Rama në Vlorë, takim me ushtarakë e studentë

63

rama pkNë një “kënd fjale” me ish-ushtarakët në Vlorë, Rama ka theksuar se siguria për jetën është më kritike se kurrë, ndërsa ka premtuar se gjithçka që premtohet në programin e rilindjes do të bëhet realitet.

“ Policia e shtetit është rrënuar dhe vrasjet janë rritur me katër herë.Grabitjet me dhunë të individit dhe pronës janë rritur ndjeshëm. Ata e kanë shumë të lehtë të premtojnë gjithçka, por kanë 8 vjet në pushtet dhe e rrënuan vendin. Ne nuk do të mbyllim sytë përballë halleve tuaja, por do të zgjidhim gjithçka duke iu dëgjuar e duke u bërë hallet tuaja, hallet tona” tha ai.

Në fjalën e tij, Rama gjithashtu premtoi se pas ardhjes në pushtet PS-ja do të bëjë të mundur rindërtimin e policisë së shtetit.

“Brenda 300 ditëve të para qeverisëse do t`i japim vendit një polici shteti në krye të detyrës. Do të vijojmë me procesin e rindërtimit të policisë së shtetit i cili do të bazohet  tek profesionalizmi, integriteti dhe eksperienca e këtyre njerëzve” tha Rama.

Rama akuzoi gjithashtu qeverinë për grabitjen e pronave të ushtrisë duke theksuar nga ato nuk kanë përfituar as ushtarakët dhe as publiku.

“Ajo që është bërë me pronat e ushtrisë është e papërfytyrueshme. Nga ato prona të gjithë ju që kontribuat në vite nuk merrni asgjë, as publiku, ato prona iu transferohen oborrtarëve dhe familjarëve të Saliut duke u kthyer në pronarë tokash pafund. Do bëjmë transparencë për aktet e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ne do bëjmë transparencë të plotë në lidhje me deformimet dhe korrupsioni i pronave” tha Rama.

Kreu i PS-së theksoi gjithashtu se ushtria sot drejtohet nga një ministër i paaftë dhe karagjoz, që është vënë në funksion të fushatës. “Ushtria është kthyer në një garnizon privat për të marrë vota. Ne synojmë të ripërtërihet ajo trupë e madhe që duhet të jetë krenaria jonë, garancia jonë”, tha Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot edhe një bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Vlorës.

Në këtë bashkëbisedim ishte i pranishëm edhe stërnipi i Ismail Qemalit, profesor në universitetin e Barit i cili ka ftuar shqiptarët të rizgjohen dh eta kuptojnë sa më drejt demokracinë.

“Që sot fillon pavarësia e dytë, demokraci nuk do të thotë të votosh e të bësh një x, ajo është respekt si ndaj fshatarit dhe miliarderit” tha ai.

Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama akuzoi qeverinë për situatën me të cilën sipas tij është katandisur arsimi ndërsa ka premtuar se Partia Socialiste pas 23 qershorit do t’i kthejë shkollës dinjitetin e munguar.

Sipas Ramës me ardhjen e socialistëve në pushtet punësimet do të bëhen sipas meritës e jo sipas angazhimit në partitë politike.

“ Është katastrofë ta bësh universitetin si një magazinë gjigande ëndrrash që kalben aty dhe nuk prodhojnë asgjë. Në emër të lirisë së universiteteve, ato nuk duhet të mbingarkohen, të vlerësojnë me meritën, të rritet cilësia, ti fusim në proces akreditimi, nuk jemi kundër universiteteve private, por duhet të plotësojnë standarde.  Universiteti duhet të ketë autonomi për të vendosur, Nuk mund ti thuhet hap dyert dhe prit dyndjet, është bërë universiteti si porti i Barit ku mësynin dikur shqiptarët” tha Rama.

Gjithashtu kryetari i PS-së Edi Rama u shpreh se varfëria është një mbështetje shumë e fortë për diktaturën, ndërsa vuri në dukje se zonat që votojnë masivisht PD-në rezultojnë të jenë edhe më të varfërat.

“Varfëria dhe injoranca janë këmbët mbi të cilat ngrihen diktaturat dhe gjysmëdiktaturat. Për qeverisjet me natyrë autoritare varfëria është një mbështetje shumë e fortë, varfëria nuk është aleat i opozitës, është baza mbi të cilën mbështetet dhe ushqehet autoritarizmi. Aty ku PD merr vota ka më shumë varfëri, papunësi dhe izolim. Unë jam i bindur se Shqipëria ka një avantazh, është në mes të Europës shqiptarët janë të shëtitur, emigracioni një nga fuqitë më të rëndësishme jo vetëm për mbijetesë por edhe për emancipim shoqëror. Çfarëdo deformimi të ketë, jam i bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do jenë shprehja e vullnetit të shumicës dhe shumica do votojë për rilindjen”, tha Rama.