PD rikthehet në Kuvend, kërkon në pyetje Gjermenin

39

kuvendi-i-shqiperise1Pas thyerjes së bojkotit, opozita ka nisur betejën parlamentare duke depozituar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese kërkesën për seancë dëgjimore me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Kërkesa u depozita nga deputeti Genc Rulli, në të cilën kërkohet që ministrja të japë sqarime për planifikimin e territorit dhe veçanërisht për ndryshimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

Argumentet e demokratëve

Ky vendim i qeverisë pritet që të ndezë debate të ashpra midis mazhorancës dhe opozitës për shkak të interesit të lartë të publikut. Sipas demokratëve, vendimi i ri i qeverisë autorizon Inspektoratin të rrafshojë në gjithë territorin e vendit, çdo ndërtim pa leje, por edhe të atyre që janë me leje ndërtimi, që kanë përfunduar ndërtimin, që kanë marrë lejen e legalizimit, por sipas Kryeinspektorit janë të paligjshme. “Ky është një vendim, jo vetëm antikushtetues dhe antiligjor, por edhe arbitrar, duke u munduar që ruspën e arbitraritetit ta veshin me një akt nënligjor. PD do kërkojë të dije mbi qëllimet e ministres për të rrafshuar pasuritë e ligjshme të shqiptarëve, për të rrafshuar djersën dhe gjakun e tyre, të drejtat kushtetuese të mbrojtura nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Vendimi bie ndesh me të paktën 3 nene të Kushtetutës, me 20 vendime të GjEDNj-së në Strasburg, me të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese në vend”, thekson deputeti demokrat Ardian Turku.

Vendimi i qeverisë

Në vendimin e qeverisë të marrë pak ditë më parë, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar i ushtron pa asnjë kufizim paraprak kompetencat në çdo rast kur ai konstaton objekt të kundërligjshëm, me ose pa leje ndërtimi, në të gjitha zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare. Në rastet kur INUK-ja konstaton objekte në ndërtim e sipër në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat dhe objektet e rëndësisë kombëtare dhe kur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) ose autoriteti përgjegjës i planifikimit nuk ka zbatuar përgjegjësitë, atëherë do të jetë INUKu që do të veprojë menjëherë. Është pikërisht kjo pikë që lidhet me ndërhyrjen e Inspektoriatit Kombëtar edhe mbi Inspektoriatet vendore që kundërshtohet nga demokratët. Për efekt të ushtrimit të përgjegjësive të INUK-ut, qeveria ka menduar që në territorin e zonave me rëndësi kombëtare apo të zonave të miratuara në Këshillin Kombëtar të Territorit, çdo ndërtesë në fazën fillestare apo të përfunduar të ndërtimit, konsiderohet objekt i kundërligjshëm kur rezulton se është pa leje ndërtimi; është me leje ndërtimi, por me shkelje të plotë të kushteve urbanistike të miratuara në lejen e ndërtimit; ka kaluar afati ligjor i përcaktuar në lejen e ndërtimit për përfundimin e objektit dhe/ ose objekti është braktisur nga investitori/ subjekti ndërtues/pronari; është pa dokumentacion tekniko-ligjor që të vërtetojë ligjshmërinë tekniko-ligjore të objektit; objekti rezulton me shkelje të lejes së legalizimit ose me leje legalizimi të miratuar në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për legalizimet.

Batutat

Demokratët ishin të parët që mbërritën dje, në orën 10:00, në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe prania e tyre ka ngjallur habinë e socialistëve. I pari që erdhi nga socialistët në mbledhje ishte deputeti Fatmir Toçi, i cili, pa hyrë në sallë, shprehur habi për praninë e opozitës. “I paskeni dhënë fund bojkotit”,- u shpreh deputeti Fatmir Toçi, duke iu drejtuar ish-ministrit Sokol Olldashi. Ky i fundit i ka kthyer batutën duke thënë se: “Çfarë maxhorance jeni ju që nuk vini në mbledhje?!”. Më pas, Olldashi, për të cilin ishte mbledhja e parë në punën e Komisioneve për këtë legjislaturë, ka shkëmbyer një batutë me drejtorin e Kuvendit, Shefqet Zani. Olldashi i tha: “Shefqet, këta socialistët, sa erdhën në pushtet na paskan vjedhur dhe tavllën e duhanit”.