Harta e objekteve pa leje që do të prishen

harta okkJanë rreth 500 objekte të ndërtuara jashtë çdo kriteri ligjor të cilat do të prishen në Parqe Kombëtare, rezerva natyrore apo në zona që duhet të ishin peizazh i mbrojtur. “Shekulli” ka mundur që të sigurojë listën e objekteve të cilat rrezikojnë që të prishen si pasojë e ndërtimit pa leje në zonat e mbrojtura. Ministria e Mjedisit ka nisur punën për verifikimin e të gjithë objekteve pa leje. Objektet janë të shpërndara në 54 zona të ndryshme me një shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Shifrat e dhëna nga studimi i ministrisë së Mjedisit të mbledhura prej specialistëve janë alarmante. Vetëm në zonën e Llogarasë, një nga peisazhet më të bukura janë ndërtuar 45 ndërtime pa leje. Pjesa më e madhe e këtyre objekteve janë ndërtuar për qëllime biznese, dhe më konkretisht janë 23 lokale. Vetëm 4 shtëpi pa leje janë ndërtuar në këtë zonë. Ajo që bie në sy është numri i objekteve që ndodhen ende në ndërtim.

Për shkak të fushatës dhe periudhës së tranzicionit të qeverisë, në këtë zonë ka nisur ndërtimi i 18 objekteve pa leje. Lezha dhe Pogradeci kane pësuar një masakër të vërtetë mjedisore. Edhe në zonën e Bunës, bumi i ndërtimeve pa leje ka qenë katastrofik si pasojë e neglizhencës së institucioneve shtetërore të cilat nuk kanë ndërhyrë. Janë në total 30 ndërtime të konstatuara nga ekspertët e ministrisë së Mjedisit gjatë verifikimit në terren. 20 prej objekteve që gjendjen në këtë zonë janë lokale, ndërsa 10 objekte të tjera janë në ndërtim. Ethet e objekteve pa leje nuk kanë lënë jashtë as Lagunën e Karavastasë, pavarësisht pasurisë natyrore që ofron kjo zonë. Edhe për shkak të shtrirjes së madhe dhe numrit të lartë të popullsisë, në këtë zonë janë vërejtur 73 ndërtime pa leje, prej të cilave vetëm 45 janë lokale.

Masakra nuk është ndërprerë as gjatë periudhës së zgjedhjeve . Në këtë kohë kanë nisur ndërtimin 28 objekte që nuk kanë mundur të përfundojnë. Në Kunë dhe në Vainë të Lezhës janë vërejtur gjithsej 43 ndërtime, prej të cilave vetëm 17 janë shtëpi dhe 26 objektet e tjera janë ngritur për qëllime biznesi. Edhe Parku Kombëtar i Prespës nuk ka mundur që t’i shpëtojë ndërhyrjes shkatërrimtare të dorës së njeriut, kjo falë edhe mosreagimit të strukturave shtetërore gjatë viteve të fundit. Janë 27 lokale që janë ndërtuar pa asnjë leje, ndërsa v10 të tjera janë banesa. Sipas të dhënave të ministrisë së Mjedisit në Shqipëri, 460 mijë ha gëzojnë statusin e zonës së mbrojtur, ose thënë ndryshe 15.5% e territorit. Deri në vitin 2020 përmes planeve të menaxhimit për zonat e mbrojtura, synohet që kjo sipërfaqe të shkojë jo më pak se 17%.

Prishja nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar

harta 1Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar i ushtron pa asnjë kufizim paraprak kompetencat në çdo rast kur ai konstaton objekt të kundërligjshëm, me ose pa leje ndërtimi, në të gjitha zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare. Në rastet kur INUK-ja konstaton objekte në ndërtim e sipër në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat dhe objektet e rëndësisë kombëtare, dhe kur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) ose autoriteti përgjegjës i planifikimit nuk ka zbatuar përgjegjësitë, atëherë do të jetë INUKu që do të veprojë menjëherë.

 Lefter Koka: Do të prishen të gjithë ndërtimet pa leje

 Ministria akuzon Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave se ka përdorur si fond kompensimi truallin brenda zonave të mbrojtura

Ministria e Mjedisit do të prishë të gjitha ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura në Velipojë, Butrint, Divjakë, Kune-Vainë, Llogara, Patok dhe Pogradec. Është vetë ministri i Mjedisit Lefter Koka i cili shpalosi edhe planin e veprimit të dikasterit që drejton. Ekspertë të ministrisë kanë verifikuar në terren të gjithë ndërtimit pa leje , veçanërisht ato të ndërtuara në zonat e mbrojtura . “Ministria e Mjedisit, si pjesë e Task- Forcës të ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave, për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit, ka marrë vendimin për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në zonat e mbrojtura në Velipojë, Butrint, Divjakë, Kune-Vain, Llogara, Patok dhe Pogradec”, tha Koka.

