhe kështu nuk mund të kryejnë më rol kontrollues pasi nuk janë më të pavarur. Lidhur me miratimin e ligjit për administratën publike ekziston shpresa që me ndryshimin e qeverisë pas zgjedhjeve të bëhet diçka. Nëse shohim zbatimin e ligjeve gjatë tetë viteve të administratës Berisha duhet thënë se për fat të keq ka shumë pak shpresa që diçka thelbësore të ndryshonte gjatë një mandatit të tretë të tij. Se si do të jetë kjo në rast fitoreje të opozitës, mbetet të shihet, por ka një farë shprese e cila natyrisht është e shoqëruar me dyshime. Dyshime, pasi edhe në kohën e qeverisjes nga socialistët ka pasur tendencë të kumulimit të pushtetit nga qeveria.

DW: Sipas jush një rotacion do të ishte atëherë në dobi të shqiptarëve?

H: Mendoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve janë për një rotacion, ndryshim pushteti. Pasi ky sistem sipas të cilit, fituesi merr gjithçka, po ngurtësohet gjithnjë e më shumë, po depërton thellë e më thellë, deri në fshatin më të vogël.

DW: Partitë / koalicionet në garë kanë bërë premtime bujare për hapjen e qindra mijëra vendeve të reja të punës, pa sqaruar megjithatë në mënyrë të plotë se si do të financohen këto masa punësimi. Kemi të bëjmë këtu thjesht me premtime elektorale, të cilat nuk ka gjasa të zbatohen pasi janë larg realitetit ekonomik të Shqipërisë?

H: Kur politikanët japin shifra konkrete për vende të reja pune, unë jam gjithnjë skeptik. Vendet e punës krijohen në radhë të parë nga ekonomia, me përjashtim të atyre në sektorin publik. Këto të fundit po shpërndahen fare qartë nga partitë, si p.sh. në rastin e LSI-së e cila premton 20 për qind të vendeve të administratës për përkrahësit e saj. Ndryshe më duhet të them se premtimet për vende pune me shifra konkrete janë shumë të dyshimta, jo vetëm në Shqipëri. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një garë se kush premton më shumë vende pune për katër vitet e ardhshme, dhe nuk shpjegohet qartë se çfarë mjetesh do të përdoren, ku dhe në çfarë afatesh kohore, për krijimin e vendeve të reja të punës. Ka sigurisht përfytyrime se ku mund të krijoheshin vende të reja pune, por për të përmendur shifra konkrete, siç bëhet nga partitë në garë, e madje me shifra kaq të larta, nevojitet një sistem kualifikimi i i njerëzve që do të punësohen në sektorët e përmendur, investime si ato në infrastrukturë etj. Të gjitha këto, edhe kur ekzistojnë në programet e partive, janë të shpjeguara në mënyrë shumë të mjegullt. Për këtë arsye këto premtime nuk janë realiste.

DW: Në këto kushte, kur premtimet e partive tingëllojnë jorealiste, shqiptarët ka më shumë mundësi të votojnë për programet apo për partitë?

H: Në thelb shqiptarët nuk kanë një alternativë të vërtetë. Ata kanë dy blloqet që kandidojnë dhe që janë të armiqësuar deri në dhëmbë. Nuk ka parti të tjera të cilat të ofrojnë alternativë thelbësore apo serioze. Kjo është njëra ana. Nga ana tjerër, fola dhe më parë për trysninë shumë të madhe që prej javësh, muajsh ushtrohet ndaj njerëzve. Nga njëra anë në sektorin publik por edhe në sektorin privat, ku punëdhënësit kërkojnë nga të punësuarit e tyre të votojnë për një parti të caktuar. Në sektorin publik kjo vlen për partitë në qeveri, në radhë të parë për Partinë Demokratike. Kjo trysni i kufizon njerëzit në lirinë e tyre për dhënien e votës, pasi vendi i punës është i varur nga kjo votë. Kjo vlen natyrisht edhe për opozitën, pasi vetëm ata që hapur angazhohen dhe e mbështesin atë, mund të shpresojnë për një vend pune në rast ndryshimi qeverie. Në një anketim të kohëve të fundit të fondacionit tonë rezultoi se shqiptarët kanë shumë pak besim tek klasa politike në vend.

DW: A do të ndikojë kjo negativisht në pjesëmarrjen në zgjedhje?

H: Unë personalisht jam kundër bojkotimit të zgjedhjeve. Fondacioni Friedrich Ebert përpiqet ndër të tjera edhe që në periudhë afatmesme dhe afatgjatë të ketë ndryshime në qendrimin e njerëzve. Ndryshimi duhet të ndodhë në bazë, njerëzit duhet të thonë: këtë gjendje nuk e pranojmë më. Në sfondin e asaj që thashë më lart, për këtë duhet në shumë raste kurajo e madhe civile. Kjo do t’i detyronte partitë ekzistuese të ndryshonin ose do të sillte lindjen e grupimeve të reja politike, që mund të jenë alternativa për shqiptarët. Për këtë arsye unë mendoj se nuk sjell asgjë të bojkotosh zgjedhjet. Objektivi kryesor mendoj unë, dhe besoj se është kështu edhe për pjesën më të madhe të shqiptarëve, është që të realizohet rotacioni.

