Francë: SHBA-të kanë përgjuar 70.3 milionë telefonata franceze

NSAAgjencia Kombëtare e Sigurimit në SHBA, ka përgjuar 70.3 milionë telefonata franceze, në një kohë rekord prej 30 ditësh, raporton “Le Monde”.

Qeveria franceze thirri të hënën, ambasadorin amerikan, në një mbledhje ku i kërkoi dhe sqarime përreth përgjimeve telefonike.

Grenn Greenwald, i cili zbuloi dhe tabulatet telefonike, tha se kur përdoreshin numra të caktuar, bisedat telefonike regjistroheshin në mënyrë automatike.

“Le Monde” sqaron gjithashtu se operacioni i mbikëqyrjes përfshinte edhe tekstet e mesazheve, të bazuara tek fjalët kyçe që përdoreshin.

“Një praktikë e tillë midis dy vendeve partnere, e cila cënon rëndë privatësinë, është e papranueshme, dhe ne duam të sigurohemi që kjo nuk ka për të ndodhur më”, -ka thënë Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, Sekretarit të Shtetit Amerikan, Xhon Kerrit.

Rama: Qeveria e Shqipërisë i detyrohet një ndjesë Gjermanisë!

edi rama 2Në bisedë me Deutsche Welle, Kryeministri Edi Rama flet për nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve me Gjermaninë, punën e qeverisë së tij për integrimin evropian, raportin me opozitën dhe lëvizjet në administratë.

Z. Kryeministër, Shqipëria shënoi këto ditët një hap të rëndësishëm përpara në rrugën drejt integrimit evropian. Komisioni i BE-së në raportin e progresit dha rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat, me pritjen që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet në fusha si luftimi korrupsionit, reforma në administratë, zbatimi i ligjit, përmirësimi i klimës politike. A do të arrijë qeveria e drejtuar nga Ju të bindë me rezultate deri në dhjetor vendet anëtare, për të miratuar statusin për Shqipërinë?

Qëllimi ynë nuk është të bindim me rezultate të tjerët, qëllimi ynë është që përmes rezultateve të ndërtojmë Shqipërinë evropiane dhe ta bëjmë shoqërinë tonë pjesë të familjes evropiane.

Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore për Shqipërinë, e cila në një renditje të TI vitin e kaluar klasifikohej si vendi më i korruptuar në Evropë. Cili është road map i qeverisë suaj për kapërcimin e kësaj sfide?

Lufta kundër korrupsionit është një luftë komplekse, por në këndvështrimin tim ka qenë, është dhe do të mbetet një përpjekje për të modernizuar shtetin, për të modernizuar shërbimet, për të modernizuar qeverisjen si proces, përmes të cilit raporti mes politikës, qeverisë, institucioneve dhe qytetarit duhet të jetë i bazuar mbi transparencën dhe llogaridhënien.

Fenomeni i korrupsionit në Shqipëri vlerësohet si një e keqe e ngulitur edhe në shoqëri, si pjesë mentaliteti. Ju flisni për përmirësimin e institucioneve, a mund të ndryshojë kështu edhe mentaliteti?

Unë nuk besoj se Shqipëria është më e korruptuar se Gjermania, për shkak se shqiptarët korruptohen më lehtë se gjermanët. Por unë besoj se ka një ndryshim themelor mes Shqipërisë dhe Gjermanisë që bën që edhe raporti i njerëzve me shtetin në Shqipëri dhe Gjermani të ndryshojë thelbësisht. Ky ndryshim e ka bazën tek fakti që sistemi në Gjermani është një sistem demokratik, modern dhe funksional. Ndërsa sistemi në Shqipëri është ende larg të qenit një sistem që të garantojë çdo qytetar dhe shoqërinë si e tërë dhe t’i mbajë njerëzit që punojnë në shtet larg tundimeve të korrupsionit.

Një tjetër parakusht është dialogu mes forcave politike, respektimi i mendimit ndryshe dhe përfshirja e opozitës. Si mund të kontribuojë maxhoranca për këtë?

