Berisha kritikon Ramën pas funeralit të Martens

53

Sali BerishaKryeministri Edi Rama është i zemëruar me raportin e Komisionit Evropian sepse ai njeh meritat e Partisë Demokratike në rrugën e Shqipërisë drejt familjes evropiane. Kështu ka pohuar ish-Kryeministri Sali Berisha në takimit me zyrtarët e lartë evropianë.

“Në takimin me Presidentin Daul dhe kryeministra, kryetarë të Partive Popullore, i njoha ata me zemërimin e Edi Ramës me raportin e Komisionit Evropian vetëm e vetëm se ky raport pohon suksesin e reformave gjatë qeverisjes së PD që bënë të mundur rekomandimin për statusin e vendit kandidat dhe përgënjeshtron fund e krye trillimet e Ramës për epokën e rrënimit dhe nihilizmin e tij për arritjet e vendit”, – shkruan Berisha në Facebook.

Në pritjen zyrtare që u shtrua pas ceremonisë solemne të lamtumirës së Presidentit Martens, ishkryeministri ka biseduar me Presidentin e Këshillit Evropian, Van Rompuy, Presidentin e Komisionit Evropian, Manuel Barroso, Presidentin e ad interim të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, si dhe presidentë e kryeministra dhe personalitete të tjera të shquara që morën pjesë në pritje. Berisha informon se në bisedën e tij me Presidentin Van Rompuy dhe me Presidentin Barroso, i falënderoi ata me mirënjohje të thellë për vlerësimin objektiv të arritjeve të Shqipërisë dhe për vendimin e Komisionit Evropian për të rekomanduar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Ndërsa e cilëson vendimin të rëndësishëm dhe plotësisht të merituar për qytetarët shqiptar. Në këto biseda, shton ai, i njoha miqtë e tij me qëndrimet anti- kushtetuese, anti-konsensus dhe antiligjore të mazhorancës, revanshin e saj të papërmbajtur kundër institucioneve të pavarura dhe administratës publike dhe Policisë së Shtetit në trajnimin dhe përgatitjen e të cilave vendet anëtare të BE dhe Komisioni Evropian kanë shpenzuar qindra milionë euro.

Në bisedat e zhvilluara, shkruan ish-kryeministri, u diskutua gjerësisht për dekapitimin nga Rama, me një akt dënimi kolektiv, të Policisë së Shtetit dhe zëvendësimin e profesionistëve në krye të këtij institucioni me delikuentë, komisionerë të Partisë Socialiste, trafikantë droge. Gjithashtu Berisha i ka njohur gjerësisht bashkëbiseduesit e tij mbi instalimin me shpejtësi të sistemit të kleptokracisë në Shqipëri dhe me aktin e fundit normativ të krizës për buxhetin, në të cilin u katërfishua huamarrja dhe në fund të vitit u ulën me 4 herë kërkesat për realizimin e të ardhurave, vetëm e vetëm që të rrisë borxhin në 72%. “Presidenti ad interim i EPP-së dhe bashkëbiseduesit e tjerë më garantuan se ata do mbështesin fuqishëm Partine Demokratike dhe se në të gjitha institucionet ndërkombëtare do qëndrojnë fuqishëm kundër revanshit antikushtetues, antikonsensus, antiligjor të mazhorancës aktuale”, – përfundon Berisha komentin e tij në FB.