Në fjalën e tij, ministri i Mjedisit denoncoi rastet e abuzimit nga Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave duke përdorur sipërfaqet që janë të mbrojtura për kompensime për ish-pronarët. “Nga komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në mënyrë të paligjshme janë kompensuar dhe u është kthyer prona brenda zonave të mbrojtura. Zona të mbrojtura që janë në menaxhim nga subjektet private, por që kryejnë aktivitete të tjera krejt të paligjshme.

Do të prishen të gjithë ndërtimet pa leje të identifikuara përreth territorit të zonave të mbrojtura”, tha Koka. Sipas kreut të kësaj ministrie, Lefter Koka, do të punohet për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat e mbrojtura dhe për t’u rikthyer identitetin.“Synohet deri në vitin 2020 te kemi një sipërfaqe jo më pak se 17% e sipër të terri- torit. Ministria e Mjedisit ka hartuar plane dhe strategji për mbrojtjen e zonave. Ka ndërtime pa leje edhe në këto zona. Do punohet për prishjen e ndërtimeve pa leje brenda zonave të mbrojtura. Ky është vetëm fillimi. Shumë shpejt do ketë ndryshime të nevojshme në ligjin edhe për gjuetinë.

Në Llogara, Patok dhe Fushëkuqe, ka problematika me ndërtimet pa leje. E njëjta situatë po rëndohet edhe në Pogradec”, u shpreh Ministri Koka. Ministri Koka garantoi qytetarët për zbatimin e ligjit për zonat e mbrojtura, si dhe vijimin e punimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje .

Vendimi i Këshillit të Territorit

Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit, ministri I Mjedisit Lefter Koka do të deklaronte masat emergjente që do të marrë dikasteri i tij për të ndërhyrë në mbrojtjen dhe rehabilitimin të zonave të rëndësishme, kombëtare mjedisore. “Këshilli Kombëtar i Territorit e konsideroi një emergjencë për të rehabilituar pikërisht këto zona, të cilat nëse do t’i konsiderojmë të mbrojtura, vetëm të mbrojtura nuk kanë qenë përgjatë mbi 20 vitet e fundit Sigurisht, rreth 90 % e ndërtimeve që gjenden në zonat në fjalë janë ndërtime informale dhe që të bësh rehabilitimin e zonave të mbrojtura, hapi i parë dhe i domosdoshëm është, pikërisht, kthimi i tyre në identitet. Sigurisht, që ka një ligj të posaçëm për menaxhimin e parqeve kombëtarë, ku dhe lejet në mënyrë të domosdoshme janë për t’u dhënë nga KKT, ku do të thosha në shumë pak raste, mos të themi në asnjë rast, nuk është vepruar në mënyrë të atillë”, tha Koka.

Godina te Ekonomiku, sot prishja me shpërthim 

Policia e Shtetit ka nisur shembjen në bashkëpunim me Inspektoriatin Ndërtimor për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ndërtesa 5 katëshe pranë fakultetit Ekonomik në hyrje të qytetit Studenti do të prishet sot rreth orës 10:00, ndërsa studimi i masave ka nisur që dje me rrethimin e objektit. Janë kërkuar gjashtë ekspertë të xhenios në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët pritet të studiojnë objektin për të vendosur lëndë plasëse. Paraprakisht mendohet se do të hapen mbi 400 gropa brenda të cilave do të vendosen kallëpe plasëse që më pas përmes telekomandimit nga distance, do të bëhet edhe shpërthimi i kontrolluar. Pronarët, 3 vëllezër, thonë se janë në proces legalizimi dhe se kanë asnjë paralajmërim se objekti i tyre do të shembet. “Unë jam banor i Tiranës që në vitin ‘91 dhe këtë ndërtesë e kemi bërë me shumë sakrifica. Kjo ndërtesë është zhvilluar në mënyrë siç kanë ndërtuar të gjithë shqiptarët, me borxhe, me kredi. Është me dokumente, me leje ndërtimi edhe nga Bashkia e Tiranës dhe i kërkoj edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës të prononcohet për këtë objekt. Kam ruajtur parametrat inxhinierike.

