Meidani: Spiropali një vajzë e paditur dhe e pamësuar

meidani-spiropaliPas reagimit publik të Drejtoreshës së Doganave, Elisa Spiropali ku shpjegonte arsyet e shkarkimit të ish-shefit të antikontrabandës doganore, Denion Meidani, ka ardhur edhe reagimi i këtij të fundit.

Në një reagim po publik, Denion Meidani shpjegon se kërkon fakte dhe jo lloqe pazari dhe hartime vjeshte. Ai shpjegon se gjithçka e ka të merituar në karrieren e tij dhe se Spiropali nuk është veçse një vajzë e pamësuar dhe arrogante që perdor agresivitetin dhe arrogancën e saj per te mbuluar defektet që ka.

LETRA E PLOTË E DENION MEIDANIT

Doja t’i bëja me dije zonjës se jam krenar për mbiemrin tim dhe se nuk e kam përdorur askund me apo pa vend dhe nuk i bën aspak nder që mendon se mund te abuzojë duke pretenduar që unë e paskam çdo gjë të dhuruar. Kam studiuar vetëm jashtë ku mbiemri i asnjërit nuk merret parasysh, por gjykohet vetëm nga dijet, puna dhe kapacitetet. Kam punuar si në sektorin publik dhe atë privat me rezultate e arritje të dukshme dhe ndryshe nga ajo edhe në doganë nuk jam katapultuar, por kam hyrë me konkurrim dhe rezultate.

Është fatkeqësi që një institucion shtetëror kaq i rëndësishëm ka për titullare një vajzë të paditur e të pamësuar që fshihet mbas arrogancës dhe agresivitetit të saj për të mbuluar difektet që e karakterizojnë.
Ajo ditën e parë të punës në administratën publike e filloi si Drejtoreshë e Përgjithshme pa patur asnjë eksperience të mëparshme në sektorin privat apo administratën civile që do i duhej minimalisht çdo personi të përgjegjshëm për të kuptuar nivelin e mjaftueshëm të nevojshëm të një detyre shtetërore të këtij kalibri.

Për akuzat që ka ngritur ndaj meje me paturpesinë me të madhe duke thënë se “…ish-shefi i Antikontrabandës s’mjaftohet me shkeljet e shumta që nuk i mban mend, shkon edhe më larg. Si shkelës i regjur i çdo kodi detyre, si në disa detyra të larta ku ka qënë dhe është shkarkuar vazhdimisht, me shkeljet s’ka të sosur…

” Doja të më thoshte se ku i kam këto shkelje të shumta si në detyrën e fundit dhe ato paraprake sepse i konsideroj si shpifje të ulta dhe asgjë më shumë. Gjithashtu doja të pyesja zonjën se nga cilat detyra jam shkarkuar në vazhdimësi sepse kjo është qesharake dhe nuk i lejohet drejtueses së institucionit ku unë punoj dhe që ka dosjen time të plotë përfshi këtu edhe librezën time të punës. E këshilloj këtë vajzë të nxituar e të papjekur të konsultohet me shpesh me letrat në institucion para se të prononcohet sepse nuk punon më në OJQ.

Megjithëse institucionalisht nuk i është përgjigjur akoma kërkesës time me shkrim për të më informuar se cila ishte shkelja ime e “Kodit të Etikës” për të cilën më ka pezulluar shoh se po ma kthen në formën e akuzës publike nëpermjet letrës së saj se paskërkam qenë “pezulluar nga detyra për paaftësi, mungesë profesionalizmi, dëmtim të imazhit të institucionit”.

Shpresoj vetëm që zonja të ketë qenë e aftë të dokumentojë paaftësine dhe mungesën e profesionalizmit tim gjatë këtij një muaji të shkurtër që une kam qenë në detyre (dhe akoma më pak kohë nën drejtimin e saj për tu vlerësuar) kur shifrat dhe fakte flasin për një punë të shkëlqyer të antikontrabandës gjatë kësaj kohe. Kemi vënë gjatë këtij një muaji në aq gjoba sa Antikontrabanda nuk i kishte vënë ndonjëherë në një vit të tërë kalendarik.

Mendoj se asnjë nga publiku nuk e besoi kryeministrin, në një nga shfaqjet e tij publike, kur tha që Elisa sapo erdhi tek dogana brenda natës e bëri të dukshme punën e saj duke i vënë gjobën tek depozitat e kompanisë Ada Petrol në Lezhë. Forcat e Antikontrabandës kishin shkuar dhe po punonin që në orën 11.00 tek depozitat në fjalë ndërkohë që vetë zonjusha Spiropali u prezantua në orën 13.00 nga Ministri i Financave në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Refuzoj të pranoj që paskam dëmtuar imazhin e institucionit dhe pres nga zonjusha që ta ketë dokumentuar dhe këtë gjë me seriozitet. Gjithashtu nuk besoj se është kaq naive sa të mendojë se mund të hidhte baltë në media mbi mua dhe emrin e familjes time dhe mos merrte asnjë reagim.

