Sigurimi i makinave, Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet

48

konkurrencaRritja e tarifës së sigurimit të detyrueshëm te makinave në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë nga kompanitë e sigurimit që operojnë në treg do të hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se kjo është e dyta herë që tregu i sigurimeve është nën hetim, pasi dyshohet se kompanitë marrin vendime në koordinim me njëra-tjetrën, fakt i cili është i ndaluar në ligjin e konkurrencës. nga ana tjetër Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duket se është “dorëzuar” para kompanive që operojnë në treg edhe pse ka hartuar një sërë ligjesh për rregullimin e këtij tregu. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka Botërore kanë hartuar një plan për rregullimin e tregut të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri.

Ky projekt, parashikon kalimin drejt një tarifimi më efektiv, në llogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, që është ai me bazë riskun. Aktualisht, projekti i cili ka kaluar nëpër disa hapa zhvillimi, është tashmë në fazën përmbyllëse, janë hartuar dokumentet strategjikë, që do të përcaktojnë drejtimet kryesore ku do të fokusohen në të ardhmen shoqëritë e sigurimit dhe AMF. Sipas këtij projekti është hartuar një plan strategjik veprimi me synimin kryesor që tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik të jenë të drejta për konsumatorin dhe t’i shërbejnë atij, efikase në drejtim të kostos, nxitëse për një drejtim më të sigurt automjeti duke prezantuar sistemin bonus/malus dhe të qëndrueshme dhe elastike. Deri tani ky plan ka mbetur vetëm në letër.

Tregu 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vëren se kushtet aktuale të tregut paraqiten të paqëndrueshme dhe kanë krijuar një presion të tillë që çon në luhatjen e çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik. Për rregullimin e tregut në zbatim të këtij projekti, AMF ka bërë përmirësime të ndjeshme në Qendrën Kombëtare të të Dhënave për Sigurimin e Detyrueshëm Motorik, në drejtim të furnizimit të parametrave të nevojshëm për klasifikimin me bazë risku të marrjes në sigurim të mjetit dhe drejtuesve të tij, duke integruar mundësimin e përqasjes Bonus Malus. Një gjë e tillë, i krijon mundësi shoqërive të sigurimit të llogarisin tarifa sigurimi të lidhura drejtpërdrejt me historikun e dëmeve të drejtuesit të mjetit. Të dhënat e nevojshme merren tashmë në kohë reale nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.

AMF në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, të dhënat e Regjistrit Elektronik Online të shitjeve të sigurimeve të detyrueshme motorike, tashmë shërbejnë dhe për kontrollin në kohë reale të vlefshmërisë së policave me sistemin e kontrollit online të vendosur në qendrat operative “e Gjoba”, me qëllim uljen e numrit të të pasiguruarve. Sipas AMF zbatimi i këtij metodologjie në afat-gjatë, do të ketë përfitime në nivel kombëtar. Ndërkohë, AMF do të vazhdojë të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme politikat e tarifimit të shoqërive të sigurimit dhe shëndetin e tyre financiar, për të garantuar, që siguruesit disponojnë mjetet e nevojshme për të përmbushur detyrimet ndaj publikut.

Marrëveshje për doganat

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Lulzim Rafuna me bashkëpunëtor priti Drejtoreshën e përgjithshme të Doganës së Shqipërisë Elisa Spiropali me bashkëpunëtor, ku zhvilluan një takim pune në Prishtinë. Temat e takimit ishin bashkëpunimi Doganor dypalësh, zbatimi i marrëveshjes për bashkëpunim / Bashkim Doganor, luftimi i krimit ndërkufitar etj. Gjatë takimit u diskutua intensifikimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ndërkufitar me qëllim të lehtësimit të qarkullimit tregtar në mes të dy vendeve si dhe tejkalimi i problemeve praktike.

Pas takimit Drejtori i Përgjithshëm Rafuna theksoi se “bashkëpunimi me Doganën e Shqipërisë do të thellohet edhe më shumë, si dhe do të krijojmë grupe të përbashkëta punuese për eliminimin e procedurave në mënyrë që ti ndihmojmë bizneset për një qarkullim sa më të lehte në vendin tonë”. Në anën tjetër Spiropali theksoi se “përveç thjeshtëzimit të procedurave ndër administror, të bashkëpunohet sa më afër në mënyrë që të kalohet nga një kufi real në një kufi virtual midis dy vendeve për të hequr pengesat e fundit që kanë mbetur dhe për të thjeshtëzuar kalimin qoftë të njerëzve qoftë të tregtisë që është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Takimi u karakterizua në frymën e mirëkuptimit dhe u arrit pajtim i dyanshëm rreth temave të diskutuara si dhe u dakorduan që të mbajnë takime të rregullta çdo dy muaj ashtu që të parandalohen problemet eventuale në mes të dy vendeve.