Meidani: Spiropali një vajzë e paditur dhe e pamësuar

52

meidani-spiropaliPas reagimit publik të Drejtoreshës së Doganave, Elisa Spiropali ku shpjegonte arsyet e shkarkimit të ish-shefit të antikontrabandës doganore, Denion Meidani, ka ardhur edhe reagimi i këtij të fundit.

Në një reagim po publik, Denion Meidani shpjegon se kërkon fakte dhe jo lloqe pazari dhe hartime vjeshte. Ai shpjegon se gjithçka e ka të merituar në karrieren e tij dhe se Spiropali nuk është veçse një vajzë e pamësuar dhe arrogante që perdor agresivitetin dhe arrogancën e saj per te mbuluar defektet që ka.

LETRA E PLOTË E DENION MEIDANIT

Doja t’i bëja me dije zonjës se jam krenar për mbiemrin tim dhe se nuk e kam përdorur askund me apo pa vend dhe nuk i bën aspak nder që mendon se mund te abuzojë duke pretenduar që unë e paskam çdo gjë të dhuruar. Kam studiuar vetëm jashtë ku mbiemri i asnjërit nuk merret parasysh, por gjykohet vetëm nga dijet, puna dhe kapacitetet. Kam punuar si në sektorin publik dhe atë privat me rezultate e arritje të dukshme dhe ndryshe nga ajo edhe në doganë nuk jam katapultuar, por kam hyrë me konkurrim dhe rezultate.

Është fatkeqësi që një institucion shtetëror kaq i rëndësishëm ka për titullare një vajzë të paditur e të pamësuar që fshihet mbas arrogancës dhe agresivitetit të saj për të mbuluar difektet që e karakterizojnë.
Ajo ditën e parë të punës në administratën publike e filloi si Drejtoreshë e Përgjithshme pa patur asnjë eksperience të mëparshme në sektorin privat apo administratën civile që do i duhej minimalisht çdo personi të përgjegjshëm për të kuptuar nivelin e mjaftueshëm të nevojshëm të një detyre shtetërore të këtij kalibri.

Për akuzat që ka ngritur ndaj meje me paturpesinë me të madhe duke thënë se “…ish-shefi i Antikontrabandës s’mjaftohet me shkeljet e shumta që nuk i mban mend, shkon edhe më larg. Si shkelës i regjur i çdo kodi detyre, si në disa detyra të larta ku ka qënë dhe është shkarkuar vazhdimisht, me shkeljet s’ka të sosur…

” Doja të më thoshte se ku i kam këto shkelje të shumta si në detyrën e fundit dhe ato paraprake sepse i konsideroj si shpifje të ulta dhe asgjë më shumë. Gjithashtu doja të pyesja zonjën se nga cilat detyra jam shkarkuar në vazhdimësi sepse kjo është qesharake dhe nuk i lejohet drejtueses së institucionit ku unë punoj dhe që ka dosjen time të plotë përfshi këtu edhe librezën time të punës. E këshilloj këtë vajzë të nxituar e të papjekur të konsultohet me shpesh me letrat në institucion para se të prononcohet sepse nuk punon më në OJQ.

Megjithëse institucionalisht nuk i është përgjigjur akoma kërkesës time me shkrim për të më informuar se cila ishte shkelja ime e “Kodit të Etikës” për të cilën më ka pezulluar shoh se po ma kthen në formën e akuzës publike nëpermjet letrës së saj se paskërkam qenë “pezulluar nga detyra për paaftësi, mungesë profesionalizmi, dëmtim të imazhit të institucionit”.

Shpresoj vetëm që zonja të ketë qenë e aftë të dokumentojë paaftësine dhe mungesën e profesionalizmit tim gjatë këtij një muaji të shkurtër që une kam qenë në detyre (dhe akoma më pak kohë nën drejtimin e saj për tu vlerësuar) kur shifrat dhe fakte flasin për një punë të shkëlqyer të antikontrabandës gjatë kësaj kohe. Kemi vënë gjatë këtij një muaji në aq gjoba sa Antikontrabanda nuk i kishte vënë ndonjëherë në një vit të tërë kalendarik.

Mendoj se asnjë nga publiku nuk e besoi kryeministrin, në një nga shfaqjet e tij publike, kur tha që Elisa sapo erdhi tek dogana brenda natës e bëri të dukshme punën e saj duke i vënë gjobën tek depozitat e kompanisë Ada Petrol në Lezhë. Forcat e Antikontrabandës kishin shkuar dhe po punonin që në orën 11.00 tek depozitat në fjalë ndërkohë që vetë zonjusha Spiropali u prezantua në orën 13.00 nga Ministri i Financave në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Refuzoj të pranoj që paskam dëmtuar imazhin e institucionit dhe pres nga zonjusha që ta ketë dokumentuar dhe këtë gjë me seriozitet. Gjithashtu nuk besoj se është kaq naive sa të mendojë se mund të hidhte baltë në media mbi mua dhe emrin e familjes time dhe mos merrte asnjë reagim.

Për më tepër më bëjnë të qesh ofertat e saj të ndryshme të mëparshme për vende alternative apo kur mendon se mund të më kërcënojë duke më thënë se “mua si Drejtore e Administratës Doganore më bëri të reflektoj lidhur me masën e dënimit aq të lehtë që i dhashë vetëm duke e pezulluar” dhe ja përsëris sërisht se në çdo rast nuk do doja të isha në marrdhënie pune e të bashkëpunoja me nje drejtuese pa eksperience, të pa nxënë e të papërgjegjshme si ajo.

Ngelem në pritje që të me serviret në Komitetin Disiplinor prova e fakte e jo lloqe pazari e hartime vjeshte.