Për më tepër më bëjnë të qesh ofertat e saj të ndryshme të mëparshme për vende alternative apo kur mendon se mund të më kërcënojë duke më thënë se “mua si Drejtore e Administratës Doganore më bëri të reflektoj lidhur me masën e dënimit aq të lehtë që i dhashë vetëm duke e pezulluar” dhe ja përsëris sërisht se në çdo rast nuk do doja të isha në marrdhënie pune e të bashkëpunoja me nje drejtuese pa eksperience, të pa nxënë e të papërgjegjshme si ajo.

Ngelem në pritje që të me serviret në Komitetin Disiplinor prova e fakte e jo lloqe pazari e hartime vjeshte.

Shehu përcjell mesazhin: Shqiptarët në formacionet ekstremiste islamike, po dëmtojnë kauzën e popullit sirian

tritan-shehu (1)Ish Ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, përcjell mesazhin nga Siria për sensibilizim të opinionit publik, se shqiptarë që operojnë brenda formacioneve të forcave ekstremiste islamike në Siri, po i krijojnë një dëm të madh çështjes së atij populli.

“ Duke marrë shkas nga disa njoftime të reja ne media, po i rikthehem përsëri temës së një pjesëmarrjeje të disa shqiptarëve në luftën aty.

Disa ditë më parë takova në Romë një nga drejtuesit e rezistencës demokratike siriane, një personalitet demokrat, profesor, me ide krejt perëndimore. Më konfirmoi qartësisht dy elemente: 1- Shqiptarët autoktonë në Siri, në pjesën dërrmuese të tyre, mbështesin lëvizjen demokratike aty. 2-Ka shqiptarë të tjerë, të vajtur aty mbas fillimit të konfliktit, edhe nga Shqipëria këta, që operojnë aty brenda formacioneve të forcave ekstremiste islamike, duke i krijuar një dëm të madh çështjes së atij populli.

Ai më kërkoi të sensibilizohet opinioni publik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, për këtë fenomen shumë të rrezikshëm jo vetëm për atë vend, por në radhë të parë për vendet tona. Ai kërkonte me forcë që të merren të gjitha masat nga organet tona shtetërore për të goditur me forcë këtë trafik tragjik qeniesh njerëzore, organizatat kriminale që e organizojnë apo favorizojnë atë. Dhe ai ka plotësisht të drejtë, ne nuk mund e nuk duhet ta kalojmë me mendjelehtësi një shfaqje të tillë marrëzie, fatmirësisht për momentin shumë e kufizuar kjo. Nje gjë tillë bie krejt ndesh me aspiratat tona kombëtare, me përkatësinë tone perëndimore, me angazhimet tona, me filozofinë e mentalitetin tonë fetar e njerëzor, me imazhin tonë, me interesat tona madhore”, -shkruan ai në Facebook.

 

Berisha kritikon Ramën pas funeralit të Martens

Sali BerishaKryeministri Edi Rama është i zemëruar me raportin e Komisionit Evropian sepse ai njeh meritat e Partisë Demokratike në rrugën e Shqipërisë drejt familjes evropiane. Kështu ka pohuar ish-Kryeministri Sali Berisha në takimit me zyrtarët e lartë evropianë.

“Në takimin me Presidentin Daul dhe kryeministra, kryetarë të Partive Popullore, i njoha ata me zemërimin e Edi Ramës me raportin e Komisionit Evropian vetëm e vetëm se ky raport pohon suksesin e reformave gjatë qeverisjes së PD që bënë të mundur rekomandimin për statusin e vendit kandidat dhe përgënjeshtron fund e krye trillimet e Ramës për epokën e rrënimit dhe nihilizmin e tij për arritjet e vendit”, – shkruan Berisha në Facebook.