Vetëm 2 kate janë pa leje. Unë nuk kam një letër zyrtare nga INUK, por këta duan ta shembin nga themelet”, shprehet pronari në një prononcim për News 24. Përplasja mes palëve ka një histori tejet të gjatë, madje u rrezikua edhe viti akademik , pasi studentët e Fakultetit Ekonomik të mbështetur nga pedagogët deklaruan se nuk do të vijojnë mësimin nëse nuk do të shembet godina. Madje Këshilli Studentor i drejtoi edhe një letër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ku e vinte në dijeni për problematikën e krijuar duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Inspektoriatit Ndërtimor. Në reagimin e saj, Bashkia e Tiranës është shprehur se nuk mund të ndërhyjë në objektin i cili po ndërtohet në oborrin e Fakultetit të Ekonomikut në Tiranë. Sipas Bashkisë, shoqërisë private të ndërtimit i është dhënë e drejta e kryerjes së punimeve sipas vendimeve të Bashkisë që mbajnë datën e vitit 2004. Nuk është hera e parë që studentët e Fakultetit të Ekonomisë kanë organizuar protesta në lidhje me objektin në fjalë. Në një kohë që Fakulteti i Ekonomisë vuan prej vitesh mungesën e ambienteve për studentët, brenda rrethimit të tij një tjetër godinë gjigande ngrihet nga privatët

 

“Fund Marrëzisë”: 363 persona ndiqen penalisht

policia...Operacioni “Fund Marrëzisë”, i zhvilluar që prej datës 14 tetor, po vijon me intensitet në të gjithë vendin. Në kuadër të këtij operacioni, deri në këto momente, janë të bllokuara 348 subjekte, ndërsa janë kontrolluar 1,127 subjekte.

Ministria e Mbrojtjes njofton se janë proceduar penalisht 364 subjekte dhe janë proceduar 363 persona. Gjithashtu, deri më tani rezulton se janë sekuestruar 2,181 makineri lojëra fati dhe e pajisje, 161 kompjutera dhe 503 monitorë në subjektet e pikave të basteve.

Në qarkun Tiranë: janë të bllokuar 216 subjekte, janë kontrolluar 167 subjekte, janë proceduar penalisht 80 subjekte dhe 78 persona, janë sekuestruar 815 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 39 kompjutera e 132 monitorë.

Në qarkun Durrës: janë të bllokuar 24 subjekte, janë kontrolluar 93 subjekte, janë proceduar penalisht 24 subjekte dhe 24 persona, janë sekuestruar 206 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 13 kompjutera e 24 monitorë.

Në qarkun Lezhë: janë të bllokuar 41 subjekte, janë kontrolluar 37 subjekte, janë proceduar penalisht 26 subjekte dhe 26 persona, janë sekuestruar 147 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 6 kompjutera e 25 monitorë.

Në qarkun Shkodër: janë të bllokuar 4 subjekte, janë kontrolluar 83 subjekte, janë proceduar penalisht 21 subjekte dhe 21 persona, janë sekuestruar 80 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 19 kompjutera e 74 monitorë.

Në qarkun Kukës: janë të bllokuar 2 subjekte, janë kontrolluar 21 subjekte, janë proceduar penalisht 15 subjekte dhe 16 persona, janë sekuestruar 84 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 5 kompjuteraa e 21 monitorë.

Në qarkun Dibër: janë kontrolluar 38 subjekte, janë proceduar 20 subjekte dhe 20 persona, si dhe janë sekuestruar 104 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 7 kompjutera e 16 monitorë.

Në qarkun Elbasan: janë të bllokuar 35 subjekte, janë kontrolluar 144 subjekte, janë proceduar 35 subjekte dhe 35 persona, janë sekuestruar 109 pajisje lojëra fati, si dhe në pikat e basteve janë sekuestruar 15 kompjutera dhe 62 monitorë.

Në qarkun Korçë: është bllokuar 1 subjekt, janë kontrolluar 58 subjekte, janë proceduar 17 subjekte dhe 17 persona, janë sekuestruar 94 pajisje lojëra fati.

Në qarkun Berat: janë kontrolluar 122 subjekte, janë proceduar 41 subjekte dhe 42 persona, janë sekuestruar 84 pajisje lojëra fati, si dhe në pikat e basteve janë sekuestruar 26 kompjutera dhe 28 monitorë.

Në qarkun Fier: janë të bllokuar 4 subjekte, janë kontrolluar 188 subjekte, janë proceduar 44 subjekte dhe 43 persona, janë sekuestruar 224 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 11 kompjutera dhe 52 monitorë.

Në qarkun Gjirokastër: është bllokuar 1 subjekt, janë kontrolluar 89 subjekte, janë proceduar 15 subjekt dhe 15 persona, janë sekuestruar 132 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 8 kompjutera dhe 24 monitorë.

Në qarkun Vlorë: janë të bllokuar 20 subjekte, janë kontrolluar 86 subjekte, janë proceduar 26 persona dhe 26 subjekte, janë sekuestruar 102 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 12 kompjutera dhe 43 monitorë.