Ka një arsye shumë të thjeshtë pse opozita e djeshme u vu në pozicionin e pamundësisë për të pasur një jetë normale si opozitë që ishin zgjedhjet, vjedhja e votave, manipulimi i rezultateve dhe përmbysja e tyre përmes vendimesh të korruptuara në gjykata të korruptuara. Ndërkohë që sot opozita është një opozitë e dalë jo nga zgjedhje të manipuluara dhe as nga deformimi i vullnetit të popullit, por nga zgjedhje që u duartrokitën për standardet dhe për qartësinë me të cilën e shprehën vullnetin e popullit. Kështu që sot nuk ekziston arsyeja që deri dje, në një periudhë kohe të caktuar, e detyroi opozitën, që për të mbijetuar si opozitë, të kishte një qasje të caktuar. Nga ana tjetër ne e kemi thënë botërisht dhe unë jam angazhuar publikisht, që opozitës së sotme nuk do t’i mungojë asgjë nga ato që i munguan opozitës së djeshme për shkak të shumicës në parlament apo për shkak të vetë qeverisë. Përkundrazi, ne opozitës do t’i krijojmë as më shumë dhe as më pak, por të gjitha ato kushte që kërkuam për opozitën kur ishim në opozitë.

Në vizitën e tuaj në Bruksel si fitues i zgjedhjeve parlamentare po ende pa mandatin e kryeministrit, Ju premtuat se do t’i jepni fund praktikës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Çfarë do të thotë kjo konkretisht? Dhe si i përgjigjeni zërave që thonë se kjo nuk është realiste?

Unë nuk jam këtu për t’iu përgjigjur zërave, por për të folur me gjuhën e rezultateve. Puna e opozitës është fjala, ndërsa fjala e qeverisë është puna. Puna jonë dhe përpjekjet tona, duhet dhe do të tregojnë përmes rezultateve se çfarë kuptojmë ne me dhënie fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Jam i bindur se sa herë të jepet rasti, jo vetëm opinioni publik në Shqipëri por edhe gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, do të mund ta shikojnë dallimin e qartë mes nesh dhe atyre që qeverisën Shqipërinë deri në 23 qershor dhe u ndëshkuan edhe sepse e ngritën kulturën e pandëshkueshmërisë në sistem të qeverisjes së tyre.

Z. Rama, me fillimin e punës së qeverisë, ju deklaruat se gjendja financiare e vendit është kritike dhe arkat e shtetit thuajse bosh. A rrezikohet Shqipëria nga mungesa e likuiditetit dhe sa akut është ky rrezik?

Ky rrezik nuk ekziston për fat të mirë. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e likuiditetit. Bankat kanë shumë likuiditet madje, por arsyeja përse ato nuk kreditojnë lidhet me ngërçin e madh ku e ka zhytur ekonominë borxhi i madh ndaj sipërmarrjes, me zinxhirin e këtij borxhi të shtrirë në hallkën që lidh sipërmarrjet me bankat. Ndërsa nga ana tjetër arka e shtetit është bosh. Por ne kemi një vizion dhe një plan shumë të qartë për të dalë nga kjo krizë duke filluar nga zgjidhja e ngërçit që mban të bllokuar ekonominë, duke mbajtur të bllokuar sipërmarrjen dhe duke bërë që edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit të shënojnë një rënie si kjo që kanë shënuar në periudhën e fundit.

A keni kërkuar mbështetje nga BE-ja dhe nëse po çfarë përgjigje keni marrë?

Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi si kërkojmë mbështetje nga BE-ja pasi nuk jemi anëtarë të BE-së dhe nga ana tjetër nuk jemi në ato kushte të atyre vendeve anëtarë që kanë kërkuar mbështetje financiare për të përballuar krizën financiare ku u zhytën. Por ne jemi në kontakt me FMN-në dhe Bankën Botërore, me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me një grup ekspertësh të nivelit më të lartë botëror që na asistojnë në një proces ku kemi dy qëllime: e para, të heqim nga rruga shkëmbin që na ka lënë qeveria e mëparshme në formën e borxhit ndaj të tretëve, dhe e dyta, të ristartojmë ekonominë, duke mos cenuar procesin e rritjes ekonomike. Kjo është ambicia jonë dhe jam i bindur se Shqipëria do ta kapërcejë këtë fazë shumë të vështirë dhe do të fillojë të rritet ekonomikisht në një periudhë të arsyeshme brenda mandatit tonë.