Në pritjen zyrtare që u shtrua pas ceremonisë solemne të lamtumirës së Presidentit Martens, ishkryeministri ka biseduar me Presidentin e Këshillit Evropian, Van Rompuy, Presidentin e Komisionit Evropian, Manuel Barroso, Presidentin e ad interim të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, si dhe presidentë e kryeministra dhe personalitete të tjera të shquara që morën pjesë në pritje. Berisha informon se në bisedën e tij me Presidentin Van Rompuy dhe me Presidentin Barroso, i falënderoi ata me mirënjohje të thellë për vlerësimin objektiv të arritjeve të Shqipërisë dhe për vendimin e Komisionit Evropian për të rekomanduar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Ndërsa e cilëson vendimin të rëndësishëm dhe plotësisht të merituar për qytetarët shqiptar. Në këto biseda, shton ai, i njoha miqtë e tij me qëndrimet anti- kushtetuese, anti-konsensus dhe antiligjore të mazhorancës, revanshin e saj të papërmbajtur kundër institucioneve të pavarura dhe administratës publike dhe Policisë së Shtetit në trajnimin dhe përgatitjen e të cilave vendet anëtare të BE dhe Komisioni Evropian kanë shpenzuar qindra milionë euro.

Në bisedat e zhvilluara, shkruan ish-kryeministri, u diskutua gjerësisht për dekapitimin nga Rama, me një akt dënimi kolektiv, të Policisë së Shtetit dhe zëvendësimin e profesionistëve në krye të këtij institucioni me delikuentë, komisionerë të Partisë Socialiste, trafikantë droge. Gjithashtu Berisha i ka njohur gjerësisht bashkëbiseduesit e tij mbi instalimin me shpejtësi të sistemit të kleptokracisë në Shqipëri dhe me aktin e fundit normativ të krizës për buxhetin, në të cilin u katërfishua huamarrja dhe në fund të vitit u ulën me 4 herë kërkesat për realizimin e të ardhurave, vetëm e vetëm që të rrisë borxhin në 72%. “Presidenti ad interim i EPP-së dhe bashkëbiseduesit e tjerë më garantuan se ata do mbështesin fuqishëm Partine Demokratike dhe se në të gjitha institucionet ndërkombëtare do qëndrojnë fuqishëm kundër revanshit antikushtetues, antikonsensus, antiligjor të mazhorancës aktuale”, – përfundon Berisha komentin e tij në FB.

 

Itali, sekuestrohen 700 kg drogë që vinte nga Ballkani

kanabisPolicia italiane ka shkatërruar një bandë ballkanase të trafikut të drogës, e cila ka trafikuar qindra kilogramë drogë të llojeve të ndryshme. Operacioni antidrogë i quajtur “Ellenika” është zhvilluar në Aquila, nga ku është sekuestruar 700 kilogramë drogë dhe janë arrestuar 71 persona, ku 3 prej tyre janë shqiptarë. Mësohet se shqiptarët e arrestuar janë: Shpëtim Danaj nga Vlora, Skënder Balla dhe Ervin Muço nga Durrësi.

 Policia ka bërë të ditur se rreth 200 kilogramë  heroinë afgane dhe 500 kilogramë marijuanë vinte nga Ballkani.

Operacioni antidrogë u shtri “Ellenika” në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.

Banda e trafikut të drogës ka qenë e shtrirë në disa vende të rajonit dhe sipas hetimeve ka trafikuar me qindra kilogramë heroinë dhe marijuanë.

Forcat antidrogë në shtetin fqinj bëjnë të ditur se hetimet kishin nisur prej kohësh dhe u mbështetën nga Europol dhe Dcsa, një projekti europian, kundër kriminalitetit në Ballkan, në bashkëpunim të ngushtë me policinë shqiptare, kosovare, boshnjake, sllovene dhe kroate. Një nga bazat e kësaj organizate ishte në Peskara dhe drejtohej nga shqiptari, Besnik Gostivari.

Policia nga hetimet e deritanishme ka bërë të ditur se kalonte në Shqipëri-Kosovë-Bosnjë-Hercegovinë-Kroaci-Slloveni dhe me destinacion Italinë.

Më shumë se dy kuintalë heroine dhe 500 kilogramë marijuanë , të sekuestruara, ishin të destinuar për një organizatë në rajonin e Abruzzo-s në Itali, ku droga do të vihej në shitje në tregun lokal dhe për rajonet Marche dhe Puglia.

Tradhëtarë apo heronj?

bediniNga Artan Bedini

Duke ndjekur ndeshjen e kombëtares shqiptare  kundër asaj të Zvicërës dhe duke dëgjuar koret sharëse tepër vulgare të një pjese të publikut që ndiqte ndeshjen, kundër atyre djemëve shqiptarë po që luanin për një kombëtare tjetër ndjeva keqardhje. U ndjeva keq dhe vendosa të hedh mendimin tim në leter jo për t’i mbrojtur këta të fundit, por për të ndikuar sadopak tek tifozët që reaguan në atë mënyrë kundër tyre, me qellim e mirë që të mos ndodhë sërish.

