Rama dëmtoi interesat e mia: Çfarë do të bëj tani ?

60

945416_10151456940046523_1411267374_nNga Alban Blushi

Email-e të vazhdueshme vijnë në kutinë postare, në kuadrin e fushatës elektorale. Emaile që ‘faktojnë’ puçizmin e opozitës, kundrejt arritjeve të paimagjinueshme të vendit. Emaili i radhës ka një titull, që ngre një pikëpyetje, që shoqërohet me një proces vendimmarrje, dhe orientimi politik më pas: ‘Rama dëmtoi interesat e tua. Çfarë do të bëj tani?’ Pra, çfarë duhet të bëj unë, si votues pasi të lexoj këtë mail.

E lexova dhe gjykova të sqaroj pikë për pikë, se ‘Çfarë do të bëj unë, ai, ose ajo, si votues i radhës?’

1.“ Edi Rama ka ndikuar në jetën tonë. Edi Rama e largoi nga ne statusin e vendit kandidat  për në Bashkimin Europian, për shkak të strategjisë së tij elektorale”.

Fatmirësisht të gjitha raportet dhe prononcimet në nivel të BE-së, nuk e kanë vënë kurrë theksin mbi faktin, se strategjia elektorale e Ramës pengoi anëtarësimin, përkundrazi e kanë vënë gishtin mbi faktorin qeverisës, në mospërmbushje reformash dhe detyrimesh (12 pika që s’janë plotësuar) dhe për mungesë dialogu politik.

2. “Edi Rama mban larg teje dhe t’i fsheh disa te vërteta të rëndësishme, si deklarimi i të ardhurave”.

Krejt pa dashur, në një proces të pavullnetshëm, në mend të shfaqen, denoncimet publike ndaj familjes Kryeministrore. Milonat, që prodhonte fabrika e vdekjes në Gërdec. Milionat e fituara nga zyra avokatore e vajzës së Kryeministrit, duke ndërhyrë si ndërmjetëse në marrëveshjet e biznesit me qeverinë shqiptare. Fakte të denoncuar live, nga media dhe shtypi i pavarur. Miliona,miliona,miliona, të shfaqen padashur, janë aty, prova në renditje….

3. “Propaganda e tij është boshe dhe ai kërkon të të mashtrojë me premtime të rrezikshme për vendin” 

Këtu jam dakord, demokracia është rrezik, ndaj të njëjtin mendim me kastën qeverisëse, se duhet ruajtur kjo status quo aktuale, autoritarizëm vertikal.

“….kërcënimet që i bën investitorëve të huaj dhe bizneseve rrezikojnë vendin tënd të punës”. 

Nuk dua, por në mend më kalojnë fuqishëm sërish, pamjet denoncuese të biznesmenit, që dëshmonte se si vajza e Kryeministrit në detyrë, i kërkonte 3% të shumës marramendëse të investimit të tij. Është proces i pavullnetshëm, të shfaqen automatikisht imazhet bardhë e zi, të zonjës 3 milionë dollarshe, janë aty në renditje…

3. “ Edi Rama fyen dhe tallet me këdo në Shqipëri. Ai ofendoi infermieret si të pamoralshme. Rama tha se mësuesit tanë janë të pakulturuar. Ai mendon se të rinjtë tanë, janë dembelë, dinë vetëm të rrinë në kafe e të bëjnë flokët me xhel. Ai po mundohet të krijojë ankth tek ti, sepse thotë se shqiptarët po vuajnë nga uria. Edi Rama krijon pesimizëm dhe trishtim.”

Është jashtë vullnetit tim sërish, nuk ndalet dot procesi automatik i shfaqjeve të imazheve live, përpara Kryeministrisë, më atë 21 janar. I vetmi person, që u tall live me jetën e shqiptarit, duke i vrarë përpara Kryeministrisë është Kryeministri në detyrë, Sali Berisha. I vetmi person, që arriti të ofendonte dhe të poshtëronte live përpara opinionit publik, Kryeprokuroren e Republikës së Shqipërisë, duke e quajtur ‘lavire bulevardi’ është Kryeministri në detyrë, Berisha. I vetmi person, që u tall me të rinjtë shqiptarë duke i konsideruar ‘kokëpalarë bulevardi dhe të droguar’ është Kryeministri në detyrë, Berisha.

Ankthin në shoqërinë shqiptare të periudhës së ‘demokracisë’ nuk e futi Rama, por dhunuesit e zgjedhjeve, të korruptuarit, vrasësit e bulevardit, vrasësit e fabrikave vdekjeprurëse, gjobëvënësit e miliardave dhe shkatërrimit të përpjekjeve investuese. Pesimizmin dhe trishtimin, nuk e krijon Rama që ka 8 vjet në opozitë, por e krijon një figurë autoritare, e cila duke u tallur rëndom si në oborrin e sarajeve të veta,  deklaron se do ta mbajë pushtetin edhe për 35 vite të tjerë.

23 qershori po afron dhe sigurisht që njerëzit e dinë, se çfarë do të bëjnë! Nuk do t’i thonë PO mungesës së demokracisë, nuk do t’i thonë PO pranimit të vrasjeve dhe dhunimeve, nuk do t’i thonë Po nëpërkëmbjes së tyre, nuk do t’i thonë PO, mohimit të së ardhmes.

Është momenti që shqiptarët të votojnë për vetveten, për atë që ua kanë mohuar ndër vite, Dinjitet, Respekt dhe Mirëqenie!