Z. Kryeministër, tashmë kanë kaluar rreth 4 javë nga fillimi i mandatit qeverisës të koalicionit të majtë PS-LSI. Aleanca para zgjedhjeve me partneren në koalicion u prit me skepticizëm nga një pjesë e opinionit në Shqipëri. Pati edhe zëra që parashikonin një jetë shumë të shkurtër të këtij koalicioni. Ndërkohë kryetari i LSI, Ilir Meta, deklaroi së fundi se ky koalicion do të vazhdojë deri sa Shqipëria të anëtarësohet në BE. A ndani Ju të njëjtën bindje me z. Meta?

Besoj se skeptikët e pas marrëveshjes së koalicionit përgjigjen e kanë marrë në 23 qershor, kur 1 milionë shqiptarë votuan për Aleancën për Shqipërinë Evropiane, ku aleanca PS-LSI doli me rezultate më të mira se asnjëherë më parë. Ndërkohë që pa asnjë dyshim ky muaj i parë i qeverisjes po tregon qartë, se kjo qeveri është ndërtuar me një vizion, me një mision dhe me një funksion shumë të qartë. Dhe vizioni, misioni dhe funksioni i qeverisë e bëjnë çdo çështje të vogël të ditës shumë relative në krahasim me çështjen e madhe që e ka lindur Aleancën për Shqipërinë Evropiane dhe që na vetëdijëson plotësisht në radhë të parë si drejtues të dy partive të kësaj aleance, qoftë mua, qoftë kryetarin e Kuvendit, por edhe gjithë të tjerët për misionin që kemi edhe personalisht.

Kohët e fundit ka pasur disa ndryshime në administratë, të cilat nga një pjesë e opinionit apo vetë të prekurve janë cilësuar të motivuara politikisht. Si i përgjigjeni këtyre vërejtjeve duke pasur parasysh edhe një praktikë të gjatë klientelizmi në Shqipëri, ku forcat politike në pushtet vendosin edhe në pozicione teknike në administratë njerëzit e tyre?

Forcimi i kapaciteteve dhe ngritja e nivelit të administratës publike është pjesë e sfidës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne jemi të vetëdijshëm për traditën e shëmtuar të rrotacioneve që shkatërrojnë administratën për qëllime politike dhe mbi baza krejt të paqendrueshme të zëvendësimit të disave me disa. Po kështu jemi të vetëdijshëm që njerëzve më të talentuar dhe më të përgatitur që duan t’i shërbejnë shtetit, t’u krijohet mundësia për t’i shërbyer shtetit përmes konkursesh tërësisht transparente, bazuar në ligjin për nëpunësin civil dhe me qëllim meritën dhe vetëm meritën. Ne do të jemi garantë e të gjithë atyre, që sot janë pjesë e administratës falë aftësisë dhe meritës së tyre, dhe njëkohësisht do të garantojmë që ata që duan t’i shërbejnë shtetit, ta kenë mundësinë për këtë, pavarësisht mbiemrit, përkatësisë së tyre partiake, krahinore, fetare, pavarësisht të gjitha atyre që u quajtën dhe zbatuan si kritere më parë. Ne duam t’i japim vendit administratën që vendi meriton dhe njëkohësisht t’u japim qytetarëve ato shërbime, të cilat do të jenë një nga instrumentet për ta zmbrapsur korrupsionin, shërbime të një administrate të aftë dhe të kulturuar.

Z. Rama, ju keni deklaruar se qeveria juaj do të ndjekë atë që e keni quajtur „politikë të zero problemeve me fqinjët“. Si duhet kuptuar kjo në terma praktikë? Do të hapë Shqipëria gjithnjë rrugë në raste problemesh për hir të shmangies së konflikteve?

Ne jemi tërësisht të interesuar dhe fokusuar që problemeve të bartura t’u japim zgjidhje në reciprocitet të plotë dhe respekt të ndërsjelltë.

Z. Kryeministër, pak pas fillimit të mandatit qeverisës Ju deklaruat mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët qeveritare me qeverinë kosovare. Çfarë simbolike ka ky takim?