Gjatë kohës që isha në emigrim dhe ndiqja ndeshjet e ekipit kombëtar, diçka brenda meje më shtynte të bëja “tifo” jashtë natyres time, në njëfarë mënyre tifozllëk në gjithë kuptimin e keq të kësaj fjale, por e vërteta është se asnjëherë s’më kishte ndodhur të ndiqja një ndeshje me dy ekipe të përbërë nga lojtarë shqiptarë, ndaj nuk e di se cili do ishte reagimi im në këtë periudhë nëse do të bëja tifozllëk, për për të kuptuar reagimin e tifozëve që pashë në Qemal Stafa.

Tek kombetarja dëshiroja të shihja anën pozitive të vendit tim, se me ato negative isha            “kënaqur”dhe këtë barrë relativisht të rëndë ia lija ekipit kombëtar, tek ai ekip zbrazja gjithë mllefin për atë çka nuk shkonte në vendljindjen time.

Humbja e ekipit kombëtar më zgjonte  brenda meje atë inat që ne shqiptaret si ballkanas apo dhe si mesdhetar e kemi me shumicë, por fjala tradhëtar që pashë të stampuar tek fanelat e disa tifozeve është  e veçantë, tepër e reëndë për mentalitetin e një shqiptari dhe aq më keq për shqiptarët e diasporës. Të cilët ajo që ne “shajmë”, pra Shqipëria, iu mungon më shumë nga gjithçka dhe përpiqen ta prezantojnë sa më mirë aty ku munden, kudo në botë.

Por a është e drejtë që një grup njerzish të cilet s’kanë bërë asgjë për vendin e tyre, përveç të bërtiturave në një stadium, atë çka nuk shkon me vendin e tyre t’ua faturojnë disa individëve, që në fakt bëjnë shumë më mirë atë çka ky vend ka nevojë në këto momente, pra promovimin e shqiptarisë dhe shqiptarëve kudo në botë, përfaqësimin e ngjyrave kuqezi më mirë se  atë çka përfaqësojnë zyrtarisht qoftë edhe në një ndeshje fubolli?! Kjo nuk është aspak e drejtë.

Për thjeshtësi të mendimit do t’i referohesha historisë, asaj të vjetrës dhe të resë sepse kjo na mëson dhe na tregon se ne shqiptarët e kemi të mbushur historinë tonë me shembuj të pa fund shqiptarësh, të cilët e kanë shtrirë veprimtarinë e tyre jashtë atdheut, në vende të tjera qoft si papë, apo më vonë udhëheqës të shquar në perandorinë Romake dhe atë Osmane. Psh: Papa Kelmenti, Mhmet Aliu,  apo në historinë e re duke filluar me artistin e madh Aleksandër Moisiu, Nënë Tereza, Luan Krasniqi, James Belushi, Kleidi Kadiu, Saimir Pirgu, Inva Mula,Toni Dovolani, Elisa Dushku, të cilët kanë përcjellë vlerat e kombit shqiptar në të gjithë vendin dhe na kanë bërë krenar neve si komb, flamurin kuq e zi. Në këtë aspekt do të rendisja dhe këta shqiptarë, të cilët do të prezantojnë një pjesë Shqipërie në Brazilin 2014, duke na bërë krenar dhe pavarësisht se nuk përfaqësojnë zyrtarisht kombëtaren shqiptare. Suksesi i tyre do të na bëjë të ndihemi shumë krenar për kombin tonë. Por do të më bëjë të kthej dhe një herë sytë nga vetja dhe të shoh atë çka nuk shkon me kombëtaren e vendit tim për të rregulluar dhe për tu bërë një pikë mbështetje dhe për këto talente që gjithçka e kanë arritur nga përkushtimi dhe përpjekjet e familjeve të tyre.

Nuk mendoj se është çasti të kërkojmë problemin tek këta të rinj, problemi duhet kërkuar tjetërkund. Duhet të mendojmë vështirësitë ekonomike që ka kaluar futbolli shqiptar. Ende nuk kemi një stadium që plotëson kushtet europiane, a mund të shkojmë në botëror kështu? Në këto momente duhet ti mbështesim dhe të tregojmë se nga ky vend I vogël,Shqipëria, prodhohen talente me famë botërore.

Duke kërkuar të falur për ate çfarë ndodhi në atë ndeshje futbolli, si një ndeshje ku vëllezrit luajtën me ekipe të ndryshme dhe ku gjatë ndeshjes shahen, shtyhen dhe shkaktojnë falle me njëri-tjetrin.  Por  çfarë do të ndodhë nuk ka sesi një vëlla të mos ja dojë dhe urojë suksesin vëllait tjetër. Ne shqipëtaret paguajmë taksa për të përcjellë imazhin tonë në botë nëpërmjet ambasadave ndërsa në këtë rast e bëjnë pa shpenëzuar asgjë .

