SHBA: Sa i lehtë është kompromisi për buxhetin federal?

45
CB6BC4C6-DEEB-42CA-9118-5066EF78EBE8_w640_r1_s_cx0_cy11_cw0VOA
Me rihapjen e qeverisë federale, ligjvënësit tani ballafaqohen me detyrën e vështirë të zgjidhjes së mospajtimeve të thella lidhur me përparësitë buxhetore dhe politikat fiskale.Presidenti demokrat Barak Obama dhe rivalët e tij në Kongres nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje mbi buxhetin e përgjithshëm federal gjatë pjesës dërrmuese të pesë vjetëve që nga ardhja e Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë. Shpesh Kongresi ka miratuar masa për mbulimin e përkohëshëm të operacioneve qeveritare.

Ligjvënës me peshë filluan dje diskutimet në përpjekje për të gjetur një kompromis për buxhetin e vitit 2014, duke analizuar variantet e dy Dhomave të Kongresit. Tradicionalisht, në Shtetet e Bashkuara, demokratët me pikëpamje më liberale mbështesin programe sociale më të gjera dhe me fonde më të mëdha si dhe taksa më të larta për të pasurit, ndërsa republikanët që shfaqin pikëpamje më konservatore kërkojnë reduktim taksash dhe reduktim të rolit të qeverisë federale.

Marrëveshja që mundësoi rihapjen e qeverisë dhe rritjen e përkohëshme të nivelit tavan të borxhit pret nga grupet negociatore të të dyja Dhomave të arrijnë një marrëveshje për buxhetin brenda mesit të dhjetorit.

Analisti ekonomik Jim O’Sullivan tha për Zërin e Amerikës se nuk parashikon që grupet të arrijnë një marrëveshje afat-gjatë:

“Nuk pres nga këto negociata ndonjë kompromis madhor lidhur me reduktimet buxhetore”.  

Analisti thotë se parashikon që negociatorët do të përpiqen të identifikojnë mënyra për të kufizuar shkurtimet automatike që hyjnë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, ndër të cilat edhe shkurtime në buxhetin e mbrojtjes.

Presidenti Obama ka propozuar të reduktojë asistencën federale për pensionet dhe kujdesin shëndetësor për të moshuarit në shkëmbim për rritje taksash mbi amerikanët me të ardhura më të larta. Por republikanët mbeten këmbëngulës në kundërshtimin e tyre ndaj një rritjeje tjetër taksash, pasi pranuan vjet me ngurim rritje taksash për familjet me të ardhura mbi 400 000 dollarë në vit.

Ekonomisti O’Sullivan thotë se nuk mendon që ligjvënësit demokratë dhe republikanë do të bien dakord të ndryshojnë programet e pensionit dhe kujdesit shëndetësor për të moshuarit, që gëzojnë popullaritet të madh.