Topalli në gjyq, s’paguan faturën e ujit prej 2011-s

45

jozefina topalliGjykata e Tiranës ka lëshuar më 7 tetor një urdhër ekzekutimi për fatura të papaguara në vitet 2011-2013 për ujin e konsumuar nga Ujësjellësi. Institucioni që nuk i ka paguar këto detyrime është në vartësi të Kuvendit të Shqipërisë

Gjykata shpall debitor dhe lëshon urdhër ekzekutimi për Kuvendin e Shqipërisë, pasi, gjatë kohës kur e drejtonte Jozefina Topalli, ka “harruar” të paguajë faturat e konsumit të ujit në favor të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë. Sipas shqiptarja.com ish-kryeparlamentarja, që ka prishur pa hesap para të buxhetit për udhëtimet e saj në të Katar anët e botës, dhe që kërkonte të prishte të tjera për të ndërtuar godinën e re shumëmiliardëshe të tij apo të pajiste me dhjetëra kompjutera sallën e parlamentit pak dite para se të ndryshonte mazhoranca, nuk ka gjetur kohë apo mundësi për të shlyer faturat.

Vendimi 

Seanca gjyqësore ka qenë tepër e shpejtë, duke qenë se provat ishin të pakontesueshme. Më datë 7 dhjetor, para gjyqtarit Arjan Aliaj është paraqitur përfaqësuesja e ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizimë Tiranë, Lorena Bako, e cila ka kërkuar lëshimin e urdhërit të ekzekutimit lidhur me faturat e ujit “titull ekzekutiv” për institucionin-debitor “Parku i Autoveturave të Kuvendit të Shqipërisë“, për detyrimet që rrjedhin nga kontrata Nr. 359140-1, që kanë mbuluar konsumin e muajve janar 2010 – mars 2010, maj 2010 – dhjetor 2010, janar 2011- dhjetor 2011, nëtor 2012, korrik 2013. Pra, rezulton se për 38 muaj ky insitucion nuk ka paguar faturat.

Në bazë të neneve 510/e dhe 511/ç të Kodit të Procedurës Civile, Ligjit nr. 8975, datë 21.11.2002 ”Për trajtimin e faturave tatimore të ujit të pijshëm si titull ekzekutiv”, Gjykata, pasi çeli seancën gjyqësore, administroi provat shkresore e dëgjoi kërkuesen, ndërmarrja e së cilës kishte kërkuar lëshimin e  urdhërit të Ekzekutimit për faturat e sipërpërmendura. Nga shqyrtimi gjyqësor, rezultoi se kërkuesi Ujësjellës-Kanalizime Tiranë sh. a. realizon furnizimin me ujë dhe këtë shërbim ja ka ofruar dhe kontraktuesit “Parku i Autoveturave të Kuvendit të Shqipërisë“. Rezulton që detyrimet përkatëse të konsumit të ujit, të cilat përbëjnë titull ekzekutiv, nuk janë paguar. Rezultoi, gjithashtu, ç’është më keq, që Parku i Autoveturave të Kuvendit, me gjithë njoftimet e marra, nuk i ka shlyer detyrimet që burojnë nga faturat e ujit.

Nisur nga sa më sipër, Gjykata ka çmuar se kërkesa për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit është e bazuar në ligj dhe ka urdhëruar lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për faturat e ujit për debitorin “Parku i Autoveturave të Kuvendit të Shqiperisë“. Gjykata ka ngarkuar shërbimin përmbarimor për ekzekutimin e këtij vendimi.

Banka e Shqipërisë

Debitorë të këqinj tashmë janë shpallur dhjetëra institucione shtetërore, që kanë paraqitur vështirësi në pagesa të energjisë apo të ujit e furnizimeve të tjera. Qeveria Berisha e la stafetën me një borxh të konsiderueshëm. Por, që edhe institucionet, të cilat duhet të jenë respektuesit më të mëdhenj të ligjeve që vetë nxjerrin, të shpallen debitorë, kjo flet për një papërgjegjshmëri totale nga ana e drejtuesve të tyre.

Jo shumë larg, më datë 27 shtator në Gjykatën e Shkallës së Parë të kryeqytetit ka mbërritur edhe një kërkesë tjetër për lëshim urdhëri ekzekutiv, sipas të cilës rezulton se Banka e Shqipërisë nuk ka paguar faturën e konsumit të ujit të përdorur gjatë muajit qershor të vitit 2012, si dhe për muajt nga gushti i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti. Edhe aty BSH konsiderohet si “debitori Banka e Shqipërisë, me adresë Rr. 4 Shkurti (Ibrahim Rugova), për detyrimet që rrjedhin nga kontrata nr. 159745-1”.

Ndoshta guvernatorit apo ish-kryeparlamentares këto i duken “thërrime”, krahasuar me shpenzimet e tyre për paga e dieta. Por, qoftë edhe një faturë e papaguar të bën debitor dhe Përmbarimi s’e ka për gjë të sekuestrojë makinën e kreut të ri të Kuvendit Ilir Meta apo Hotel Dajtin e Fullanit, për të shlyer detyrimin.