Ne po përgatitemi për të organizuar mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, që do të mbahet në muajin nëntor në Prizren. Kjo është pjesë e një praktike që nuk e shpikim ne, por që e konsiderojmë shumë të vyer, dhe që përdoret nga qeveri të tjera, për të jetësuar partneritetin strategjik, marrëdhënien e miqësisë dhe fqinjësisë, që sidomos në raportin mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të ngrihet në nivel të tillë, që ta bëjë vijën e kufirit të padukshme dhe që mes dy shteteve të krijojë kushte për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor.

Pra praktika të tilla mund të ketë edhe me qeveri të tjera të rajonit?

Po, ne po bëjmë përgatitje që të ketë edhe të tjera.

Z. Rama, aktualisht ndodhemi në mes të tetorit gjerman, këtë vit nën moton „25 vjet bashkëpunim ekonomik Shqipëri-Gjermani“. Si i vlerësoni ju marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve?

Për fat të keq dhe për faj të palës shqiptare këto marrëdhënie sot nuk janë aty ku duhet të ishin. Kam pasur rastin ta them dhe po e përsëris edhe për Deutsche Welle-n sot, se qeveria e Shqipërisë i detyrohet një ndjesë Gjermanisë për sjelljen krejt të pakuptueshme në raport me një kontribut të shkëlqyer gjerman lidhur me interkonjeksionin Shqipëri-Kosovë, që besoj ka lënë pas edhe gjurmë mbresash jo fort të pëlqyeshme tek Gjermania, e cila është donatori më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe një pikë referimi për ne.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për të ardhmen e marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani? Cilat janë fushat prioritare?

Gjermania ka qenë gjithmonë e gatshme dhe ka bërë për Shqipërinë jashtëzakonisht shumë në gjithë këto vite. Na takon ne të meritojmë më shumë.

A keni marrë Ju vetë pjesë në ndonjë nga aktivitetet e tetorit gjerman deri tani?

Jo, nuk e kam pasur këtë fat, por me siguri do ta kem ditët në vijim.

Ministria e Arsimit: Shkeljet ligjore do ndëshkohen penalisht, konkurrimi do të jetë transparent

lindita-nikollaMinistrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, nëpërmjet një deklarate për mediat ka bërë të ditur për opinion publik gjendjen në të cilën ndodhet sistemi arsimor në vend dhe masat për ta rregulluar atë.

“Sot fillon fundi i militantizmit dhe korruptimit të shkollës përmes emërimesh pa kriter gjatë gjithë këtyre viteve. Jam këtu për të rikonfirmuar vullnetin e fortë të qeverisë që unë përfaqësoj dhe të institucionit që unë drejtoj”, -deklaroi Nikolla.

Nikolla sqaroi se lajmërimet për konkurrimet do të bëhen në shtyp dhe në faqen online të MAS. Ajo shpjegoi gjithashtu se, seleksionimi do të bëhet duke u bazuar në kritere të qarta të shpallura publikisht dhe në transparencë publike të plotë. Do të ketë 13 finale publike, mes 3 deri në 5 kandidatë, përballë një jurie prestigjioze të përbërë nga personalitete të arsimit.

“Nga dëshmi prindërish, histori mësuesish e ngjarje të treguara nga nxënësit, e dinim që situata në sistemin tonë arsimor ishte e rëndë. As në makthin tonë më të keq, nuk e imagjinonim dot që gjërat ishin aq keq sa i gjetëm. Nisur nga rekomandimet e grupit të inspektimit të bazuara në gjetjet e këtij procesi, ju komunikojmë se janë marrë masat disiplinore: Zgjidhje e menjëhershme e kontratës për 59 persona të implikuar në shkelje të hapur të ligjit, përfshi 12 drejtues të DAR-ve, vërejtje me paralajmërim për 13 punonjës; vërejte për 5 punonjës.  Për shkelje të konstatuara, drejtorët që shkarkohen si dhe ata që nxituan të japin dorëheqjen, pasi u përballën me faktet e keq-menaxhimit dhe shkeljet e konstatuara nga ekipi auditues, sigurisht do të përballen edhe me forcën e ligjit”, -theksoi Nikolla.

 

PD kërkon në Kuvend kthimin mbrapsht të Aktit Normativ për Buxhetin

edi-palokaPartia Demokratike i ka kërkuar Kryetarit të Parlamentit që të mos fusë në rendin e ditës, të enjten, Aktin Normativ për Buxhetin. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka në një deklaratë për mediat, tha se ky Akt vjen në kundërshtim me ligjin dhe se prish stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.