Materialet e sipërpërmendura janë në ruajtje pranë Komisariateve të Policisë 2397 pajisje, pranë tatimeve 251 pajisje dhe lënë në ruajtje 197 pajisje.

Rama në Rai3: Italianët, shqiptarë të veshur me Versace

rama raiKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për televizionin italian “Rai3”, flet për marrëdhëniet Shqipëri-Itali. Intervista e dhënë për emisionin “EstOvest”, do të transmetohet të dielën në orën 11:10.

“Në emisionin e radhës që do të jetë nesër, kemi folur me erën “Rama” të Shqipërisë, të vendin që sapo ka hedhur hapin e parë në integrimin në Bashkimin Evropian”.

“Italianët? Shqiptarë të veshur nga Versace” Kështu nis reklama që lajmëron intervistën në televizioni italian “Rai3”.

EstOvest është një emision javor që jep informacione mbi vendet e Evropës Lindore që prej vitit 2003 në Rai3. Emisioni fokusohet tek ekonomia dhe kultura e këtyre vendeve.

PD rikthehet në Kuvend, kërkon në pyetje Gjermenin

kuvendi-i-shqiperise1Pas thyerjes së bojkotit, opozita ka nisur betejën parlamentare duke depozituar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese kërkesën për seancë dëgjimore me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Kërkesa u depozita nga deputeti Genc Rulli, në të cilën kërkohet që ministrja të japë sqarime për planifikimin e territorit dhe veçanërisht për ndryshimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

Argumentet e demokratëve

Ky vendim i qeverisë pritet që të ndezë debate të ashpra midis mazhorancës dhe opozitës për shkak të interesit të lartë të publikut. Sipas demokratëve, vendimi i ri i qeverisë autorizon Inspektoratin të rrafshojë në gjithë territorin e vendit, çdo ndërtim pa leje, por edhe të atyre që janë me leje ndërtimi, që kanë përfunduar ndërtimin, që kanë marrë lejen e legalizimit, por sipas Kryeinspektorit janë të paligjshme. “Ky është një vendim, jo vetëm antikushtetues dhe antiligjor, por edhe arbitrar, duke u munduar që ruspën e arbitraritetit ta veshin me një akt nënligjor. PD do kërkojë të dije mbi qëllimet e ministres për të rrafshuar pasuritë e ligjshme të shqiptarëve, për të rrafshuar djersën dhe gjakun e tyre, të drejtat kushtetuese të mbrojtura nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Vendimi bie ndesh me të paktën 3 nene të Kushtetutës, me 20 vendime të GjEDNj-së në Strasburg, me të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese në vend”, thekson deputeti demokrat Ardian Turku.

Vendimi i qeverisë

Në vendimin e qeverisë të marrë pak ditë më parë, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar i ushtron pa asnjë kufizim paraprak kompetencat në çdo rast kur ai konstaton objekt të kundërligjshëm, me ose pa leje ndërtimi, në të gjitha zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare. Në rastet kur INUK-ja konstaton objekte në ndërtim e sipër në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat dhe objektet e rëndësisë kombëtare dhe kur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) ose autoriteti përgjegjës i planifikimit nuk ka zbatuar përgjegjësitë, atëherë do të jetë INUKu që do të veprojë menjëherë. Është pikërisht kjo pikë që lidhet me ndërhyrjen e Inspektoriatit Kombëtar edhe mbi Inspektoriatet vendore që kundërshtohet nga demokratët. Për efekt të ushtrimit të përgjegjësive të INUK-ut, qeveria ka menduar që në territorin e zonave me rëndësi kombëtare apo të zonave të miratuara në Këshillin Kombëtar të Territorit, çdo ndërtesë në fazën fillestare apo të përfunduar të ndërtimit, konsiderohet objekt i kundërligjshëm kur rezulton se është pa leje ndërtimi; është me leje ndërtimi, por me shkelje të plotë të kushteve urbanistike të miratuara në lejen e ndërtimit; ka kaluar afati ligjor i përcaktuar në lejen e ndërtimit për përfundimin e objektit dhe/ ose objekti është braktisur nga investitori/ subjekti ndërtues/pronari; është pa dokumentacion tekniko-ligjor që të vërtetojë ligjshmërinë tekniko-ligjore të objektit; objekti rezulton me shkelje të lejes së legalizimit ose me leje legalizimi të miratuar në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për legalizimet.

