Apeli, 15 vjet burg për Nazime Vishën

56

nazime vGjykata e Apelit nuk njeh mëshirë për 19-vjeçaren Nazime Visha, duke lënë në fuqi vendimin e dënimit të shkallës së parë. Togat e zeza kanë pranuar masën e dënimit me 15 vjet heqje lirie për vajzën, e cila ekzekutoi personin që e dhunonte dhe përndiqte qysh në moshë të mitur. Vendimi është dhënë në seancën e djeshme për akuzën e vrasjes me paramendim, duke rrëzuar pretendimin për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes. Argumentet e avokates Vjollca Pustina nuk janë marrë në konsideratë nga Apeli, i cili ka lënë mënjanë faktin që 19-vjeçarja ishte abuzuar dhe keqtrajtuar që në fëmijëri nga Fiqiri Muça. “Vajza ka qenë e mitur, madje fëmijë në kohën që abuzohej nga Fiqiri Muça. Ndoshta ka pasur moshën e fëmijëve të tij. Por, kjo nuk e ka penguar viktimën që ta dhunojë seksualisht, t’i bëjë premtime për një jetë të mirë dhe duke qenë e mitur, vajza ka pranuar. Është gënjyer dhe mashtruar nga Fiqiriu, i cili e sillte në Tiranë, apo i blinte edhe sende të shtrenjta, që për një vajzë nga fshati, e padalë, ishte gjithçka”, tha avokatja, duke shtuar se vërtet Nazimja ka vrarë Fiqiriun, por gjithçka ka qenë e çastit. Në fund të konkluzioneve, avokatja tha se kërkon pafajësi për akuzën e vrasjes me paramendim. “Nazime Visha të shpallet fajtore vetëm për armëmbajtje pa leje dhe të dënohet me dy vite burg”, deklaroi Pustina. Por, Apeli nuk ka mundur dot të falë një vajzë 19-vjeçare, duke e dënuar me 15 vjet heqje lirie. “Pas konsultimeve Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e datës 8 maj të Gjykatës së Shkallëssë Parë Tiranë, i cili shpall fajtore të pandehurën Nazime Visha për akuzën e vrasjes me paramendimin dhe dënimin e saj me 15 vjet heqje lirie. Sipas këtij vendimi e pandehura shpallet fajtore për armëmbajtje pa leje dhe dënohet me 2 vite burg. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, e pandehura Nazime Visha të dënohet përfundimisht me 10 vite burg”, janë shprehur togat e zeza. Ndërkohë që menjëherë pas vendimit ka ardhur edhe reagimi i parë i mbrojtëses Vjollca Pustina, e cila bën me dije se do ta apelojë këtë vendim. “Do ta dërgoj dosjen në Gjykatën e Lartë dhe do të kërkoj revokimin e vendimit të Apelit. Vendimi i sotëm nuk i jep fund kësaj çështjeje”, është shprehur Vjollca Pustina.

Pretenca e prokurorisë

Një seancën e datës 15 prill, prokurori Blerim Tominaj kërkoi dënimin e Nazime Vishës me 17 vite burg. Rezulton e vërtetuar se Nazime Visha e ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet. Por, duke pasur parasysh rrethanat e ngjarjes dhe kushtet e saj sociale, prokurori tha: Visha është autore krimi, por jo një kriminele. Sipas akuzës, viktima Fiqiri Muça i cili banonte në Manëz të Durrësit, u bë “mik” i familjes Visha, për shkak se transportonte lëndë drusore në pyjet e Burrelit, ku kryefamiljari Beqir Visha ishte druvar. Gjatë kohës që ai kalonte me familjen Visha, është njohur edhe me pjesëtarë të tjerë, si gruan dhe dy vajzat e tij, që kishte ende në shtëpi, të quajtura Nazime dhe më e madhja, Lutfije. Kjo e fundit i ka pëlqyer viktimës dhe ka kërkuar dorën e saj për vëllanë e tij Vladimir. Para rreth katër viteve, pra rreth vitit 2008, kur është bërë lidhja e krushqisë, në njërën nga ditët e qëndrimit të viktimës në banesën e Beqir Vishës, ai ka gjetur të vetme vajzën e vogël, Nazime, në atë kohë rreth 14 vjeçe. I ka kërkuar të kryejnë marrëdhënie seksuale dhe me gjithë kundërshtimin e kësaj të fundit, siç pretendon ajo vetë, ai ka realizuar qëllimin e tij, gjë të cilën ka vazhduar ta bëjë thuajse në të gjitha rastet kur ishte mysafir dhe “rastësisht” babai i saj nuk ndodhej aty. Në fund të vitit 2011 e pak pas Vitit të Ri 2012, së pandehurës i është paraqitur një rast për fejesë, gjë e cila është pranuar prej saj dhe familjes. Pak ditë pas ligjërimit të njohjes së tyre, ai i ka dërguar kësaj të fundit dhe paratë e pasaportës dhe dokumenteve të tjera të nevojshme të udhëtimit për në Itali. Por, kjo ishte përjetuar keq nga viktima. Ai e kishte kërcënuar por edhe ka komunikuar në një rast me vetë të fejuarin.