“Akti Normativ është në kundërshtim të plotë me ligjin organik, i cili rregullon procesin e buxhetimit dhe menaxhimin financiar të vendit dhe krijon një precedent të rrezikshëm për prishjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit duke marrë borxhe për të paguar pagat e nëpunësve apo kryer shpenzime të tjera për administratën publike.

Gjatë 8 viteve te qeverisjes së Partisë Demokratike borxhi jo vetëm nuk është përdorur për shpenzime rutinore operative, por nga 5.4 miliardë dollarë investime, 4 miliardë janë mbuluar me borxh dhe pjesa tjetër nga të ardhurat. Për këtë arsye, jam sot këtu si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që t’i  kërkojmë Kryetarit të Parlamentit që në bazë të kompetencave që ka, ta kthejë këtë Akt Normativ në qeveri dhe të mos e paraqesë për miratim në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Siç e theksova edhe më sipër ky është një akt i paligjshëm sepse Qeveria e ka mundësinë e marrjes së huave vetëm për investime dhe projekteve të investimeve dhe jo për shpenzime të administratës, siç ka parashikuar me këtë Akt Normativ, ku 90 milionë dollarë parashikohen të përdoren për shpenzimet e administratës.  Ky Akt Normativ është antiligjor dhe i kërkojmë kryetarit të Parlamentit t’ia kthejë qeverisë për ta hartuar në përputhje me ligjin”, – tha Paloka.

 

 

Krimi në familje, 28 vjeçari vret të fejuarën e tij

skene-krimi-mos-kalo1Krimi në familje godet sërish. Një 28 vjeçar nga Dibra ka vrarë të fejuarën e tij, e cila ishte vetëm 18 vjeç.

Arbër Deda është konfliktuar me të fejuarën e tij në shtëpi dhe më pas debati ka degjeneruar në vrasje.  Deda e ka qëlluar me armë zjarri 18 vjeçaren M.T, e cila nuk ka mundur dot t’i mbijetojë plagëve të marra.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Staravec të Peshkopisë. Mësohet se çifti kishte prej disa ditësh mosmarrëveshje. 28-vjeçari Deda ishte person me precedentë penalë.

Ndërkohë, policia e cila ka shkuar në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të krimit të rëndë.

 

Rihanna përzihet nga xhamia Abu Dhabi

Rihanna
Rihanna
Rihanna

Popstar Rihannës i është  kërkuar të largohet nga xhamia Abu Dhabi, pasi ajo nuk kishte leje për të bërë fotografi. Teksa këngëtarja ishte duke realizuar një set fotosh pranë xhamisë, pjesëtarë të stafit të xhamisë i kanë komunikuar këngëtares të largohej nga xhamia, pasi veprimet e saj nuk ishin të denja për një vend të shenjtë.

Fotot që Rihana ka postuar në Instagram tregojnë, se ajo është e veshur nga koka te këmbët më një kostum të errët, që imiton vellot e zeza të grave muslumane.

 

 

 

 

 

 

 

 

Rihanna
Rihanna

 

Rihanna
Rihanna

 

Rihanna
Rihanna

 

Rihanna
Rihanna

 

Rihanna
Rihanna

 

 

 

 

 

KiE Shqipërisë: Përdorni ligjet ekzistuese për të luftuar korrupsionin

zyra_anti_korrupsion_ne_univerDW

Intervistë me Ivan Koedjikov, kryetar i Departamentit të Veprimit kundër krimit në Këshillin e Europës.

DW: Zoti Koedjikov, lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në përpjekjet e saj për një demokraci funksionale dhe afrimin drejt anëtarësimit në BE. Si vend anëtar i Këshillit të Europës ajo ka përfituar nga asistenca teknike, monitorimi dhe rekomandimet e KiE, për të plotësuar angazhimet/detyrimet e saj lidhur me luftën ndaj korrupsionit. Si e vlerësoni ju situatën në Shqipëri lidhur me korrupsionin?