Batutat

Demokratët ishin të parët që mbërritën dje, në orën 10:00, në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe prania e tyre ka ngjallur habinë e socialistëve. I pari që erdhi nga socialistët në mbledhje ishte deputeti Fatmir Toçi, i cili, pa hyrë në sallë, shprehur habi për praninë e opozitës. “I paskeni dhënë fund bojkotit”,- u shpreh deputeti Fatmir Toçi, duke iu drejtuar ish-ministrit Sokol Olldashi. Ky i fundit i ka kthyer batutën duke thënë se: “Çfarë maxhorance jeni ju që nuk vini në mbledhje?!”. Më pas, Olldashi, për të cilin ishte mbledhja e parë në punën e Komisioneve për këtë legjislaturë, ka shkëmbyer një batutë me drejtorin e Kuvendit, Shefqet Zani. Olldashi i tha: “Shefqet, këta socialistët, sa erdhën në pushtet na paskan vjedhur dhe tavllën e duhanit”.

Kunati vret kunatën dhe veten

policia diberNjë krim brenda familjes ka ndodhur sot në Dibër, ku një 28-vjeçar ka vrarë kunatën dhe më pas edhe veten.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në familjen Ndreu në fshatin Palama të komunës Silov. Lirim Ndreu ka qëlluar mbi bashkëshorten e vëllait të tij, Valbona Ndreu, 35 vjeç.

Skena makabër ka ndodhur në sytë e dy fëmijëve të 35-vjeçares dhe nënës së Lirimit. Nga njoftimet e para mësohet se, mes Lirimit dhe Valbonës ka pasur një konflikt.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh, ku një dhuna në familje përfundon në vrasje të dyanshme. Vetëm pak ditë më parë, burri vrau bashkëshorten e tij dhe më pas dhe veten.

 

Topalli në gjyq, s’paguan faturën e ujit prej 2011-s

jozefina topalliGjykata e Tiranës ka lëshuar më 7 tetor një urdhër ekzekutimi për fatura të papaguara në vitet 2011-2013 për ujin e konsumuar nga Ujësjellësi. Institucioni që nuk i ka paguar këto detyrime është në vartësi të Kuvendit të Shqipërisë

Gjykata shpall debitor dhe lëshon urdhër ekzekutimi për Kuvendin e Shqipërisë, pasi, gjatë kohës kur e drejtonte Jozefina Topalli, ka “harruar” të paguajë faturat e konsumit të ujit në favor të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë. Sipas shqiptarja.com ish-kryeparlamentarja, që ka prishur pa hesap para të buxhetit për udhëtimet e saj në të Katar anët e botës, dhe që kërkonte të prishte të tjera për të ndërtuar godinën e re shumëmiliardëshe të tij apo të pajiste me dhjetëra kompjutera sallën e parlamentit pak dite para se të ndryshonte mazhoranca, nuk ka gjetur kohë apo mundësi për të shlyer faturat.

Vendimi 

Seanca gjyqësore ka qenë tepër e shpejtë, duke qenë se provat ishin të pakontesueshme. Më datë 7 dhjetor, para gjyqtarit Arjan Aliaj është paraqitur përfaqësuesja e ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizimë Tiranë, Lorena Bako, e cila ka kërkuar lëshimin e urdhërit të ekzekutimit lidhur me faturat e ujit “titull ekzekutiv” për institucionin-debitor “Parku i Autoveturave të Kuvendit të Shqipërisë“, për detyrimet që rrjedhin nga kontrata Nr. 359140-1, që kanë mbuluar konsumin e muajve janar 2010 – mars 2010, maj 2010 – dhjetor 2010, janar 2011- dhjetor 2011, nëtor 2012, korrik 2013. Pra, rezulton se për 38 muaj ky insitucion nuk ka paguar faturat.

Në bazë të neneve 510/e dhe 511/ç të Kodit të Procedurës Civile, Ligjit nr. 8975, datë 21.11.2002 ”Për trajtimin e faturave tatimore të ujit të pijshëm si titull ekzekutiv”, Gjykata, pasi çeli seancën gjyqësore, administroi provat shkresore e dëgjoi kërkuesen, ndërmarrja e së cilës kishte kërkuar lëshimin e  urdhërit të Ekzekutimit për faturat e sipërpërmendura. Nga shqyrtimi gjyqësor, rezultoi se kërkuesi Ujësjellës-Kanalizime Tiranë sh. a. realizon furnizimin me ujë dhe këtë shërbim ja ka ofruar dhe kontraktuesit “Parku i Autoveturave të Kuvendit të Shqipërisë“. Rezulton që detyrimet përkatëse të konsumit të ujit, të cilat përbëjnë titull ekzekutiv, nuk janë paguar. Rezultoi, gjithashtu, ç’është më keq, që Parku i Autoveturave të Kuvendit, me gjithë njoftimet e marra, nuk i ka shlyer detyrimet që burojnë nga faturat e ujit.