 

Fier, kapen 18 klandestinë

policia...Policia e Fierit, në kuadër të një operacioni për goditjen e veprimtarisë së kalimit të paligjshëm të kufirit, ka ndaluar sot 18 shtetas të huaj. Rezulton se 10 prej klandestinëve ishin nga Afganistani, 7 nga Somalia dhe 1 nga Eritrea.

Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, klandestinet u kapën në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Hekalit”, në aksin rrugor Fratar-Levan.

Mendohet se klandestinët kanë hyrë nëpërmjet Greqisë dhe kishin për destinacion Italinë.

Spiropali: Ja pse u pezullua nga puna Denion Meidani

denion meidaniDrejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali ka shpjeguar nëpërmjet një letre arsyet e pezullimit të djalit të ish-presidentit, Rexhep Meidani.

Letra

Ish-shefi i Antikontrabandës në administratën doganore, ai të cilin asnjë gazetë dhe asnjë televizion nuk harron ta cilësojë çun i cilit babi është, nuk mban mend kur, si dhe pse, është pezulluar. Nëpër tym përmend “Kodin e Etikës”.

Ky është një problem i madh.

Jo për ish-shefin e Antikontrabandës, se ish-shefi, meqenëse shkelësi është vetë ai, flet si i intereson. Problem është për gjithë të tjerët që zënë kokën me duar kur shohin dhe dëgjojnë cilin paskan pasur shef të Antikontrabandës, emëruar në të ngrysur të qeverisë që na la të gjitha përveç shëndetit.

Kur Etika respektohet, harrohen shkeljet e rralla të saj.

Kur Etika nuk respektohet harrohen shkeljet e shpeshta.

Ky i dyti është rasti me ish-shefin.

Pas këtij “harrimi” të ish-shefit, kemi plotësisht të drejtë të mendojmë se ky ish-shef rastet e respektimit të Etikes i ka pasur aq të rralla sa i mban mend, ndërsa rastet e shkeljes së Etikës aq të shpeshta sa nuk i mban mend.

Por ish-shefi i Antikontrabandës s’mjaftohet me shkeljet e shumta që nuk i mban mend, shkon edhe më larg. Si shkelës i regjur i çdo kodi detyre, si në disa detyra të larta ku ka qenë dhe është shkarkuar vazhdimisht, me shkeljet s’ka të sosur.

Del, për shembull, në televizor, ku, mes tjerash, dy vaporë me rrena deshi t’i shesë për dy vaporë me skrap.

Në atë dalje televizive ku provoi me gojën e vet marrëdhënien e deformuar që ka me etikën dhe logjikën, mua si Drejtore e Administratës Doganore më bëri të reflektoj lidhur me masën e dënimit aq të lehtë që i dhashë vetëm duke e pezulluar.

Por vrapi i ish-shefit të Antikontrabandës për të shkelur të gjitha kodet duke shqiptuar vapora me rrena, s’ka të ndalur. Atë mbrëmje në televizor, jo vetëm gënjeu, por gënjeu si një mashtrues i regjur, buzagaz, duke ngatërruar përmes kombinacionesh delirante, deri edhe kompani të mëdha, madje deri edhe shtete të mëdha, e të tjera e të tjera.

Nuk më përket mua t’i kujtoj ish-vartësit tim atë që ish-vartësi im e ka harruar. Unë nuk jam Drejtore e Doganave për t’u kujtuar vartësve në administratën doganore shkeljet. Unë këtë detyrë e kam, ndër të tjera, edhe që vartësit për shkeljet t’i dënoj.

Ish-shefi dhe ndonjë tjetër që ende nuk e di, le ta mësojë se; Edukatën e jep familja dhe dijet i jep shkolla. Kur nis një punë është e nënkuptuar se je edhe i edukuar edhe i mësuar.

Puna nuk është familje që të edukon, as shkollë që të mëson. Nëse ndodh, si në rastin e ish-shefit, që gjatë punës nuk rezulton të jesh fort i edukuar dhe as fort i mësuar, jo vetëm unë, cilido Drejtor merr masa. Sado shkolla të kesh bërë, sado tituj të të kenë dhuruar, sado vaporë me rrena të përhapësh me anë të televizorit.

Me këtë rast dua t’i bëj publikut të ditur disa gjëra. Numri i bashkëshortëve, bashkëshorteve, bijve, bijve, kunatave, nipave dhe stërnipave, xhaxhallarëve, dajave, hallave, që ende përkohësisht vazhdojnë të jenë të punësuar në dogana, është pabesueshmërisht i madh.

