Tabaku: Me “Aktin normativ” Rama po shpërblen ministrat e tij

49

jorida tabakuDeputetja demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar sot kryeministrin Rama se po rrit borxhin për luksin e vet dhe të qeverisë së tij.

Nëpërmjet një konference për shtyp, Tabaku ka deklaruar se Rama po merr vendime për të shpërblyer ministrat e kabinetit të tij, dhe këto para po i merr nga pagat e punonjësve të thjeshtë.

“Që nga data 4 tetor, përmes “aktit normativ”, qeveria  i ka lejuar vetes të marrë një borxh të ri prej 240 milionë dollarësh. Borxh i cili po i heq mundësinë bizneseve ta përdorin për rritjen apo zgjerimin e tyre, dhe për punësimin e shqiptarëve”, -ka thënë Tabaku.

Më tej ajo shtoi: “Asnjëherë, në asnjë situatë, institucionet kryesore të mbledhjes të të ardhurave nuk kanë pasur një performancë kaq të dobët, as në 1997-ën, dhe as në 2005-ën.

Akti normativ vërteton në rastin më të mirë paaftësinë e kësaj qeverie, dhe në rastin më të keq, synimin e saj për të mbushur xhepat e zbrazur gjatë fushatës së klientëve të saj”.

“Zoti Rama, nëse vendi  është në krizë pse duhet të merrni borxh 600 mijë dollarë vetëm për shpenzimet e zyrës tuaj?

Velloja e zezë që tentuat t’i hidhnit sipër ekonomisë nuk mund të mbulojë gjëmën që keni nisur t’i bëni këtij vendi”, -ka përfunduar deputetja Tabaku.