Ivan Koedjikov: Besoj që qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, kanë luftuar korrupsionin në radhë të parë, sepse populli shqiptar dëshiron të shkojë përpara në të përditshmen e tij pa qenë i shqetësuar nga korrupsioni. Kushtëzimet në rrugën drejt anëtarësimit në BE janë një faktor dytësor, por shumë pozitiv. Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës në vitin 1996. Një vit më pas Shqipëria u bë anëtare themeluese e mekanizmit kundër pastrimit të parave dhe monitorimit të financimit të terrorizmit, të njohur me inicialet MONEYVAL. Në vitin 2007 u bë anëtare e GRECO,- Group of States Against Corruption-. Shqipëria ka marrë pjesë në vlerësimet e ndërsjellta, të kryera nga këto mekanizma monitoruese dhe ka përfituar nga rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL. Që nga viti 2000 Shqipëria dhe Këshilli i Europës bashkëpunojnë për të plotësuar projekte anti-korrupsion: një rajonal dhe tre në Shqipëri, të dizenjuara enkas për të mbështetur reformat shqiptare anti-korrupsion dhe mirëqeverisjen.

Ka një progres të pamohueshëm, por mbetet ende shumë për të bërë. Nuk më takon mua të jap një vlerësim të situatës në përgjithësi në Shqipëri lidhur me korrupsionin. Qeveria e Shqipërisë ka bërë një vlerësim dhe i ka dhënë përparësi luftës ndaj korrupsionit. Mirëpres këtë politikë të qeverisë.

DW: Këshilli i Europës ka zbatuar në Shqipëri një projekt të përbashkët , tre vjeçar me BE, 2009-2012,Project Against Corruption, Albania, i njohur me inicialet PACA. A mund të tregoni ku u fokususa asistenca teknike e këtij projekti, cilat janë rezultatet e tij?

Ivan Koedjikov: PACA u fokusua kryesisht në dy fusha: .1- implementimin e Strategjisë Anti- Korrupsion dhe Planit të Veprimit, 2007-2013 në përputhje me rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL, si edhe me angazhimet në kuadër të Partneritetit Europian, 2- në parandalimin e korrupsionit në sektorin e arsimit permes përmirësimit të transparencës, përgjegjësisë dhe pjesëmarrjes sociale. Projekti adresoi boshllëqet dhe mangësitë në legjislacionin dhe politikat anti-korrupsion dhe mundësoi përmirësime në kuadrin ligjor, rregullator dhe administrativ për përfituesit kryesorë. Projekti u mendua edhe u zbatua edhe për trajnime profesionale dhe kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për korrupsionin dhe si ta luftojë atë.

DW: Në Progres Raportin 2013 të Komisionit Europian për Shqipërinë theksohet se “korrupsioni mbetet një problem serioz dhe është mbizotërues në shume fusha, përfshirë edhe ligjin”. Si kanë kontribuar rezultatet e PACA-s në luftën kundër korrupsionit? Në ç’masë rekomandimet e këtij projekti trevjecar janë marrë parasysh nga qeveria paraardhëse dhe institucionet e tjera shtetërore? A ka faktorë, që vënë në rrezik qëndrueshmërinë e rezultateve të arritura nga projekti PACA?

Ivan Koedjikov: Si të gjitha projektet e tilla PACA kontriboi në një sërë mënyrash, kryesisht përmes hapash dhe përmirësimesh të vogla, në rritje. Arritja më e madhe e këtij projekti është roli, që luajti lidhur me imunitetin e zyrtarëve të zgjedhur dhe adaptimin e imuniteteve konform standarteve dhe praktikave më të mira të Këshillit të Europës. Kjo kërkoi edhe amendimin e Kushtetutës. PACA zgjati tre vjet dhe solli një listë mbresëlënëse rezultatesh, ndër të cilat rekomandimet për politika specifike bazuar në vlerësimet e rrezikut të korrupsionit në gjashtë sektorë të ndryshëm. Shumë prej këtyre rekomandimeve janë ende për t’u zbatuar. Përpjekjet anti-korrupsion të qeverisë aktuale të Shqipërisë natyrisht që do të përfitojnë nga trashëgimia që la PACA, nëse mund ta përdor këtë fjalë.