Numri i telefonatave që po më bëhen për të mbajtur në punë këtë oqean nepotizmi dhe klientelizmi, është gjithashtu tej çdo përfytyrimi.

Botëkuptimi im si njeri që çdo milimetër të rrugës së jetës e kam bërë me forcat e mia, është në kundërshtim të hapur dhe flagrant, totalisht i kundërt me sa po më shohin sytë e po më dëgjojnë veshët. Përgjegjësia ime intelektuale, humane, profesionale, nuk e pranon kurrsesi këtë gjendje.

Kjo gjendje është, pak të thuash, e padurueshme.. Brenda kësaj tabloje rasti i ish-shefit, jo duket, është, qesharak.

Pohimet publike të Denion Meidanit, gjoja i pezulluar prej meje për shkak të lidhjeve të mia të errëta ekonomike krijuar me kompaninë në fjalë, janë thjesht broçkulla të neveritshme.

Me këtë rast dua t’i bëj me dije publikut se ish-shefi nuk ka asnjë talent tjetër veç të përdorurit pa vend të mbiemrit të tij të nderuar. Ai është pezulluar nga detyra për paaftësi, mungesë profesionalizmi, dëmtim të imazhit të institucionit.

Denion Meidani është krejt i papërshtatshëm për t’i shërbyer shtetit në atë detyrë të lartë e delikate. Me pezullimin, jam plotësisht e bindur se ndaj tij kam marrë masën e duhur.

Denion Meidani do kalojë në komision disiplinor ku do gjykohet për performancën e tij etike-profesionale. Lidhur me pretendimet e tij për kompaninë në fjalë, Kurum do paguajë një më një të gjitha detyrimet ndaj shtetit shqiptar.

Unë vetë, në shembullin e prindërve të m’i, të edukatës me të cilën ata më kanë brumosur, po jetoj dhe do jetoj me atë që siguroj vetëm dhe vetëm nga puna e pareshtur.

Kjo letër nuk i drejtohet kurrsesi personit apo personave të sipërpërmendur. Këtë letër unë j’a adresoj kurrkujt tjetër përpos të vetmit ndaj të cilit kam borxh; Publikut.

Tabaku: Me “Aktin normativ” Rama po shpërblen ministrat e tij

jorida tabakuDeputetja demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar sot kryeministrin Rama se po rrit borxhin për luksin e vet dhe të qeverisë së tij.

Nëpërmjet një konference për shtyp, Tabaku ka deklaruar se Rama po merr vendime për të shpërblyer ministrat e kabinetit të tij, dhe këto para po i merr nga pagat e punonjësve të thjeshtë.

“Që nga data 4 tetor, përmes “aktit normativ”, qeveria  i ka lejuar vetes të marrë një borxh të ri prej 240 milionë dollarësh. Borxh i cili po i heq mundësinë bizneseve ta përdorin për rritjen apo zgjerimin e tyre, dhe për punësimin e shqiptarëve”, -ka thënë Tabaku.

Më tej ajo shtoi: “Asnjëherë, në asnjë situatë, institucionet kryesore të mbledhjes të të ardhurave nuk kanë pasur një performancë kaq të dobët, as në 1997-ën, dhe as në 2005-ën.

Akti normativ vërteton në rastin më të mirë paaftësinë e kësaj qeverie, dhe në rastin më të keq, synimin e saj për të mbushur xhepat e zbrazur gjatë fushatës së klientëve të saj”.

“Zoti Rama, nëse vendi  është në krizë pse duhet të merrni borxh 600 mijë dollarë vetëm për shpenzimet e zyrës tuaj?

Velloja e zezë që tentuat t’i hidhnit sipër ekonomisë nuk mund të mbulojë gjëmën që keni nisur t’i bëni këtij vendi”, -ka përfunduar deputetja Tabaku.

Ndërtesa tek Ekonomiku, pritet shpërthimi me tritol

ndertim pa lejeInspektorati Ndërtimor Urbanistik dhe forcat e policisë së Tiranës vijojne prej paradites se ditës së djeshme aksionin për prishjen e godinës 5-katëshe, e cila po ndërtohej në oborrin e Fakultetit Ekonomik. Rreth godinës u hapën gropa, në të cilat vendoset lënda shpërthyese e që do të mundësojë edhe prishjen e ndërtesës. Sot kryhet shpërthimi I kontrolluar, ndërsa prej orës 07:00 të mëngjesit është ndaluar qarkullimi në zonën përreth. Ndërkaq, pronari i godinës 5-katëshe ka kundërshtuar prishjen e saj, me pretendimin se ka ngritur pa leje vetëm dy kate, ndërsa për të tjerat shprehet se disponon dokumentet e nevojshme.