Nisur nga sa më sipër, Gjykata ka çmuar se kërkesa për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit është e bazuar në ligj dhe ka urdhëruar lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për faturat e ujit për debitorin “Parku i Autoveturave të Kuvendit të Shqiperisë“. Gjykata ka ngarkuar shërbimin përmbarimor për ekzekutimin e këtij vendimi.

Banka e Shqipërisë

Debitorë të këqinj tashmë janë shpallur dhjetëra institucione shtetërore, që kanë paraqitur vështirësi në pagesa të energjisë apo të ujit e furnizimeve të tjera. Qeveria Berisha e la stafetën me një borxh të konsiderueshëm. Por, që edhe institucionet, të cilat duhet të jenë respektuesit më të mëdhenj të ligjeve që vetë nxjerrin, të shpallen debitorë, kjo flet për një papërgjegjshmëri totale nga ana e drejtuesve të tyre.

Jo shumë larg, më datë 27 shtator në Gjykatën e Shkallës së Parë të kryeqytetit ka mbërritur edhe një kërkesë tjetër për lëshim urdhëri ekzekutiv, sipas të cilës rezulton se Banka e Shqipërisë nuk ka paguar faturën e konsumit të ujit të përdorur gjatë muajit qershor të vitit 2012, si dhe për muajt nga gushti i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti. Edhe aty BSH konsiderohet si “debitori Banka e Shqipërisë, me adresë Rr. 4 Shkurti (Ibrahim Rugova), për detyrimet që rrjedhin nga kontrata nr. 159745-1”.

Ndoshta guvernatorit apo ish-kryeparlamentares këto i duken “thërrime”, krahasuar me shpenzimet e tyre për paga e dieta. Por, qoftë edhe një faturë e papaguar të bën debitor dhe Përmbarimi s’e ka për gjë të sekuestrojë makinën e kreut të ri të Kuvendit Ilir Meta apo Hotel Dajtin e Fullanit, për të shlyer detyrimin.

SHBA: Sa i lehtë është kompromisi për buxhetin federal?

CB6BC4C6-DEEB-42CA-9118-5066EF78EBE8_w640_r1_s_cx0_cy11_cw0VOA
Me rihapjen e qeverisë federale, ligjvënësit tani ballafaqohen me detyrën e vështirë të zgjidhjes së mospajtimeve të thella lidhur me përparësitë buxhetore dhe politikat fiskale.Presidenti demokrat Barak Obama dhe rivalët e tij në Kongres nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje mbi buxhetin e përgjithshëm federal gjatë pjesës dërrmuese të pesë vjetëve që nga ardhja e Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë. Shpesh Kongresi ka miratuar masa për mbulimin e përkohëshëm të operacioneve qeveritare.

Ligjvënës me peshë filluan dje diskutimet në përpjekje për të gjetur një kompromis për buxhetin e vitit 2014, duke analizuar variantet e dy Dhomave të Kongresit. Tradicionalisht, në Shtetet e Bashkuara, demokratët me pikëpamje më liberale mbështesin programe sociale më të gjera dhe me fonde më të mëdha si dhe taksa më të larta për të pasurit, ndërsa republikanët që shfaqin pikëpamje më konservatore kërkojnë reduktim taksash dhe reduktim të rolit të qeverisë federale.

Marrëveshja që mundësoi rihapjen e qeverisë dhe rritjen e përkohëshme të nivelit tavan të borxhit pret nga grupet negociatore të të dyja Dhomave të arrijnë një marrëveshje për buxhetin brenda mesit të dhjetorit.

Analisti ekonomik Jim O’Sullivan tha për Zërin e Amerikës se nuk parashikon që grupet të arrijnë një marrëveshje afat-gjatë:

“Nuk pres nga këto negociata ndonjë kompromis madhor lidhur me reduktimet buxhetore”.  

Analisti thotë se parashikon që negociatorët do të përpiqen të identifikojnë mënyra për të kufizuar shkurtimet automatike që hyjnë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, ndër të cilat edhe shkurtime në buxhetin e mbrojtjes.

Presidenti Obama ka propozuar të reduktojë asistencën federale për pensionet dhe kujdesin shëndetësor për të moshuarit në shkëmbim për rritje taksash mbi amerikanët me të ardhura më të larta. Por republikanët mbeten këmbëngulës në kundërshtimin e tyre ndaj një rritjeje tjetër taksash, pasi pranuan vjet me ngurim rritje taksash për familjet me të ardhura mbi 400 000 dollarë në vit.

Ekonomisti O’Sullivan thotë se nuk mendon që ligjvënësit demokratë dhe republikanë do të bien dakord të ndryshojnë programet e pensionit dhe kujdesit shëndetësor për të moshuarit, që gëzojnë popullaritet të madh.