DW: Qeveria e re e kryeministrit Rama e konsideron luftën kundër korrupsionit një nga prioritetet e saj kryesore. Çfarë pret Këshilli i Europës nga qeveria e re për të adresuar si duhet korrupsionit dhe përmbushë të gjitha standardet e KE? Çfarë do t’i sugjeroni ju qeverisë Rama për të vendosur në thelb të strategjisë së re anti-korrupsion?

Ivan Koedjikov: Pritshmëritë e Këshillit të Europës janë përshkruar në detyrimet statutore të Shqipërisë, të njëjta për të gjitha shtetet tona anëtare dhe në rekomandimet e adresuara për Shqipërinë nga GRECO dhe MONEYVAL. Për të qenë më specifik, Shqipëria mund të përqëndrohet në përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm të politikës së saj anti-korrupsion politikave dhe koordinimit, që do të përfshinte përditësimin e Planit të Veprimit Anti-korrupsion si dokumenti kyç i politikës së qeverisë. Një mbështetje të fortë institucionale mund t’i jepet përpjekjeve anti-korrupsion, për shembull duke angazhuar Kontrollin e Lartë të Shtetit në strategjinë kombëtare anti-korrupsion dhe kuadrin e politikës. Ka hapësirë për përmirësimin e koordinimit institucional, për shembull, duke i dhënë Inspektoriatit të Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive të Zyrtarëve te Lartë rolin një Zyre Anti-Korrupsion, duke u fokusuar jo në shkeljet administrative dhe inspektimet, por në zhvillimin e politikave, koordinimin dhe monitorimin. Masat e përgjithshme parandaluese antikorrupsion mund të kenë një ndikim të madh pozitiv afatgjatë, për shembull, përfundim i reformës së shërbimit publik për të siguruar një shërbim civil të motivuar dhe të bazuar në meritë, duke siguruar që janë vendosur sisteme funksionale për të lehtësuar dhe vepruar me ankesat për korrupsion brenda institucioneve publike.

DW: Një faktor kyç për të patur progres në përpjekjet anti-korrupsion është opinioni publik. Për fat të keq opinioni i përgjithshëm publik në Shqipëri është skeptik lidhur me zhdukjen e korrupsionit, përderisa Shqipëria nuk ka shembuj konkretë të zyrtarëve të dënuar për korrupsion, veçanërisht në nivelet e larta të vendimmarrjes, një realitet ky, që çon në mendimin se në Shqipëri është instaluar një kulturë e mosndëshkimit këmbëngulës. Dhe më shumë se të qënit mospranues dhe jo tolerantë ndaj rasteve të korrupsionit njerëzit thonë: “të gjithë bëjnë korrupsion, askush nuk dënohet”. Çfarë duhet bërë për të kthyer opinionin publik në një aleat në përpjekjet anti-korrupsion?

Ivan Koedjikov: Si u përmend më lart kufizimi i numrit të zyrtarëve të lartë, që gëzojnë imunitet, ishte një hap i mirë, që lejon shoqërinë shqiptare të udhëhiqet nga ky shembull. Kjo me siguri është vlerësuar nga opinioni publik. Megjithatë nuk duhet të jetë e vështirë për të parë se për sa kohë mjetet ekzistuese ligjore dhe të zbatimit të ligjit nuk përdoren, apo përdoren vetëm në mënyrë selektive, publiku shqiptar ka të ngjarë të mbetet skeptik. “Të gjithë bëjnë korrupsion, askush nuk ndëshkohet” ose “Të gjithë bëjnë korrupsionin, vetëm të vegjlit ndëshkohen”, duhet të zëvendësohet me “Korrupsioni nuk paguan” dhe “Korrupsioni është një gjë e keqe, prandaj as e bëj, as e toleroj”

DW: Shqipëria shpreson të marrë në dhjetor të këtij viti statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. A mendoni se BE do të hapë me Shqipërinë negociatat e anëtarësimit?

Ivan Koedjikov: Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë e familjes europiane. Besoj se populli shqiptar meriton të jetojë në një shoqëri moderne, të begatë dhe pa korrupsion. Kam besim se qeveria shqiptare e di se për të arritur qëllime të tilla çdo qeveri duhet të jetë gati për të ndërmarrë masa të vështira dhe unë jam i bindur se qeveria ka vullnetin politik dhe mandatin popullor për të bërë kështu.

