Harta e objekteve pa leje që do të prishen

93

harta okkJanë rreth 500 objekte të ndërtuara jashtë çdo kriteri ligjor të cilat do të prishen në Parqe Kombëtare, rezerva natyrore apo në zona që duhet të ishin peizazh i mbrojtur. “Shekulli” ka mundur që të sigurojë listën e objekteve të cilat rrezikojnë që të prishen si pasojë e ndërtimit pa leje në zonat e mbrojtura. Ministria e Mjedisit ka nisur punën për verifikimin e të gjithë objekteve pa leje. Objektet janë të shpërndara në 54 zona të ndryshme me një shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Shifrat e dhëna nga studimi i ministrisë së Mjedisit të mbledhura prej specialistëve janë alarmante. Vetëm në zonën e Llogarasë, një nga peisazhet më të bukura janë ndërtuar 45 ndërtime pa leje. Pjesa më e madhe e këtyre objekteve janë ndërtuar për qëllime biznese, dhe më konkretisht janë 23 lokale. Vetëm 4 shtëpi pa leje janë ndërtuar në këtë zonë. Ajo që bie në sy është numri i objekteve që ndodhen ende në ndërtim.

Për shkak të fushatës dhe periudhës së tranzicionit të qeverisë, në këtë zonë ka nisur ndërtimi i 18 objekteve pa leje. Lezha dhe Pogradeci kane pësuar një masakër të vërtetë mjedisore. Edhe në zonën e Bunës, bumi i ndërtimeve pa leje ka qenë katastrofik si pasojë e neglizhencës së institucioneve shtetërore të cilat nuk kanë ndërhyrë. Janë në total 30 ndërtime të konstatuara nga ekspertët e ministrisë së Mjedisit gjatë verifikimit në terren. 20 prej objekteve që gjendjen në këtë zonë janë lokale, ndërsa 10 objekte të tjera janë në ndërtim. Ethet e objekteve pa leje nuk kanë lënë jashtë as Lagunën e Karavastasë, pavarësisht pasurisë natyrore që ofron kjo zonë. Edhe për shkak të shtrirjes së madhe dhe numrit të lartë të popullsisë, në këtë zonë janë vërejtur 73 ndërtime pa leje, prej të cilave vetëm 45 janë lokale.

Masakra nuk është ndërprerë as gjatë periudhës së zgjedhjeve . Në këtë kohë kanë nisur ndërtimin 28 objekte që nuk kanë mundur të përfundojnë. Në Kunë dhe në Vainë të Lezhës janë vërejtur gjithsej 43 ndërtime, prej të cilave vetëm 17 janë shtëpi dhe 26 objektet e tjera janë ngritur për qëllime biznesi. Edhe Parku Kombëtar i Prespës nuk ka mundur që t’i shpëtojë ndërhyrjes shkatërrimtare të dorës së njeriut, kjo falë edhe mosreagimit të strukturave shtetërore gjatë viteve të fundit. Janë 27 lokale që janë ndërtuar pa asnjë leje, ndërsa v10 të tjera janë banesa. Sipas të dhënave të ministrisë së Mjedisit në Shqipëri, 460 mijë ha gëzojnë statusin e zonës së mbrojtur, ose thënë ndryshe 15.5% e territorit. Deri në vitin 2020 përmes planeve të menaxhimit për zonat e mbrojtura, synohet që kjo sipërfaqe të shkojë jo më pak se 17%.

Prishja nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar

harta 1Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar i ushtron pa asnjë kufizim paraprak kompetencat në çdo rast kur ai konstaton objekt të kundërligjshëm, me ose pa leje ndërtimi, në të gjitha zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare. Në rastet kur INUK-ja konstaton objekte në ndërtim e sipër në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat dhe objektet e rëndësisë kombëtare, dhe kur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) ose autoriteti përgjegjës i planifikimit nuk ka zbatuar përgjegjësitë, atëherë do të jetë INUKu që do të veprojë menjëherë.

 Lefter Koka: Do të prishen të gjithë ndërtimet pa leje

 Ministria akuzon Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave se ka përdorur si fond kompensimi truallin brenda zonave të mbrojtura

Ministria e Mjedisit do të prishë të gjitha ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura në Velipojë, Butrint, Divjakë, Kune-Vainë, Llogara, Patok dhe Pogradec. Është vetë ministri i Mjedisit Lefter Koka i cili shpalosi edhe planin e veprimit të dikasterit që drejton. Ekspertë të ministrisë kanë verifikuar në terren të gjithë ndërtimit pa leje , veçanërisht ato të ndërtuara në zonat e mbrojtura . “Ministria e Mjedisit, si pjesë e Task- Forcës të ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave, për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit, ka marrë vendimin për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në zonat e mbrojtura në Velipojë, Butrint, Divjakë, Kune-Vain, Llogara, Patok dhe Pogradec”, tha Koka.

Në fjalën e tij, ministri i Mjedisit denoncoi rastet e abuzimit nga Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave duke përdorur sipërfaqet që janë të mbrojtura për kompensime për ish-pronarët. “Nga komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në mënyrë të paligjshme janë kompensuar dhe u është kthyer prona brenda zonave të mbrojtura. Zona të mbrojtura që janë në menaxhim nga subjektet private, por që kryejnë aktivitete të tjera krejt të paligjshme.