Sipas të njëjtat burimeve, vijon ende hapja e gropave për vendosjen e eksplozivit që do shembë godinën pa leje, përballë Fakultetit Ekonomik. . Në këto momente punëtorët xhenierë po kryejnë kontrollet e fundit në ndërtesë. Momentalisht jane hapur gjithsej 200 gropa për lëndën shpërthyese që shërben për të shembur ndërtesën 5-katëshe.

Policia e Tiranës informoi në lidhje me masat që ka ndërmarrë për shembjen e kontrolluar të ndërtesës 5-katëshe, përballë Fakultetit Ekonomik.

Duke filluar prej orës 07:00 e datës 20 Tetor 2013 deri në një njoftim të dytë, nga shërbimet e policisë së kryeqytetit do të bëhet bllokimi i zonës:

• Rruga “Arben Broci” nga kryqëzimi i rrugës Elbasanit deri tek Kinoklubi i Qytetit Studenti;
• Nga Kinoklubi i Qytetit Studenti deri te fusha e sportit;
• Fusha e sportit deri tek disko Calvin, në rrugën e Elbasanit;
• Disko Calvin deri tek Fakulteti Ekonomik;
• Gjithë gjatësia e rrugës “Gramos Pashko”.

Policia e Shtetit rezervon të drejtën të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin nga “Rruga e Elbasanit” deri tek Pallati i Brigadave, deri në një njoftim të dytë.

Gjatë kohës së përcaktuar, në këtë zonë nuk do të lejohet qëndrimi apo lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve. Lokalet përreth objektit dhe brenda zonës do të jenë të mbyllura. Policia e Shtetit këshillon pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura.

Ndërtesa do të shembet me anë të shpërthimit të kontrolluar. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se koha e shembjes së godinës 5 katëshe, të ndërtuar pa leje do të përcaktohet në varësi të ecurisë së punës së ekspertëve që po merren me vendosjen e lëndës shpërthyese.

Aksioni nisi dje
Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik dhe forcat e policisë së Tiranës ndërmori te shtunen aksionin për prishjen e  ndërtimit pa leje në hyrje të Qytetit Studenti në kryeqytet. Për të inspektuar aksionin e policisë në vendngjarje mberriten edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi.

Për disa minuta sitata është tensionuar pasi pronarët e godinës dhe familjarët e tyre janë përpjekur të futen në ndërtesë. Pronarët e godinës janë konfliktuar me efektivët e policisë të cilët kanë marrë në kontroll ndertesen.

Pronari
Pronaret pretendojne se vetem 2 kate te godines, jane pa leje ndersa pjesa tjeter, eshte e ndertuar qe prej vitit 1991.
Në një prononcim për “News24”, pronari i godinës Kol Gjonmarkaj deklaroi: “Unë jam banor i Tiranës që në vitin ‘91 dhe këtë ndërtesë e kemi bërë me shumë sakrifica. Kjo ndërtesë është zhvilluar në mënyrë siç kanë ndërtuar të gjithë shqiptarët, me borxhe, me kredi. Eshtë me dokumente, me leje ndërtimi edhe nga Bashkia e Tiranës dhe i kërkoj edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës të prononcohet për këtë objekt. Kam ruajtur parametrat inxhinierike. Vetëm 2 kate janë pa leje. Unë nuk kam një letër zyrtare nga INUK, por këta duan ta shembin nga themelet.”

“Unë kërkoj nga shteti që të më ndihmojë. Kërkoj drejtësi, të sistemohemi në këtë banesë jo të shkatërrohet kjo banesë. Mundi dhe djersa ime të mos shkojnë dëm. Jemi 3 vëllezër që banojmë këtu, 18 veta. Eshtë me leje tash 23 vjet këtu.”- vijoi më tej pronari.

Ndertimi dhe protestat
Që prej ditës së ndërtimit, objekti në oborrin rrethues të Fakultetit të Ekonomisë shkaktoi reagime nga studentët e këtij fakulteti dhe Rektorati i Universitetit të Tiranës. Ndërtimi hasi në rezistencën e menjëhershme të studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Ekonomisë, të cilët ndërprenë mësimin dhe u drejtuan nga ndërtuesit, duke arritur ndalimin e punimeve për disa ditë.
Më pas Universiteti i Tiranës mori përsipër ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë ligjore. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule kërkoi ndërhyrje lidhur me këtë cvështje deri tek kryeministri.