DW: Nëse KQZ nuk plotësohet me anëtarët që mungojnë, a do të ketë kjo ndikimin në legjitimimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe pranimin e tij nga shqiptarët?

H: Ky është një problem shumë serioz. KQZ duhet të marrë shumë vendime me shumicë të kualifikuar, gjë që me përbërjen aktuale nuk e bën dot. Nuk duket se ka gjasa që deri në zgjedhje të ndryshojë diçka në këtë përbërje. Të dy palët këmbëngulin në pozicionet e tyre, të paafta për kompromis. Kështu është e qartë se të dyja palët kanë në duar një instrument për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve pas 23 qershorit. Ky është njëri aspekt. Aspekti i dytë ka të bëjë me disa detyra të KQZ-së, të cilat nuk po kryhen. Për shembull verifikimi i burimeve të financimit të fushatës elektorale. Nëse krahasojmë se sa fonde shtetërore janë në dispozicion për fushatën dhe sa po shpenzohen në të vërtetë, dallimi është i stërmadh. Pra fondet që të dyja partitë po përdorin për fushatë vijnë nga burime krejt të tjera, dhe jo p.sh. nga kuotat e anëtarëve, të cilat në shumë raste nuk ekzistojnë aspak. Të gjitha këto mbeten në errësirë sepse KQZ nuk po bën detyrat e veta. Pra mosplotësimi i KQZ-së është një mangësi e madhe, që u lë derën hapur gjithë zhvillimeve të mundshme pas zgjedhjeve.

DW: Cila do të ishte këshilla juaj për partitë dhe zgjedhësit në ditët e fundit deri në zgjedhje?

H: Në kaq pak ditë që kanë mbetur nuk mund të ndryshojë ndonjë gjë e madhe dhe çdo këshillë do të ishte më kot. Por besoj se është shumë e rëndësishme që palët të kuptojnë se asnjë ndryshim në vend nuk mund të ndodhë me vetëm 51 për qind, kundër 49 për qind. Përkundrazi, dialogu politik është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Të dyja palët duhet të pranojnë të mbështesin objektivat madhorë për të mirën e vendit, si p.sh. zhvillimi i ekonomisë, zhvillimi i sistemit arsimor etj. Pra duhet të ketë dialog. Nga përvoja ime personale mund të them se kam vendosur të jap leksione në universitete dhe shkolla për konceptin dialog, pasi ai as që njihet. Flas për konceptin e dialogut si e kuptojmë dhe e praktikojmë ne në Evropë, dhe që është guri i themelit për Bashkimin Evropian në përgjithësi.

Iran: Kleriku i moderuar Rowhan, fiton zgjedhjet presidenciale

IRAN-VOTE-REGISTRATION-ROWHANIShpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale në Iran, kleriku i moderuar Hassan Rowhani, favoriti i reformatorëve dhe ish negociator i bisedimeve bërthamore. Nëpërmjet një fitore të konsiderueshme dhe duke evituar edhe balotazhin, Rowhan mori rreth 19 milionë vota nga 37 milionë votues iranian.

Sipas raportimeve të mediave iraniane, pjesëmarrja në votime ishte rreth 70 përqind, ndërkohë që vetëm 50 milionë iranianë gëzojnë të drejtën e votës. Kryetari i Bashkisë së Teheranit Bagher Qalibaf, mori rreth 16 përqind të votave.

Zgjedhjet presidenciale u kryen pasi ish-presidenti Mahmoud Ahmadinejad, nuk mund të garonte dot për një mandat të tretë, pasi nuk i lejohej.

Mirditë, vritet me armë zjarri 55-vjeçari

policia mirditeNjë 55-vjeçar është vrarë me armë zjarri paraditen e sotme në rrethin e Mirditës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Prosekës ku 55-vjeçari Preng Lleshi është qëlluar për vdekje me armë zjarri ndërsa policia ka identifikuar edhe autorin e vrasjes.

Sipas policisë, është shpallur në kërkim 75-vjeçari Llesh Lleshi I cili dyshohet se pas një sherri për motive të dobëta me viktimën e ka qëlluar atë me armë duke e lënë të vdekur në vend.

Menjëherë pas krimit, i moshuari është larguar nga vendngjarje ndërsa policia po vijon kërkimet për kapjen e tij.

Gjithashtu uniformat blu të rrethit të Mirditës po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të vrasjes së 55-vjeçarit Preng Lleshi.