DW: Çrrënjosja e korrupsionit po tregon se është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm, që nuk mund të arrihet me një shkop magjik. Çfarë roli mund të luajë KiE, cfarë mund t’i ofrojë qeverisë së re të Shqipërisë për të luftuar më mire se deri më tani korrupsionin, vazhduar reformat dhe zbatuar me sukses strategjinë e saj të re anti-korrupsion?

Ivan Koedjikov: Si të gjitha qeveritë e reja qeveria Rama ka të ngjarë të jetë kritike me qeveritë paraardhëse. Megjithatë kjo nuk është një arsye për të hedhur poshtë atë, që ato kanë arritur, ose “ të mos hedhin bashkë me ujrat edhe foshnjën”. Ka shumë rekomandime të PACA-s këshilla, udhëzime teknike dhe mjetet, që presin të zbatohen në praktikë. Janë të mira për Shqipërinë, edhe pse u elaboruan gjatë një qeverie tjetër. Do të doja t’i bëja apel qeverisë së re të përdorë sa më mirë anti-korrupsionin acquis të zhvilluar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Nga ana jonë ne do të bëjmë çmos për t’ju ndihmuar. Këshilli i Evropës është i gatshëm për të mbështetur prioritetet anti-korrupsion të qeverisë shqiptare.

 

 

Ekstradohen vëllezërit Hasanbelli, të akuzuar për vrasje në bashkëpunim

pranga-arrestimZyra e Interpol Tiranës ka bërë të mundur ekstradimin nga shteti belg të dy shtetasve shqiptarë të akuzuar për vrasje në bashkëpunim. Shtetasi Erion (Mikel) Hasanbelli, 35 vjeç nga Fieri, dhe vëllai i tij Geron Hasanbelli, janë të akuzuar për vrasje në bashkëpunim të shtetasve Jualian Cela dhe Kasander Noga.

“Shtetasi Erion (Mikel) Hasanbelli në bashkëpunim me vëllanë e tij Geron Hasanbelli kanë vrarë shtetasit Julian Çela dhe Kasander Noga. Ngjarja ka ndodhur në Belgjikë”- njofton policia.

 

Irak, 480 të vrarë nga sulmet vetëm brenda një muaji

IrakSërish sulme të përgjakura në Irak. Me dhjetëra persona janë raportuar se kanë gjetur vdekjen gjatë sulmeve të ndodhura në zona të ndryshme të Irakut.

Sulmi më i përgjakshëm ka ndodhur në një kafene në zonën shiite të Bagdatit ku kanë gjetur vdekjen 38 persona dhe rreth 50 të tjera janë plagosur.

Në 8 sulme të tjera të raportuara si të ndodhura në rajonin e Rawas, kanë gjetur vdekjen 8 persona dhe 28 të tjerë janë plagosur.

Vetëm këtë muaj të vrarët e raportuar kanë shkuar në 480 perona gjatë valëve të ndryshme të dhunës.

 

 

 

Shpërthimet në veri të Mitrovicës, antifushatë e grupeve ekstremiste serbe

shperthim_ne_veri_te_mitrovice500Situata e sigurisë në javën e fundit në veri të Mitrovicës ka qenë më e tensionuar për shkak të shpërthimeve që kanë ndodhur, raporton Kohanet. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se shpërthimet e fundit që kanë ngjarë në veri kanë qenë të orientuara kundër personave që janë në listat e subjekteve serbe që pritet të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit. “Ka kohë që ka nisur antifushata e grupeve ekstremiste serbe kundër zgjedhjeve të 3 nëntorit. Pas afisheve, tash kanë nisur edhe sulmet me qëllim të frikësimit të qytetarëve serbë që të marrin pjesë në zgjedhje”.

Drejtori Bala, theksoi se pikërisht kjo antifushatë dhe këto incidente që janë duke u bërë, duhet të shërbejnë si arsye për rritjen e masave të sigurisë në veri. “Këto incidente mund të intensifikohen me afrimin e zgjedhjeve, prandaj strukturat e sigurisë duhet të jenë shumë më të vendosura për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve edhe në atë pjesë të Kosovës”, tha ai.

Në takim u theksua se fushata elektorale në jug të qytetit është duke shkuar mirë dhe deri me tani nuk është shënuar asnjë incident i vetëm.