Do të prishen të gjithë ndërtimet pa leje të identifikuara përreth territorit të zonave të mbrojtura”, tha Koka. Sipas kreut të kësaj ministrie, Lefter Koka, do të punohet për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat e mbrojtura dhe për t’u rikthyer identitetin.“Synohet deri në vitin 2020 te kemi një sipërfaqe jo më pak se 17% e sipër të terri- torit. Ministria e Mjedisit ka hartuar plane dhe strategji për mbrojtjen e zonave. Ka ndërtime pa leje edhe në këto zona. Do punohet për prishjen e ndërtimeve pa leje brenda zonave të mbrojtura. Ky është vetëm fillimi. Shumë shpejt do ketë ndryshime të nevojshme në ligjin edhe për gjuetinë.

Në Llogara, Patok dhe Fushëkuqe, ka problematika me ndërtimet pa leje. E njëjta situatë po rëndohet edhe në Pogradec”, u shpreh Ministri Koka. Ministri Koka garantoi qytetarët për zbatimin e ligjit për zonat e mbrojtura, si dhe vijimin e punimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje .

Vendimi i Këshillit të Territorit

Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit, ministri I Mjedisit Lefter Koka do të deklaronte masat emergjente që do të marrë dikasteri i tij për të ndërhyrë në mbrojtjen dhe rehabilitimin të zonave të rëndësishme, kombëtare mjedisore. “Këshilli Kombëtar i Territorit e konsideroi një emergjencë për të rehabilituar pikërisht këto zona, të cilat nëse do t’i konsiderojmë të mbrojtura, vetëm të mbrojtura nuk kanë qenë përgjatë mbi 20 vitet e fundit Sigurisht, rreth 90 % e ndërtimeve që gjenden në zonat në fjalë janë ndërtime informale dhe që të bësh rehabilitimin e zonave të mbrojtura, hapi i parë dhe i domosdoshëm është, pikërisht, kthimi i tyre në identitet. Sigurisht, që ka një ligj të posaçëm për menaxhimin e parqeve kombëtarë, ku dhe lejet në mënyrë të domosdoshme janë për t’u dhënë nga KKT, ku do të thosha në shumë pak raste, mos të themi në asnjë rast, nuk është vepruar në mënyrë të atillë”, tha Koka.

Godina te Ekonomiku, sot prishja me shpërthim 

Policia e Shtetit ka nisur shembjen në bashkëpunim me Inspektoriatin Ndërtimor për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ndërtesa 5 katëshe pranë fakultetit Ekonomik në hyrje të qytetit Studenti do të prishet sot rreth orës 10:00, ndërsa studimi i masave ka nisur që dje me rrethimin e objektit. Janë kërkuar gjashtë ekspertë të xhenios në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët pritet të studiojnë objektin për të vendosur lëndë plasëse. Paraprakisht mendohet se do të hapen mbi 400 gropa brenda të cilave do të vendosen kallëpe plasëse që më pas përmes telekomandimit nga distance, do të bëhet edhe shpërthimi i kontrolluar. Pronarët, 3 vëllezër, thonë se janë në proces legalizimi dhe se kanë asnjë paralajmërim se objekti i tyre do të shembet. “Unë jam banor i Tiranës që në vitin ‘91 dhe këtë ndërtesë e kemi bërë me shumë sakrifica. Kjo ndërtesë është zhvilluar në mënyrë siç kanë ndërtuar të gjithë shqiptarët, me borxhe, me kredi. Është me dokumente, me leje ndërtimi edhe nga Bashkia e Tiranës dhe i kërkoj edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës të prononcohet për këtë objekt. Kam ruajtur parametrat inxhinierike.

Vetëm 2 kate janë pa leje. Unë nuk kam një letër zyrtare nga INUK, por këta duan ta shembin nga themelet”, shprehet pronari në një prononcim për News 24. Përplasja mes palëve ka një histori tejet të gjatë, madje u rrezikua edhe viti akademik , pasi studentët e Fakultetit Ekonomik të mbështetur nga pedagogët deklaruan se nuk do të vijojnë mësimin nëse nuk do të shembet godina. Madje Këshilli Studentor i drejtoi edhe një letër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ku e vinte në dijeni për problematikën e krijuar duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Inspektoriatit Ndërtimor. Në reagimin e saj, Bashkia e Tiranës është shprehur se nuk mund të ndërhyjë në objektin i cili po ndërtohet në oborrin e Fakultetit të Ekonomikut në Tiranë. Sipas Bashkisë, shoqërisë private të ndërtimit i është dhënë e drejta e kryerjes së punimeve sipas vendimeve të Bashkisë që mbajnë datën e vitit 2004. Nuk është hera e parë që studentët e Fakultetit të Ekonomisë kanë organizuar protesta në lidhje me objektin në fjalë. Në një kohë që Fakulteti i Ekonomisë vuan prej vitesh mungesën e ambienteve për studentët, brenda rrethimit të tij një tjetër godinë gjigande ngrihet nga privatët