Sigurimi i makinave, Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet

konkurrencaRritja e tarifës së sigurimit të detyrueshëm te makinave në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë nga kompanitë e sigurimit që operojnë në treg do të hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se kjo është e dyta herë që tregu i sigurimeve është nën hetim, pasi dyshohet se kompanitë marrin vendime në koordinim me njëra-tjetrën, fakt i cili është i ndaluar në ligjin e konkurrencës. nga ana tjetër Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duket se është “dorëzuar” para kompanive që operojnë në treg edhe pse ka hartuar një sërë ligjesh për rregullimin e këtij tregu. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka Botërore kanë hartuar një plan për rregullimin e tregut të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri.

Ky projekt, parashikon kalimin drejt një tarifimi më efektiv, në llogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, që është ai me bazë riskun. Aktualisht, projekti i cili ka kaluar nëpër disa hapa zhvillimi, është tashmë në fazën përmbyllëse, janë hartuar dokumentet strategjikë, që do të përcaktojnë drejtimet kryesore ku do të fokusohen në të ardhmen shoqëritë e sigurimit dhe AMF. Sipas këtij projekti është hartuar një plan strategjik veprimi me synimin kryesor që tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik të jenë të drejta për konsumatorin dhe t’i shërbejnë atij, efikase në drejtim të kostos, nxitëse për një drejtim më të sigurt automjeti duke prezantuar sistemin bonus/malus dhe të qëndrueshme dhe elastike. Deri tani ky plan ka mbetur vetëm në letër.

Tregu 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vëren se kushtet aktuale të tregut paraqiten të paqëndrueshme dhe kanë krijuar një presion të tillë që çon në luhatjen e çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik. Për rregullimin e tregut në zbatim të këtij projekti, AMF ka bërë përmirësime të ndjeshme në Qendrën Kombëtare të të Dhënave për Sigurimin e Detyrueshëm Motorik, në drejtim të furnizimit të parametrave të nevojshëm për klasifikimin me bazë risku të marrjes në sigurim të mjetit dhe drejtuesve të tij, duke integruar mundësimin e përqasjes Bonus Malus. Një gjë e tillë, i krijon mundësi shoqërive të sigurimit të llogarisin tarifa sigurimi të lidhura drejtpërdrejt me historikun e dëmeve të drejtuesit të mjetit. Të dhënat e nevojshme merren tashmë në kohë reale nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.

AMF në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, të dhënat e Regjistrit Elektronik Online të shitjeve të sigurimeve të detyrueshme motorike, tashmë shërbejnë dhe për kontrollin në kohë reale të vlefshmërisë së policave me sistemin e kontrollit online të vendosur në qendrat operative “e Gjoba”, me qëllim uljen e numrit të të pasiguruarve. Sipas AMF zbatimi i këtij metodologjie në afat-gjatë, do të ketë përfitime në nivel kombëtar. Ndërkohë, AMF do të vazhdojë të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme politikat e tarifimit të shoqërive të sigurimit dhe shëndetin e tyre financiar, për të garantuar, që siguruesit disponojnë mjetet e nevojshme për të përmbushur detyrimet ndaj publikut.

Marrëveshje për doganat

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Lulzim Rafuna me bashkëpunëtor priti Drejtoreshën e përgjithshme të Doganës së Shqipërisë Elisa Spiropali me bashkëpunëtor, ku zhvilluan një takim pune në Prishtinë. Temat e takimit ishin bashkëpunimi Doganor dypalësh, zbatimi i marrëveshjes për bashkëpunim / Bashkim Doganor, luftimi i krimit ndërkufitar etj. Gjatë takimit u diskutua intensifikimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ndërkufitar me qëllim të lehtësimit të qarkullimit tregtar në mes të dy vendeve si dhe tejkalimi i problemeve praktike.

Pas takimit Drejtori i Përgjithshëm Rafuna theksoi se “bashkëpunimi me Doganën e Shqipërisë do të thellohet edhe më shumë, si dhe do të krijojmë grupe të përbashkëta punuese për eliminimin e procedurave në mënyrë që ti ndihmojmë bizneset për një qarkullim sa më të lehte në vendin tonë”. Në anën tjetër Spiropali theksoi se “përveç thjeshtëzimit të procedurave ndër administror, të bashkëpunohet sa më afër në mënyrë që të kalohet nga një kufi real në një kufi virtual midis dy vendeve për të hequr pengesat e fundit që kanë mbetur dhe për të thjeshtëzuar kalimin qoftë të njerëzve qoftë të tregtisë që është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Takimi u karakterizua në frymën e mirëkuptimit dhe u arrit pajtim i dyanshëm rreth temave të diskutuara si dhe u dakorduan që të mbajnë takime të rregullta çdo dy muaj ashtu që të parandalohen problemet eventuale në mes të dy vendeve.