Shehu përcjell mesazhin: Shqiptarët në formacionet ekstremiste islamike, po dëmtojnë kauzën e popullit sirian

44

tritan-shehu (1)Ish Ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, përcjell mesazhin nga Siria për sensibilizim të opinionit publik, se shqiptarë që operojnë brenda formacioneve të forcave ekstremiste islamike në Siri, po i krijojnë një dëm të madh çështjes së atij populli.

Duke marrë shkas nga disa njoftime të reja ne media, po i rikthehem përsëri temës së një pjesëmarrjeje të disa shqiptarëve në luftën aty.

Disa ditë më parë takova në Romë një nga drejtuesit e rezistencës demokratike siriane, një personalitet demokrat, profesor, me ide krejt perëndimore. Më konfirmoi qartësisht dy elemente: 1- Shqiptarët autoktonë në Siri, në pjesën dërrmuese të tyre, mbështesin lëvizjen demokratike aty. 2-Ka shqiptarë të tjerë, të vajtur aty mbas fillimit të konfliktit, edhe nga Shqipëria këta, që operojnë aty brenda formacioneve të forcave ekstremiste islamike, duke i krijuar një dëm të madh çështjes së atij populli.

Ai më kërkoi të sensibilizohet opinioni publik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, për këtë fenomen shumë të rrezikshëm jo vetëm për atë vend, por në radhë të parë për vendet tona. Ai kërkonte me forcë që të merren të gjitha masat nga organet tona shtetërore për të goditur me forcë këtë trafik tragjik qeniesh njerëzore, organizatat kriminale që e organizojnë apo favorizojnë atë. Dhe ai ka plotësisht të drejtë, ne nuk mund e nuk duhet ta kalojmë me mendjelehtësi një shfaqje të tillë marrëzie, fatmirësisht për momentin shumë e kufizuar kjo. Nje gjë tillë bie krejt ndesh me aspiratat tona kombëtare, me përkatësinë tone perëndimore, me angazhimet tona, me filozofinë e mentalitetin tonë fetar e njerëzor, me imazhin tonë, me interesat tona madhore”, -shkruan ai në Facebook.