 

Tronditet Greqia, kush është biondja e zbuluar në kampin e romëve

f1_19-tronditet-foto-21382170539Opinioni grek është shokuar pas zbulimit të një vajze të mitur, me sa duket të rrëmbyer që pas lindjes së saj, në një kamp romësh në Farsala, pranë qytetit Larisa të Greqisë.

Gjatë një operacioni për zbulimin e lëndëve narkotike në kampin e romëve, policia gjeti vajzën 4 vjeçare, që ka tipare dukshëm të ndryshme, nga ato të prindërve të supozuar.

Burri dhe gruaja rome, të cilët u paraqitën si prindërit e saj, ranë në kontradiktë në dëshmitë e tyre. Në fillim thanë se ishin prindërit e vërtetë të vajzës. Pas testit të ADN-së ata pranuan se nuk ishte fëmija i tyre, por se e kishin gjetur në një supermarket, ndërsa pastaj gruaja tha se e kishte lindur atë me një burrë tjetër. Megjithatë, policia beson se vajza është rrëmbyer që në lindje, në vitin 2009, raporton BalkanWeb.

Mosha e vajzës nuk është llogaritur me saktësi, por besohet të jetë 4-5 vjeç. Bazuar në karakteristikat e jashtme, lëkurë shumë të bardhë, me flokë të verdhë e sy të kaltër, autoritetet vlerësojnë se prindërit e saj biologjikë janë nga Evropa Veriore ose Lindore. Vajza flet gjuhën rome dhe nuk kupton fare greqisht, gjë që do të thotë se ka qenë pranë romëve që në foshnjëri. Pritet që një antropolog të studiojë profilin e kockave për të përcaktuar se nga e ka origjinën fëmija.

Policia ka shpërndarë foton e vogëlushes që mban emrin Maria dhe kërkon ndihmën e komunitetit për gjetjen e prindërve biologjikë të saj, ndërsa për këtë qëllim është njoftuar Interpoli dhe është vendosur bashkëpunimi me policitë e vendeve të Ballkanit. Po hetohet edhe në gjendjen civile të Athinës, ku vajza është pajisur me certifikatën e lindjes.

Rasti ka vënë në lëvizje gjithë strukturat madje edhe qeverinë greke. Vetë kryeministri Samaras i ka kërkuar ministrit të Punës të jepet çdo ndihmë dhe mbështetje që është e mundur, për hetimet dhe gjetjen e prindërve biologjikë të fëmijës.

Ngjarja ka ngritur dyshimet se bëhet fjalë për një organizatë të madhe të trafikimit të fëmijëve. Sipas këtij versioni, gra shtatzëna të huaja (kryesisht bullgare) sillen në Greqi për të lindur dhe më pas fëmijët e tyre dërgohen për t’u shitur.

Mediat britanike shkruajnë se identifikimi i Marias është një shpresë e re për prindërit e Madleinës së vogël, të zhdukur në vitin 2007.

“Daily Mirror” bën një paralele mes historisë së Marias, vajzës bionde që u gjet në kampin e romëve në Larisa, me atë të Madlein Mek-Keit, e cila u zhduk në Portugali në vitin 2007, ndërsa ishte me pushime me prindërit e saj.

“Kush është kjo vajzë e vogël bionde që u gjet në kampin e romëve në Greqi?”, është titulli i shkrimit të “Daily Mirror”, sipas të cilit identifikimi i Marias jep shpresë të re për prindërit e Madleine.

Edhe gazetat Daily Mail dhe Telegraph njoftojnë për gjetjen e Marias në një kamp romësh në Greqi, ndërsa faqet amerikane i referohen së miturës duke theksuar përpjekjet për të gjetur prindërit e saj të vërtetë./kohanet/

