Ndërtesa tek Ekonomiku, pritet shpërthimi me tritol

45

ndertim pa lejeInspektorati Ndërtimor Urbanistik dhe forcat e policisë së Tiranës vijojne prej paradites se ditës së djeshme aksionin për prishjen e godinës 5-katëshe, e cila po ndërtohej në oborrin e Fakultetit Ekonomik. Rreth godinës u hapën gropa, në të cilat vendoset lënda shpërthyese e që do të mundësojë edhe prishjen e ndërtesës. Sot kryhet shpërthimi I kontrolluar, ndërsa prej orës 07:00 të mëngjesit është ndaluar qarkullimi në zonën përreth. Ndërkaq, pronari i godinës 5-katëshe ka kundërshtuar prishjen e saj, me pretendimin se ka ngritur pa leje vetëm dy kate, ndërsa për të tjerat shprehet se disponon dokumentet e nevojshme.

Sipas të njëjtat burimeve, vijon ende hapja e gropave për vendosjen e eksplozivit që do shembë godinën pa leje, përballë Fakultetit Ekonomik. . Në këto momente punëtorët xhenierë po kryejnë kontrollet e fundit në ndërtesë. Momentalisht jane hapur gjithsej 200 gropa për lëndën shpërthyese që shërben për të shembur ndërtesën 5-katëshe.

Policia e Tiranës informoi në lidhje me masat që ka ndërmarrë për shembjen e kontrolluar të ndërtesës 5-katëshe, përballë Fakultetit Ekonomik.

Duke filluar prej orës 07:00 e datës 20 Tetor 2013 deri në një njoftim të dytë, nga shërbimet e policisë së kryeqytetit do të bëhet bllokimi i zonës:

• Rruga “Arben Broci” nga kryqëzimi i rrugës Elbasanit deri tek Kinoklubi i Qytetit Studenti;
• Nga Kinoklubi i Qytetit Studenti deri te fusha e sportit;
• Fusha e sportit deri tek disko Calvin, në rrugën e Elbasanit;
• Disko Calvin deri tek Fakulteti Ekonomik;
• Gjithë gjatësia e rrugës “Gramos Pashko”.

Policia e Shtetit rezervon të drejtën të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin nga “Rruga e Elbasanit” deri tek Pallati i Brigadave, deri në një njoftim të dytë.

Gjatë kohës së përcaktuar, në këtë zonë nuk do të lejohet qëndrimi apo lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve. Lokalet përreth objektit dhe brenda zonës do të jenë të mbyllura. Policia e Shtetit këshillon pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura.

Ndërtesa do të shembet me anë të shpërthimit të kontrolluar. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se koha e shembjes së godinës 5 katëshe, të ndërtuar pa leje do të përcaktohet në varësi të ecurisë së punës së ekspertëve që po merren me vendosjen e lëndës shpërthyese.

Aksioni nisi dje
Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik dhe forcat e policisë së Tiranës ndërmori te shtunen aksionin për prishjen e  ndërtimit pa leje në hyrje të Qytetit Studenti në kryeqytet. Për të inspektuar aksionin e policisë në vendngjarje mberriten edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi.

Për disa minuta sitata është tensionuar pasi pronarët e godinës dhe familjarët e tyre janë përpjekur të futen në ndërtesë. Pronarët e godinës janë konfliktuar me efektivët e policisë të cilët kanë marrë në kontroll ndertesen.

Pronari
Pronaret pretendojne se vetem 2 kate te godines, jane pa leje ndersa pjesa tjeter, eshte e ndertuar qe prej vitit 1991.
Në një prononcim për “News24”, pronari i godinës Kol Gjonmarkaj deklaroi: “Unë jam banor i Tiranës që në vitin ‘91 dhe këtë ndërtesë e kemi bërë me shumë sakrifica. Kjo ndërtesë është zhvilluar në mënyrë siç kanë ndërtuar të gjithë shqiptarët, me borxhe, me kredi. Eshtë me dokumente, me leje ndërtimi edhe nga Bashkia e Tiranës dhe i kërkoj edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës të prononcohet për këtë objekt. Kam ruajtur parametrat inxhinierike. Vetëm 2 kate janë pa leje. Unë nuk kam një letër zyrtare nga INUK, por këta duan ta shembin nga themelet.”

“Unë kërkoj nga shteti që të më ndihmojë. Kërkoj drejtësi, të sistemohemi në këtë banesë jo të shkatërrohet kjo banesë. Mundi dhe djersa ime të mos shkojnë dëm. Jemi 3 vëllezër që banojmë këtu, 18 veta. Eshtë me leje tash 23 vjet këtu.”- vijoi më tej pronari.

Ndertimi dhe protestat
Që prej ditës së ndërtimit, objekti në oborrin rrethues të Fakultetit të Ekonomisë shkaktoi reagime nga studentët e këtij fakulteti dhe Rektorati i Universitetit të Tiranës. Ndërtimi hasi në rezistencën e menjëhershme të studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Ekonomisë, të cilët ndërprenë mësimin dhe u drejtuan nga ndërtuesit, duke arritur ndalimin e punimeve për disa ditë.
Më pas Universiteti i Tiranës mori përsipër ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë ligjore. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule kërkoi ndërhyrje lidhur me këtë cvështje deri tek kryeministri.