Apeli, 15 vjet burg për Nazime Vishën

nazime vGjykata e Apelit nuk njeh mëshirë për 19-vjeçaren Nazime Visha, duke lënë në fuqi vendimin e dënimit të shkallës së parë. Togat e zeza kanë pranuar masën e dënimit me 15 vjet heqje lirie për vajzën, e cila ekzekutoi personin që e dhunonte dhe përndiqte qysh në moshë të mitur. Vendimi është dhënë në seancën e djeshme për akuzën e vrasjes me paramendim, duke rrëzuar pretendimin për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes. Argumentet e avokates Vjollca Pustina nuk janë marrë në konsideratë nga Apeli, i cili ka lënë mënjanë faktin që 19-vjeçarja ishte abuzuar dhe keqtrajtuar që në fëmijëri nga Fiqiri Muça. “Vajza ka qenë e mitur, madje fëmijë në kohën që abuzohej nga Fiqiri Muça. Ndoshta ka pasur moshën e fëmijëve të tij. Por, kjo nuk e ka penguar viktimën që ta dhunojë seksualisht, t’i bëjë premtime për një jetë të mirë dhe duke qenë e mitur, vajza ka pranuar. Është gënjyer dhe mashtruar nga Fiqiriu, i cili e sillte në Tiranë, apo i blinte edhe sende të shtrenjta, që për një vajzë nga fshati, e padalë, ishte gjithçka”, tha avokatja, duke shtuar se vërtet Nazimja ka vrarë Fiqiriun, por gjithçka ka qenë e çastit. Në fund të konkluzioneve, avokatja tha se kërkon pafajësi për akuzën e vrasjes me paramendim. “Nazime Visha të shpallet fajtore vetëm për armëmbajtje pa leje dhe të dënohet me dy vite burg”, deklaroi Pustina. Por, Apeli nuk ka mundur dot të falë një vajzë 19-vjeçare, duke e dënuar me 15 vjet heqje lirie. “Pas konsultimeve Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e datës 8 maj të Gjykatës së Shkallëssë Parë Tiranë, i cili shpall fajtore të pandehurën Nazime Visha për akuzën e vrasjes me paramendimin dhe dënimin e saj me 15 vjet heqje lirie. Sipas këtij vendimi e pandehura shpallet fajtore për armëmbajtje pa leje dhe dënohet me 2 vite burg. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, e pandehura Nazime Visha të dënohet përfundimisht me 10 vite burg”, janë shprehur togat e zeza. Ndërkohë që menjëherë pas vendimit ka ardhur edhe reagimi i parë i mbrojtëses Vjollca Pustina, e cila bën me dije se do ta apelojë këtë vendim. “Do ta dërgoj dosjen në Gjykatën e Lartë dhe do të kërkoj revokimin e vendimit të Apelit. Vendimi i sotëm nuk i jep fund kësaj çështjeje”, është shprehur Vjollca Pustina.

Pretenca e prokurorisë

Një seancën e datës 15 prill, prokurori Blerim Tominaj kërkoi dënimin e Nazime Vishës me 17 vite burg. Rezulton e vërtetuar se Nazime Visha e ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet. Por, duke pasur parasysh rrethanat e ngjarjes dhe kushtet e saj sociale, prokurori tha: Visha është autore krimi, por jo një kriminele. Sipas akuzës, viktima Fiqiri Muça i cili banonte në Manëz të Durrësit, u bë “mik” i familjes Visha, për shkak se transportonte lëndë drusore në pyjet e Burrelit, ku kryefamiljari Beqir Visha ishte druvar. Gjatë kohës që ai kalonte me familjen Visha, është njohur edhe me pjesëtarë të tjerë, si gruan dhe dy vajzat e tij, që kishte ende në shtëpi, të quajtura Nazime dhe më e madhja, Lutfije. Kjo e fundit i ka pëlqyer viktimës dhe ka kërkuar dorën e saj për vëllanë e tij Vladimir. Para rreth katër viteve, pra rreth vitit 2008, kur është bërë lidhja e krushqisë, në njërën nga ditët e qëndrimit të viktimës në banesën e Beqir Vishës, ai ka gjetur të vetme vajzën e vogël, Nazime, në atë kohë rreth 14 vjeçe. I ka kërkuar të kryejnë marrëdhënie seksuale dhe me gjithë kundërshtimin e kësaj të fundit, siç pretendon ajo vetë, ai ka realizuar qëllimin e tij, gjë të cilën ka vazhduar ta bëjë thuajse në të gjitha rastet kur ishte mysafir dhe “rastësisht” babai i saj nuk ndodhej aty. Në fund të vitit 2011 e pak pas Vitit të Ri 2012, së pandehurës i është paraqitur një rast për fejesë, gjë e cila është pranuar prej saj dhe familjes. Pak ditë pas ligjërimit të njohjes së tyre, ai i ka dërguar kësaj të fundit dhe paratë e pasaportës dhe dokumenteve të tjera të nevojshme të udhëtimit për në Itali. Por, kjo ishte përjetuar keq nga viktima. Ai e kishte kërcënuar por edhe ka komunikuar në një rast me vetë të fejuarin.

Sherr mes kushërinjsh, e godet 5 herë me thikë

policia...Një person ka mbetur i plagosur pas një sherri me thika mes kushërinjsh në fshatin Shijan të Delvinës.

Sipas policisë i plagosuri është 30-vjeçari Saimir Muho, i cili është qëlluar pesë herë me thikë. Muho është nisur menjëherë në spitalin e Sarandës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autor i plagosjes dyshohet të jetë kushëriri i tij, me të cilin dyshohet të ketë pasur konflikte të mëparshme. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet e saj.